Transit dhe në tranzicion

Zgjedhjet përfunduan, fituesi dihet, palët kanë pranuar rezultatin dhe tashmë pritet vetëm formaliteti dymujor. Duhet pritur java e parë e shtatorit që pala fituese të krijojë qeverinë dhe pala humbëse të sillet si opozitë. Janë dy muaj trasit midis dy pushteteve, atij që ikën dhe atij që vjen. Dhe pa kaluar dhjetë ditët e para ka nisur debati i zakonshëm: qeveri në ikje që merr vendime dhe vijon punën normale, qeveria që vjen që reagon duke paralajmëruar anullimin e këtyre vendimeve. Cila palë ka të drejtë? Si janë praktikat shqiptare dhe perëndimore? Cila është zgjidhja afatgjatë? Cili është interesi publik? Cila është baza kushtetuese dhe ligjore?
Kushtetuta e Shqipërisë përcakton mandatin 4 vjeçar të parlamentit dhe detyrimin e qeverisë të ushtrojë funksionet deri në zëvendësimin e saj. Kushtetuta nuk njeh terma "qeveri në detyrë", apo "qeveri kujdestare" të cilat dëgjohen çdo dita nga selitë e dy partive kryesore. Ajo nuk ka kufizime për llojet e vendimmarrjes, psh, a lejohet të bëjë privatizime, të marrë vendime me rëndësi politike, të jetë 100% pushtet ekzekutiv, të bëjë emërime apo të ndikojë në buxhetin e shtetit. Kushtetuta e RSH njeh vetëm një formë qeverie, formën legjitime, funksionin ekzekutiv, përgjegjësinë e qëndrimit në detyrë deri në qeverinë pasuese. Pra, debati formal kushtetues është zgjidhur: kushtetuta nuk ka kufizime për qeverinë në fundin e mandatit të saj, as kur humbet zgjedhjet, as kur vendi mbetet në debat politik për kabinetin e ri. Mjafton një shembull: në Belgjikë u deshën dy vjet negociata për qeverinë e re postzgjedhore dhe sistemi funksionoi normalisht. Në SHBA ka dy muaj tranzicion midis Presidentëve dhe sistemi transit funksionon normalisht.
Praktika shqiptare e qeverive të rotacioneve gjithashtu nuk ka ende një model të ndryshëm: kryeministri e ministrat vijojnë në detyrë me 100% të kompetencave deri në zëvendësimin e tyre në rrugë institucionale. Më 1992 qeveria "Ahmeti" vijoi funksionet deri në mesin e prillit kur u krijua kabineti i ri i demokratëve, pra disa javë pas zgjedhjeve. Më 1997 qeveri Fino gjithashtu vijoi detyrën deri në rotacionin institucional. Më 2005 qeveria Nano mbeti dy muaj në pushtet deri në zëvendësimin nga kabineti i ri. Kështu po ndodh edhe më 2013. Viti 2005 mbetet përvoja më e mirë politike e rotacionit, edhe ajo praktikisht me shumë probleme. Psh, kryeministri në atë kohë u largua nga Shqipëria, ndryshoi numrin e telefonit dhe nuk komunikonte me presidentin dhe as qeverinë! Duket absurde, por ishte e vertetë! Siç është e vërtetë se në javët e fundit të periudhës transitore qeveria hapi dy universitete publike, emëroi dy rektorë, - vendim aq absurd sa për asnjërin rast nuk kishte godinë, staf as studentë, madje në Berat nuk ka universitet publik as pas 8 vitesh! Mazhoranca e re e anulloi vendimin dhe aventura u mbyll.
Tjetër ka qenë rotacioni në krye të shtetit. Aty nuk ka pasur periudha transitore. Alia e Berisha u zëvendësuan brenda 2-3 ditësh pa ceremoni dorëzimi. Meidani erdhi në presidencën bosh, por ai, Moisiu eTopi zhvilluan ceremoni dinjitoze dorëzimi të detyrës, i fundit me rreth një muaj periudhë transitore. Secili president mori vendime deri në orët e fundit kushtetuese, çdo vendim ishte brenda komptencës së tij dhe si e tillë, u pranua pa kontestime nga çdo palë politike. Përjashtim bëjnë nga një dekret i Meidanit, Moisiut e Topit për emërime në nivelet e larta gjyqësore, - dekrete të cilat shumica parlamentare i refuzoi politikisht.
Situata të ngjashme po përsëriten edhe tani. Psh, qeveria merr vendime për pasaportat, për rrogat, për pensionet, për koncensione, etj, kurse KLD e drejtuar nga Presidenti vijon të marrë vendime të inicuara nga ministri i drejtësisë i qeverisë që ka humbur zgjedhjet! Opozita premton se do ti anullojë të gjitha vendimet në shtator, gjë që praktikisht nuk mund të ndodhë. Disa vendime administrative (si rasti i universiteteve më 2005) mund të anullohen, por vendimet e rëndësishme jo. Për katër arsye: sepse kanë nisur tashmë efektin financiar, sepse disa organe emërtuese nuk janë në varësi të qeverisë ( KLD dhe gjyqësori), sepse disa akte/kontrata/marrëveshje kërkojnë investim afatgjatë të gjykatave dhe ato nuk varen nga qeveria, dhe sepse disa vendime biznesi lidhen me interesa të dy palëve politike. A nuk premtoi PD më 2005 anullimin e privatizimit të Albtelecom? Premtimi u harrua, Albtelecom zgjeroi bizneset e tij. A nuk do ndodhë e njëjta gjë edhe tani me konsensionet ekonomike e hidroenergjitike? Po, kur për më tepër vendimet ose dosjet janë përgatitur nën qeverisjen e "djathtë" të LSI, e cila tashmë është më e fortë në qeverisjen e majtë.
Ajo që ndodhi më 2005 dhe që po ndodh edhe tani është fenomeni "shqiptar" i periudhës kalimtare: përpjekja për të përfituar gjithcka dhe me çdo cmim nga pushteti deri ditën e fundit, abuzimi me dokumentet zyrtare, abuzimi me postin për përfitime për veten e miqtë, shkarkime politike të personalit dhe emërime të reja për rrethet besnike, mbyllje të dosjeve dhe praktika të tjera të dyshimta administrative e ligjore. Kjo ndodh cdo ditë në zyrat e shtetit për dy arsye: frika e zyrtarëve për humbje të vendit të punës dhe natyra korruptive e modelit të atyre zyrtarëve që fatin personal e kanë të lidhur me partitë e liderit, jo me shtetin dhe ligjin. Për më tepër kemi akte politike të ekzekutivit që provokojnë debat dhe krijojnë dyshime serioze mbi ndarjen mes shtetit dhe pushtetit. Edhe gara brenda PD në këtë aspekt mbetet tregues kritik pasi konkurrentët paguhen me taksat tona të punojnë në zyrë, kurse ata me taksat tona bëjnë garë politike gjatë orarit zyrtar dhe jashtë tij, kudo në gjithë vendin.
Opozita de juro dhe mazhoranca e re de facto vijon të denoncojë e të flasë për qeverinë kujdestare, projektet e saj dhe të paralajmërojë anullimin e cdo vendimi. Qeveria në ikje vijon të mos reagojë dhe të sillet sikur qeveris. Cila është zgjidhja? Një zgjidhje është ajo morale dhe ka të bëjë me edukatën politike, sjelljen dhe rolin e lidershipit në politikë. Një politikë e përgjegjshme nuk bën akte provokative, por respekton jo vetëm në germë kushtetuese rotacionin politik dhe sovranitetin qytetar. Kështu ndodh në perëndim, por kjo kërkesë tek ne vijon të jetë utopike. Atje politika ka sens mase, ka kritere morale dhe ka rëndësi të njëjtë si administrimi i fitores ashtu edhe i humbjes. Ndaj vende edhe fqinj me ne si Italia kanë ndryshuar rreth 60 qeveri në 60 vjet pa frikën e periudhave transitore. Praktikë e kulturë që tek ne ende mungon.
Zgjidhja e dytë është kushtetuese e ligjore: mazhoranca e re i ka votat të ndryshojë ligjin organik të KM, të inicojë ndryshime kushtetuese dhe përmes tyre t’i japë fund çdo praktike e hapësire abuzive transitore. Ajo nuk ka pse krijon terma të rinj politikë si "qeveri transitore", por duhet të premtojë reformin e sistemit zgjedhor e politik për të evituar situata të tilla problematike. Në fakt ajo nuk e ka bërë këtë dhe fatkeqësisht nuk ka në plan ta bëjë. Sepse pas 4 ose 8 vitesh mund të jetë vetë në anën tjetër, duke mos menduar më ndryshe nga egoizmi dhe arroganca e atyre që me 23 qershor u ndëshkuan me 1 milion vota kundër.
Zgjidhja më e plotë është ajo afatgjatë dhe ka të bëjë me konceptin e shtetit, raportin midis partive dhe institucioneve kushtetuese. Partitë ndryshohen, por shteti mbetet sepse kushtetuta, institucionet dhe nëpunësit e shtetit janë gardianët e interesit publik, e stabilitetit, e demokracisë funksionale. Në këtë rast kushdo qoftë kryeministër apo ministër që ikën apo vjen, nuk lejohet të ndikojë jashtë fushës së tij politike, refuzohet të abuzojë me administratën, institucionet, buxhetin apo përfaqësimin shtetëror. Kjo praktikë moderne evropiane mbetet akoma e largët, një mollë e ndaluar qoftë edhe për tu menduar në një vend ku fati i cdo individi dhe strukture shtetërore e private varet e vijon gabimisht të varet nga vullneti i një personi të vetëm, dhe që nuk është Zoti, por një politikan tranzicioni që kërkon vota për të shërbyer dhe që sapo vjen në pushtet e përdor atë për të sunduar qytetarët e tij.
Përsa kohë asnjëra zgjidhje nuk ndodh, nuk krijon shpresë se mund të ndodhë, shoqëria e shteti shqiptar vijojnë të kërcënohen nga sindroma e Kalasë së Rozafës sa herë ndryshojnë palët në pushtet, madje edhe sa herë ndryshohet qeveria e ministrat edhe brenda një pale politike. Kjo dukuri negative shpresh distancën ende të thellë midis një vendi me demokraci funksionale dhe atij të një vendi me demokraci hibride, sic është e mbetet akoma më tej Shqipëria, pavarësishg lotëve apo shampanjës së 23 qershorit. Gjë që na lejon të flasim për (keq) qeverisje kujdestare jo vetëm dy muaj, por dy dekada; për një sistem që duhet reformuar në themel.
Shkrimi u botua në numrin e sotëm të gazetës "Shqiptarja.com"
Comments
Qeveria e majte me 2005,

Qeveria e majte me 2005, vendimin e fundit, ate per universitetet e mori me 20 maj, dhe deri ne diten e dorezimit te detyres, pra per rreth tre muaj, nuk mori asnje vendim.

Megjithate, kushtetuta e ka trajtuar edhe kete rast, vecse Berisha eshte mesuar te lundroje neper labirinte. Kush ja dha fuqine vepruese kesaj qeverie? Kush e votebesoi ate? Perderisa parlamenti i cili ka votebesuar kete qeveri nuk mund te mblidhet per marje vendimesh, pervecse ne raste te jashtezakoneshme, e njejta gje duhet thene edhe per qeverine. Aq me teper kur kjo qeveri, nuk eshte votebesuar nga populli ne zgjedhje. Programi i saj u hodh poshte nga zgjedhesit, keshtu ajo nuk mund te vazhdoje te mare vendime per realizimin e atij programi te cilin shqiptaret e refuzuan.

Tashme kjo qeveri, qe nuk ka mare votebesimin nga populli, duhet te veproje njesoj si ajo qeveri qe jep doreheqjen ose ka humbur votebesimin ne parlament. Si veprohet ne te tilla raste. Sepse edhe ne raste te tilla, ajo nuk zevendesohet pikerisht diten qe ka dhene doreheqjen ,apo qe nuk mer votebesimin ne parlament.

Pra, qeveria Berisha nuk mori votebesmin nga populli. Ne keto kushte ajo nuk mund te vazhdoje me marje vendimesh per realizimin e programit te saj Ajo eshte pikerisht nje qeveri kujdestare, per rendin, ekonomine, biznesin, taksat, politiken e jashteme, doganat, financat, mbrojtjen e teritorit, etj. , deri ne dorezimin e detyres qeverise se re e cila ka mare votebesimin nga parlamenti i ri, i zgjedhur nga shqiptaret.

Nje shkrim shume i mire,

Nje shkrim shume i mire, kopetent, analitik, racional. Mua si lexues gjithmone me kane pelqyer shkrimet t´uaja, ku gjithmone trajton temat: institucinet, mardhenjet e arsyeshme apo ligjore dhe rolin pegjegjes te politikes.

Add new comment