Faktori që prek në thelb cilësinë e edukimit

Postuar në 09 Nëntor, 2011 03:11
Pëllumb Karameta

Kushdo, dhe pa qenë specialist i edukimit, kupton se vlera e kohës për nxënie në shkollë kushtëzon një pjesë të madhe të investimeve publike në arsim dhe është një faktor kyç për suksesin/dështimin e një shkolle. Koha e përgjithshme për nxënie e fëmijëve (në klasë dhe për veprimtari pas mësimit) është tregues i rëndësishëm i mundësive për t’u edukuar. Gjatësia e kësaj kohe (të themi 45 apo 60 minuta etj) është faktor i rëndësishëm që përcakton mënyrën si ndahen fondet për arsim dhe ndikon brenditë e kurrikulit, strategjitë e zbatimit të programeve të studimit, metodat e nxënies dhe vlerësimit të fëmijëve, deri vetë përmasat e hapësirave për edukim (klasat, laboratorët, mjediset argëtuese, sportive dhe mbështetëse), numrin e mësuesve dhe të stafin mbështetës. Ndaj, është në të drejtën e publikut dhe prindërve të pyesin: Sa kohë nxënë në shkollë fëmijët tanë? A është ajo e krahasueshme me kohën që ofrohet në vendet e tjera?

Përgjigja duket e lehtë. Nëse i referohemi urdhrit të Ministrit të Arsimit për këtë vit mësimor dhe shumëzojmë e mbledhim disa numra, do të na rezultojë se çdo nxënës nga mosha 7-14 vjeç mund të ndjekë 5760 orë mësimore. Por kujdes! Shifra paraqet orët mësimore, jo orët në kuptimin e zakonshëm. Mes tyre ka dallim, sikundër dallon koha për nxënien që zhvillohet në mjediset formale të nxënies (klasa, laboratorë etj.), nga koha tërësore për nxënie që përfshin edhe kohën për nxënie në muze, njësi prodhimi etj. Gjithashtu, dallon koha që planifikon MASh nga koha për nxënie që shpenzohet realisht në shkolla (dallim që vjen p.sh., nga mungesat e mësuesve ose nxënësve). Po kështu, dallojnë ofertat kohore mes shteteve të ndryshme. Qartësimi i dallimeve dhe i pasojave që rrjedh këndej përbëjnë argumentin e këtij shkrimi.

Fillimisht, po u referohem të dhënave që ofron OECD, organizata ku aderojnë vendet më të zhvilluara të globit. Kohët e fundit, kjo organizatë publikoi studimin e saj periodik “Vështrim mbi arsimin 2011: Treguesit e OECD”, që kushdo mund ta konsultojë në adresën: <http://www.oecd.org/dataoecd/61/2/48631582.pdf>. Një ide fillestare për këtë studim krijohet nga vetë struktura e botimit që përmbledh: 1. Rezultatet e institucioneve arsimore dhe ndikimi i nxënies; 2. Burimet financiare dhe njerëzore të investuara në arsim; 3. E drejta për arsim, pjesëmarrja dhe përparimi; 4. Mjedisi i nxënies dhe organizimi i shkollave.

Studimi lejon vendet anëtare të organizatës të shohin veten në dritën e arritjeve të vendeve të tjera. Ai ofron një koleksion të gjerë të treguesve të krahasueshëm të sistemeve arsimore dhe përfaqëson mirëkuptimin profesional për matjen dhe vlerësimin e gjendjes së arsimit në nivel ndërkombëtar. Treguesit paraqesin grupet shoqërore që arsimohen, shpenzimet gjegjëse dhe funksionimin e sistemeve arsimore. Gjithashtu, ata ilustrojnë rezultatet arsimore, duke krahasuar, p.sh., arritjet e nxënësve në lëndët kryesore dhe ndikimin e edukimit mbi të ardhurat dhe mbi shanset e punësimit.

Këndej kam marrë disa të dhëna që i referohen kohës së nxënies në institucionet arsimore publike, ku edukohen nxënësit e grup moshës 7-14 vjeç. Për të qartësuar se çfarë shpreh për vendet e OECD ky term, po i referohem përcaktimit që ofron dhe respekton studimi i mësipërm: 'Koha e nxënies' për nxënësit 7-15 vjeçar i referohet numrit të orëve 60-minuta në një vit shkollor, të organizuar nga shkolla për mësimin në klasë, në vitin shkollor 2008-09. ... Janë përjashtuar orët e humbura kur shkollat ​​janë të mbyllura për festa. Koha e nxënies e planifikuar nuk përfshin kohën jo të detyrueshme jashtë ditës shkollore, detyrat e shtëpisë, konsultimin individual apo studimin vetjak që bëhet para ose pas shkollës’. (Faqe 386 - theksimi im).

Nëse ju do të konsultoni këtë studim, do të konstatoni në faqen 382 se koha mesatare e nxënies në vendet e OECD, në intervalin e moshave 7 - 14 vjeç, është 6732 orë. Vlerat e treguesit luhaten nga 4715 orë në Poloni, në 8316 orë në Itali. Gjatë kësaj kohe, shkollat ​​janë të detyruar të ofrojnë mësim dhe nxënie në lëndët e detyrueshme dhe ato me zgjedhje.

Koha e nxënies është vetëm një pjesë e kohës që përgjithshme, gjatë të cilës nxënësit nxënë dhe edukohen, sepse nxënia ndodh dhe jashtë klasës ose shkollës. Sipas këtij studimi, nxënësit e moshës 12-14 vjeç p.sh., nxiten shpesh të marrin mësime pas-shkolle, për lëndë që mësohen në shkollë, për t'i ndihmuar ata të përmirësojnë rezultatet. Nxënësit mund të marrin pjesë në kurse pasurimin me mësues të caktuar, në mësime që mund të zhvillojnë mësuesit e shkollave, ose kurse të tjera të pavarura. Këto mësime mund të financohet publikisht, ose mund të financohen nga studentët dhe familjet e tyre. Gjetjet e studimit PISA 2009, thekson studimi, tregojnë se sasia e kohës së shpenzuar në këto mësime pas-shkolle ndryshon midis vendeve. Mesatarisht, në vendet e OECD, një pjesë e madhe e nxënësve kanë raportuar se ndjekin mësime pas-shkolle deri në katër orë në javë: në matematikë (26%), shkenca (17%), gjuha e mësimdhënies (lexim, shkrim dhe letërsi) (16%) dhe lëndët e tjera (19%). Në Estoni, Greqi, Kore, Federata Ruse dhe Shangai-Kinë, më shumë se 45% e nxënësve shpenzojnë për matematikën deri në 4 orë në javë pas mësimit.

Bazuar në rezultatet e vlerësimit ndërkombëtar PISA 2006 - theksohet në studimin e mësipërm - koha që shpenzohet për mësimet shtesë pas shkolle dhe për studim individual në shtëpi lidhet negativisht me rezultatet e nxënësve. Sigurisht, kjo ka arsyet e saj. Studimi shtesë p.sh., mund të kryhet për qëllime riaftësimi (të themi, plotësim i boshllëqeve), më shumë se sa për të rritur cilësinë e rezultateve. Tej arsyeve të tilla, në të gjithë vendet, të dhënat tregojnë se nxënësit tentojnë të arrijnë rezultate më të mira, kur një përqindje e madhe e kohës së përgjithshme për nxënie - për mësime të rregullta në shkollë, për mësime pas-shkolle dhe studim individual - shpenzohet gjatë orëve të mësimit normal në klasë. Për shembull, në Australi, Finlandë, Japoni dhe Zelandën e Re, nxënësit e të cilëve renditen të parët në botë, mbi 70% e nxënies së lëndëve shkencore realizohet gjatë mësimeve të rregullt në klasë. Megjithatë, koha e përdorur për nxënie nuk shpjegon plotësisht pse nxënësit në këto vende arrijnë rezultatet më të mira. Në fakt, në këto vende, përveç Zelandës së Re, nxënësit 15 vjeçar shpenzojnë më pak kohë për të nxënë shkencat, krahasuar me mesataren e OECD. I njëjti model vihet re për kohën e nxënësie së matematikës dhe të gjuhës së mësimdhënies (faqe 385).

Le të përqendrohemi tani në kohën e nxënies që u ofrojnë nxënësve 7-14 vjeç shkollat tona dhe ta krahasojmë atë me ofertat kohore të vendeve të OECD. Në këtë hark kohor, nxënësi ynë ndjek 5760 orë mësimore, me gjatësi 45 minuta. E kthyer në orë të zakonshme, shifra bëhet 4252, ndërsa vlera mesatare e treguesit në OECD është 6732 orë. Kjo do të thotë se çdo nxënës shqiptar, për 8 vite në arsimin bazë, ndjek fiks 2480 orë më pak , ose 47% e vlerës së treguesit mesatar të vendeve të OECD (!) Madje, 463 orë më pak se sa u ofrohen nxënësve të Polonisë, vendi me treguesin më të ulët (!!). Nuk po guxoj t’i referohem Italisë.

Ky buxhet kohor bën që fëmijët tanë, në rastin më të mirë, të mbushin rrugët që pas orës 13 ose, në rastin më të keq, të frekuentojnë shkollat me turne – dukuri tejet e shëmtuar kjo për mjaft zona të mbipopulluara urbane të vendit. Koha e reduktuar i ka privuar fëmijët tanë nga marrja e vaktit të drekës në shkollë dhe nga pjesëmarrja në veprimtaritë edukative që mund të organizohen nga mësuesit dhe specialistët e edukimit. Kjo, sigurisht, kërkon që dhe mësuesve t’u zgjatet koha e qëndrimit në punë (p.sh., mesatarja e numrit të orëve të mësimdhënies në ciklin fillor në vendet e OECD është 1038 orë mësimi, në një kohë që tek ne ky tregues është 743 orë mësimi), por dhe të paguhen ata më shumë dhe të trajnohen profesionalisht për të kuptuar ndryshimin. Kjo gjendje mund të fillojë të ndryshojë atëherë kur vendimmarrësit të tejkalojnë stadin foshnjor të konceptit për shtetin e së drejtës dhe të investohen realisht për ta shndërruar arsimin në faktor të begatisë dhe mirëqenies shoqërore, i cili sjell zhvillim të qëndrueshëm, sjell më shumë drejtësi, më shumë paqe dhe më shumë mirëkuptim ndërmjet njerëzve, si kudo në Evropë, atje ku besimi në vlerat e arsimit përbën, ndoshta, një nga ideologjitë më të rëndësishme dhe më të përhapura.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.