Demokratura jonë

Postuar në 01 Tetor, 2012 04:14
Bard Camaj

Edhe sivjet, mes brohorimës dhe entusiazmit popullor, reforma zgjedhore, thonë,  u përmbyll me sukses të madh. Një pjesë jo e vogël e banorëve të Myzeqesë, për herë të parë në jetën e tyre, do të kenë fatin e papërsëritshëm që në 2013 ta hedhin votën e tyre në touch-screen, ndërsa dy forcat e mëdha do të angazhohen reciprokisht që në krye të KQZ-së të vihet ndonjëri që me vetëmohim e sakrificë të jetë i aftë ta shpjerë maskarallëkun e manipulimit të vullnetit të qytetarëve në një stad të ri.

E përmbledhur në një sentencë, procesi i përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë nga kryetari i partisë nepërmjet listave të mbyllura, mund të përkthehej kështu: "Jeni të lirë të zgjidhni, me kusht që të zgjidhni atë që ju themi ne." Efekti i kësaj filozofie elektorale është e lehtë  të vihet re: Në krye të listës së kandidatëve për deputetë të qytetit SH. mund të gjesh ndonjë të skeduar ndërkombëtarisht për trafik droge; në top-listën e P. mund të zbulosh ndonjë hajdut profesionist bagëtish, ndërsa në K. nuk është çudi të befasohesh nga emri i ndonjë bujku të përkushtuar hashashi. Si në Sh, P,apo K, e njëjta dorë e shkathët lëviz pas perdes, duke na sugjeruar që sistemi i së drejtës në këtë vend i bindet një logjike SH.P.K-je, një lidershipi korporativ i orientuar drejt maksimalizimit të vlerës së aksioneve në të cilat qytetarët nuk kanë më asnjë pjesë.

Për të parë si fuksionon mekanizmi  i kësaj filozofie të përçudnuar, hidhini një sy listës elektorale të dy partive të mëdha në zgjedhjet e fundit të përgjithshme; Të tmerruar prej bandave elektorale të njëra-tjetrës, këto parti e mbushën listën e kandidatëve me kurrkushë parellinj që janë gati të paguajnë 50-100 dollarë për një votë, me muskulozë  të gatshëm për tu përballur me kundërshtarin sipas parimit hebre', " sy për sy, dhëmb për dhëmb", me matrapazë elektoralë/dezertorë nga pala tjetër që garantojnë rezultatin ne getot lokale, aty ku kurrfarë ideologjie apo program elektoral nuk pi ujë. Rezultatin mund ta perceptosh në kuotën e famshme të Spartak Ngjelës, e cila për legjislaturën që sot qeveris vendin, deklaroi pak a shumë kështu: "Ky është parlamenti më injorant që ka njohur historia moderne e Shqipërisë".

Mund të ketë qëndrime të ndryshme apo rezerva  për opinionet e Ngjelës, apo për hedhjet e tij spektakolare matanë, këtej apo përsipër hunjve të gardhit që ndan palët kundërshtare, por ma ha mendja se për një gjë duhet të biem dakord: Askush, si rregull dhe si ligj, nuk duhet të kushtëzohet nga askush në procesin e zgjedhjes së përfaqësuesve të tij në parlament, apo në qeverisje. Dhe në fakt kjo ndodh. Është e sanksionuar në një kod elektoral të mirëmenduar dhe të miratuar bashkarisht nga dy forcat e mëdha, i cili në thelbin e vet është në kundërshtim nga mëngjesi në darkë me një kushtetutë që garanton lirinë për të zgjedhur. E drejta e kryetarit te partisë apo një numri të vogël vullnetesh të tjera të dyshimta për t'i imponuar trupës elektorale veton e tyre, në këndvështrimin tim është infeksioni ultimativ venerian që një klasë politike e korruptuar dhe lapërdhare i sjell mjedisit social në të cilin paraziton ç'prej 22 vitesh.

Ka të ngjarë që kryetarët  e dy partive, duke qënë në merak për mosfunksionimin e demokracisë së drejtpërdrejtë në kohën e Atij Burrit, ku rezultatet dilnin rigorozisht nëntëdhjetëenëntë përqind  me kurrgjë në favor të atyre që s’kishin kundërshtarë, të kenë menduar ta kthenin këtë parim kokëposhtë për të bërë që gjërat të funksionojnë sic duhet. E meqë parimet përgjithësisht refuzojnë të qëndrojnë kokëposhtë, ca kryetarë, për tu dukur më evropianë se të tjerët, i shtuan një këmbalec dhe e quajtën: parimi “një anëtar, një votë”. Domethënë, sipas këtij apendiksi gjenial, ne vërtet nuk kemi gjë në dorë kur zgjidhen përfaqësuesit në parlament (sepse zgjedhjen më parë e ka bërë kryetari i gjithëditur), por ama kemi në dorë të zgjedhim vetë kryetarin. Risia e vetme që solli kjo metodologji ishte një inflacion i lehtë, por i përballueshëm maqolakrorësh. Dhe kjo është më shumë se asgjë, apo jo?

Logjika do ta kërkonte qe opozita imponohej me  amendimet e nevojshme që kjo praktikë të merrte fund, gjatë negocjimit të reformës së fundit elektorale, që konstitucionalistët të ngrinin grushtet ndaj kësaj shkeljeje brutale mbi Librin që qëndron në themel të shtetit, që Shoqëria Civile të protestonte ndaj këtij turpërimi që na përket të gjithëve. Por jo. Ca mendojnë që kjo nuk është “domosdoshmërisht e domosdoshme”, ca mendojnë që e drejta për të zgjedhur i përngjan një tregu patatesh ku është e pashmangshme që të gjesh edhe të kalbura të cilat mundet thjesht të mos i blesh (nënkupto: të abstenosh), ndërsa disa të tjerë e kanë reduktuar betejën e tyre në një kakofoni lehjesh, cicërimash e pëllitjesh të pandërprera kundër Sali Berishës, pa e kuptuar që dalëngadalë po shndërrohen nga pjesë e kurës, në një nga shkaqet e sëmundjes. E gjithë kjo heshtje e sinkronizuar të bën të mendosh që në themel të kësaj poshtërsie qëndron një konspiracion i madh.

Rendet shoqërore ku media bën të paditurin, shoqëria civile bën të painteresuarin, dhe opozita budallain, ndërkohë që pushteti uzurpon të drejtat e qytetarëve duke u kushtëzuar deri edhe të drejtën e votës, nuk ka si të jenë demokraci. Më tepër, ato mund të quhen demokratura, ndërzime të panatyrshme mes demokracisë dhe diktaturës, pjellat e të cilave na shfaqen të përçudnuara në formën e diktaturave të kamufluara, apo demokracive të trukuara ku qytetarët konsiderohen një totalitet industrial zerosh, vullneti i të cilëve vlen veç sa për të legjitimuar pushtetin e një grushti njerëzish përballë komunitetit ndërkombëtar.

Thënë kjo, po filloj të mendoj që  nuk do të mund ta përdorim edhe për shumë kohë cilësorin që Agolli i madh stampoi në mënyrë të pashlyeshme mbi kurrizin e qeverisë së Nanos në ato vite të palavdishme të Republikes tonë. Ky rend social, për shkak të arsyeve që rendita më sipër, nuk mund të quhet më shkërdhatokraci. Ç'prej atij viti, kemi hedhur hapa gjigandë në drejtim të shtetbërjes, të cilat na imponojnë t’u gjejmë një cilësor tjetër sukseseve tona, duke i shtuar një fjalë të re fjalorit politologjik ndërkombëtar; Si thoni, sikur ta ruajmë rrënjën e epitetit të vyer të Agollit, dhe ti vëmë prapashtesën që i shkon më për shtat këtij shteti, dhe ta quajmë: Shkërdhatokraturë?

Comments

Submitted by Qyfli (not verified) on

Po pse çfare e dinit kapitlizmin ju zoterinj?Lendine me lule ku te benim qef te gjithe?Aaaa jo.Dardha e ka bishtin prapa -thote populli.

Submitted by Niko Maloku (not verified) on

Jam dakord me autorin e shkrimit, por me  duket se ai beson ne ekzistencen e demokracise.  Jean Jacques Rouseau thoshte se " Demokracia, as ka ekzistuar dhe as do te ekzistoje ndonjehere". Ideologet e zgjuar borgjeze, ka me shume se nje shekull qe perpiqen ( dhe ia kane arritur bukur  shume) qe ta paraqesin sistemin kapitalist si " Demokraci". Eshte e bukur apo jo? Megjithese jane nje pakice qe sundojne realisht dhe gezojne shumicen e te mirave te sistemit, ketij sistemi i vihet emri " demokraci", pra, sundim i popullit ( jo i pakices, por i te gjitheve dhe, ne rastin me te keq, i shumices). Ish- kryeministri radikal ( i djathte) francez, Clemenceau, thoshte se " Demokracia eshte e drejta e pleshtave per te pickuar luanet".  Sigurisht qe e kishte fjalen per kapitalizmin e paraqitur  ne menyre eufemike si " demokraci". Ne kete sistem ku ne kemi hyre, ka dicka interesante. Ne kundershtim me diktaturat e hapura qe e mohojne dhe e  mposhtin kundershtarin politik, ketu, klasa sunduese ( ekonomikisht, politikisht, mediatikisht etj.) ndahet ne disa pjese ( pjese te se njejtes se tere) dhe iu ben thirrje shumices qe te jene te lire te vendosin se per cilen nga keto pjese te votoje per ne pushtet. Keshtu, qe e tera sunduese siguron pushtetin e perhershem ( me te gjithe privilegjet e tij) kurse shumica e qeverisur ( e sunduar) siguron te drejten e lirise per te zgjedhur  njerin nga " vellezerit" sundues. Apo jo?

Submitted by RP(Rrezik Publik) (not verified) on

Demokrature(gjysem DEMOKRAci+gjysem diktaTURE)eshte term i perdorur nga francezet.E perdor L.Coen ne librin"Putingrad".Nje perkufizim te bukur per demokracine e jep Benjamin Franklin para dy shekuj e ca:"Demokracia eshte dy ujqer e nje qengj qe do votojne se ç'do hane per dreke.Liria eshte nje qengj i armatosur mire qe kundershton voten".Shoqerite perendimore nuk jane me demokratike,perveçse jetojne ne kushte me te mira jetese nga bota tjeter.Tashme qe kushtet e jeteses po perkeqesohen njerezit po vene re se demokracia nuk ekziston,ndersa te drejtat e tyre po reduktohen.Ka 30 vjet qe e djathta fanatike ka punuar per te mbytur te drejtat sindikaliste duke krijuar imazhin e shoqerise postindustriale qe ka nje telekomande dhe i zgjidh problemet vetem duke shtypur butona.Konsumizmi nuk i ben njerzit te lumtur perveçse i mbyt ne borxhe.Ne fakt demokracia nuk eshte luks per vendet e varfera,keshtuqe te flasesh per Shqiperi demokratike eshte vertet utopi.

Submitted by Albi (not verified) on

Cudi si ta ka lejuar Muci ta botosh kete artikull te faqja e tij, sepse ceshtja e listave dhe cfare problemesh krijojne ato jane diskutuar shpesh ketu.

E megjithate Muci ne menyre konstante ka refuzuar ta trajtoje si ceshtje.

Submitted by Depë Koja (not verified) on

Bard, ke harruar të çekësh edhe metodologjinë e pështirë/servile të klaneve, që punojnë sipas parimit: ti më lëpin b#$ën mua, dhe unë shefit që kam lart.

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.