Po tkurret shtresa e mesme në Shqipëri?

Postuar në 19 Mars, 2013 11:02
Edlira Shehu

Nëse ka një tregues sa ekonomik dhe shoqëror për një shtim dhe progres të një vendi, ajo është rritja e pjesës së shtresës me të ardhura të mesme në një popullatë. Ajo që quhet ndryshe klasa e mesme apo shtresa e mesme. Këtë rritje e japin më mirë se gjithcka tjetër depozitat e kursimeve të kësaj shtrese. Për ne si tregues, shtresa e mesme është ajo kategori popullsie me depozita kursimesh në banka më pak se 25 milionë lekë të vjetra. Kuptohet që është shtresë e mesme, pse normalisht të varfrit nuk kanë aq para sa të depozitojnë kursime në bankë dhe kujdesen vetëm për mbijetesë.

Sipas Agjencisë së Garantimit të Depozitave, të ardhurat e shtresës së mesme të popullsisë tek ne kanë rënë gjatë vitit të kaluar. Ndërkohë, po sipas kësaj Agjencie ka vazhduar rritja e shumave që depozitojnë të pasurit, pra e depozitave mbi 25 milionë lekë të vjetra. Nëse numri i parellinjve nuk ka ndryshuar, është rritur sasia e parave që ata depozitojnë. Ky është realiteti i prekshëm dhe i dhimbshëm, për nga këndvështrimi i drejtësisë sociale, tek ne. Kontribuon në këtë sistem të padrejtë edhe taksimi i sheshtë, i vendosur 6 vite mw parw. Sikurse është provuar botërisht, ai barrën tatimore e vendos pikërisht mbi shtresën e mesme të popullsisë, duke favorizuar padrejtësisht të pasurit. Pakësimi, tkurrja e shtreses së mesme në ekonominë tonë mbart shumë pasoja negative. Dhe jo vetwm nw ekonomi, pse humbja e një pavarësie relative ekonomike sjell edhe skllavërim të pozicionit shoqëror e kulturor të shtresës. Shtresa e mesme në të gjitha vendet në zhvillim dhe në ato të zhvilluara është konsumatorja kryesore, ajo që i jep formën dhe prirjen konsumit të një vendi dhe ekonomie. Në shumicën e vendeve, shtresa e mesme është motori i ndryshimit. Arsyeja e vetme është se, shtresa e mesme është shumë e varur nga se kush vjen në qeveri. Në varësi të pushtetit të radhës, grupeve të saj i përmirësohet ose i përkeqësohet jetesa në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Edhe në Shqipërinë tonë, shtresa e mesme dhe fermerwt përbëjnë shumicën dërrmuese të popullsisë. Tek ne kjo shtrese, e formësuar ne 10 vitet e fundit me shumë ndrojtje dhe sakrifica, ka marrë edhe ajo goditje të forta nga kriza. Ajo, përtej kategorizimeve sociale, lëngon nën trysninë e pasojave të një krize që nuk ka shenja të largohet.  Kjo pjesë e shoqërisë është e lidhur ngushtë, dhe ky është fakt, me atë kategori të biznesit që ne e quajmë biznesi i vogël. Këta, bashkë me fshatin, përfaqësojnë njerëzit që punojnë dhe jetojnë falë punës së tyre, me dinamizëm, gjithnjë duke u përpjekur për një jetë më të mirë me ndershmëri. Janë prindërit, motrat dhe vëllezërit tanë që kanë investuar kursimet e një jete, të ardhura si rrjedhojë e emigrimit apo të vëna mënjanë në kohë, në një aktivitet ekonomik ku të punësuar janë vetë ata dhe familjet e tyre. Këto biznese në realitetin ekonomik shqiptar të sotëm, në shumicën e rasteve, janë si ato kështjellat-fortifikime në shkretëtirë, oaze që garantojnë mbijetesën e familjes shqiptare.

Të flasësh për taksën progresive, të kërkosh heqjen e taksës të biznesit të vogël, të propozosh unifikimin e administratës fiskale në Shqipërinë e “tranzicionit politik”, do të thotë qartësisht të mbështetësh atë pjesë të shoqërisë që përbën dhe bazën e konsumit tonë. Por këtë nuk po e bëjnë sot politikat e qeverisë sonë. Shtresa e mesme, kudo që ajo jeton, në qytetet e mëdha apo në provincat shqiptare, është ajo pjesë e shoqërisë që sot po goditet ndjeshëm dhe dukshëm nga pasojat e krizës. Sistemi i taksave tek ne nuk e ka mbrojtur, përkundrazi, e ka ekspozuar edhe më shumë nga goditjet e inflacionit, pakësimit të kredive bankare dhe uljes së shanseve për punësim e biznes të vogël. Nëse kjo shtresë nuk e thotë fjalën e saj në zgjedhjet e qershorit 2013, shanset për ndryshim efektiv të qeverisjes tek ne do të jenë shumë të vogla.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.