Një autoritet misioni

Dominique Baudis është Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Ombudsmanëve Frankofonë. Ndodhet në Tiranë këto ditë në kuadër të Konferencës Ndërkombëtare të Ombudsmanëve dhe Mediatorëve të Frankofonisë, organizuar nga Avokati i Popullit i Shqipërisë. Z.Baudis i diplomuar për studime politike ka qenë deputet, kryebashkiak i Tuluzës dhe anëtar i Parlamentit Europian. Ka një karrierë të mëparshme edhe në media, si gazetar, president i "Le Figaro" dhe president i Këshillit Vizual Francez. Postin e Mbrojtësit të të Drejtave (Ombudsmanit) në Francë e mban prej 2011-s. Mendimet e mëposhtme janë shkëputur nga përgjigjet e një interviste televizive me gazetaren Sonila Meco në ABC News.
Unë gjendem në Shqipëri në një moment kur vendi juaj përgatitet të festojë 100 Vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë një datë kjo e rëndësishme. Jam gjithashtu në Shqipëri në kuadrin e një mbledhje të Frankofonisë, mbledhje të mediatorëve, avokatëve të popullit, ombudsmanëve, mbrojtësve të të drejtave të njeriut - siç quhen në vende të ndryshme. Edhe pse emërtimi ndryshon misioni ynë është i njëjtë. Domethënë ne jemi një mundësi për çdo qytetar të krijojë të drejtën e tij dhe jemi një autoritet misioni i të cilit është të kujdeset për respektimin e të drejtave të çdo personi, në veçanti për më të dobëtit. Konkretisht këtë javë me rastin e kësaj mbledhjeje në Tiranë ne do të diskutojmë gjërësisht për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve. Ne kemi katër misione, i pari: marrëdhëniet mes qytetarit dhe administratës në përgjithësi, administrata shtetërore, administrata lokale, shërbimet publike të shpërndarjes të energjisë elektrike, të ujit , pra një lloj avokati i qytetarëve pranë administratës. I dyti: për mbrojtjen e fëmijëve për të cilën folëm më lart. Misioni i tretë është lufta kundër diskrimininim, domethënë të kujdesemi që asnjë njeri të mos përjashtohet nga të drejtat e tij për shkaqe që lidhen me diskriminimin psh: ngjyra e lëkurës, gjinia, rasti kur një grua ka më vështirësi se një burrë që të eci para në karrierë, diskriminimi për homoseksualët . Një person mund të diskriminohet pra për të gjitha sa përmenda dhe roli ynë është të mbrojmë të drejtat e këtyre personave, të cilët na drejtohen ne për të ndërhyrë. Misioni i katërt është deontologjia e forcave të sigurisë, dmth respektimi i deontologjisë nga policia, rojet e burgjeve, doganierët, pra të gjithë ata që ushtrojnë një pushtet në emër të funksionit publik. Të respektojnë rregullat e etikës dhe të deontologjisë së profesionit. Në përgjithësi ata i respektjnë këto parime, por kur nuk e bëjnë pasojat janë nganjëherë shumë të rënda për individët.. Ne ndërhyjmë, bëjmë një hetim, pyesim dëshmitarët dhe kur duhen marrë masa ndaj drejtuesve të policisë që kanë vepruar keq, ne i kërkojmë qeverisë, ministrisë së brendshme të dënojë punonjësin, i cili nuk ka respektuar rregullat e profesionit të tij dhe ka qenë i dhunshëm pa arsye ndaj qytetarëve.
*****
Unë kam pritur në Paris zotin Totozani para disa muajsh menjëherë pas emërimit të tij, ai më foli rreth institucionit të tij, rreth projektit që kishte në lidhje me qytetarët shqiptarë. Unë i fola në lidhje me misionin tonë dhe vendosëm të kishim shkëmbime gjë që lehtësohet nga frankofonia. Kjo është gjithashtu e nevojshme për dikë duke pasur parasysh faktin që Shqipëria është e angazhuar në procesin e paraqitjes së kandidaturës për aderim në Bashkimin Europian. Nga 12 pikat e axhendës të përcaktuara nga BE për kandidaturën e Shqipërisë, njëra i kushtohet rëndësisë që ka institucioni i Avokatit të Popullit; nevojës që pushteti publik, pushteti ekzekutiv të ndjekë dhe të jetë i vëmendshëm ndaj rekomandimeve të Avokatit të Popullit. Pra në kuadër të këtyre proceseves ai i Frankofonisë, ashtu dhe ai i hyrjes në Bashkimin Europian, z.Totozani dhe unë kemi shumë për të bërë së bashku. Ai më propozoi që në takimin tonë të parë të organizojmë këtë mbledhje, e cila po zhvillohet këto ditë në Tiranë. Aty marrin pjesë mediatorë dhe ombudsmanë të të gjitha vendeve frankofone. Më shumë se 30 pjesëmarrës që kanë ardhur për disa ditë në Tiranë për të punuar mbi temën e fëmijëve. Kjo është tema e konferncës, por ne do të bëjmë dhe një bilanc mbi aktivitetet tona, pastaj edhe të mbështesim njëri- tjetrin sepse misioni ynë nuk është i lehtë për shkaqet që përmenda më lart: kriza, papunësia, vështirësitë ekonomike dhe sociale, si dhe në përgjithësi. Sepse misioni ynë është një mision i cili konsiston shpesh në mbrojtjen e interesit të individit përballë pushtetit dhe shpesh këtij të fundit nuk i pëlqen ti thuhet se ka bërë një gabim, se duhet të marrë masa për të rregulluar një padrejtësi. Pra duhet guxim dhe vendosmëri për të përmbushur një mision si ai i Avokatit të Popullit, apo mbrojtësit të të drejtave. Për këtë arsye ne kemi nevojë për të mbështetut dhe inkurajuar njëri- tjetrin. Ndaj faleminderit për ftesën, faleminderit që më dhatë mundësinë të prezantoj institucionin që drejtoj dhe të shpjegoj se si punon dorë më dorë Avokati i Popullit, z.Totozani dhe Mbrojtësi i të Drejtave të Njeriut në Francë.
*****
Shqipëria është një vend shumë i rëndësishëm në këtë rajon jugor të Europës sepse ajo është një element stabiliteti dhe ekuilibri... Shqipëria ka marrëdhënie të mira me fqinjët e saj dhe po ecën në rrugën drejt Bashkimit Europian, gjithashtu Shqipëria po ndërton demokracinë e saj, një demokraci e re. Këtë vit do të festoni 100 vjetorin e pavarësisë, ndërsa demokracia juaj ka një histori vetëm 20 vjeçare. Demokracia vendoset ngadalë, ndryshe nga një diktaturë e cila vendoset sot me nesër brutalisht. Demokracia ndërtohet ngadalë dhe me durim. Ajo nuk krijohet me shkop magjik, por duhet kohë dhe vullnet. Duhet që një shoqëri ti bëjë të sajat pak nga pak vlerat dhe parimet dhe kjo nuk bëhet sot me nesër. E kam shumë mirë parasysh rrugën e bërë nga shqiptarët këto 20 vite. Nga ana ime unë jam një europianist i bindur. Si qytetar unë kam besuar gjithmonë tek Europa. Kam punuar në shërbim të Europës duke qenë tre herë anëtar i Parlamentit Europian. Në vitet ’90 pamë vendet e Europës qendrore dhe lindore, vendet e Ballkanit të çliroheshin nga sistemet totalitare komuniste. Ky ishte një shans i rrallë në histori për Europën dhe për këto vende që të bashkoheshin më në fund dhe të ndërtohej një Europë ekonomike, sociale dhe politike që të mbulonte gjithë kontinentin. Unë kam qenë në Parlamentin Europian ku kam ndjekur dhe mbështetur gjithë procesin e Shqipërisë dhe të vendeve të tjera të Ballkanit drejt hyrjes në BE, sepse një Europë pa vendet e ballkanit, pra pa jugun e saj është një Europë e çalë, e mangët. Unë besoj se europianët janë të gatshëm të pranojnë vende të tjera anëtare kur ata i përkasin gjeografikisht Europës, por kur bëhet fjalë për aderimin e vendeve jashtë kontinentit europian kjo gjë shkakton debat dhe nuk janë dakord. Përsa i përket hyrjes në BE të vendeve të Ballkanit ka një konsensus të përgjithsëm, sepse secili e kupton se Europa do të forcohej dhe do të fitonte nga aderimi i plotë i vendeve të Ballkanit. Unë besoj gjithashtu se kjo përbën një perspektivë dhe një projekt shumë të bukur. Është e rëndësishme për një vend të ketë një projekt për të ardhmen.
*****
(U bë edhe një pyetje lidhur me mediat).. Liria dhe përgjegjësia, cili duhet të jetë raporti? Sa më e madhe është liria, aq më e madhe është përgjegjësia. Unë e njoh botën e mediave në disa këndvështrime. Kam qenë gazetar dhe kam drejtuar Këshillin e Lartë Audio-Vizual, i cili shpërndan frekuencat për radiot dhe televizionet dhe mbikqyr përmbajtjen e emisioneve. Ne jetojmë në vende ku shtypi është i lirë, prandaj duhet të kujdesemi që kjo liri të jetë reale, efektive dhe e garantuar. Liria e shtypit shoqërohet me përgjegjësi nga ana e vetë gazetarëve. Unë mendoj se i përket vetë këtij mjedisi professional, vetë gazetarëve të përcaktojnë rregullat, deontologjinë, etikën e tyre, natyrisht që nuk duhet të jetë një pushtet tjetër që të kufizojë lirinë e gazetarëve. Duhet që gazetarët të organizojnë vetë disiplinën e profesionit të tyre, rregullat që duhen ndjekur në mënyrë që ky profesion të ruajë kredibilitetin tek qytetarët, të jetë një profesion i nderuar. Është e vërtetë se nëse gazetaria devijon nga synimi i saj, mund të transferohet në një mjet presioni , apo shantazhi. Problem është edhe si të arrihet të ruhet pavarësia në një television publik; që të mos jetë një television qeveritar, por një media publike që t'u përkasë të gjithëve dhe jo vetëm atyre që qeverisin, pra të ruajë një farë paanësie. Nuk duhet që një television publik të jetë nën urdhërat e qeverisë, sic nuk duhet që mediat private të jenë nën urdhrat e atyre që japin publicitete. Pavarësia është thelbësore për punën e gazetarit dhe për këtë duhet të kujdesen vetë gazetarët. Sa më shumë rregula strikte të vendosen në lidhje me përgjegjësinë, sa më shumë të zbatohen rregullat profesionale etike dhe deontologjike, aq më shumë do të mund të respektojnë pavarësinë e tyre.
Video e intervistës:
http://abcnews.al/intervista/intervista/1/639
Add new comment