Fiktiviteti i problematikës së arsimit

Nëse ndjek deklaratat dhe angazhimet e qeverisë dhe të opozitës për arsimin , në pamje të parë të krijohet përshtypja se ka një moskuptim ose keqkuptim të problematikës. Por, nëse analizon stilin dhe logjikën e tyre, kupton diçka akoma më të rëndë: në të dy krahët qëllimi nuk është dhe aq zgjidhja e problemeve, sesa krijimi i një imazhi të caktuar mbi problemet. Kjo shpjegon edhe cektësinë e premtimeve dhe eklipsimin e problemeve të vërteta, ose edhe paraqitjen e premtimeve përtej së mundshmes dhe madje edhe përtej së nevojshmes.
Shembujt janë të shumtë. Kështu, një nga debatet madhore mes qeverisë dhe opozitës ngrihet mbi shpenzimet buxhetore për arsimin. Qeveria shikon rritje të madhe aty ku opozita shpalos ulje drastike. Në fakt, të dy janë qëndrime që vërtetojnë pikëpamjen naive se problemet në arsim zgjidhen thjesht duke rritur buxhetin. Gjë që nuk është e vërtetë, sepse shteti mund të shpenzojë edhe gjysmën e buxhetit të tij për arsimin, dhe mund t’u kalojë përsëri anash problemeve madhore. Ja një shembull i qartë që as shihet e as trajtohet nga të dyja palët. I gjithë problemi i virtualitetit dhe i cilësisë së ulët të diplomave në disa universitete publike e private shihet thjesht si abuzim prej tyre. Zgjidhja e menduar është ajo e policimit. Qeveria premton rreptësi që nuk e zbaton, ndërsa opozita premton një “sistem të pavarur të vlerësimit dhe renditjes”, që në fakt aktualisht ekziston në formën e agjencisë së akreditimit dhe kontraktorëve të saj. Ndërkohë problemi madhor i diplomave pa vlerë nuk është lëshimi i tyre, por pranimi i tyre. Një diplomë fiktive nuk merret për t’u punësuar në kompanitë e mëdha shqiptare e të huaja, por për t’u punësuar në shtet. Kjo simbiozë e neveritshme mes prodhimit të diplomave fiktive dhe riciklimit të tyre prej shtetit është në të vërtetë problemi madhor. Ata mijëra njerëz, deri edhe zyrtarë të lartë që marrin diploma fiktive, nuk do të harxhonin kurrë para për të marrë një diplomë që nuk do të mund ta përdornin diku. E meqenëse në sektorin privat përzgjedhja funksionon, shteti mbetet magneti i parezistueshëm i tërë mediokritetit dhe fiktivitetit të shoqërisë. Ky fiktivitet nuk është thjesht i neglizhuar, por deri diku pranohet si lubrifikant i një sistemi militantist. Edhe vetë administrata ka, mbi të gjitha, nevojë të përligjë me diploma fiktive vendet e punës që cakton partia përkatëse, në pushtetin qendror e atë lokal.
E njëjta verbëri vërehet edhe në shpërndarjen e përgjegjësive mbi fiktivitetin. Së pari, harrohet pothuajse tërësisht fiktiviteti në shkollat publike, i sponsorizuar nga stafet, prindërit dhe vetë nxënësit e studentët. Së dyti, përgjegjësia u faturohet e gjitha “mashtruesve” që kanë hapur universitete dhe mashtruakan të rinjtë e shkretë. Po kush po u mashtruaka? A ka ndonjë nga lexuesit e kësaj gazete që nuk e di se cili apo cilat universitete private japin diploma fiktive? A ka ndonjë student apo pedagog që nuk e di se cilët pedagogë vlerësojnë mbi bazën e miqve apo ndonjëherë edhe parave? Mashtrues ka plot, në publik dhe privat, dhe do të vazhdojë të ketë për aq kohë sa ka një treg për ta. Shteti do të duhet t’i kishte përzënë me kohë nga shkollat e tyre, në publik apo privat, njësoj. Por, fokusimi tek ideja e mashtrimit të dikujt që në fakt nuk mashtrohet, zhvendos totalisht kuptimin e problemit. Është qesharake të mendosh se Renzo Bosi dhe të ngjashmit e tij shqiptarë janë mashtruar dhe marrë në qafë nga universiteti X. Dhe nëse e sheh problemin mbrapsht, vështirë se do të gjesh zgjidhjen e duhur.
Një tjetër debat ka qenë çështja e rritjes së rrogave të arsimtarëve, e parë në dy mënyra krejt të ndryshme e kundërshtuese. Ajo që del në pah menjëherë është trajtimi i mësuesit si mall elektoral. Një votues potencial që mendohet se mund të blihet ose shitet varësisht prej çmimit që paraqet. Natyrisht, rritja e rrogës mendohet si më e prekshme dhe elektoralisht ndikuese, sesa p.sh. rigoroziteti në vlerësimin e diplomave në një komision punësimi në administratë.
E njëjta gjë për shifrat e hyrjes në universitete. Njësoj si në rastin e fiktivitetit, edhe këtu zgjidhja presupozon problemin. Presupozohet se problemi është të futen të gjithë në universitet, ndërkohë që problemi është, në fakt, cilësia që marrin aty. Ngjeshja e nxënësve dhe sidomos studentëve nëpër klasa dhe orare të pamundura mund t’i mbarojë punë një pjese prej tyre që procesin e shkollimit e konceptojnë të mbyllur në kornizën e kartonit të diplomës, por merr në qafë mijëra të tjerë që duan të studiojnë realisht.
Rritja e cilësisë së arsimit është vërtet investimi më i mirë për të ardhmen një vendi. Fatkeqësisht, përpjekjet për rritjen e cilësisë japin efekte kryesisht në plan afatgjatë. E meqenëse mandatet parlamentare janë vetëm 4-vjeçare, vizioni afatgjatë mbi arsimin nuk merret kurrë seriozisht, ndërsa theksi vendoset tek elementet afatshkurtra që nuk i shohin aktorët e arsimit si të tillë, por si votues të mundshëm në të tashmen.
botuar te "Panorama"
Comments
Fiktiviteti i problematikes
<p>Fiktiviteti i problematikes se arsimit, apo problematika e fiktivitetit te arsimit?</p>
Ermal, konstatimet tuaja janë
<p>Ermal, konstatimet tuaja janë domethënëse në sy këndshikime. Venë gishtin në disa plagë të këtij sistemi që vetëm arsimor nuk është, por, njëherazi, jeni jashtë fokusit për shumë gjëra, madje jo fort të vogla. Kështu, edhe ju, me sa shkruani, zgjidhjen e problemeve e zëvendësoni me krijimin e imazhit për gjendjen. Ju konstatoni se diplomave universitare u jep vlerë militantizmi; se buxheti nuk ndikuaka në cilësinë e arsimit (sot ai është në nivelin 2.7% të PPB, kur mesatarja evropiane luhatet tek 5.5% !!!); mohoni rolin pas veprues të akreditimit dhe renditjes dhe potenconi perceptimet personale të qytetarëve apo ekzistencën e një agjenci akreditimi që është vetë e pa-akredituar; barazoni statusin e mësuesit me një prej elementeve të tij – pagën, apo edhe më keq, akuzoni opozitën se po përdor trupat pedagogjike si mall elektoral, në një kohë që është krejt e kundërta. Keni harruar me sa duket këmbënguljen dhe rolin e deputeteve të opozitës në komisioni e ligjeve për depolitizimin e shkollës apo per permiresimin ligjor të statusit të mesuesit dhe drejtuesit të shkollës; duket nuk po ju kujtohen deklaratat apo protestat e fundit të saj për përdhosjen që "pasionanti" Berisha, si xhihadist i ndërkryer, po u bën institucioneve arsimore. Sa i takon politikave për arsimin e lartë, këto ditë Rama argumentoi gjithë sa ju konsideroni “krijim të një imazhi të caktuar për problemet”, por ju nuk keni patur kohë (ndoshta dhe dëshirë) ta ndiqnit. Konstatimet e drejta nga demagogjia i ndan një hap i vogël; shpesh “djalli fshihet ndër detajet”, sikundër nuk ka formë më të mirë për të treguar injorancën, se sa të flasësh për gjerat që i merr me mend.</p>
Ik o Ermal se ti do me e nda
<p>Ik o Ermal se ti do me e nda mutin e Berishes pergjysem. Oportunizmi eshte streha e te paqarteve dhe ti e di mire se cfare eshte programi i PS dhe cfare i ka bere arsimit Berisha. </p>
Add new comment