Fatura fatale e CEZ

Postuar në 26 Janar, 2013 03:01
Arban Hasani

 

Historia e dështimit të investimit të CEZ në Shqipëri duket se është pasqyrimi më i vërtetë i asaj që ka bërë qeveria e Sali Berishës në katër vitet e fundit: miliona euro që duhen paguar dhe shtete që armiqësohen me integrimin evropian të Shqipërisë. Dëbimi i këtij investitori jo vetëm ka nxjerrë në tryezë një faturë të madhe financiare e politike, por pikërisht mbi këtë rast duket se luhet me xhiro të shpejta i gjithë filmi i këtyre katër viteve qeverisje.

Pompoziteti i dorëzimit në Pragë të kërkesës për statusin e kandidatit te Shqipërisë në BE vetëm një muaj përpara zgjedhjeve të 2009-ës, marrja nga ana e një kompanie të madhe çeke e tenderit për rrjetin e shpërndarjes së energjisë, euforia propagandistike e mrekullisë, që është gati t’i afrohet BE-së dhe ku bëhen investime serioze, pra të gjitha që u rrokullisën në të kundërt sapo mbaroi spektakli elektoral. Borxhe, akuza, fatura dhe gjoba, vendime të diskutueshme gjykatash, banorë që pushtojnë nënstacionet dhe energji që ndërpritet për efekt të arbitrazhit ndërkombëtar, treguan më së miri se çfarë stine mbajti gjatë këtij mandati katërvjeçar. Në fund, e gjitha është kthyer përmbys, CEZ është përzënë nga Shqipëria dhe rrezikon të fitojë gjyqin ndërkombëtar, borxhet po i marrin frymën KESH-it, qeverisë i duhet të paguajë të paktën dy herë më shumë sesa fitoi në 2009-ën nga privatizimi, ndërsa në Pragë miqtë janë shndërruar në armiq. Çekia nuk do ta mbështesë Shqipërinë në aspiratën e saj të anëtarësimit në BE.

Kur më 28 prill 2009 Sali Berisha i dorëzoi homologut të tij çek aplikimin për statusin e kandidatit të Shqipërisë në BE, pakkush kishte dilema për fundin e lumtur të atij zarfi. Kjo jo prej shkakut, se vetëm dy javë më pas Mirek Topolanek do te ikte nga zyra e shefit të qeverisë së Pragës, por sepse dukej qartë që ajo ceremoni kishte vetëm qëllime elektorale. Berishës i duhej për t’i krijuar një iluzion shqiptarëve përpara zgjedhjeve se ishin më afër Evropës, ndërsa çekët kishin pranuar të luanin rolin e tyre në këtë skenar lindor. Madje Topolanek deklaroi atë ditë përpara kamerave: “kam dashur që aplikimi të bëhet gjatë presidencës çeke për faktin se vendet kanë të njëjtën histori politike, si shtete ish-komuniste. Po kështu edhe për faktin se Shqipëria ka bërë mjaft hapa përpara, pjesa më e madhe e tyre nën drejtimin e Sali Berishës”.

Megjithëse Topolanek nuk arriti të qëndronte në pushtet as sa të mbyllte Çekia presidencën e BE, pasi u largua më 8 maj të atij viti, farsa u luajt deri në fund. Marrëdhëniet shqiptaro-çeke nisën të zënë titujt kryesor të mediave në vend, shkëmbimet trajtoheshin me prioritet, ndërsa propaganda e përdori eksperiencën e Pragës në dënimin e krimeve të komunizmit si model –paçka se shumë larg nga origjinali- të ligjit të lustracionit. Pikërisht në këtë kohë u pagua edhe haraçi.

Menjëherë pasi fitoi zgjedhjet qeveria u kujdes që CEZ Group të fitonte tenderin ndërkombëtar për blerjen e 76 përqind të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në Shqipëri për 102 milion euro. Investimi u trumbetua si arritje e madhe dhe deri në këtë pikë gjërat dukeshin se po shkonin sipas atij skenari lindor të fushatës elektorale. Sipas kësaj propagande, ky ishte hapi i parë i boom-it të investimeve të huaja në vend, të cilat ndoshta edhe prej historisë së CEZ, nuk erdhën kurrë dhe rrezik që të mund të afrohen për një kohë të gjatë. Por ndryshe nga mentaliteti i politikanëve, për menaxherët e kompanisë telashet nisën menjëherë. Rrjeti i shpërndarjes ishte për të ardhur keq, qytete dhe fshatra nuk paguanin asnjë qindarkë energji, lidhja e biznesit me realitetin ishte në kufijtë e të pamundurës, ndërsa shteti që zhytej ditë pas dite në krizë nuk paguante asnjë prej faturave, që sa vinin e shtoheshin. Nga ana tjetër borxhet mes CEZ-it nga njëra anë dhe KESH-it e OST-së nga ana tjetër, rriteshin pa asnjë kuptim. Të gjithë këta faktorë nxorën më shumë në dritë pikërisht sëmundjen kryesore të shoqërive lindore, ku qeveria i konsideron bizneset si klientë të saj. Dhe në harkun e pak viteve situata u përmbys. CEZ-i u pa si një armik i qeverisë ndërsa të gjithë faktorët e tjerë, që prej debitorëve zyrtarë e deri tek qytetarët, që nuk kuptonin asgjë, iu vërsulën kompanisë. Zona të mëdha urbane deklaronin fshatçe që nuk paguanin asnjë lek për energjinë, ndërsa qeveria i trimëronte për t’u dyndur nëpër nënstacione për të lidhur energjinë, që nuk paguanin kurrë. Bilanci i asaj që kemi parë gjatë gjithë vitit të fundit në këtë duel mes CEZ-it dhe qeverisë ishte dramatik. Kompania çeke ka shumë gjasa të fitojë lehtë arbitrazhin ndërkombëtar prej sjelljeve të dhunshme dhe shkeljes së kontratave nga zyrtarët shqiptarë, si dhe paaftësisë në zbatimin e ligjit e për pasojë t’u shpëtojë borxheve që kapin mbi 200 milion euro, që i detyrohet KESH, OST apo institucioneve të tjera kryesisht shtetërore. Nga ana tjetër, gjatë gjithë kohës së krizës kjo kompani është kujdesur vetëm të shlyejë kreditë në banka, duke ia lënë të gjithë barrën e mëtejshme kabinetit të Berishës. Në 2009-ën CEZ-i pagoi 102 milion euro, ndërsa sot i detyrohet ndërmarrjeve shtetërore shqiptare të paktën 200 milion.

Nëse fiton arbitrazhin, diçka e lehtë sipas ekspertëve, dëmi ekonomik do te ishte katastrofal. Por edhe nëse ndodh që e humb atë, sërish për qeverinë shqiptare do jetë e pamundur të përfitojë nga një kompani pa asete reale dhe llogari bankare në Shqipëri. Pra në katër vjet, ky investim del me një faturë të tmerrshme në dëm të shqiptarëve, që duhet të paguajnë të paktën mbi 100 milion euro, në një kohë kur në 2009-ën Berisha krenohej, se i kishte fituar këto para prej miqve nga Praga. Por jo gjithçka mbaron me kaq.

Në prag të zgjedhjeve të reja parlamentare situata duket, se është plotësisht e përmbysur ne raport me katër vjet më parë. Berisha e ka prape në duart e tij rrjetin e shpërndarjes së energjisë dhe sërish mund të ofrojë amnisti për fshatrat dhe qytetet, që nuk kanë paguar dritat, në këmbim të votave më 23 qershor. Me këtë “premtim” kryeministri mund të shtyjë dhe për ca kohë faktin e hidhur që do t’i duhet t’u thotë qytetarëve se të gjithë bashkë duhet t’u paguajmë çekëve të paktën 100 milion euro. Katër vjet më parë ai mburrej se iu kishte marrë 102 milion të tilla. Por fatura çeke nuk mbyllet këtu, pasi në Pragë, nuk bën i njëjti mot si në prillin e 2009-ës.

Kryeministri i Çekisë, Neças, deklaroi se “nuk do t’ia harrojmë këtë Shqipërisë, do ta kujtojmë, kur të flitet për integrimin në BE”. Kohët kur dy vendet evokonin të shkuarën lindore nën komunizëm si pikë bashkimi, kanë marrë fund. Kjo, pasi sipas Peter Neças, ajo që bëri Berisha me CEZ “hedh dyshime mbi angazhimin e supozuar të Shqipërisë për zbatimin e ligjit dhe shpresat, se një ditë mund të bashkohet me BE”. Ndaj mund të thuhet pa dyshim, se përgjigja e asaj kërkese, që dërgoi Sali Berisha më 28 prill 2009 në Pragë, ka ardhur tamam në prag të zgjedhjeve. Ajo është një faturë e madhe me mbi 100 milion euro për tu paguar si dhe siguria, se Çekia do ta kundërshtojë fort anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Një përgjigje, që i tregon të gjithëve fatin e “investimeve” elektorale.

Tema

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.