Shpirt i bukur

Postuar në 30 Shtator, 2012 05:17
Mirela Kumbaro

Një ngjarje e hidhur brengosi thellë kinemanë franceze: u nda nga jeta këtë javë Luc Barnier, një nga montazhierët më të mirë të filmit në Francë që i ka dhënë publikut francez dhe ndërkombtar filma nga më të mirët. Por ai ishte sidomos, një njeri i rrallë, i dashuruar me njerëzit dhe veçanërisht me shqiptarët. Sepse ai ishte një humanist i vërtetë dhe bashkëshorti i regjisores franceze me orgjinë shqiptare Liri Begeja me të cilën realizoi dhe filmin "Larg barbarëve". Më poshtë po japim një shkrim të Mirela Kumbaros në nderim të tij.

Asgjë madhështore s’ka në figurën e saj për ta nxjerrë në pah si një portret që duhet njohur. As nuk është bërë theror dhe as nuk ka kryer ndonjë akt të pazëvendësueshëm në jetën e vet.

Por sot dua të flas për të, sot shoku i saj i jetës, montazhieri i njohur francez filmit, Luc Barnier ndërroi përfundimisht banesë, pas një lufte të gjatë me sëmundjen dhe një bashkëjetese  të rrallë 33 vjeçare me  regjisoren.

Silueta e brishtë dhe vështrimi i thellë i saj, është jeta ku identiteti ngjizet me copa Historie me H të madhe, me pjesëza emocionesh njerëzore, me dhimbje e grisje shpirtrash, me ngjarje të rrëfyera e të pambaruara, me iluzione që ngadhnjejnë zhgënjimesh, me tundimin e pamëshirshëm për ta hedhur sërish farën e përkatësisë, me artin dhe humanizmin, me të vërtetat dhe dashurinë për to.

Eshtë Liria. Kineaste pasionante, autore e skenarëve goditës, femër inteligjente, nënë e dhembshur, shoqe e rrallë, shqiptare e thekur, franceze e ndjeshme, europiane deri në palcë, qytetare e botës, bijë e një emigranti politik dhe e një francezeje të duruar.

Historia e familjes së saj është një sagë e vërtetë shqiptare, një roman tronditës që simbolizon në mënyrë simptomatike vetë trajektoren e Shqipërisë gjatë atij shekulli ku ajo u lind si një shtet i pavarur. Histori që e ndjek nga pas ashtu sikurse dhe vetë Liria ndjek historinë e familjes së saj, që ajo vetë e njohu kur tashmë ishte një grua e pjekur. Por jeta e të atit, Jusuf Begeja, dhe e gjithë asaj cope Shqipërie që ai mbartte me vete iu bë djep, lodër, formim dhe informim, që nuk mund të shpërbëheshin për një shpirt të bukur si ajo.

Pas shkollës së mesme, ai vazhdon studimet ushtarake dhe më 7 prill '39 merr pjesë në qëndresën e dëshpëruar të një grupi oficerësh antifashistë. Duke mos u pajtuar me pushtimin italian, Jusuf Begeja largohet nga Shqipëria, i bindur se mërgimi do të ishte veç një fragment i jetës së tij. Gjatë luftës së dytë botërore në Angli, ai angazhohet në forcat e rezistencës franceze në mërgim. Me çlirimin e Francës vendoset në Paris, në pritje të rikthimit në vendlindje. I ati, Ali Begeja, avokat, personazh i njohur, kryetar i bashkisë së Tiranës në vitet tridhjetë, arrestohet nga regjimi komunist i sapo ardhur në pushtet, si armik i popullit dhe baba i djalit « të arratisur »… por edhe i katër fëmijëve të tjerë, dy prej të cilëve, komunistë, me karrierë të shquar për ato vite duke lënë vëllezërit e tjerë nën hijen e damkës së familjes me « biografi të keqe ». Familje e ndarë më dysh, siç ka qenë jetë e mot vetë Shqipëria… E ndarë mbeti Shqipëria nga pjesa tjetër e botës, i ndarë mbeti dhe Jusufi nga familja e tij, për më shumë se gjysëm shekulli. Në këto vite një pëlhurë irreale u end mes tij dhe Shqipërisë e përbërë nga mijëra kujtime, iluzione, fantazi pjellore, ecejake traumatike mërgimtarësh, thashetheme e copëra lajmesh që pëshpëriteshin nën zë, që i mësuan se ia kishin vrarë babanë. Drama që thurreshin dhe që ai përpiqej t’i zbërthente në përpjekje për të kuptuar e ndërtuar vetë jetën e tij.

Në këtë pëlhurë u përkund Liria, në fëmijërinë e vet kur ndiqte pas të atin në takimet me mërgimtarë që flsinin për gjëra që ajo nuk i kuptonte, për të cilat ai thoshte se nuk duhej të fliste me asnjeri, duke ia rritur misterin por edhe duke i ushqyer fantazinë ; në adoleshncën e vet kur nuk i ndahej sqarimi i përhershëm që duhej të jepte në klasë, për shqiptimin e vështirë të emrit e mbiemrit të saj të çuditshëm për francezët; në rininë e pjekur kur përpiqej të plotësonte fantazmat e atdheut imagjinar me leximet e librave të Kadaresë. « Prilli i thyer » ishte skenari që do ta tërhiqte fort për të zbrazur vetëm një pjesë të asaj mbushjeje shumëvjeçare. Film që ajo nuk mundi ta xhironte në dekorët realë por  në malet e Korsikës ku ngjashmëria e pejsazhit mesdhetar por edhe e atij njerëzor, e pse jo edhe tribal, ngjanin shumë me truallin shqiptar. Filmi mori Çmimin e Madh të publikut në festivalin e Lokarnos (1987) si dhe Çmimin për veprën e parë në garën e Cezarëve të kinemasë në Francë (1988). Por kordonin ombilikal ajo u përpoq ta presë në vitin 1992 me dokumentarin « Takim në Tiranë” ku personazhi, (më i vërtetë s’bëhej) ishte rikthimi obsesional i babait të saj në atdhe, në moshën 80 vjeçare, pas 50 vjetësh. Film që i kushtohet jo babait, por « atyre që ikën e atyre që mbetën ». « Edhe për tim atë, thotë ajo, filmi ishte një mënyrë që gjërat të ndodhnin. Ai ishte i sigurt se historia e tij ishte historia e të shumtëve, se duke e nxjerrë nga hija ajo do të shërbente si një dëshmi. Te të gjithë ata që ikin, ka një dëshirë shumë të fortë për t’u rikthyer (ah, sa e vërtetë është kjo !), dhe kur kjo ëndërr realizohet shfaqet një ndjenjë e fortë fajësie, pikërisht se ka vuajtuar më pak se ata që mbetën…. Filmi i shkoi deri në fund një shprese që ai e kishte mbajtur gjallë gjithë jetën dhe nuk arrinte dot më ta shprehte. Filmi i jepte kurajo, ndërsa forma dokumentare e tij tregonte se gjithçka mund të thuhet, se gjërat mund të bëhen të besueshme dhe të pashlyeshme ». Këto thotë Liria për babanë, por jo vetëm.

Ajo vetë, flet me zë më të lartë në filmin artistik me metrazh të gjatë « Larg barbarëve », ku protagonistë janë aktorja e njohur franceze Dominique Blanc dhe aktori ynë Timo Flloko, film i përzgjedhur dhe në festivalin e Venecies (1994). Përmes portretit të një gruaje të brishtë, regjizorja me origjinë shqiptare, sjell një film emocionues mbi dhimbjen e ikjes, mbi dramën e përbotshme të refugjatëve, mbi identitetet e trazuara ose « vrastare », siç i quan shkrimtari francez me origjinë libaneze Amin Maalouf. Nëse kthimin e të atit në trojet e veta ajo e bëri film, kësaj radhe filmin e saj ajo e bëri kthesë të jetës së vet, me shfaqjen e premierës së tij në Shqipëri, duke iu kërkuar paqe rrënjëve të veta me gjuhën e artit. «Për mua, të bësh kinema, thotë Liria, qoftë artistik, qoftë dokumentar, do të thotë të kesh dëshirën të tregosh një histori, një copë jete ».

Pjesa shqiptare e identitetit të Liri Begesë gjallon lirshëm dhe parreshtur në të gjitha ngjarjet që përcjellin trojet tona e bashkatdhetarët tanë; që nga mbështetja e pakursyer që ajo dhe familja e saj po aq e mrekullueshme, i ofron çdo artisti shqiptar që mëton të përballet me labirinthet e perëndimit, çdo miku që flet shqip, por jo vetëm, deri te organizimet e aksioneve të mëdha si ata që ajo organizoi së bashku me balerinin e famshëm Angjelin Prejlocaj, Inva Mulën e Tedi Papavramin në mbështetje të Kosovës gjatë vitit 1999.

Thelbi i saj mbetet humanizmi i cili, kur buron nga një zemër femërore bëhet edhe më i pasur, thelb që ajo e ka shprehur në filmin e saj « Ndryshoma jetën ». Film që trajton një temë tepër delikate, film që shqetëson. "Ndryshoma jeten" është drama e dhimbshme e dy personazhve gati anonimë, si ata që mund të ndeshen me qindra në çdo qytet perëndimor e që nuk kanë gjë tjetër për të ndarë, përveç ëndrrës që i mban ende në këtë botë. Një aktore mediokre, që tenton parreshtur të rigjejë aftësitë e humbura dhe një ish-atlet, që braktis Algjerinë për të ushtruar prostitucionin midis travestitëve në Paris, dy personazhë në rënie të lirë, bashkohen në filmin e Begesë në përpjekje, siç thotë autorja, "për të gjetur vërtetësinë e qenieve të gjalla, për t'i dashur e për t'i kuptuar". Këta personazhe të manipuluar nga forcat që i sundojnë, tentojnë dëshpërimisht t'u japin dritë lirisë, shpresave dhe ëndrrave të tyre. Përmes tragjedisë së dy protagonistëve, filmi synon t'u japë një strehë të gjithë atyre që nuk dinë ku të jetojnë dhe si të jetojnë.

Dimensioni human i artistes e bën atë një artiste që di të emocionojë dhe një njeri që u jep gëzim atyre që e rrethojnë. Në këto vite të sëmundjes së bashkëshortit të saj Luc Barnier, ajo u kthye në mishërimin e sakrificës, të dashurisë më të thellë që mund të tregohet për njeriun e dashur. U dha me mish e me shpirt që jo vetëm ta mbante atë sa më gjatë në jetë si njeriun e saj e babanë e vajzës së saj, Lea, por edhe sa më shumë në punë, që jo vetëm ajo të përfitonte nga humori, shpirti dhe dashuria e tij, por dhe gjithë kinemaja franceze të krijonte të tjerë filma nga ata që kalojnë kufijtë dhe që do i mbeten njerëzimit. Lum ai për këtë Liri!

Janë të shumtë shqiptarët që si unë, kanë pasur dhe kanë fatin ta njohin, ta duan, të jenë edhe sot në këtë ditë të vështirë lamtumire me të. Lum ne për këtë mike të shtrenjtë si Liria!

Comments

Submitted by Kola (not verified) on

Shume zellshme Mirela kur behet fjale per te huaj. Por per ndonje montazhier shqiptar pse sshkruan. Apo se nuk eshte francez? Apo se snjihet ne bote? Kur do hiqet dore nga kjo dashuri mediokre ndaj te huajve dhe te perqendrohen tek ata qe punojne ne Shqiperi.

Liri begeja sigurisht qe ka vleren e saj por mitizimi eshte pak problematik.

Submitted by roberta (not verified) on

Ti Kola qenke nje injorant kryekeput! Ki pak respekt per dhimbjen e tjetrit dhe sidomos per punen e nje artisti si Znj. Begeja.

Qyteterimi nuk eshte i pamundur per t'u arritur Kola...mjafton te mundohesh te degjosh pak me shume, lexosh pak me shume, e te mundohesh te permbahesh kur do te japesh mend. Ka te tjere plot qe mund te japin mend, ti mundohu t'i degjosh se dicka do mesosh.

Tek e fundit, kemi dy e veshe e nje goje jo me kot, por sepse duhet te degjojme dy here e te flasim nje here.

Submitted by davidi (not verified) on

berta, eshte e padrejte paravolia e vrimave... nje femer e fiton kete beteje

Submitted by Rukije (not verified) on

Identitetet vrastare te Malufit eshte permendur kot fare sepse ai e ka fjelen per ato identitete te rreme qe jane ne origjine te nacionalizmit dhe terrorizmit.

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.