Testi i letërsisë, mediokriteti përballë meritokracisë

Postuar në 12 Qershor, 2012 03:29
Çapajev Gjokutaj

Këto ditë kur opinioni publik është fiksuar me kuç e me maç te zgjedhja e presidentit, mund të kalojnë pa u venë re shqetësime që rëndojnë tërë shoqërinë.

Thuajse pa u venë re, dmth pa u diskutuar e pa nxjerrë mësime e pësime, po kalon edhe problematika që sugjeron testi i provimit të letërsisë për maturën 2012. Në cepa gazetash dhe përfund emisione lajmesh u njoftuan demonstrata të maturantëve në Tiranë e në Korçë që u pasuan nga porosia e zyrtarëve të lartë që për poezinë Albatros të Bodlerit komisionet vlerësuese të marrin parasysh çdo shpjegim që është brenda kontekstit të poezisë dhe të mos penalizojnë askënd që nuk ka dhenë përgjigjen strikte të skemës orientuese.

Problematika e testit në fjalë është tejet më komplekse se sa përgjigjia e një prej pyetjeve, ndaj vështirë se mund të zgjidhet me një urdhër për mënyrën e vlerësimit, qoftë edhe nga maja e Olimpit. Ky test ngjall shqetësim dhe grish të diskutosh sa për kompetencën profesionale të elitave tona mësimdhënëse aq edhe për meritokracinë dhe politikat e kuadrit në sistemin arsimor.

Duket si trillim i një fantazie narkomani të thuash se një grup mësuesish letërsie, zgjedhur si të dalluar mes më të dalluarve të Republikës, të thotë se albatrosi në poezinë homonime të Bodlerit simbolizon natyrën e dyfishtë te çdo qenie njerëzore, që është: çdo njeri mbart në vetvete si cilësitë pozitive ashtu edhe ato negative (si mbartës i mëkatit fillestar). Vet teksti nuk le shteg për këtë interpretim, sepse ne strofen e fundit e përqas albatrosin me poetin në mënyrë tejet eksplicite: Kështu është dhe poeti, si ky princ resh,/ Që me harkëtarët qesh e mes stuhive vërtitet,/ Po i mërguar në tokë, me thumbimin i rënë ndesh,/ Ashtu penguar nga krahët e gjatë mezi çapitet.

Teksti në këtë rast shtin në punë verigat e fjalëve dhe thuajse dhunshëm të detyron që ta kërkosh simbolin që fshihet pas albatrosit në semantika të tilla si: natyra e poezisë, poetikja vs mediokriteti/ligësia, poeti - mjeshtër i qiejve por mjeran në gjëra praktike, procesi krijues është qiellor kurse procesi i leximit vulgar e fyers etj. Eshtë vështirë të kuptosh pse hartuesit e testit kanë lenë mënjanë poetin dhe kanë kaluar te një koncept më i gjerë, te njeriu, por është e pamundur të gjesh ç’i ka shtyrë të flasin për mëkatin fillestar, nga që teksti në asnjë fjalë a gërmë nuk ta sugjeron këtë koncept biblik.

Gjithsesi edhe kjo e ka një burim, jasht tekstor natyrisht. Pas gjasash është marrë/kopjuar nga interpretimi i ndonjë anglishtfolësi me aftësi modeste në intepretimin e teksteve. Dihet që fjala albatross në anglisht veç shpendit të njohur të deteve shënon edhe kuptimin metaforik: barrë që rëndon shpirtin e dikujt dhe perceptohet si pjellë e një mallkimi.  Ky kuptim metaforik që buron nga poema e njohur e Samuel Coleridge The Rime of the Ancient Mariner, nga përdorimi i gjatë dhe i dendur ka dhenë një katakrezë dmth një fjalë që e ka humbur ngarkesën figurative dhe përdoret thjesht për të shenuar kuptimin: një barrë a handikap konstant dhe i paevitueshëm.

Eshtë e qartë anglishtfolësi në fjalë, paçka se rezulton të ketë qenë mësues dhe pastaj publicist prolifik, i quajtur Michael Cummings, e ka lexuar fare lirshëm përkthimin anglisht të Albatrosit, vështirë se e ka patur idenë se ç’thotë Bodleri në origjinalin frengjisht, ka bërë një veprim prej amatori kur ka marrë kuptimin barrë e mëkatit nga Coleridge dhe ia ka ngjeshur tekstit të simbolistit freng.

Më tej fabula është e njohur: grupi që hartoi testin ka hyrë në internet, ka marrë marrë copy and paste këtë interpretim çalaman nga të dya këmbët dhe ia ka mballosur tekstit shqip të Albatrosit që, siç u përmend tashmë, s’ka asnjë fjalë që ta orientojë lexuesin drejt kuptimit mëkati fillestar. Rezulton që mijra maturantë kanë rënë pre e … “eruducionit elektronik” të mësuesve, erudicion që të sjell ndër mënd vargun sarkastik filozofi e thellë në ujra të cekta.

Në se do të përdornim dy terma nga Umberto Eco, interpretimi i tillë i simbolit nuk është lexim por përdorim, nuk lexohet ajo që është shkruar në tekst, por përdoret teksti për të arritur në ide që merren jashtë tij dhe i takojnë moralit, religjonit ose thjesht padijes së interpretuesit. Eshtë sinjifikative që kjo braktisje e tekstit bëhet bash në një provim letërsie dhe ngjan si një blasfemi brenda tempullit, për më tepër blasfemi e bërë nga kryemeshtarët,  dmth nga elita e mësimdhenësve. Mësuesi i sotëm i letërsisë ka një varg misionesh, por kryemisioni i tij është t’i udhëheqë nxenësit që letërsinë ta shijojnë në tekst dhe nëpërmjet tekstit; ta përjetojnë si art dhe jo si moral, si politikë, histori, biografi etj. Po të ndiqet rruga e dytë nxënësi nuk mëson letërsi, nuk dialogon me letërsnë dhe për letërsinë, por përflet, përgojon e shpërfill një nga thesarët më të çmuar që ka krijuar shpirti njerzor.

Shkëputja nga teksti dhe prirja për përfolje/përgojim nuk bie në sy vetëm në pjesën që merret me Albatrosin. Fatkeqësisht ajo mbisundon gjithë testin e këtij viti. Tregues është fakti që ka fare pak pyetje të cilat do ta shtynin nxënësin të operonte konkretisht me elementë tekstorë si fjalë, sintagma, fraza, ritme, rima etj.  Edhe ato pak pyetje që drejtojnë vemendjen nga tregues tekstorë janë kryesisht në rrafsh formal e konstatues, nuk merren me funksionin a strukturën, por kërkojnë veprime mekanike tipit: në cilin nga vargjet e mëposhtme është përdorur metafora.

Për të mos thënë pastaj se, në më se një rast, pyetje të kësaj kategorie përmbajnë lajthitje që nuk i lejohen mësuesit jo se jo, por as gjimnazistit mesatar. Sa për perceptim kujtojmë pyetjen nr. 6 të tekstit të parë: Në cilën prej alternativave të mëposhtme gjuha e përdorur nga autori bëhet më emocionale dhe figurative? Siç shihet konceptet emocionale dhe figurative merren si të barasvlefshme dhe presupozohet se gjithnjë shkojnë bashkë. Por realiteti thotë se tonet emocionale të një ligjërimi publik, siç është teksti në fjalë, mund të rezultojnë tejet të ngritura edhe pa përdorur kurrfarë figure, por thjesht duke shtënë në punë elementë të tillë tekstorë si pasthirmat, thirrorët, bashkërenditjet etj. Por kulmi i inkomptencës arrin kur më emocionale dhe më figurative konsiderohet thenia: Ruaji këto rregulla me besnikëri,gjithmonë duke e matur vlerën e jetës sipas kushteve të kënaqësisë personale. Uroj të jetë lapsus, se jo maturantët shqiptarë të një vitit, por gjithë retoristët e botës të mblidhen, të gjallë e të vdekur qofshin, vështirë se mund të gjejnë këtu ndonjë figurë, qoftë edhe të shuar.

Eshtë vështirë deri në pamundësi të mendosh se teste të tilla hartohen nga elita e mësimdhenësve të vendit. Duke kërkuar ndjesë për personalizimin, mund të them se gjatë përvojës sime si pedagog kam njohur me dhjetra studentë që sot janë mësues letërsie dhe në asnjë rrethanë nuk do t’ia lejonin vetes lajthitje të tilla. Kompetencë të lartë profesionale dëshmon edhe shkrimi Matura shtetërore dhe “Albatros” botuar këto ditë nga mësuesja Natasha Shuteriqit (Poroçani).

Pyetjet që të trubullojnë në kësi rastesh janë: pse organet kompetente nuk përzgjedhin mësues të tillë për të hartuar testet; sa dhe si funksionon parimi i meritokracisë në emrimet e mësuesve; mos vallë po shitet e nesërmja e fëmijve tanë për të blerë votat e sotme të militantëve amatorë e injorantë; a u dëshmon sistemi qytetarëve të nesërm se njerzit vlerësohen e shpërblehen në bazë të aftësive dhe jo në bazë të përkatësive partiake apo klanore?

Comments

Submitted by Anonim (not verified) on

Kam vënë re,që në gazeta dhe në shkrime online,është bere zakon i keq që shkrimet të kenë gabime drejtshkrimore.

Madje me raste janë edhe trashanike.Nuk dua të ndalem tek ideja e shkrimit.

Është ironike që të kritikohet mënyra se si është hartuar provimi i letersise,dhe shkrimi me te cilin shprehet kjo kritike te kete te tilla gabime.

Fjalë pa ë fundore,fjalë që duhet te kenë ë dhe nuk kanë,terma që në shqipen letrare nuk gjenden,mungesa e aq shumë presjeve sa fillon të të dhembi koka dhe leximi i disa pasazheve duhet bërë dy herë që të kuptohet.

Që këtu e humb vlerën shkrimi.Pyes veten se si ka mundësi që kur arrij ta kuptoj unë që nuk kam mbaruar as filologjikun dhe as gazetari,autori i tekstit dhe korrektori,nëse ka,nuk e bëjnë.

SHQIPJA nuk është opinion.

Submitted by ladi (not verified) on

Nuk çalon gomari nga veshet.Nuk po ben hartim.E rendesishme eshte permbajtja.

Submitted by Lejda (not verified) on

Mendoj se shkrimi ngre një problem shumë të rëndësishëm që lidhet, jo thjesht me hartimin e një teze provimi, por më gjerë, me cilësinë e arsimit dhe arsimtarëve tanë.

ANONIM, shumë ë i ke bërë e, dhe pas pikës e presjes duhet hapësirë.

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.