Strategjia elektorale e sugjeruar nga Bushati, gjysmë efektive

Në një editorial te gazeta TemA (http://www.gazetatema.net/web/2013/03/13/beteja-e-kote-me-be... ), Andi Bushati i sugjeron opozitës që të mos merret me lidhjet sllave të Sali Berishës, apo me të kaluarën e tij ish-komuniste, për fotot që i kanë dalë me fëmijët e Hoxhës dhe për ato që ende nuk i janë publikuar. Shtysën për të shkruajtur këtë editorial, Bushati e ka patur nga një dosier i gazetës DITA, lidhur me dyshimet që ekzistojnë për marrëdhënien e Berishës me serbët (http://gazetadita.al/korigjojeni-emrin-e-nenes-ne-gjendjen-c... ).
Pasi argumenton se me çfarë nuk duhet të merret opozita, Bushati sugjeron se me çfarë duhet të merret ajo, tani në prag të zgjedhjeve. Sipas tij, për forcat opozitare, më i rëndësishëm duhet të jetë debati i vërtetë i shoqërisë shqiptare – ai i bilancit të Berishës, të sistemit që ka ngritur dhe të modelit që ka ofruar. Vetëm kështu, sipas Bushatit, mund të shpjegohet më mirë, e pse jo, të tejkalohet Berisha.
Por a nuk ishte kjo strategjia që ndoqi opozita në vitin 2009, kur Edi Rama kishte si kryefjalë të fushatës së tij dhënien fund të politikës së vjetër të sharjes e baltosjes dhe shikimin drejt politikës së re, që do të ofronte një model të ri qeverisje? Dhe ajo strategji vërtet rezultoi me nje rritje prej 124 mijë votash për koalicionin opozitar, krahasimisht me zgjedhjet e 2005-ës (ndërkohë që Partia Agrare e Xhuvelit me 13.3 mijë vota kaloi në koalicionin mazhoritar). Por sidoqoftë, ajo rritje prej 124 mijë votash për koalicionin opozitar, ndërkohë që rritja totale e votave të vlefshme ishte vetëm 152 mijë karahasimisht me 2005-ën, nuk rezultoi e mjaftueshme për të.
Falë mënyrës së ndarjes së mandateve parlamentare nëpër qarqe dhe, sipas opozitës, falë edhe votave fiktive të futura në kutitë e votimit nga mazhoranca, koalicioni i Berishës arriti të marrë 4 mandate më shumë se ai i Ramës. Dhe ndarja e mandateve nëpër qarqe nuk ka ndryshuar në 2013-ën (pavarësisht se popullsia e qarqeve ka ndryshuar në këto katër vjet), ndërsa frika e votimit fiktiv pro mazhorancës ende egziston te opozita. Pra, në këto kushte, e vetmja shpresë për opozitën mbetet ndryshimi i raportit të votave në favor të saj – raport që mund të ndryshojë prej një kombinimi të shtimit të votuesve për të, me pakësimin e votuesve për mazhorancën (http://www.respublica.al/opinion/2013/03/11/sa-duhet-te-ndry... ).
Strategjia e sugjeruar nga Bushati mund të jetë efektive për komponentin e parë të këtij kombinimi, por jo për të dytin. Duke e ndjerë se votues tradicionalë të së djathtës mund të largohen në drejtim të AK-së (për arsye nacionaliste) apo në drejtim të FRD-së (për arsye zhgënjimi nga premtimet e pambajtura në lidhje me kompensimin e pronave dhe vitet e burgut politik), Berisha ka luajtur kohët e fundit si kartën nacionaliste edhe atë antikomuniste. Votuesve që mund të largohen drejt AK-së, ai u thotë se është vetë më nacionalist se Kreshnik Spahiu, ndërsa votuesve që mund të largohen drejt FRD-së, ai u thotë se duhet të mos largohen, në mënyrë që në pushtet të mos vijë nipi i Spiro Kolekës apo djali i Sulejman Bushatit.
Në këto kushte, ndjekja e strategjisë së Andi Bushatit nga partitë opozitare do të ishte e ngjashme me lojën e pastër të një boksieri, në kushtet kur kundërshtari e godet poshtë mesit, ndërkohë që gjyqtari i ndeshjes (KQZ-ja në këtë rast) favorizon këtë të fundit. Në fakt, partitë opozitare (qofshin në koalicion me PS-në apo jo), nuk mund t’ia lejojnë vetes këtë luks. Në qoftë se ato duan që zgjedhjet e 23 qershorit të sjellin rotacion të pushtetit, duhet të bëjnë jo vetëm goditje sipër mesit (propozime programore për përmirsimin e qeverisjes), por edhe kundërgoditje poshtë mesit (për lidhjet e dyshuara të Berishës me Serbinë e Greqinë, apo me familjen e Enver Hoxhës e të Hysni Kapos).
Comments
Le te bejne kundergoditje
<p>Le te bejne kundergoditje poshte mesit edhe ne mes po deshen e ku te duan tjeter, por vetem nese jane te verteta dhe te mireargumentuara, se per genjeshtra te tjera s'kemi nevoje sepse kemi kryeministrin qe flet brockulla nga mengjesi deri ne darke.</p>
po ate kingmaker tend ta
<p>po ate kingmaker tend ta sulmojme apo t'ia lusim akoma? i eshte pjekur kesaj rradhe ngjala? degjova njerin qe thoshte se ia vlen t'ia lusesh Metes sepse ngjala ka Omega 3!</p>
Shume e drejte zoti
Shume e drejte zoti Zaloshnja.
Une do ti thosha Bushatit, qe te ulet dhe te
mendoje. Nese gjithe ato akuza, fakte e
dyshime, per qendrim proserb, nuk do te
ishin ndaj Berishes por ndaj Rames, a e
mer dot me mend se cfare do te bente
Berisha ndaj Rames.
Shikoni sot, per asnje fakt dhe per asnje
qendrim, militantet por dhe media pro
Berishe nuk lene gje pa sajuar dhe pa
shpifur qe Rama te mos quhet patriot.
Kjo eshte nje lufte. Ne lufte perdoren te
gjitha armet. Bushati thote: Jo, kete arme
mos e perdorni. Pse? Po pse Berishes i
lejohet perdorimi i cdo arme? Edhe i
armeve te demtimit ne mase.
Prandaj, ndaj nje tradhetari, te pabesi dhe
spiuni, duhen perdorur te gjitha llojet e
armeve dhe me efikasitetin e tyre te plote.
Perndryshe, opozita do te jete perseri
viktime e armeve te njohura e te
panjohura, te shfaqura e te fshehta qe
mund te perdore Berisha. Dhe kryesorja,
opozita duhet te jete perhere ne sulm dhe
jo te prese sulmin e Berishes dhe te
qendroje ne mbrojtje. Mbrojtja me e mire
eshte sulmi. Grushti i pare, gjysma e
fitores….
Mire Zaloshnja aty, me ke
<p>Mire Zaloshnja aty, me ke pelqyer sot.</p>
Kujdes se Bushati është i
<p>Kujdes se Bushati është i rezikshëm është kripto Salist, kuptohet familja Kapo ka qënë nën sqetullën e Saliut. E ka zgjedhur gabimisht këtë zanat është në konflikt të pastër interesi. Duhet ndruar kanali kur ke përpara atë, mbasi është shumë virulent edhe pse si për të thënë që nuk është me Berishën bën ndonjë lloj kritike pa zarar por që e kompeson me kritika të tipit sofizëm për Edin. Ai përdor frazeologji sofiste me figura letrare për tu treguar bombastik ndaj Ramës. Familja Kapo është nën mbrojten e Saliut, prandaj nuk është lakuar ndonjë herë n[ shtyp.</p>
Add new comment