Rroftë Republika!

Postuar në 18 Nëntor, 2012 11:45
Edvin Kukunja

Historia e rikthimit të eshtrave të të ashtëquajturit mbret nuk është thjesht një histori kokallash, zhvarrosjesh dhe varrimi në tokën mëmë. Nuk është e tillë dhe për çudinë tonë, sepse kjo çështje me dashje është shndërruar në një gjest simbolik i cili duhet lexuar për dhe sa vlen në imagjinatën e atyre që e stisën këtë palo gjë. Rikthimi i këtyre eshtrave në atdhe është, mesa po kuptojmë, pjesë protokollare e ngjarjeve të përkujtimit të një momenti historik epik për Shtetin shqiptar dhe themelimin e tij. Them shtetin sepse kombi është diçka më shumë dhe i ka paraprirë në kohë këtij gjesti politik.

Shpallja e Pavarësisë në Vlorën e 1912 është gjesti i parë politik për kombin tonë, i pari për vlerën që ka marrë në retrospektivën historike por jo i vetëm në histori për nga vlera dhe simbolika, në konceptin modern të politikës dhe shtetbërjes. Kombi, pra shqiptarët të njëjtësuar në një identitet kultural, gjuhësor dhe historik shprehën njëzëri vullnetin e tyre për të administruar në liri gjënë e tyre publike, la res publica shqiptare, Republikën e tyre.

Historia, siç dihet, rezervon gjithnjë surpriza dhe një nga këto ish dhe momenti i zvetënimit të këtij vullneti politik dhe modern në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Dhe ja ku në 1 shtator 1928 (nëse i referohemi këtij personazhi, në të kundërt do të duhet të marrim parasysh  periudhën 1920-1924, dhe protektoratin e periudhës 1914-1920) mbërritëm rishtazi si komb në shpalljen e një monarkie, së cilës mbiemri “parlamentare” i rrinte si këpucët Lulit të vocërr, gjithë brima dhe aspak në gjëndje ta mbronin shtetin nga shpërfytyrimi i tij në një gjë private, çiflig hesapi.

Pra, Rilindasit dhe Rilindja e Kombit, një rrugëtim historik dhe politik shekullor i mishëruar në aktin e mbledhjes të Kuvendit Kombëtar, i cili u mblodh në Vlorë dhe vendosi që “... Shqipëria me sot të bëhet më vehte, e lirë e mosvarme”. Ky Kuvend po të kish dashur një mbret para se të shpallej Qeveria e Parë shqiptare do e kish thënë dhe një gjys fjale për të. Por kështu nuk ndodhi dhe delegatët në emër të Kombit zgjodhën bashkëqeverisjen demokratike të gjësë publike, pra zgjodhën Republikën e jo Monarkinë. Ndaj e nuk kuptohet mirë se ç'vlerë dhe si hyn varrimi i të vetë-shpallurit mbret në tokën mëmë me kremtimin e 100 vjetorit të Pavarësisë.

Kam idenë që zgjedhja në fjalë ka ndopak lidhje me perceptimin dhe qasjen kuturu ndaj Historisë, shprehja më tipike dhe më origjinale e asaj që mund të quhet tallava-politik, produkt i këtij 20 vjeçari tranzicioni shqiptar, mishëruar më së miri në çdo gjest a fjalë të Kryeministrit tonë të dashur. Ky i fundit nuk ngurron aspak ta quajë të ashtëquajturin mbret “themeluesin e Shqipërisë moderne”. Pra, merreni Rilindjen dhe bëni si të bëni e gjejini ndonjë vend në këtë katrahurë që ne quajmë Revizionim të Historisë, se ne nuk dimë çfarë të bëjmë me të. Kjo qasje nuk mund të quhet as pragmatizëm historik, as paqësim të ndërgjegjes historike të kombit. Shumë gjë e këndshme dhe dhuratë kaq e sofistikuar në këtë njëqind vjetor.

Nuk mund të flasim kurrsesi për pragmatizëm historik sepse këtu dalim nga hulumtimi dhe verifikimi i fakteve historike duke u kredhur kokë e këmbë në manipulim nëpërmjet një rivizitimi material të tyre.

Personalisht nuk kam asgjë kundra varrimit të eshtrave të zotërisë në tokën mëmë. Por mendoj që Shteti i shqiptarëve, pra Republika, s'ka pse të ketë gisht në të. Shumë mirë mund të rishkruhet historia duke e lënë “të lirë” trashëgimtarin e zotërisë, të ashtëquajturin Princ, të sjellë dhe të varrosë eshtrat e gjyshit në atdhe. Madje në këtë event privat, i mundur për çdo qytetar tjetër, shumë mirë mund të kishin marrë pjesë përveç idhtarëve të monarkisë, dhe një entourage i pasur pushtetarësh të të gjitha niveleve deri tek vetë Kryeministri.

Ne, si qytetarë dhe nënshtetas të Republikës kemi detyrimin ta lëmë Republikën jashtë përçapjeve për ta shpërfytyruar atë në një produkt të delleve personalizuese të Kryeministrit tonë.

Republika është një moment historik real dhe ideal në të njëjtën kohë. Ne jemi në brendinë e saj dhe në të mundohemi të ndërtojmë jetën tonë, të nesërmen tonë. Ju lutemi lëreni atë jashtë gostive Tuaja, gosti shtruar me prodhimet e gjësë publike, të cilat po vihen në shërbim të  realizimit të ëndrrave për pushtet, ëndrra individësh si ju që shohin tek vetvehtja fillimin dhe mbarimin e Publikes, dhe të Republikës, fatkeqësisht për ne si shoqëri.

Nuk mund të flasim gjithashtu për një gjest politik i cili ka si qëllim paqësimin e ndërgjegjes historike të kombit. Nuk është kështu sepse këtij gjesti nuk i paraprinë një sërë iniciativash politike dhe ligjore në emër të një paqësimi kombëtar të shëndetshëm.

Nëse Berisha, dhe kush për të, me këtë Revizionim Historik të sojit Tallava do të donte të hidhte dritë mbi faqet e errëta të Historisë, atëherë ai detyrimisht do të duhej të bënte, ose më mirë të kish bërë tashmë, disa veprime konkrete të domosdoshme mungesa e të cilëve është një ndër shkaqet e plogështisë dhe përhumbjes të ndërgjegjies aktive qytetare në shoqërinë tonë.

Nëse Berisha kërkon paqësim kombëtar, atëherë përpara se të sillte me ceremoni shtetërore në emër të Republikës eshtrat e të ashtëquajturit mbret, do të duhej të kish hapur dosjet e Sigurimit. Do të duhej të kish lënë shqiptarët të lirë nga hijet dhe fantazmat e së kaluarës më të afërt, duke patur parasysh që aktorët politik më aktiv janë po ai brez, të cilit ai i përket, që një rol të tillë e pati dhe gjatë Diktaturës. Po ashtu, do të duhej të hiqte duart nga Institucionet e Shtetit të shqiptarëve, të hiqte dorë nga dhunimi sistematik i tyre, të linte drejtësinë të bënte punën e vet dhe në të tashmen, duke krijuar mundësinë për pasardhësit të shkruanin një histori të dëlirë dhe gjithëpërfshirëse.

Pra, në datë 17 nëntor bashkë me eshtrat e të ashtëquajturit mbret do të varrosim dhe një pjesë të mirë të Republikës Shqiptare. Pushtetarët shqiptarë, qeveria dhe oborrtarët, veshur petkun formal që kjo Republikë u mundëson, shkojnë dhe nderojnë mohimin më të gjallë të saj, monarkinë. Kjo gjë nuk është qesharake. Kjo gjë është tragjike dhe mesa po kuptojmë, duke cituar titullin e një filmi të Benignit, nuk na mbetet veç të qajmë përpara flamurit të Republikës ngritur mbi shtizë në emër të Monarkisë. Le të harrojmë Rilindjen dhe Rilindasit, sepse me shumë gjasa ata nuk do të kishin dashur të kishin ndopak vend në librat tanë të Historisë shkruar shkel e shko, si të ishin tekste këngësh të zhanrit tallava. 

Comments

Submitted by astrit (not verified) on

<p>Gjerat jane te ndara dhe ketu trajtohen dy tema te ndryshme:</p><p>1) Nqs autori thote se nje Republike nuk ka perse te beje duvara monarkiste ka plotesisht te drejte. Po keshtu autori ka te drejte te thote se nje pushtet i rrembyer me komplote, perdorim mercenaresh te huaj, karakterizuar nga nje korrupsion kozmik, nuk ka te drejten morale te perkujtimit. Vlerat e monarkise mund te jene (nqs jane) historike, por jo demokratike apo modernizuese qe te ringjallen ne kete menyre dhe indirekt te deklarohen pjese prominente e historise se Shqiperise.</p><p>2) Ama nga ana tjeter autori nuk ka te drejte kur thote se Monarkia si ide e ka patur zanafillen nga 1928 se kjo nuk eshte e vertete. Une nuk di te them se cfare mendonin rilindasit se ata ishin shume dhe kjo do te ishte teme e nje studimi me vete. Por une di te them se forma e Shtetit Shqiptar u vendos gjate Kongresit te Lushnjes te Janarit 2921 dhe ne te u vendos qe te ishte Monarki. Meqe u quajt e parakoheshme te zgjidhej nje monark ne ate moment, kryesia e shtetit ju kalua kater personave. Pra funksionet e kryetarit te shtetit ju kaluan kolektivisht &quot;Keshillit te Regjences&quot; qe perbehej nga 4 persona te cilet ishin juridikisht Regjente te Monarkise. Pra Shqiperia e 1921-1924 ishte Republike de facto por gjithmone Monarki de jure.</p><p>Dhe per ti shkuar te vertetes deri ne fund, Ahmet Zogu theu vendimet e Kongresit te Lushnjes dhe dispozitat e saj (Statutin Themeltar) qe ishin kushtetuese kur me Janar 1920 shpalli Shqiperine Republike dhe veten President. Kjo ishte ne kundershtim me ligjet ne fuqi ne kohen qe u be ajo pune. Dhe vetem tre-kater vjet me vone dispozitat kushtetuese te vitit 1925 kur Shqiperia u shpall Monarki...</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.