Kokaina e Popujve

Postuar në 26 Shtator, 2012 03:01
Umberto Eco

Në një debat të paradokohshëm kushtuar semiotikës të së shenjtës, e solli rasti të flisnim për një ide diskutimi i së cilës zë fill nga Makiaveli tek Rusoi dhe madje më herët; është fjala për të ashtuquajturën “fe civile” e romakëve, e kuptuar si një tërësi besimesh e detyrimesh, të cilat ia dilnin mbanë ta mbanin shoqërinë të bashkuar. Folësit vërejtën se nga ky koncept, në vetvete virtuoz, mund të kalohet fill tek ideja e fesë si “instrumentum regni” (“mjet sundimi” – sh. i p.), marifet që pushteti politik, edhe kur nuk përfaqësohet nga njerëz besimtarë, e përdor për të mbajtur në fre nënshtetasit e vet. Kjo ide është shprehur, kohë më parë, nga autorë që e njihnin mirë fenë civile të romakëve. Për shembull, Polibi (“Historitë”, VI) shkruante për ritet romake: “në një komb që përbëhet vetëm nga njerëz të ditur, përdorimi i mjeteve të tilla nuk sjell dobi, por duke qenë se gjindja për nga natyra e saj është e paqëndrueshme dhe pre e pasioneve të shumëllojshme, babëzisë së shfrenuar, zemërimit të dhunshëm, s’ka rrugë tjetër veçse ta përmbash me mjete të këtilla dhe me frikëra të mistershme. Për këtë arsye, kam mendimin se të vjetrit patën të drejtë kur futën mes popujve besimin fetar dhe bestytnitë mbi Hadin dhe them se e kanë shumë gabim ata që sot orvaten t’i shmangin ato. Romakët, edhe pse gjatë ushtrimit të funksioneve publike dhe ndër misione diplomatike administruan shumë më tepër pará se të tjerët, e ruajtën nderin vetëm falë fuqisë së betimit. Teksa, mes popujsh të tjerë, vështirë të gjesh njerëz që nuk vënë dorë mbi paratë publike, tek romakët rrallë mund të gjendet ndokush që ta nxijë faqen me një faj kësisoj.” Ndonëse plot virtyte gjatë periudhës republikane, sigurisht, erdhi koha që edhe romakët të hiqnin dorë prej tyre. Dhe nga kjo kuptojmë pse, shekuj më pas, Spinoza i lexoi ndryshe “instrumentum regni-n” dhe ceremonitë e tij magjepëse dhe shkëlqimtare: “Kështu, pra, nëse vërtet sekreti më i madh dhe interesi më i lartë i regjimit monarkik është t’i mbajë njerëzit me rrena dhe të fshehë pas emrit hirplotë të fesë frikën që lipset për t’i mbajtur në fre, në mënyrë që të mos përpiqen për liri, por të punojnw për t’u vetëskllavëruar, është po aq e vërtetë se, për një bashkësi njerëzish të lirë, gjë më tw kobshme se kjo as mund të ketë dhe as mund të mendohet.” (“Traktat teologjiko- politik”). Prej këtej s’është vështirë të vijmë tek përcaktimi i famshëm i Marksit, sipas të cilit feja është opiumi i popujve. Por, vërtet përngaherë dhe përnjimend të gjitha fetë e kanë patur këtë “virtus dormitiva” (“virtyt gjumëndjellës” – sh. i p.)? Një mendim qartësisht të kundërt ka, bie fjala, Hoze Saramago, i cili shpeshherë, është rreshtuar kundër feve si burim konflikti: ”Fetë, të gjitha pa përjashtim, nuk do të shërbejnë kurrë për t’i afruar dhe paqësuar njerëzit; përkundrazi, ato kanë qenë dhe vazhdojnë të mbeten shkak vuajtjesh të parrëfyeshme, plojash, dhunimesh të përbindëshme fizike e shpirtërore, të cilat përbëjnë një prej kapitujve më të errët të historisë së mjerueshme njerëzore.” (“La Repubblica”, 20 shtator 2001). Në një shkrim tjetër, Saramago vjen në përfundimin se “nëse të gjithë do të ishim ateistë, do të rronim në një shoqëri më paqësore.” Nuk jam i sigurt nëse ka të drejtë apo jo, por, tërthorazi, duket se i është përgjigjur papa Ratzingeri me enciklikën “Spe salvi” ku, përkundër tij, na thotë se ateizmi i shekujve XIX dhe XX, edhe pse u paraqit si protestë kundër padrejtësive të botës dhe historisë së përbotëshme, “ishte pikënisja e mizorive dhe dhunimeve më të mëdha të drejtësisë.” Më vjen rrotull një dyshim se mos Ratzingeri ka patur në mendje të pafetë Lenin dhe Stalin, por amá ka harruar që mbi flamujt nazistë shkruhej “Gott mit uns” (që do të thotë “Zoti është me ne”), që falanga kapelanësh ushtarakë bekonin flamurkat e fashizmit, që i frymëzuar nga parime tepër fetare dhe i mbështetur fort nga Luftëtarët e Krishtit Mbret ishte kasapi Françisko Franko (pa mohuar krimet e kundërshtarëve, ishte ai që ia filloi i pari), që tejet fetarë ishin vandeasit përballë republikanëve të cilët, madje, patën shpikur edhe Kultin e Arsyes (“instrumentum regni”), që katolikë e protestantë janë masakruar mes veti, duke e bërë qejfin pushkë për vite e vite me rradhë, që si kryqtarët ashtu edhe armiqtë e tyre nxiteshin nga qëllime fetare, që për të mbrojtur fenë romake të krishterët ua hidhnin si ushqim luanëve, që për arsye fetare u ndezën shumë turra drush, që fetarë sa s’bëhet janë fondamentalistët muslimanë, atentatorët e Twin Towers, Bin Ladeni dhe talebanët që bombarduan statujat e Budave, që për arsye fetare përplasen India me Pakistanin dhe që, më në fund, Bushi e pushtoi Irakun duke thirrur “God bless America”. Ndaj po bluaj idenë se mos kushedi (më shumë se sa ka qenë dhe është opiumi i popujve), feja ka qenë e mbetet kokaina e tyre. Po mbase dhe njeriu është kafshë psikodelike. Përktheu: Henrik Ligori

Comments

Submitted by RP(rrezik publik) (not verified) on

Diku kam lexuar se"Feja eshte opiumi i popujve"ka qene nje slogan paramarksist,me origjine iluminizmin francez.Marksi njihte vetem opiumin atehere,por po te kish njohuri per kokainen do e pershtaste me mire.Ironi e holle e Umberto Eko,sidomos keto kohe kur eshte vene ne diskutim te ashper ora e besimit fetar ne shkollat elementare italiane,qe e kane detyrim 2 ore ne jave ne kurriz te shkurtimit te oreve te lendeve te tjera.

Submitted by respublica (not verified) on

opiumi eshte sedativ (qetesues), ndersa kokaina eshte stimulant (trazues)... prandaj dhe eko mendon se feja nuk ka qene opium, por kokaine

Submitted by RP(rrezik publik) (not verified) on

flm respublica per shpjegimin.Jam me fat qe s'kam provuar as njeren dhe as tjetren.Jam dakord me ju,por kurioziteti me shtyu,se sedativ jane edhe paracetamolet,aspirinat,etj.Gjeta qe opiumet jane substanca stupefaçente,psikoaktive dhe psikotrope,dmth drogera.Me shume respekt!

Submitted by Lira (not verified) on

Ju falenderoj qe here pas here na sillni shkrime te te madhit Eco!

Submitted by Anonim (not verified) on

Ne mund t'u japim fetareve opium. Madje, edhe Ecos.

Submitted by hapi (not verified) on

Falënderim për përkthyesin, gjithmonë artikuj shumë interesantë dhe të përkthyer aq mirë sa nuk ke nevojë të lexosh origjinalin.

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.