Në Kosovë, të gjithë janë të pafajshëm…

Postuar në 27 Maj, 2013 08:29
Arben I. Kastrati

Kryelajm i dy ditëve të shkuara ishte marrja dhe zhvendosja e arinjve të murrmë (më duket se kështu u quajtën) nga kopshtet e improvizuara zoologjike (të kafeneve) në një ambient më të mirë dhe të përshtatshëm, të ndërtuar enkas për ta. Ky gjest, u përshendet dhe nga Washington Post. Bota dhe OJQ-të rehabilitojnë dhe arinjtë, ndërsa ne (Qeveria e Kosovës) as veteranët e invalidët e luftës, mendova.

***

Dje u “dëgjuan” nga EULEX-i dhe pastaj u arrestuan me burg shtëpiak pjestarët që u quajtën “Grup i Drenicës”, i përbërë nga krerët e UÇK-së. Logjika që ndjek EULEX-i, më bën të besoj se shqiptarët e vrarë, masakruar, djegur e dëbuar paskan qenë agresorë, ndërsa serbët vrastarë e piromanë, viktima.

Duke parë rrjedhën e ngjarjeve (arrestimet e gjykimet e R. Haradinaj, F. Limaj, R. Mustafa…) dhe të gjithë krerëve dhe luftëtarëve të lirisë, në rast të një lufte tjetër, unë do të jem njeriu i parë qe do iki (me shpejtësinë e lepurit) dhe me shpejt se sa ika radhën e kaluar nga gjysmë atdheu im Kosova. Sepse duke parë këtë realitet, po qe se luftoj dhe mbroj atdheun, do dënohem sigurisht nga gjykatat e pasluftës. Dhe dekurajimi për mbrojtje te vendit vjen nga akuzimet dhe dënimet që u bëhen luftëtarëve të lirisë.

***

Të gjithë të lartpërmendurit, kanë qenë luftëtarë të dalluar dhe kanë luftuar për liri. Dhe kanë gëzuar autoritet në popull. Deri sa disa nga ata, me bëmat e tyre të pasluftës dhe dëshirën e papërmbajtshme për pasuri dhe pushtet, bënë që nga heronj të adhuruar të shndërrohen në liderë të urryer.

Prandaj, pas dëgjimeve dhe arrestimeve (të të tëra grupeve), njerëzit as duan ta fusin logjikën në përdorim dhe as kujtesën dhe as të dëgjojnë arsyen e gjykimit të heronjve luftëtarë. Sepse përditshmëria që u kanë krijuar disa nga këta heronj të shndërruar në liderë politikë, e kanë bërë popullatën të ëndërrojë bukën. Dhe ai që s’ka bukë, s’ka as logjikë. Eshtë i preokupuar me sigurimin e ekzistencës.

(Dhe ditën e “dëgjimit” as 200 persona nuk u mblodhën para gjykatës, edhe pse janë regjistruar mëse 60.000 veteranë të luftës, ndërsa arrinim të mblidheshim mbi 100.000 persona dhe nën okupimin famkeq serb që të protestonim kundër padrejtësive.)

Popullata akuzon dhe fajëson disa nga çlirimtarët për situatën e tanishme (ekonomike në radhë të parë). Eshtë e dhimbshme dhe e tmerrshme ta mendosh se si humbet autoriteti, nderi dhe respekti për disa nga çlirimtarët…

 

 ***

Uria për të krijuar pasuri më shumë se tjetri (dhe duke mos zgjedhur mënyra) dhe kryesisht me tender, vjedhje e korrupsion, na bën të dështojmë në shtet ndërtim. Qeveritë shqiptare janë shndërruar në terminale të korrupsionit.

Fundja, në këtë Kosovën e sotme, në vendin ku sundon mediokriteti, janë të paktë njerëzit që duan kombin, vendin, punën. Këtu njerëzit duan anarkinë, se ashtu arrijnë të përmbushin egon - të pasurohen. Pasuria (pa mëshirë) është shndërruar në ambicje (katundarësh me pushtet). Morali (ndër shqiptar) është bërë si lebra, nuk e do askush.

Dhe në kohën kur shtresa mesatare po zhduket, dhe fuqia blerëse po ulet, dhe sigurimi i ushqimit është shndërruar në prokupim e prioritet, EULEX-i arreston të gabuarit. Duhet arrestuar bërësit e krimeve ekonomike e jo bërësit e lirisë.

Disa nga të akuzuarit (në koluare) përfliten për krime ekonomike dhe pasurim të shpejtë. Nëse do të akuzoheshin për krime ekonomike do ta mbështesja EULEX-in deri në pafundësi dhe do ta uroja dhe do ta uroja shumë. Por akuzimi i këtyre personave më bën të dyshoj në drejtësi, që aq shumë i mungon Kosovës. Në Kosovën e pasluftës askush asnjëherë nuk është dënuar për korrupsion, edhe pse duhet të paguash mitë edhe për çertifikatë të lindjes.

Dhe deri sa asnjë të burgosur që ka vjedhur pasuri shteterore s’kemi, avoketërit do t’na shfaqen në mediume për të mbrojtur (kryesisht) luftëtarët e lirisë. Sepse në Kosovë askush nuk është dënuar përpos luftëtarëve të lirisë. Deri sa të mos burgosen të gjithë heronjtë e komandantët e UÇK-së, EULEX-i s’do të pushojë së vepruari (si duket).

***

Tërë këto vite të pasluftës, ata që më së shumti janë shfaqur në ekranet televizive dhe të tjera mediume, janë avoketërit. Ata mbrojnë të tërë, heronjtë e akuzuar, kriminelët e akuzuar, hajnat e akuzuar…Dhe një fjali thonë: klienti im është i pafajshëm.

Në Kosovë s’ka fajtorë. Në Kosovë, të gjithë janë të pafajshëm.

 

Comments

Submitted by Paul Tedeschini (not verified) on

<p><em><strong>Ata qe sot jane ne pushtet dhe veprojne pa moral, pse te kene luftuar dje me moral ?!</strong></em> Edhe ne lufte ka nji fare kriteri morali sidomos ndaj krimeve. Prandaj ky shkrim me ben te mendoj se EULUX-i do te kete arsyet dhe provat e veta per ti arrestuar disa nga ata qe dje luftuan dhe sot jane pa moral.</p><p>Pose kesaj, mbas luftes se 1998-1999, ne vitin 2004 jane bere mjaft krime ne Kosove ndaj nji pjese te popullsise civile, natyrisht nga ata qe ishin te aratosur dhe ishin me pushtet. Po te kishte patur prova se kjo pjese e popullsise ka bashkepunuar me kriminelet serb, atehere duheshin gjykuar rregullisht ne gjykata dhe nuk duhej te beheshin gjyqe ala partizanshe 4-5 vjet mbas mbarimit te luftes. Vetem me drejtesi qeveriset populli, dhe ligji eshte i barabarte per te gjithe, me pushtet opa pushtet.</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.