Peza e bashkimit

70 vjet më parë, në Pezë të Tiranës, u mbajt Konferenca e Parë Nacionalçlirimtare. Ditën e mbajtjes së saj, 16 shtator, gazetat e ditës, me ndonjë përjashtim nuk shkruajtën as dy rreshta për të nderuar e përkujtuar këtë ngjarje, një shenjë kjo jo e mirë, sidomos në këtë vit jubilar të pavarësisë, kur dihet që vlerat dhe kontributet, ajo i ka pikërisht në këtë çështje, në çështjen e pavarësisë. Konferenca është një ngjarje e madhe e njohur, e vlerësuar, siç e meriton,por dhe e sulmuar. Kështu ndodh me ngjarjet e mëdha. Pjesëmarrësit janë gjithashtu të njohur. Duke marre rrugën drejt Pezës,vendit të Babe Myslymit, ata u jepnin shqiptarëve mesazhin e shpresës, i paralajmëronin për ndryshimin e madh që po trokiste, që po vinte, që do sillte kjo ngjarje.
Ora e bashkimit, e organizimit dhe e luftës kishte ardhur. Shansi nuk duhej humbur. Me këtë ndjenjë përgjegjësie ata u mblodhën në një sallë të thjeshte, për të biseduar si vëllezër, pa paragjykime për hallet e vendit që lëngonte nën pushtimin fashist. Shqipëria ishte e të gjithëve dhe të gjithë kishin obligim të kontribuonin që vendi të dilte nga kjo situate. Përvoja i kishte mësuar e i kishte bindur se të shkëputur, të veçuar, të ndarë e të përçarë nuk mund të realizonin qëllimet e jetës së tyre, aspiratat e popullit. Liria e pavarësia e mohuar, e nëpërkëmbur nga pushtuesi, nuk do të na vinin as nga qielli dhe as si dhurate nga te huajt. Përpara ishte një rrugë e gjatë, jo e sheshtë, jo e lehtë; pengesat ishin të mëdha dhe pengesa më e madhe ishte përçarja; ata duhet të bashkoheshin; ata kishin një shpresë, vetëm në se bashkoheshin.
Po, si do të ishte ky bashkim? Këtë ua tregoi konferenca; bashkimi duhej bërë “pa dallim klase, feje, krahine dhe ideje”, me devizën e rilindësve “feja e shqiptarit është shqiptaria”.
Po si do të arrihej kjo?
Edhe këtë e tregoi Konferenca. Bashkimi nuk do të arrihej me fjalë, me fjalime e me bisedime pafund, por në luftë; lufta ishte një prove e madhe, një provë e vërtetë; në zjarrin e saj do të njiheshin njerëzit: patriotet, antifashistet; do të miqësoheshin e do të bashkoheshin rreth një preokupimi, një ideali e një çështjeje të përbashkët, rreth çështjes kombëtare, që përndryshe rrezikohej të humbiste përfundimisht. Bashkimi dhe lufta, këto ishin shpëtimi, rruga dhe prova për shqiptaret; këto dy gjera i duheshin vendit. Bashkimi do të behej në lufte dhe për lufte. Kjo ishte platforma që ata burra të mençur e patriote përpunuan e miratuan në Pezë; një platforme realiste, shpresëdhënëse, që bazohej në mësimet e historisë; produkt i një dialogu të çiltër, të sinqertë, të shoqëruar me qëndrime e me gjykime serioze, realiste për situatën, por dhe për njeri-tjetrin, për kontributet e tyre. Halim Begeja, perfaqesues i Rinise Nacionaliste, i dërguar personal i Mitat Frashërit, do të deklaronte se deri tani, në të vërtetë, ne nuk kemi bërë ndonjë gjë të madhe. Në raport me komunistët aktiviteti ynë është nul. Por premtojmë se kjo gjendje do të ndryshojë dhe nacionalistet do të jenë në ballë të rezistencës.
Përfaqësuesit e PK, nga ana e tyre, vlerësuan qëndrimin e A. Kupit, me 7 prill, ditën e sulmit fashist mbi vendin. Qendrimet, siç shihet, ishin të pa shoqe, të panjohura deri atëherë; dialogu i hapur, i sinqertë; në këtë frymë miqësore, shoqërore u diskutua për luftën kryesisht, por çdo të bëhej dhe pas saj. Shqipëria duhej çliruar, por duhej dhe ndryshuar. Për ta bërë këtë, Shqipërisë i duhej një rend demokratik, një qeverisje demokratike. Por gjithsesi hapat duhet të ishin të matura, të kujdesshëm, që të mos cenoheshin raportet shoqërore; të mos digjeshin etapat. Çdo gjë duhet të vinte natyrshëm dhe në kohën e duhur. Tani ndodheshim para një prove të madhe, të vështirë, luftës me armë dhe gjithçka duhet të vihej në funksion të saj, në shërbim të saj. Çështjet e tjera dhe diferencat për to do të ujdiseshin e do të kapërceheshin me kujdes, në proces. Në këtë prizëm e me këtë logjike u diskutua dhe çështja e Zogut dhe e mbretërisë; delegatet u shprehen njëzëri se forma e regjimit do të zgjidhej pas çlirimit nga vete populli shqiptar. Edhe Abaz Kupi deklaroi në konference se unë dua Shqipërinë një herë e jo Zogun; po ta dojë populli, ta vendose.
Fronti dhe reagimet
Në Pezë u themelua organizata e Frontit Nacionalçlirimtar, në të cilën do të bashkoheshin e do të organizoheshin të gjithë shqiptarët patriotë, pa dallim. Konferenca zgjodhi Këshillin e Përgjithshëm Nacionalçlirimtar dhe miratoi platformën politike dhe organizative të Frontit e të Luftës Nacionalçlirintar. Në këtë mënyrë ajo i dha vendit gjithçka duhej për të fituar luftën. Konferenca porositi që të ruhej si sytë e ballit bashkimi, uniteti i popullit, themelet e të cilit do të hidheshin e kaliteshin në luftë; ai ishte çelësi, pa të nuk do të mund të arrihej fitorja. Prandaj duhej bërë ç`është e mundur që të kuptohej drejt lufta dhe qellimet e saj; ajo nuk do të ishte një lufte klase, por lufte patriotike, nacionalçlirimtare; ajo nuk drejtohej kundër klasave apo grupimeve të caktuara shoqërore, por kundër pushtuesit.
Programi i miratuar në Pezë i mbante parasysh të gjitha rreziqet, që mund të vinin nga nxitimi, nga mos kuptimi, nga euforia, nga hapat e parakohshëm, nga djegia e etapave, por dhe nga manovrat e reaksionit, hilet dhe sabotimet e të ashtuquajturve baballarë të kombit, që do të përpiqeshin të pengonin e të sabotonin luftën. Këshilli i Përgjithshëm insistonte që këto momente, këto rreziqe të mbaheshin parasysh, që lufta, parimet e qëllimet e saj të kuptoheshin e të respektoheshin deri në fund, qe ajo të ruante orientimin bazë të miratuar në Pezë nga delegatet, karakterinë e vet si një luftë patriotike nacionalçlirimtare dhe të mos devijonte e të degjeneronte në lufte civile, të cilën e dëshironin dhe e nxitnin pushtuesi dhe reaksioni i venë në shërbim të tij.
Por reagime e ndryshime do të kishte dhe në krahun tjetër. Nacionalistët e udhëhequr nga Mitat Frashëri do të nxitonin të deklaronin se nuk njihnin as Konferencën e Pezës dhe as Frontin Nacionalçlirimtar, pasi ato, sipas tyre, nuk ishte tjetër veçse një manovër e një maskë e partisë komuniste. Për t’ju kundërvënë Frontit, për të neutralizuar e penguar veprimtarinë e tij, në nëntor 1942 nacionalistet e këtij grupimi shpallen themelimin e Ballit Kombëtar. Duke mos e njohur Frontin e duke ndërmarrë një fushate të terë sulmesh ndaj tij, në një kohë që armiku ishte pushtuesi, e jo Fronti, goditjet duheshin përqendruar ndaj tij e jo ndaj njëri-tjetrit, Balli i bënte dëm vendit, por dëmtonte dhe prestigjin e vet, të ardhmen e vet......
Peza dhe Mukja
Megjithatë nuk rreshtën përpjekjet e forcave të shëndosha në të dy krahët,që të arrihej medoemos në një afrim, mirëkuptim e pse jo dhe bashkim në mes tyre, nga i cili do të kishte dobi vendi dhe lufta. Produkt i tyre ishte dhe Mbledhja e Mukjes, e cila me të drejtë është konsideruar si një edicion i Konferencës së Pezës, pasi si në Pezë, edhe këtu, çështja që i mblodhi, çështja që u diskutua ishte bashkimi i forcave për të luftuar kundër okupatorit. Mirëpo, punimet do te merrnin një kthesë të paparashikueshme. Propozimi dhe insistimi i krerëve të Ballit për krijimin e të ashtuquajturit Komitet i Shpëtimit të Shqipërisë, do t`i fuste palët në një kofrontim e ballafaqim të ashpër e mbi të gjitha të parakohshëm, pasi nuk kishte ardhur ende koha për të ndarë tortën, për të ndarë pushtetin; do të duhej dhe një copë rrugë për të arritur këtu. Ishte koha për të organizuar e mobilizuar forcat në luftë, pasi rreziqe të reja po dukeshin në horizont. Italia ishte drejt kapitullimit, por një fuqi tjetër agresore, shumë më e rrezikeshme, Gjermania hitleriane po bëhej gati t`i zinte vendin. Pikërisht këtu duhej ndalur, për këtë duhej biseduar e jo për portofolet qeveritare, që do të merrte njëra apo tjetra organizatë. Krijimi i Komitetit të Shpëtimit të Shqipërisë çonte në pasoja të rënda, të menjëhershme, në likuidimin e Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar dhe të Shtabit të Përgjthshëm, që e kishin drejtuar me sukses deri atëherë luftën. Një vendim i tillë, i nxituar, do të bëhej mollë sherri, që do ta çonte mbledhjen në dështim. Ai shkaktoi reagimin e menjëhershëm të Frontit Nacionalçlirimtar që vendosi të anulojë marrëveshjen. Në këtë mënyrë, ato, Fronti dhe Balli, humbën shansin për të luftuar së bashku e për të punuar,edhe pas lufte, së bashku, për ta bërë Shqipërinë, siç u projektua në Pezë, një vend të lirë, të pavarur e demokratik. Megjithatë, rruga e luftës mbetej e hapur edhe pas Mukjes. Me kapitullimin e Italisë, Gjermania hitleriane do të invadonte vendin. Mirëpo, në vend të luftës, siç kërkohej dhe në marrëveshjen e arritur në Mukje, Balli do t`u ofrojë gjermanëve bashkëpunim të gjithanshëm, në planin politik e ushtarak, duke shvlerësuar kështu deklaratat e premtimet e bëra në Mukje për luftë për Shqipërinë Etnike. Pas Mukjes edhe Abaz Kupi do të largohej gradualisht nga vija dhe nga rruga e Pezës dhe do t`u bashkohej BK dhe forcave të tjera që u qenë bashkuar gjermaneve. Lufta e kishte bashkuar me Frontin; kurse tani mungesa e vullnetit për të ecur në këtë rrugë, për të luftuar, e largoi nga Fronti. Por, këto zhvillime të padëshirueshme nuk e lëkundën Frontin, nuk e dobësuan unitetin dhe vullnetin për të ecur në rrugën e Pezës, për të realizuar qëllimet dhe programin e miratuar aty, pasi vetëm ato do t`i sillnin vendit lirinë dhe pavarësinë.
Mësimet e Pezës
Peza është një ngjarje e madhe historike; Të tillë e bëjnë momentet në të cilat u mblodh, problemet që zgjidhi, shërbimet që i bëri vendit. Mbi bazën e platformës së saj u arrit fitorja mbi armiqtë; u çlirua vendi dhe u rivendos pavarësia kombëtare. Prandaj, ajo i bën edhe sot ndere vendit. Ajo meriton sot, në 100- vjetorin e pavarësisë, më shumë se kurrë, vlerësimin dhe mirënjohjen e popullit e të shtetit shqiptar. Mirëpo, për fat të keq, pushtetarët e sotëm, mesa duket, nuk e shohin dhe nuk e gjykojnë kështu Pezën dhe shërbimet që ajo i solli vendit. Deri tani kryeministri s`ka lënë figurë e ngjarje pa marrë nëpër gojë, por nuk ka thënë qoftë dhe dy fjalë për këtë ngjarje. Ka qenë i zënë e i preokupuar me mbretin e me linjën mbretërore; mirëpo kjo linjë ka qenë e përfaqësuar dhe në Pezë. Madje dhe në organizmat drejtuese të Frontit, në Keshillin e Përgjithshëm e në Shtabin e Përgjjthshëm; kësisoj ajo ka pjesën e vet të kontrbutit. Atëherë, përse nuk i bëhet nderimi e vlerësimi i duhur kësaj ngjarjeje? Se Enver Hoxha është aty, në ballë të saj? Po ky është një fakt historik që s`e ndryshojmë dot, edhe sikur të duam. Në fakt, nga mënyra se si po zhvillohet diskutimi e si po bëhet gjasme vlerësimi mbi ngjarjet e figurat historike, në kuadër të 100 -vjetorit të pavarësisë, më shumë se sa një preokupim për saktësim të gjërave, për rivlerimte ngjarjeve e të figurave historike, ato ngjajnë me një lojë, me një kurth të politikës, për të larguar vëmendjen e njerëzve nga hallet e nga problemet e sotme, përmes nxitjes së sherreve të pafundme. Në këtë lojë më duket se ra dhe Majko. Në vend që t`i thotë kryeministrit lëre historinë, se atë e shkruajnë historianet, e merru me punët që të takojnë, bën edhe vetëvlerësimin e një momenti delikat, largimit të mbretit nga vendi, ditën e agresionit fashist, duke e quajtur atë një akt patriotik.Të tillë nuk kanë guxuar ta vlerësojnë deri tani as idhtarët e mbretit. Abaz Ermenji, politikan e historian, personazh i njohur në vitet e luftës e ka cilesuar ate nje akt pabesie e tradhetie kombëtare. Me këtë, shkruan ai, mbreti tregoi se nuk kishte të bënte fare me rracën e fisëshme e krenare arbnore, nuk kishte asnjë cilësi të saj.
Qëndrimi korrekt ndaj historisë vlen më shumë se sa “përgëzimet” e legalistëve. Gjithesesi, përvoja e kaluar, por dhe ajo e ditëve tona tregon se ndërhyrjet e politikanëve nuk bëjnë tjetër veçse shtojnë konfuzionin mbi çështjet e historisë. Nuk është e rastit, që pikërisht në këto momente, po aktivizohen si asnjëherë me shkrime e gjasme kujtime, të botuara disa herë, bij të ish- ministrave kuislingë e të jerarkëve fashistë, që po na i paraqitin baballarët e kushërinjtë si shenjtorë, paçka se i kthyen kurrizin vendit në vitet e luftës, në momentet më të rënda në të gjithë historinë e tij. Shkrime të tilla të mbushura me gënjeshtra synojnë të mbajnë vendin të bllokuar, me shikimin prapa, duke nxitur një luftë të re klasash.
Vendit sot më shumë se kurrë i duhet një platformë si ajo e Pezës, që hodhi poshtë, që kapërceu me guxim trashëgiminë negative, grindjet, mllefet e paragjykimet, duke i hapur rrugën një kulture të re, që i afroi e i miqësoi njerëzit, mbi bazën e së cilës u arrit dhe bashkimi kombëtar, bashkimi i shqiptarëve pa dallim. Pa këtë hap, pa këtë bashkim nuk do të arrihej fitorja mbi armiqtë, nuk do të arrihej çlirimi i vendit dhe rivendosja e pavarësisë kombëtare. Edhe sot vendi ka nevojë për një platformë të tillë, paqe e bashkimi,e jo lufte, ka nevojë për bashkëjetesë paqësore të të gjithë qytetarëve, pavarësisht bindjeve partiake, të cilat duhen respektuar, e jo shfrytëzuar për të mbjellë përçarje në vend.
Peza vazhdon ende, si aspiratë, si proces. Demokracia që kemi sigurisht nuk mund të krahasohet me diktaturën, por është ende larg përfytyrimit që kishin ata burra të mençur, idealisë e patriotë për demokracinë e për rendin demokratik, larg ëndrrës së mijëra dëshmorëve që dhanë jetën për ta parë vendin të lirë, të pavarur e demokratik, me një demokraci të vërtetë. Demokracia nuk matet vetëm me fjalë, me lirinë për të folur e për të shkruar, kush të dojë e çfarë të dojë. Ka gjëra të tjera më me vlerë, për njeriun, që do të jetojë si njeri, të cilat ende nuk i gëzojnë qytetarët e thjeshtë. Kjo është një arsye më shumë për të nderuar e për të përkujtuar Pezën, idealet dhe mësimet e saj, të cilat edhe sot, pas shtatë dekadash, mbeten të freskëta, koherente, frymëzuese.
Comments
Duke lexuar kete artikull m'u
<p>Duke lexuar kete artikull m'u duk sikur rilexoja tekstin e historise e Partise se Punes qe kemi bere ne gjimnaz. Historia u dha te drejte ballisteve. Ajo deshmoi se Konferenca e Pezes "nuk ishte tjetër veçse një manovër e një maskë e partisë komuniste". Apo nuk eshte keshtu?</p>
Mos i shiko gjwrat bardhe zi.
<p>Mos i shiko gjwrat bardhe zi. Ballistet kane qene gabim dhe historia e ja treguar. Une po te jap vetem nje shembull...koka e ballit Mithat Frasheri, mbajti anen e anglezve ne menyre te verber. U be vasal i angleze( qe e qeruan me vone ne Nju York), ne nje kohe qe anglezet kishin projekt te qarte per Epirin e veriut, duke mbeshtetur fuqimusht tezen greke per ta coptuar Shqiperine ne konferencen e paqea 1946 me Paris. Kete shiko e me thuaj se kush ishin ata ...</p><p> </p>
Koment totalisht
Koment totalisht siperfaqesor. E verteta qendron ne mes,faji asokohe ka qene i te dyja paleve
Akoma duhet me e mesu se c'ka
<p>Akoma duhet me e mesu se c'ka qene Peza, Mukja, lufta civile apo patriotike e komunsiteve nga Gjecovi???? Po ky nuk ehjste historian, ska qene asnje sekonde, eshte vec nje propagandist dhe manipulator i partise komuniste</p><p> </p>
Add new comment