Tre dhe Tridhjetëetre

Postuar në 05 Qershor, 2013 03:52
Alqi Koçiko

Dikur kryeministri aktual u përplas me SHBA-në dhe e pësoi; herën e dytë u përplas dhe SHBA tha se nuk kishte përplasje. Sekreti i suksesit? Zbulimi i Berishës (pas pësimit të parë) se në këtë dynja ka dy SHBA, njëra prej aparatçikësh që venë e vijnë dhe tjera prej lobistësh, që janë të përjetshëm 

 

“Ore, ke parë ti që sikur ndihemi ca më të çliruar tani që paguam detyrimet?”, thoshte fshatari mistrec Sefedin në filmin “Përballimi”. Ishte po ai që vodhi thesin me misër dhe e hodhi në thasët e tij. Tani që i votuam “tre ligjet”, a nuk ndihemi pra, disi më të nderçëm e ballëlartë përpara Europës, pra përpara partisë? Me siguri, ditë më të bardha paskëtaj vijnë. Por deri atëherë, nuk e harrojmë zakonin e vjetër të Sefedinit, duke marrë ca thasë nga pirgu për t’i hedhur në anën tonë.

Dhe thasët e parë që më vijnë në mendje, janë faturat skandaloze të CEZ-it. Është kurth për një punonjës të medias, të reagojë menjëherë e me nxitim ndaj sugjerimeve që rëndom merr si gazetar për të shkruar mbi diçka që i ka ndodhur dikujt që ai e njeh. “Pse nuk bën diçka për CEZ-in”, më tha një komshi, “më erdhi fatura e prillit 150 mijë lekë të vjetra, ndërsa nga janari deri në mars kur përdorja kondicioner më vinte 95-100 mijë. Ç’është kjo punë? U duhen lekët për fushatën?” Në fakt, parametrat ishin të ngjashëm edhe në faturën time, por u stepa. Ama ditët në vijim shënova mbi 30 raste të njohurish anembanë Tiranës (pra pavarësisht lagjeve “të majta” apo “të djathta”), që fatura e energjisë i kishte pataksur. Dikush thoshte se ishte faturuar për 33 ditë, një tjetër se kishin rritur çmimin, por të gjithë thoshin se do të shkonin të bënin ankesë, paçka se nuk ishin optimistë se do të arrinin diçka. Shumë fatura uji (sipas turmës së ankimtarëve tek zyrat e ujësjellësit) kishin ardhur po ashtu plot “prurje”: Nga 10-15 mijë lekë të vjetra më muaj, ishin enjtur në 30-35 mijë. Verifikojini edhe ju faturat tuaja; mbase këto që po them mbeten akoma raste sporadike.

Këto pra, janë tre apo tridhjetetre ligjet që do na nxjerrin në dritë; që do na bëjnë europianë. Lajmi se entet shtetërore kanë filluar fushatën e mbledhjes së parave, sepse qeveria i ka arkat bosh, në fakt ka dalë javë më parë në shtypin e majtë. Por nëse nuk e gjejmë dot me dokumente se ku kanalizohen paratë e shitjes së bollshme të energjisë së këtyre shirave, e dimë sesa para na dalin nga xhepi kur paguajmë dritat dhe ujin. Dhe shohim se paralelisht, ka filluar asfaltimi në shumë fronte: Segmente kombëtare, rrugica fshati, rrugë e rrugica Tirane. Rrula, kamiona me bitum, punëtorë me lopata gjithandej, vlon puna dhe kënga ushton. Pse jo më parë? Kuptohet, sepse tani ka zgjedhje.

Por nëse kjo skemë është e vjetër dhe riciklohet çdo palë zgjedhje, e reja këtë herë është se tre ligjet që sapo u miratuan me një sforcim opozitar të orëve të fundit, me gjasë do të zënë vendin bosh të tre anëtarëve të munguar të KQZ-së. Në vizitën e tij të dytë në Tiranë, zyrtari i mesëm të departamentit të Shtetit Xhonatan Mur zbuloi se për çdo mungesë kompetence të KQZ-së së përgjysmuar, ekziston edhe Kolegji Zgjedhor. Në thelb, “kështu nuk është mirë, por edhe aq keq nuk është”, tha Mur për një grup gazetarësh shqiptarë. Pra, ja e reja e këtyre zgjedhjeve: Dikur kryeministri aktual u përplas me SHBA-në dhe e pësoi; herën e dytë u përplas dhe SHBA tha se nuk kishte përplasje. Sekreti i suksesit? Zbulimi i Berishës (pas pësimit të parë) se në këtë dynja ka dy SHBA, njëra prej aparatçikësh që venë e vijnë dhe tjera prej lobistësh, që janë të përjetshëm: Kjo e dyta, ndodh shpeshherë të jetë më e fortë se e para. Dhe kjo Amerika e dytë, të jep viston dhe fuqinë të premtosh se do t’i heqësh vizat e shqiptarëve me Amerikën e parë, do apo s’do kjo.

Atëherë ç’do të ndodhë me këto zgjedhje? Mësimi që vjen nga “jashtë shtetit” përmes mesazheve njëherë të vendosura dhe herën e dytë të sheqerosura, është në fakt i lashtë; i zoti e nxjerr gomarin nga balta. Në të kundërt, zotër e gomenj mbesin në baltë. Mos o zot, pastaj, nëse ndodh si tek ne, ku jo rrallëherë ngatërrohen të parët me të dytët, ose janë e njëjta gjë.

Supozohej pra, të ndiheshim ca më mirë tani që miratuam tre ligjet. Paçka se sakatimi i KQZ-së, e rrjedhimisht edhe shkuarja drejt ditës së votimit me drojë e dyshime, e ka zanafillën jo tek mungesa, por anashkalimi i ligjit. Kryeministri tha se opozita i mohoi miliona euro vendit, me bllokimin e tre ligjeve. E drejtë, ndoshta. Po sa miliarda euro i bllokohen ose i vidhen vendit përmes ligjeve që ekzistojnë, por nuk zbatohen; që i kemi, por i lakojmë e përdredhim? Në ekonomi, drejtësi, shëndetësi, arsim?

Dritat dhe ujin e këtij muaji do t’i paguajmë, por nuk do ndihemi disi më të çliruar… Qeveria, me siguri që po.

Revista KLAN

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.