RTV Publik për publikun

Të mërkurën isha i ftuar në tryezën që organizoi PS-ja me analistë, gazetarë e pronarë të mediave shqiptare rreth reformave që ajo parashikon të propozojë për këtë sektor të rëndësishëm për konsolidimin e demokracisë sonë të brishtë. Një nga shqetësimet që u ngrit në tryezë ishte ai rreth njëanësisë së skajshme të Radio-Televizionit Publik. Dhe unë ofrova në tryezë disa ide për reformimin e tij, të cilat, përmbledhtazi, po i ndaj më poshtë me lexuesit e respublica.al.
Radiot dhe televizionet publike, në shumicën dërrmuese të vendeve, financohen kryesisht me paratë e taksapaguesve. Kjo sepse, si shumë shërbime të tjera që ofrohen nga shteti, ato konsiderohen si të mira publike (të mirat publike ose nuk ofrohen dot nga privatët, ose nuk janë fitimprurëse për ta). Por në disa vende, radio dhe/ose televizione publike financohen në mënyrë vullnetare nga vetë publiku. Kështu për shembull, në SHBA, radioja dhe televizioni publik, ndërkohë që nuk i ndërpresin programet me spote publiçitare (siç bëjnë simotrat e tyre private), financohen kryesisht prej pagesave vullnetare të dëgjuesve e shikuesve dhe prej sponsorizimeve të kompanive të ndryshme.
Një model i tillë financimi ka të mirën se teston drejtpërdrejt vlerën që kanë programet e stacioneve publike për dëgjuesit/shikuesit e tyre, ndërkohë që nuk i kalohet një pjesë e barrës financiare taksapaguesve që nuk janë të interesuar t’i ndjekin ose që nuk mendojnë se ia vlen të paguash për to. Por a do të funksiononte një model i tillë në Shqipëri? Ndoshta jo.
Shumica e dëgjuesve/shikuesve të programeve të Radio-Televizionit Publik mund të jenë njerëzit me aftësitë më të vogla financiare për të kontribuar vullnetarisht për mbajtjen e tij në këmbë. Ndërsa shumë nga ata që i kanë xhepat e ngrohtë, falë mpirjes së ndjenjës së komunitetit, ndoshta nuk do ta merrnin mundimin t’i dërgonin vullnetarisht ndonjë çek Radio-Televizionit Publik.
Në mungesë të testimit të drejtëprdrejtë të vlerës që kanë programet publike për dëgjuesit/shikuesit e tyre, dhe duke presupozuar se ato do të duhet të mbahen në këmbë me paratë e taksapaguesve, vlen të zhvillohet një vrojtim statistikor rreth preferencave të shtetasve shqiptarë për programet që ata nuk i gjejnë dot në stacionet private, dhe që do të dëshironin të transmetoheshin në Radio-Televizionin Publik. Sepse nuk ka kuptim që paratë e taksapaguesve të përdoren për financimin e një kopjeje jokonkuruese të radiove dhe televizioneve private, ndërkohë që këto të fundit mund të ndiqen falas pothuaj në çdo cep të vendit.
Vrojtimi statistikor rreth programacionit të Radio Televizionit Publik mund të zbulojë se sa interes ka publiku për emisionet rreth historisë kombëtare, gjeopolitikës së vendit e rajonit, kulturës shqiptare, sportit, zhvillimit të arsimit, për tema të diasporës, të zhvillimit ekonomik, të përvojave të përparimit dhe emancipimit shoqëror, të jetës së përditshme të qytetarit, etj. Gjithashtu vrojtimi mund të zbulojë se ç’fraksion të programacionit duhet të përbëjnë emisionet e lajmeve dhe debatet e karakterit politik. Dhe meqenëse këto dy të fundit kanë qenë mollë sherri midis krahëve kundërshtarë të politikës që prej lejimit të pluralizmit, vlen të pyeten të intervistuarit nëse do të deshin që Radio Televizioni Publik të kishte dy departamente paralele të lajmeve - njërin të kontrolluar nga pozita, e tjetrin nga opozita.
Në rast se publiku preferon dy departamente lajmesh paralele, mund të ndiqet modeli italian i TG-1 dhe TG-2, të cilat i transmetojnë lajmet me gjysëm ore diferencë, e debatet politike jo në të njëjtën ditë dhe/ose orë. Gjithashtu, duke ndjekur shembullin e TG-1 dhe TG-2, standardet e gazetarisë profesioniste do të duhet të zbatohen nga të dyja departamentet. Sepse, përndryshe, emisionet e tyre ndoshta do t’i ndiqnin vetëm militantët e zjarrtë përkatës. Pra, që kjo të mos ndodhë, çdo deklaratë, intervistë, lajm, qëndrim, e koment i njërës palë do të duhet të ballafaqohet me ato të palës tjetër. Ndërkohë, secili department mund të zgjedhë vetë se cilave lajme do t’i kushtojë më shumë kohë e cilave më pak, ose ndoshta fare.
Në një model të tillë, departamentet paralele të lajmeve do të funksiononin si entitete më vete, të cilat thjesht do të përdornin pa pagesë studiot dhe dy frekuencat aktuale të Radio Televizionit Publik. Dhe në këtë mënyrë, puna e KDRTSH-së do të bëhej shumë më e lehtë. Sepse ky këshill nuk do të kishte më barrën e ekuilibrimit politik të programacionit – ai do të kujdesej kryesisht që emisionet jopolitike të plotësonin kërkesat që publiku ka për to.
Comments
praktikisht po thoni t'u

praktikisht po thoni t'u japin nga nje studio televizive Pd e Ps qe te bejne lajmet e tyre.....s'ka sens...RTVSH duhet te ndjeke shembullin e BBC-se, te informoje profesionalisht, te edukoje dhe te zbavise...as simple as that...nese s'e ben dot, ta mbyllin fare.

Ed! Nuk është se s'ke të

Ed! Nuk është se s'ke të drejtë kur jep strukturën programore dhe zbërthen qëllimin, por nuk ke dhe s'merr parasysh shoqërinë shqiptare, krijesa të së cilës janë ato parti politike që marrin e përdorin pushtetin, mes të cilave hyn ose e bëjnë të hyjë, Radio e Televizioni Publik. Klima e tendosur politike, armiqësitë e palve, urrejtja e klaneve drejtuese të partive kryesore, urrejtja e shtrirë më tej mes popullit, politika nepotike e qeveritarve, servilizmi dhe paaftësia profesionale e punonjësve të Televizionit, mbajtja me ç'do çmim e sa më gjatë e pushtetit, kullotja e pronave publike si qëllim madhor i tërë hordhive, ata pra që fituan zgjedhjet, militantizmi e fanatizmi, niveli i ulët kulturor i popullit, mungesa e kulturës demokratike...lere fare se janë shumë. Asgjë nuk ka gjasa të ndryshojë. Së pari, duhet ndryshuar struktura e shoqërisë shqiptare. Më vjen paksa keq për atë godinën hijerëndë, të shndrruar në gërmadhë, me mure, me teknikë e me njerëz.

Pra, besoj se u kuptuam Eduard. As ty, sa mua dhe as kërkush tjetër nuk do lejohet të bëjë ato ndryshime që kërkon. Nuk jemi këtu Suedia apo Çekia. Këtu or zotëri i thonë Shqipëri, ngjashmërisht me Azerbajxhanin, Kazakistanin apo Uzbekistanin dhe gjërat do bëhen në kohën e tyre. Duhet të presësh.

Ed! Na bëj ndonjë statistikë se në ç'raport janë diplomat origjinale me ato të falsifikuara, sa juristë dhe gazetarë ka për 1000 banorë, etj.

Faleminderit që mundoheni, duke na dhënë për zgjidhje ushtrime të tilla. Rrofshi e qofshi.

Pra, te rrime duarkryq.

Pra, te rrime duarkryq. Keshtu , pa bere asgje, e ardhmja vetem e dreqos me keq gjendjen. Sugjerimet e Zaloshnjes duhen perkrahur, cuar me tej e propaganduar, qe te pakten RTV-se t'i behet nje presion. "Gjithe c'duhet qe e keqja te triumfoje eshte qe njerezit e mire te mos bejne asgje". Pra, Petro, ne vend te qendrimeve disfatiste le te perpiqemi t'u japim njerezve te kuptojne forcen e zerave te perbashket.

(nje verejtje per Eduardin: fjala pozite ne vend te maxhorance, ose shumice, nuk ekziston ne shqip. Eshte shpikje e injoranteve. )

Përshëndetje Besi! Të ishte

Përshëndetje Besi! Të ishte për mua, këta zuzarët e TVSH-së dhe padronët e tyre, i zhvishja lakuriq dhe vija veten e miqtë e mi t'i rrihnin me shkopinj thane e hithra. Gjuha e përdorur më sipër nga unë, jo se i drejtohet Eduardit, se sa i bie pragut të dëgjojnë palokrat e shurdhër. Unë di një gjë, që pushtetit që përdor TVSH-në, as mender i rruhet fare se çfarë mendojmë unë, ju dhe Ed Zaloshnja. Jemi fajtor se i bëmë lëvizjet e ndryshimit gjysmake, ndaj sot jemi shtet gjysëm demokratik dhe paguajmë për një televizion publik që nuk ekziston.

Add new comment