Kronika e një Lufte pa Emër

Postuar në 25 Shtator, 2012 04:33
Ed Martini

"Livadhin e shkretë, e hanë kuajt e verbt"                                                                                                                                 Popullore

Shqipëria nuk është në Luftë. Zyrtarisht ne jemi një vend që aspirojmë të integrohemi në Europë. Zyrtarisht jemi një Demokraci. Zyrtarisht kemi Institucione, parti politike, Kushtetutë, Gjykata, Prokurori, Polici, Parlament, burgje, banka, universitete dhe shkolla. Zyrtarisht kemi gjithçka që ka një shtet sovran: përfshirë edhe Kryeministër dhe President. Zyrtarisht kemi edhe Media, të shkruar dhe vizive. Zyrtarisht jemi vend anëtar i Natos.

Megjithatë në Shqipëri ka një Kronikë Lufte. E një Lufte pa Emër, që nuk duam ose nuk dëshirojmë ta pranojmë. E hënë, 24 Shtator. Gjirokastër. Aksident automobilistik. Tre të vdekur dhe nëntë të plagosur. E martë, 25 Shtator. Tre të vrarë ne Lezhë, djali, nëna dhe babai, antar të një familje. Një i vrarë në Divjakë. Vetëm ne dy ditë shtatë njerëz vriten rrugëve të Shqipërise, vend antar i Natos.

Kjo është Kronika e shkruar pa asnjë pikë emocioni. Tani më lejoni të shpreh edhe unë pak dhimbje dreqi e mori, sepse plasa! Dua të shaj dhe të mallkoj Shtypin. Po po, Shtypin e Lirë, televizionet, gazetat, radiot, portalet online, gazetarët. Sidomos gazetarët.

Sepse ju gazetarë vetëm e percillni këtë Kronikë Lufte pa Emër tek ne dhe aq! Nuk thoni asnjë fjalë më shumë, nuk bëni asnjë gjest më shumë. Kaq ftohtë e shkruani lajmin e zi, kaq pa nerv, pa jetë, sa edhe guri do pëlciste. Asnjëherë nuk keni bërë një gjest, një shenjë, asnjëherë nuk u mblodhët tok të qani për viktimat e Kronikave tuaja, për fëmijët, gratë, vajzat, djemt e rinjë, burrat dhe pleqtë që vriten rrugëve të Shqipërisë nga armët dhe makinat. Vetëm shkruani pesë rreshta të thatë për viktimën e radhës, dhe pa kaluar një orë, shkruani për viktimën tjetër përsëri dy fjalë. Kaq. Mbaroi. Të nesërmen ka vrasje të reja, emra të rinj dhe kronika të reja; makabre dhe tmerrësisht të ftohta.

Çfarë është kjo Erë e Keqe që ka hyrë mes nesh? Cfarë është kjo Faqe e Zezë që na ka kapluar? Pse jemi bërë si zombie për njëri tjetrin? Kush është ky Demon i Zi që na përlau jetët e mijra frymëve? Thua kaq poshtë kemi rënë si qenie humane sa edhe vrasja e shtatë njerëzve në dy ditë nuk na bën të derdhim një pikë lot?

Makinat. Armët. Armët dhe makinat. Kronika e Luftës pa Emër shkruhet cdo ditë. Ju lutem mos i lini pa emër viktimat e kronikave tuaja, sepse janë bërë shumë. Zyrtarisht janë mbi 13. 000 njerëz të vrarë që nga viti 1990. Dhe Shqipëria nuk është në Luftë zyrtarisht.

Nesër do ishte mirë të bëni një punë. Të lajmëroni me anë të të gjitha mënyrave se do të bëni diçka, të jepni një shenjë se ju nuk jeni dakord për të gjitha këto vrasje. Të mos shkruani për Kryeministrin, Presidentin, Kryetarin e Opozitës, të mos shkruani asnjë rresht për politikën, për asnjë ngjarje ndërkombëtare, të mos jepni asnjë lajm, edhe nëse ndodh që në mes të Tiranës të ulen jashtëtokësorët. Të dilni me faqen e parë të zezë sterrë. Të visheni të gjithë me të zeza. Të mblidheni dhe të qani në bulevardin Dëshmorët e Kombit. Të ndizni nga një qiri, të bëni një përshpirtje. Të thërrisni hoxhallarë e priftërinjë, burra dhe gra, fëmijë e pleq. Të qani së bashku, të lani me lot Shetitoren e Madhe. Bëjeni dhe ju Luftën Tuaj sepse në fakt është detyra juaj. Detyra më e thjeshtë dhe kryesore; të tregoni se nuk jeni "Yes Man"-ët e politikës dhe pronarëve tuaj, se pena juaj është më e fortë se kallashnikovi dhe makinat që po na bjerrin cdo ditë.

Më e pakta!

Comments

Submitted by Dritan (not verified) on

<p>Keni shume te drejte te injdinjoheni me indiferentizmin shokues te gazetarise shqiptare.</p><p>Kur ne Shqiperi te mbyllen 3/4 e kafeneve atehere do fillojne njerezit te merren seriozisht mer vendin e tyre.</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.