Një nga mjeshtrat e pakët të mbetur...

Postuar në 05 Shtator, 2012 02:10
Intervistë me Joseph Coudelka-n

Koudelka (Joseph Coudelka) është një nga fotografët legjendë botërorë, që ende jetojnë. Nuk e ka kërkuar kurrë lavdinë, ajo i është blatuar prej punës së jashtëzakonshme dhe sfidave të mëdha që ka përballur të gjithë jetën. Nëse fillesat e tij mund të quhen disi aksidentale, nuk mund të quhet asesi kështu, vazhdimësia, që e ka ngritur në panteonin botëror të mjeshtrit të fotos.

Për ata që nuk e dinë, Kudelka është fotografi çek, që ditën e invazionit të frikshëm rus në Pragë më 21 gusht 1968, u gjet në vendin dhe kohën e duhur, duke dokumentuar të gjithë pushtimin. Një vit më vonë, kur mori çmimin e parë ndërkombëtar, ai ende trajtohej për ta ruajtur si P. P. (Fotografi i Pragës) derisa vite më vonë, arriti që të dalë me emrin e vet, përmes punëve që kanë mbetur në historinë e artit pamor ndërkombëtar. Dhe të mendosh, se ky mik i Henri Cartier Bresson nuk pretendon se është ndonjë lloj intelektuali apo filozofi, por thjesht një njeri me fat. Qesh vazhdimisht, sikur të mos ekzistojë asgjë përreth, kur pyetet për gjëra të ndryshme. Nuk e ndjen moshën dhe thjeshtësinë e ka të vulosur që nga veshja dhe deri në shprehitë e tij të zakonshme dhe shumë natyrale. Nuk e ndjen veten aspak superior, ndërsa për shumë kohë do të zhytet duke parë në një holl të vogël hoteli fotografitë shqiptare të Jutta Benzenberg. Tund kokën. Aprovon. Disaprovon. Qesh. Sodit. Ngulet. Shfleton...

I rikthehemi sërish bisedës në një nga sallonet e “Diplomatit” ku ai pushoi prej ditësh: Kam qenë me fat, por rasti im është një i rrallë, të cilin s’mund ta kenë dot të gjithë. Kam punuar për plot 18 vjet pa pasur nevojën të firmos diku dhe më kanë ndihmuar të gjithë…

Të mendosh se Kudelka është një nga ndërgjegjet profesionale të fotografisë, atëherë mund “të zhgënjehesh” nga modestia e tij e tepruar, por ja që pak minuta më vonë, në një kafe më të çlirët, ai do të na e mbushë mendjen realisht. Do kthehem sërish, thotë- dhe na pyet të gjithëve, që ndodhemi përreth tij për një titull të një albumi të ri, që lidhet me punën e tij të fundit në Izrael…Dy orët duken si minuta, teksa na tregon me pasion edhe punët e tij me sitet arkeologjike, për të cilat po punon me një projekt të qeverisë frënge. Ndahemi. Ikim.  

*****/*****

Josef Kudelka

E çuditshme kjo toleranca fetare në Shqipëri

Flet ekskluzivisht për “Milosaon” njëri prej personazheve më të njohura të fotografisë ndërkombëtare. Pse erdhi në Shqipëri këtë herë, si e shikoi vendin e vogël të Ballkanit dhe opinionin e tij për fotografinë ndërkombëtare. Në një nga intervistat e pakta, që po jep legjenda e fotografisë, shpjegon dhe gjëra që lidhen personalisht me të, por edhe më gjerë akoma, mjedisit që e rrethon...

 

Intervistoi, Ben Andoni

Intervista u bë në hollin e një hoteli në Tiranë, ku një nga mjeshtrat më të mëdhenj të fotos qëndroi për pak ditë në Shqipëri. I lidhur me një projekt me Ministrinë e Kulturës frënge, ai ka qenë i ftuar nga ambasada e këtij vendi në Shqipëri për të parë sitet arkeologjike shqiptare...Pranon të intervistohet dhe në bashkëbisedim edhe për shkak të gjuhës intervista ngec disa herë, por gjithsesi, ajo vazhdon e këndshme. Për pak kohë, ai ndan profesionalisht edhe opinione me fotografen e njohur gjermane që është në Shqipëri, Benzenberg...Në fund, kur bëhemi disa vetë, ai na paraqet punët e tij në sitet arkeologjike të Mesdheut...Ndjesi e madhe të jesh me një mjeshtër të tillë...  

 

Është një zakon i juaji, që udhëtoni shumë në të njëjtën vend duke u përpjekur të gjeni të njëjtët personazhe. A mund të thuhet se Shqipëria është një lloj devijimi nga zakonet tuaja? Si e gjetët Shqipërinë këtë herë? A kishit një temë specifike në kokën tuaj?

“Dëgjo! Kur erdha në Shqipëri për herë të parë ishte viti 1994 dhe erdha bashkë me një grup xhirimi grek, ku më udhëhoqi i mirënjohuri Theo Angelopulos1 që ishte duke punuar për Ulysses Gaze. Atëkohë kemi shkuar në Korçë dhe përreth kufirit, për të hulumtuar për idenë e tij, ndërsa unë thjesht për të parë këtë pjesë të Ballkanit. Por, s’do të ndalem këtu, por tek ndryshimi. Kur isha në Korçë dy ditë më parë (17 gusht), nuk mund ta besoja ndryshimin. Kur kisha ardhur kisha ndjekur në hotelin në qendër të qytetit në sheshin kryesor dhe atje ishte komplet bosh përveç 2-3 mercedesëve të vjetër, që dukej se ishin makinat e vetme në të gjithë qytetin. Korça, tani, po ta shikosh nuk gjen më dot vend se ku mund të parkosh makinën. Edhe njëherë habitem, sepse kur erdha në fillim, kujtoj se shqiptarët e kishin shumë të vështirë të gjenin bukë dhe ata që arrinin më të parët blinin 2-3 syresh. Po ta them me pak fjalë: Kuptoj se Shqipëria ka ndryshuar shumë më tepër nga vendet që kam njohur”.

Dhe, cili është qëllimi juaj...

“Nëpërmjet ndihmës së qeverisë frënge, e cila asistohet nga ambasadat e saj kudo në Evropë, jam duke punuar për një projekt fotografimi të siteve kudo në Mesdhe, ku pjesë e kësaj trashëgimie të madhe është edhe Shqipëria. Kjo është arsyeja pse jam këtu. Kam disa ditë që punoj në vende të ndryshme arkeologjike dhe tashmë kam kohën për të shkuar diku tjetër...”.

A mund t’ju pyes: si e keni dëgjuar për herë të parë Shqipërinë?

“Ju e dini që unë jam rritur në Çekosllovaki dhe atëherë të dy vendet tona ishim në një kamp të përbashkët, kështuqë dinim për Shqipërinë po aq sa për vendet e tjera sepse ishim pjesë e bllokut të njëjtë komunist”.

Njerëzit e dhënë pas fotografisë më së shumti ju kanë juve të njohur prej dy temave: invazioni i Pragës nga rusët edhe romët. Madje tema e fundit është shumë familjare për ju sepse i keni kushtuar shumë kohë nga jeta personale. A gjeni këtu në jetët e tyre një lloj special narracioni?

“Unë në vitin e fundit botova një libër të ri për romët, ku ekziston një përmbledhje nga fotografitë e vjetra që është i bazuar në librat që përgatita nga viti 1968 por që si botova kurrë, ngaqë u detyrova dhe e lashë Çekinë jo shumë kohë pas invazionit. Libri i parë, kushtuar atyre, është botuar më 1975 në Francë. Nëse i krahason librat ato janë shumë të mira dhe jam i lumtur por në librin e parë është më shumë një koleksion nga fotografitë ekselente, realizuar në vite për ta. Në të dytin, për sa kohë punova në një mënyrë tjetër, edhe reagimin e njerëzve e kam pasur krejt ndryshe. Në këto libra, arrita të tregoj një lloj tjetër fotografie, një botë që ndryshoi shumë tepër në vitet e fundit. Kuptohet, e parë thjesht përmes jetës së vetë atyre. I gjithë realiteti ishte në një mënyrë të tillë që romët, të themi këta që jetojnë sot, as nuk e merrnin dot me mënd sesi jetonin më parë paraardhësit e tyre. Dua t’ju them se kjo është tepër sinjifikative jo vetëm për romët por edhe për të gjithë botën që ka ndryshuar kaq shumë në këto kohë”.

Melankonia është përgjatë të gjithë punës tuaj dhe e shpërhapur në terrenin e vet në fotot bardhë e zi. E pabesueshme, por më duket se kjo është një lloj melankonie e lidhur shumë dhe me trishtimin e kontinentit tonë. A mendoni se kjo aftësi ju ka ardhur thjesht nga origjina …

“Ju e dini se unë kam dy kombësi: çeke dhe frënge. Por t’i përgjigjem kësaj pyetje dua të them thjesht se ndikimi im është se e ndjej veten si një evropian nga Evropa Qendrore. Nëse shikon fotografitë e mia duket qartë ndryshimi me foton tipike amerikane dhe atë evropiane”.

Nëse dikush do të shohë fotografitë e invazionit të Pragës, realizuar vetëm nga ju, krijon një ndjenjë se ishit shumë trim ato ditë. Gjithashtu populli çek, një popull me temperament shumë të qetë, atje përshfaqet shumë trim. Ju keni kapur një lloj energjie të brendshme që s’ishte parë më parë nga njerëzit…Si arrije ta shkrepje aparatin në ato ditë tmerri …

“Nuk mendoj se jam trim dhe nuk mendoj fare se çekët janë trima. Në vazhdë të pyetjes dua t’ju them se librat e mi kanë një vërtetësi të tillë sepse ato që kam bërë unë, janë më së qarti dokumente për një gjë që ka ekzistuar. Ato dokumentuan historinë çeke dhe ne vërtetë s’jemi trima, ashtu si duan ta paraqesin shumë shtete temperamentin tonë, por në 1968 realisht ishim trima dhe u sollëm si të tillë. Mendoj se edhe unë vetë s’isha dhe s’jam fare trim por situata për mua dhe çekët ishte kaq e jashtëzakonshme, saqë ne kuptuam instiktivisht se ishim të tillë dhe e provuam vetën të tillë...”.

Çfarë lloj kamere përdornit në atë kohë?

“Përdorja një kamera të prodhimit gjermano-lindor EKZAKTA 25 mm dhe 5 mm...”.

Kur dikush shikon fotot tuaja, kupton se ju jeni shumë familjar me objektin që zgjidhni të fotografoni. Si i afroheni objektit tuaj?

“Unë mendoj se ju duhet ta dini secili ka mënyrën e vet speciale. Unë kam një të tillë, që e ndaj vetëm me objektet e mia...”.

Duket se në kohën tonë, jeni më shumë i orientuar në panoramën e madhe të mjedisit. Si e shikoni peizazhin e Shqipërisë dhe shkatërrimin e saj nga i ashtuquajturi zhvillim?

“Unë nuk e njihja më parë Shqipërinë dhe kështu e kam të vështirë që të them ndryshimet por jam koshient se ndryshimet kanë qenë të jashtëzakonshme. Mendoj se ndryshimet ende ka kohë dhe ato mendohet se do të vijnë në një mënyrë speciale, kështu me kohë edhe turistët dhe të tjerët do vinë pak nga pak. Emigracioni dhe ata që do vijnë kanë mundësi ta ruajnë dhe të bëjnë ndryshime me kriter. Pasi riviera juaj akoma s’është shkatërruar si në vende të ndryshme të Evropës. Po ç’të them, kam frikë se do të prishet dhe ajo shpejt...”.

A jeni ndjerë gjithnjë i lirë në punën tuaj?

“Po. Jam ndjerë gjithnjë shumë i lirë dhe për këtë më vjen mirë”.

Kam dëgjuar se keni lindur shumë afër Kunderës. Cilat janë pikat më të mëdha të referencës për ju në art: muzikë, letërsi, pikturë…

(Pyetja s’kuptohet dhe përgjigjja e tij i dedikohet sërish Shqipërisë) Kur isha në Korçë më 15 gusht ishte festa e madhe e religjionit...e Shën Mërisë, kurse dy ditë më vonë ishte një festë e madhe birre. Ishte shumë interesante për mua të kuptoja para së gjithash se këtë që kisha para syve se kisha parë në asnjë vend tjetër. Pra, ishte ditë reale devocioni dhe dy ditë më vonë, popullsia që ishte në masë myslimane, festonte në festën e birrës. Para se të vija në Shqipëri isha në Tunizi, në Turqi dhe në vende të tjera lidhur me këtë projekt, por ishte krejt ndryshe. Ky është vendi më tolerant mysliman që kam parë ndonjëherë në jetën time”.

A keni siklet që jeni kaq i njohur...

“Të them të drejtën, nuk është se më trajtojnë si legjendë dhe nuk e ndjej fare këtë. Të them të drejtën nuk e ndjej asfare këtë”.

Ke frikë nga vdekja…

“Jo. Por do të doja të vdisja në mënyrë korrekte dhe pa siklete...”.

 

Shënim

1-Një nga regjisorët më të mëdhenj bashkëkohorë me origjinë greke, fitues i shumë çmimeve vendase dhe të huaja prestigjioze. Vdiq në janar të këtij viti

 

**********************/***********************************************

Jeta e Koudelka përmes viteve

 

1938- Lindi më Boskovice, Çekosllavaki.

1952- 14 vjeç, ai është prezantuar me fotografinë, falë një furrtari dhe paratë për aparatin e tij i bëri duke shitur luleshtrydhe në fshatin e vet.

1961-U diplomua në Universitetin Teknologjik të Pragës dhe filloi të punonte si inxhinier aeronautike. Që në këtë kohë, hapi ekspozitën e tij të parë fotografike.

1962-Fillon të fotografojë romët, një projekt që do ta vazhdojë për disa vjet me radhë.

1963 –Fillon të marrë porosi nga revistat teatrore në vend dhe në mënyrë të rregullt fotografon produksionet e Teatrit të Pragës “Përtej portës” duke e shkrepur me një kamera të vjetër Rolleiflex .

1967 –I jep fund karrierës së tij si inxhinier për t’iu dedikuar krejtësisht fotografisë.

1968-Gjatë invazionit rus më 21 gusht në Pragë bën fotot më të rëndësishme të karrierës së tij, ndërsa rri i vendosur për shumë kohë në çatinë e një ndërtese mbi sheshin Wanceslav. Fotografitë janë kontrabanduar më vonë dhe u nxorën jashtë vendit me inicialet P. P. (Prague photographer).

1969 -Fiton Çmimin Robert Capa për fotografitë e tij të invazionit; çmimi i është dedikuar 'një fotografi të panjohur çek'.

1970- Ia mbath në Angli, ku aplikon për azil politik.

1971 -I bashkohet agjencisë së fotografisë Magnum, ku do të qëndrojë për më shumë se një dekadë.

1975 -Romët, libri i tij i parë (Gypsies), botohet dhe mbahet dhe një ekspozitë e stërmadhe e fotografive të ti në Moma në Neë York.

1978- Fiton Çmimin “Nadar”.

1984 -Galeria “Hayëard” në Londër e prezanton me një ekspozitë, ku paraqitet invazioni i Pragës, duke e shpallur për herë të parë Kudelkën si fotograf të aso kohe.

1988- Del “Exiles”, libri i tij i dytë.

1986-Ftohet nga qeveria frënge për të dokumentuar peizazhin urban dhe rural në Francë.

1987-Bëhet qytetar francez.

1991-Kthehet për herë të parë në Çekosllavaki dhe fillon të fotografojë peizazhin e saj të rrëgjuar, që do të bëhet si libër I ri. Fiton çmimin ndërkombëtar Henri Cartier-Bresson.

 

Marrë nga Milosao, GSH

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.