Shqipëria: E bukur, e pazbuluar dhe e lirë (ekonomike)

A do të dëshiroje që të gjendej një vend me të njëjtin bregdet si Greqia, por pa turistë? Pusho së ëndërruari. Në veri të Greqisë vazhdon linja bregdetare, dhe turistët nuk kanë ardhur akoma.
Lonely Planet ka zgjedhur Shqipërinë si vendi më interesant për pushime për kohen, dhe si dashuria e re e Mesdheut, dhe Eurostati e ka renditur Shqipërine si vendi më i lirë për pushime.
Në veri, bregdeti grek vazhdon përgjatë detit Jon në atë që quhet «riviera shqiptare». Këtu janë kilometra të tëra me plazhet më të bukura që mund të imagjinohen.
Uji është i kaltër dhe formacionet shkëmbore bëjnë që plazhe kilometrike të ndërpriten nga gjire të vogla që kalohen me vështirësi.
Gji i mrekullueshëm
- Mund të gjenden plazhe perla të vogla krejtësisht të izoluara, thotë Cecilie Endresen, e cila ka mbrojtur doktoraturën me një temë për Shqipërine, dhe ka jetuar si dhe ka kaluar pushime shumë herë në Shqipëri.
Kur VG (emri i gazetës) vizitoi në vjeshtë bregdetin më jugor, mundëm të ecnim për kilometra të tëra përgjatë plazheve të shkreta në Dhërmi pa takuar pothuasje asnjë njeri.
Plazhi në të cilin shkuam ishte një përzierje rëre dhe gurësh të rrumbullakët. Kur ai u ndërpre nga një shkëmb që dilte në det, u kacavorëm për të parë cfarë kishte pas tij. Atëhere u hap para nesh një gji i vogël, i mrekullueshëm, që rrethohej nga një pyll i ngushtë dhe shkëmbinj të pjerrët. Ishte një surprizë e madhe për ne kur pamë që aty shtrihej i vetëm një burrë dhe bënte banjo dielli nudo.
Sidoqoftë këto formacione janë tipike për bregdetin shqiptar.
Nëse dikush do që të ketë pushime të qeta, me kohë cilësore në plazhe të virgjëra, këtu është perfekt. Ky është sekreti i fundit në këtë planet, është i mrekullueshëm, por askush nuk di për të, thotë Romeo Bollano, të cilin VG e takoi në barin e tij në Himarë.
Ai ka gjithashtu edhe një hotel dhe jep dhoma me qera.
Restorante të mira
-Gjysma e poshtme e bregdetit ne jugperëndim është jashtëzakonisht e bukur. Në disa prej këtyre plazheve mund të provosh efektin që quhet ‘verbim nga bora’, sepse rëra është kaq e bardhë, thotë Endresen që ka një apartament të sajin pushimesh në Sarandë. Këtë të fundit ajo e përshkruan si “një qytet i këndshëm në det, me një shëtitore të bukur në plazh, restorante të mira dhe një kala të vjeter me pamje spektakolare”.
Bukuria megjithatë ndërpritet nga plehrat. Në shumë vende plehrat pluskojnë. Në të njëjtën kohë shtëpitë gjysëm të ndërtuara ose të shkatërruara janë ne radhë. Ky vend është shumë larg të qënurit një ‘makineri turistike’.
-Kjo linjë bregdetare varion nga plazhet me rërë fine në ato me gurë të rrumbullakët. Plazhet e mëdha janë te virgjëra. Nuk janë plazhe turistike nga ato që gjenden në Spanjë, por ka bare, restorante dhe vende për të kaluar natën. Ajo cfarë duhet të bësh është të marrësh një palë këpucë të mira, të përgatitësh një cantë dhe të shkosh për piknik, thotë Marit Endresen, e ëma e Cecilias, e cila nga interesi i së bijës për këtë vend filloi edhe ajo të udhëtonte në Shqipëri- gjë që bëri që ajo të dashurohej me Shqipërinë.
Plazhe të mrekullueshme
-Plazhet janë fantastike, i gjithë bregdeti i Jonit është i tillë, ndërsa Tale është vendi më i këndshëm në bregdetin Adriatik, thotë biznesmeni norvegjez Kjell Høibraaten që ka jetuar në Shqipëri që nga 1993.
Pronari i barit dhe hotelit, Bollano, ka këto argumenta përse turistët duhet të vizitojnë vendin e tij të lindjes:
- Natyra, historia e pasur e Shqipërisë, mitologjia, cilësia dhe cmimet e pijeve dhe ushqimeve. Këtu mund të gjesh ushqim të fshatit, peshkun e marrim nga deti, vajin e ullirit nga pemët e ullinjve këtu dhe djathin nga dhitë, thotë ai.
Ushqimi i detit
- Mund të gjesh restorante të vogla të bukura me ushqime deti fantastike dhe të pish sa të duash vetëm me 100 korona norvegjeze, thotë Marit Endresen dhe shton:
- Për më teper, ushqimi është i sigurtë, dhe është i lirë e shumë i shijshëm. Vendet për të kaluar natën janë të pastra dhe të këndshme.
Bollano tregon që më shume turistë ka në periudhën ndërmjet 15 Korrikut dhe 15 Gushtit.
- Prilli dhe Maji, gjithashtu edhe Shtatori, janë muajt e mi të preferuar në Shqipëri, thotë Cecilie Endresen.
Kur VG vizitoi bregdetin në Tetor mund të laheshe akoma në det dhe dielli ishte mjaft i ngrohtë për të bërë banjo dielli. Në mbrëmje kalohej mirë me një triko ose xhaketë.
Shqipëria është e sigurtë
Shqipëria ka një famë sikur është e lidhur ngushtë me banda kriminele që kanë pllakosur edhe Norvegjinë. Sipas bashkëbiseduesve të VG, të cilët e njohin mirë vendin, Shqipëria nuk është një destinacion i frikshëm udhëtimi.
- Shqipëria është një vend i sigurtë, mund edhe të lësh portofolin në një vend dhe askush nuk e nget. Kjo ka të bëjë me kulturën, më e rëndësishmja është të kujdesesh mirë për miqtë e tu, thotë Marit Endresen.
- Shqiptarët janë një popull i hapur, dhe norvegjezët vecanërisht janë popullorë këtu, thotë Kjell Høibraaten.
- Shqiptarët janë shumë entuziastë për turistët. Ata bëjnë cmos për të ndihmuar të huajt që t’i bëjnë ata të ndihen mire, thotë Cecilie Endresen.
Rrugë të reja
Trafiku në Shqipëri nuk është si në Norvegji, por janë ndërtuar shumë rrugë të reja dhe të gjera vitet e fundit.
- Të ngasësh makinën në Shqipëri është mirë, por duhet të jesh vazhdimisht i kujdesshëm dhe në mbrojtje, sepse është një nga vendet më të vështira për të ngarë makinen. Kultura e ngarjes së makinës këtu është relativisht e re, 20 vjet, dhe papritur të mbijnë përpara njerëz e bagëti. Duhet të ndjekësh rrugët kryesore dhe të mos humbasësh në rrugët e vogla, thotë Marit Endresen që i ka dhënë makinës shumë rreth e qark Shqipërisë.
Festat në plazh
Nqs je i ri, dhe të pëlqejnë mbrëmjet dhe jeta e plazhit, më tepër ndoshta sesa përjetime të qeta të natyrës, edhe për ty Shqipëria ka dicka për të ofruar.
- Dhërmiu është vendi ku ka me të vërtetë jetë dhe që mund t’u pëlqejë të rinjve. Është si Ibiza. Festa të mëdha, të cmendura, thotë Romeo Bollano. Dy vite më parë ishte Dj Tiesto në koncert këtu në plazh me 25 000 persona. Shqipëria ka deri tani birrën më të lirë në Europë sipas pintprice.com
Kombinim i pushimeve në plazh me kulturë dhe histori
- Shqipëria është fantastike për ata që janë të interesuar pas historisë dhe kulturës.
Këtë e thotë norvegjezi Kjell Høibraaten që ka jetuar këtu që nga 1993.
Cecilie Endresen, që ka bërë kërkime në Shqipëri, vecon këto vende:
- Gjirokastra është një qytet në listën e UNESCOs. Është mistike dhe tipike shqiptare me rrugët e saj të kalldrëmta në pjesën e vogël të qytetit të vjetër.
- Berati është një qytet kështjellë me shumë rrugë të vogla, të ngushta dhe të bukura. Është shumë bukur të ecësh përreth. Vendi i ngjan pak qyteteve greke, me vejusha të veshura në të zeza që ulen para mureve të bardha të shtëpive.
- Në veri pervec të tjerave është një luginë që quhet Valbona, aty është një vend i jashtëzakonshëm dhe më kujton nacionalizmin romantik norvegjez (një lëvizje artistike kulturore e letrare në Norvegji në vitet 1840-1867, që kishte në qendër natyrën norvegjeze dhe identitetin kombëtar).
- Tiranën duhet ta përjetosh, është një qytet ‘i cmendur’, me shumë ngjyra ngado. Qyteti ka numrin më të madh të lokaleve për frymë në botë, plot restorante të mira dhe të lira, kafene dhe njerëz të këndshëm- në të njëjtën kohë është një mundësi e vetme për të parë statujat e vjetra komuniste, që tani janë të vendosura në kopshtin pas Galerisë Kombëtare.
-Rreth e qark Krujës gjenden vende të shenjta muslimane sufi, dhe të tilla ka shumë në Shqipëri.
Høibraaten tregon edhe për mundësitë për të ecur në male në një terren të bukur në veri, dhe përmend një shëtitje të bukur mes Thethit dhe luginës së Valbonës.
P.S. Artikulli në fund mbyllet me sugjerime itineraresh për të udhëtuar në Shqipëri.
Përktheu nga shtypi norvegjez: Suela Kacerja
Comments
Pershkrim real. Kemi nevoje
<p>Pershkrim real. Kemi nevoje , dhe shume madje, te degjojme gjera te mira per vendin tone.</p>
Pervec artikujve te tille me
<p>Pervec artikujve te tille me karakter turistik, nje reklame shume te mire, fitimprurese dhe sensibilizuese Shqiperise ia bejne dhe emigrantet dhe te gjithe ata shqiptare qe jetojne, punojne, studiojne, kane marredhenie direkte jashte shtetit, ata qe flasin, tregojne per te neper tavolina... por kjo gje kalon pa u vene re, pa u vleresuar, nuk para permendet. E megjithate nuk ka menyre me direkte e me te ngrohte per te njohur nje vend, apo per te lindur kurioziteti ndaj nje vendi te panjohur, sesa kontakti i vazhdueshem me njerezit e tij. Sado qe jemi larg, shumica jone mbart shume Shqiperi perbrenda, dhe e transmeton ate vazhdimisht ne nje menyre apo nje tjeter...</p>
Add new comment