Një pyetje për Ministrin e Shëndetësisë

Një reformë që nuk vë në qendër shëndetin e njerëzve, nuk është reformë shëndetësore. Këtë nuk besoj se e vë njeri në dyshim. Nuk ka dyshim, se kur një institucion shëndetësor shqetësohet për koston e shërbimit dhe jo për shëndetin e njerëzve, me siguri, në atë institucion njerëzit do të vdesin edhe kur nuk duhet të vdisnin. Mjekësia e kompanive të sigurimeve, që punësojnë mjekët dhe gjithë punonjësit e tjerë shëndetësorë, dhe në të njëjtën kohë, janë edhe enti kontraktues me të sëmurët e siguruar, është me shumë rreziqe. Reforma që po na paraqitet, nuk vë në qendër njeriun po paranë dhe plot elemente të tjerë fiskalë.
Le ta ilustroj këtë që sapo thashë me dy shembuj:
1.
Le të marrim për shembull kryerjen e mamografive për zbulimin e hershëm të kancereve të gjirit. Për disa dhjetëvjeçarë mjekët kanë punuar që t’i ndërgjegjësojnë gratë për vlerën e mamografisë. Në qoftë se në një ditë të bukur, kompanive të sigurimeve dhe administratave të shëndetësisë nëpër institucione, do t’u duhet të rritin fitimet e burokratëve, ato do të fillojnë një lëvizje të kundërt. Do të rritin moshën e kryerjes se mamografive depistuese dhe do të rritin periudhën kohore midis dy mamografive. A nuk do të bënte kjo një dëm të pariparueshëm për gratë? A nuk do të kishte kjo pasoja fatale për disa gra të reja?. Pa dyshim që po! Po ekonomikisht?. A nuk u kursyen disa miliona dollarë dhe spitali u kthye në një institucion rentabël? . Pa dyshim, u përvetësuan ca para dhe humbën disa njerëz. Madje, kompanitë e sigurimeve dhe burokratët e institucioneve, do të gjejnë midis mjekëve, nga ata “shkencëtarë”, të cilët të joshur financiarisht, do t’u gjejnë mbështetje “shkencore” këtyre veprimeve antishkencore.
Kjo që sapo thashë, nuk është një hamendësim i imi. Jo, ky është një realitet për sistemin shëndetësor të kompanive të sigurimeve, që ndodh edhe në vendet më të zhvilluara dhe më të fuqishme të botës.
2.
Një ditë bisedoja për problemet e mjekësisë së sigurimeve me doktorin që në vitin 2003 më kishte vendosur dy stenda. Ai është shef i kardiologjisë në një spital prestigioz në Manhattan. Pasi më dëgjoi ai buzëqeshi dhe më tha:
-“Çfarë të them. Njëri nga kardiokirurgët e spitalit, me të cilin punojmë bashkë, muajin Qershor e kishte një muaj të tmerrshëm. Tre, nga gjashtë pacientët e tij me bypasse koronare, i vdiqën gjatë operacionit, ose, menjëherë, pas operacionit. Ai u shkatërrua. Por, javën e parë te Korrikut, ai morri me postë një certifikatë lavdërimi nga kompania e sigurimeve, ku shkruhej, se ai ishte “doktori me kosto më të ulët” në kirurgjinë kardiovaskulare për muajin Qershor!”
Pas një heshtjeje të shkurtër ai vazhdoi:
“Më thuaj, për atë Zot! Si mund të ndodhë kjo?, Ndonëse, shkruhet e zeza mbi të bardhë në atë letër të sigurimeve. Natyrisht, gjithkush e di, se koha e qëndrimit në reanimacion pas operacionit në zemër është shumë e shtrenjtë, dhe kur pacienti vdes në tavolinë, kjo është shumë efektive lidhur me koston!?
Pas këtyre dy rasteve që tregova, më lind e drejta t’u drejtojë një pyetje të sinqertë zoti Ministër: Vërtet jeni të ndërgjegjshëm se reforma që po zbatoni është e duhura ?
DITA
Comments
Është një pyetje e saktë për
<p>Është një pyetje e saktë për një njeri që ka ndërgjegjje kurse këta as që duan tja dinë për këtë vetëm duan si të mbajnë pushtetin dhe të pasurohen nga pushteti njërz të skrupull</p>
Add new comment