Papa i varfër

Postuar në 18 Mars, 2013 01:54
Elton Xhanari

Qarkullon legjenda se gjatë ceremonisë së prezantimit si Papë, Jorge Bergoglio refuzoi veshjen e kuqe me fije ari dhe gëzof hermelini, duke i thënë kardinalit përgjegjës: “Imzot, visheni ju po të dëshironi. Karnevalja ka përfunduar”.

Humori i mprehtë i Papa Francescos, tregon butësisht një fillim të ri për Kishën Katolike. Pas befasisë shokuese që prodhoi dorëheqja e gjermanit Jozef Ratzinger, 117 kardinalët e mbledhur në Kapelën Sistine, nën pikturat e përjetshme të Michelangelos, vendosën të zgjidhnin një udhëheqës ndryshe në formë dhe substancë. Jorge Mario Bergoglio shënon një pikë progresi domethënës për historinë e lashtë të Kishës Katolike.

Për herë të parë në pothuajse dy mijë vite histori, Papa katolik e ka prejardhjen nga jashtë kontinentit europian. Jorge Bergoglio, argjentinas me prindër italianë, ishte drejtuesi i kishës së një kryeqyteti të madh dhe plot kontradikta si ai i Buenos Airesit. “Vëllezërit kardinalë kishin për detyrë të zgjidhnin Peshkopin e Romës, dhe vajtën e gjetën pothuajse në fund të botës” – u shpreh Papa Francesco në daljen e parë publike, duke ironizuar mbi origjinën e vet. Më në fund Kisha Katolike hap dritaret duke lënë të hyjë një fllad që mban aromën e risisë dhe freskisë të një burri që, sado i moshuar duke pasur 76 pranvera mbi shpatulla, dëshmon me xhestet e veta thjeshtësi dhe mirësi.

Pikë së pari, në 800 vite që kanë kaluar nga vdekja e Shën Francescos nga Assisi, asnjë Papë nuk ka pasur kurajon për të zgjedhur emrin e shenjtorit që u zhvesh nga të gjitha parsuritë për të shërbyer të varfërit dhe Zotin. Së dyti Papa Bergoglio, jo vetëm është përfaqësuesi i krahut progresist të Kishës Katolike, jo vetëm ka qënë pranë popullit të mjerë, por personalisht ka zgjedhur të jetojë i zhveshur nga luksi dhe privilegji i të qënit Peshkop dhe Kardinal.

Duhet të shmangim sëmundjen e një Kishe të ndrydhur në vetvete. Është e vërtetë që, nëse dalim në rrugë mund të ndodhin edhe aksidente. Por nëse Kisha qëndron e mbyllur, atëhere mplaket. Dhe midis një Kishe të aksidentuar apo një Kishe të sëmurë nga mplakja, preferoj padyshim të parën.” Me fjalë të thjeshta dhe të kuptueshme nga të gjithë, Papa Katolik i 266-të nuk pranon më që çobani të jetë sipër në kodër dhe delet poshtë në fushë, por më në fund shqipton haptazi idenë që priftërinjtë dhe besimtarët të jenë në të njëjtën vathë.

Varfëria është një krim social, ndërkohë që puna dhe buka janë të drejta themelore të njeriut”, ka deklaruar ndër vite Papa Francesco i cili ka shkuar më tej duke diagnostikuar me saktësi shkakun e krizës ekonomike dhe sociale që “i ka rrënjët tek politikat neo-liberale që konsiderojnë përfitimet dhe ligjet e tregut si absolute, në dëm të njerëzve dhe popujve”.

Të enjten e shkuar, drejtuesit e Kishës Katolike zgjodhën pa mëdyshje një njeri modest në sjellje por me një karater të fortë. Një prift që ka qënë gjithmonë pranë të varfërve, jashtë lojrave dhe intrigave të Vatikanit dhe që pasurinë shpirtërore e ka konsideruar gjithmonë si parësore në jetën e një besimtari.

Me një kryq prej hekuri të varur mbi gjoks, duke refuzuar floririn e paraardhësve të vet, Papa Francesco, kërkoi mbrëmjen e pardjeshme bekimin e popullit, më para sesa ai të bekonte popullin. Për rreth 30 sekonda, më shumë se 150 mijë njerëz mbledhur në sheshin Shën Pjetër, u lutën në heshtje për liderin e tyre shpirtëror. Ishte një heshtje që premtonte thellësi dhe urtësi: larg pushtetit dhe politikës, pranë vujatjeve njerëzore.

DITA (Karikatura nga Medi Belortaja)

Comments

Submitted by A (not verified) on

Para ca ditesh, Gjergj Meta, i vetmi klerik ne vend qe ka nje kolumne te rregullt ne nje nga gazetat kryesore te vendit - nje gazete qe nje kolumnist tjeter ka kryeredaktorin e Hyllit te Drites, Ardian Ndrecen, u ankua se zgjedhja e papes nuk pati mjaftueshem mbulim ne median shqiptare dhe se mediat nuk i japin mjaftueshem hapesire kishes katolike!!!

Ne fakt nuk pati, dhe njelloj edhe ky artikull injoron faktin se gazetat kryesore ne bote, gati perdite kane patur nga nje artikull mbi akuzat qe ngrihen per lidhjen e papes me junten ushtarake edhe ne dem te klerikeve te tjere te konsideruar te majte. Por edhe ne kete rast, sic ankohet at Gjergji, mbulimi nuk qe i mjaftueshem dhe autori nuk gjeti asnje fjale per te adresuar ceshtjen kryesore qe sjellin mediat boterore keto dite per papen e ri: lidhjet me junten.

Submitted by Hithri (not verified) on

Te shohim se sa do te mundet ky pape te caje "murin kinez" te vatikanit te korruptuar> Duket njeri i mire, por ka te beje me djaj qe e kane mbajtur kishen ne grushtin e tyre te hekurt. Mbase ndonje dite do degjojme qe i ra infarkt papritur. Zoti e bekofte e i qendrofte prane, se ky pape ka nje beteje te madhe perpara vetes.

Submitted by Paul Tedeschini (not verified) on

E ka krejtesisht gabim dom Gjergj Meta qe pretendon reagim per zgjedhjen e Papa Françeskut nga shtypi i nji populli ku shumicen turku i ketheu ne majmuna te vet.

Submitted by Anonim (not verified) on

Si e kalon filtrin e pretenduar etik te respublikes gjuha e racizmit dhe e urrejtjes se ketij fundamentalistit katolik qe I keni bere konak ketu? Jo per gje po meqenese keni pretenduar moderim te komenteve.

Faji nuk eshte I juaji po I joni qe ju vizitojme.

Submitted by Anonim-2 (not verified) on

ç'fare hyn ketu fondamentalizmi katolik me pushtimin e shqiptarve nga perandoria turk-osmane, qe eshte nje fakt historik tragjik per mbar popullin shqipetar ?!?

Feja eshte fè, perandoria eshte perandori.

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.