Demokratikisht...

“Demokracia. Ajo nuk premton asgjë për askënd, dhe pretendon shumë nga të gjithë ne.” (G.Zagrebelsky)
Çështja nuk është aspak nëse mundemi apo jo të mësojmë “demokratikisht”, të sillemi në këtë mënyrë dhe të flasim këtë gjuhë, por cilat janë arsyet pse duhet të përqafojmë atë sistem vlerash dhe parimesh që përbëjnë dhe thelbin e këtij sistemi. Pra, nëse ndalemi një çast, rrugëtimi drejt instaurimit të demokracisë duket të jetë një rrugëtim i individit në gjirin e shoqërisë.
Regjimet demokratike, të lindura dhe të zhvilluara në brendi të shtetit modern dhe burokratik, themelohen mbi një legjitimitet të dyfishtë; vota dhe shteti i së drejtës (rule of law). Vota e lirë, si shprehi e lirisë dhe liri e shprehjes së vullnetit të individit, është në një llogjikë institucionale instrumenti i vetëm për të realizuar kalimin e pushtetit ndërmjet forcave politike që gjallojnë jetën e një vendi. Shteti i së drejtës, në kuptimin e garantimit të pakushtëzuar të vlerave themeltare, të drejtësisë dhe të drejtave të njeriut, është diçka më shumë se pushteti i ligjit (ose i rregullit që përmban norma). Shteti i së drejtës në kuptimin aktual, duke patur parasysh dhe krizën politiko-ekonomike në të cilën gjenden dhe shumë prej demokracive më të konsoliduara se ajo shqiptare, po merr gjithnjë e më shumë një dimension kushtetues; pra shteti i së drejtës kushtetuese si një prej kolonave mbajtëse të sistemeve më demokratike.
Në vendin tonë, kjo është akoma dhe më e dukshme duke parë atë çka ndodhi në zgjedhjet e fundit lokale; vëmendja e të gjithëve duket të jetë fokusuar në momentin e ushtrimit të së drejtës për të votuar dhe zhvillimit të procesit elektoral. Shumë prej anomalive dhe mosfunksionimeve të demokracisë janë të lidhura ngushtë me rolin ekskluziv që i është dhënë momentit elektoral. Vjedhja e votës “në tavolinën” e KQZ-së dhe të Kolegjit Zgjedhor provon pikërisht këtë anomali: momenti elektoral, shprehja e vullnetit nëpërmjet votës konsiderohet prej pushtetit si një artific-procedural. Është pikërisht kjo mendësi, e tejçuar në paranojë si nevojë për t’u mbrojtur nga veprimi i rendit juridik dhe për të garantuar me çdo kusht paprekshmërinë e një pushteti rrënjësisht të korruptuar, që ka dhunuar në thelb demokracinë shqiptare. Përvetësimi i të mirave publike dhe papërgjegjshmëria absolute duket të jenë anti-vlerat që promovohen me paturpësi prej këtij pushteti.
Me një llogjikë të shëndoshë, gjithkush prej nesh e kupton shumë mirë se vëmendja jonë, vëmendja e çdo individi dhe jo vetëm e faktorit politik, duhet të fokusohet në implementimin dhe forcimin e shtetit të së drejtës. Ky aksion gjithëpërfshirës duhet t’i paraprijë çdo momenti elektoral: vetëm një sistem ku mbretëron respekti për rregullin dhe parimet kushtetuese, do të mund të mbrojë votën dhe shprehjen e lirë të saj.
Të shumta janë kritikat që i adresohen sistemit demokratik. Këto kritika ndodh të fshehin arsye dhe qëllime shpesh herë të dyshimta. Por ajo çka është më e rëndësishme, është që rezultati i shumë prej tyre është i njëjtë. Plogështi dhe disafeksion ndaj të gjitha vlerave dhe parimeve më demokratike, skepticizëm dhe nihilizëm politik. Ky aksion dritëshkurtër, nëpërmjet njëjtësimit të aktorëve politikë dhe asgjesimit të çdo alternative politike, ka për qëllim mbajtjen e pushtetit me çdo kusht. Është legjitime, në çdo sistem apo rend demokratik, që një forcë politike të promovojë alternativat e saj dhe të ketë për qëllim realizimin e riciklimit të pushtetit nëpërmjet ndryshimit të qeverisjes. Por nuk është aspak legjitim çdo aksion politik apo edhe jo, i cili ka për qëllim ruajtjen e status quo-s nëpërmjet shkatërrimit të çdo besimi dhe shprese për një të ardhme më të mirë.
Akoma dhe më tragjik është fakti se shumë prej “dinakëve” që gëlojnë në gjirin e shoqërisë shqiptare shfrytëzojnë atë që në një dialektikë social-politike të shëndoshë do ta quanim të gjithë njëzëri cilësi të demokracisë; natyra e paplotësuar e saj, si një refuzim i ngurtësimit të mundësive në diçka që do të quanim “e vërteta absolute”. Kjo nuk do të thotë që në demokraci nuk egzistojnë faktet dhe e vërteta e tyre. Realiteti është objektiv dhe pikërisht kjo mundëson ushtrimin e gjykimit tonë mbi faktet që përditshmëria na vë përpara syve. Të vjedhësh apo të vrasësh është një fakt i pamohueshëm, të vësh autorët e tyre përballë përgjegjësisë është një nevojë përmbushja e së cilës mundëson bashkëjetesën.
Shpirti, thelbi i demokracisë është një mundësi gjithnjë e hapur e cila kërkon prej nesh një pjesëmarrje të pashtershme në jetën politike dhe sociale të vendit. Një pjesëmarrje e gjerë do të mundësonte përmbushjen e kësaj hapësire. Në llogjikën e këtij arsyetimi, ajo çka është e rëndësishme është se çdo njëri prej nesh duhet të gjejë arsyet pse duhet të përqafojë vlerat dhe parimet e demokracisë. Këto vlera dhe parime nuk mund kurrsesi të njihen dhe të përvetësohen duke ndejtur të mënjanuar apo indiferentë. Indiferenca dhe plogështia politike janë atentati i parë kundër demokracisë (N.Bobbio). Aksioni politik i cili ka për qëllim, edhe në mënyrë të ndërsjelltë, mbjelljen e tyre në gjirin e shoqërisë shqiptare është një aksion dritëshkurtër i cili frymëzohet nga interesa thellësisht vetjake.
Të marrësh pjesë në jetën politike të vendit do të thotë të njohësh dhe të pranosh dinamizmin që karakterizon demokracinë. Të marrësh pjesë në jetën politike të vendit do të thotë të jesh pjesë e atij proçesi të pandalshëm që është dhe demokratizimi i saj. Demokracia pjesëmarrëse shihet (këndvështrim gjeresisht i pranuar ne debatin mbi demokracinë) si një tejkalim i detyrueshëm i cili mundëson zgjidhjen e disa prej anomalive të sistemeve demokratike përfaqësuese. Hapësira ku zhvillohet ky proçes është hapësira publike politike, e cila strukturohet sipas rregullave dhe parimeve të shtetit të së drejtës dhe ku mbrohet pluralizmi i vërtetë, pluralizmi i objektivave.
Çështja e demokratizimit të vendit kërkon një përqasje të përgjegjshme ndaj problematikave që lëndojnë shpirtin e shoqërisë shqiptare. Kush njeh dhe pranon vlerat dhe parimet demokratike duhet të përpiqet ta mbrojë atë duke marrë pjesë aktivisht në jetën politike të vendit. Të mbrosh proçesin e demokratizimit do të thotë të promovosh me bindje të thellë solidaritetin dhe drejtësinë sociale, barazinë dhe lirinë e shprehjes, shpirtin e bashkëpunimit kundër plogështisë dhe frikës, pluralizmin e ideve dhe të objektivave kundër skepticizmit dhe nihilizmit shterpë. Demokracia nuk bazohet mbi të vërteta absolute por mbi larmishmërinë e alternativave. Proçesi i demokratizimit përkon me një proçes të pashtershëm ndërtimi dhe implementimi alternativash të mirëfillta politike. Asgjesimi i tyre është një shërbim në favor të plutokracive dhe oligarkive. Të mbrosh demokracinë do të thotë të mbrosh lirinë dhe të drejtat e gjithsecilit individ. Liri do të thotë pjesëmarrje.
Demokracia nuk premton asgjë, po ajo kërkon pjesëmarrje të gjerë dhe pikësëpari, një pjesëmarrje masive të të rinjve në jetën politike të vendit. Demokratizim do të thotë rritje, zhvillimi dhe mbrojtje e alternativave politike të mirëfillta. Ky proçes kërkon një pjesëmarrje aktive dhe të pakushtëzuar prej secilit prej nesh. Vetëm qenia pjesë aktive në këtë proçes demokratizimi mundëson zbulimin e arsyeve që do të mundësonin përqafimin e vlerave dhe parimeve të demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Lufta ndaj frikës dhe plogështisë janë hapi i parë të këtij ndërgjegjësimi social për të cilën aq shumë ka nevojë demokracia e brishtë shqiptare.
Add new comment