Peshore e Lente Zgjedhjesh

Postuar në 12 Korrik, 2013 01:56
Atena Bishka

Zgjedhjet parlamentare kanë mbaruar. Bashkë me to edhe mbajtja e frymës pezull dhe padurimi për të mësuar rezultatet e një gare politike me rëndësitë dorës së parë për të ardhmen e Shqipërisë. E jo thjesht e panjohura përvëluese e rezultatit përfundimtar, porsidomos edhe frika se mos diferencat në votat e kundërshtarëve do të ishin sërish super të ngushta, si edhe besimi i thyer në drejtësinë e procesit të votimit dhe dyshimi se numërimi i votave do të ish në mos i pandershëm me siguri i debatueshëm dhe i pambarueshëm (nisur prej përvojavezhgënjyesetë së shkuarës), ushtronin trysni shtesë mbi angështinë e përgjithshme.

Por, tani gjithçka sosi e çuditërisht, por sidomos fatmirësisht, pa vonesa e kontestime (me pak përjashtime). Edhe e dime kush fitoi e u gëzua e kush humbi e u hidhërua. E ndërsa intercourse-i raskapitës e i dyfishtë blu-purpur i publicitetit dhe propagandës vizive dhe verbale (ku nuk mënoi të përfshihej as gegërishtja si lubrifikues) me shqisat dhe trurin e votuesit shqiptar tashmë u krye,kur gradualisht eksitimi e lotimi fashiten, muskujt çtendosen e frymëmarrja qetësohet, e teksa perdja e dramës ulet e të tjera perde spektaklesh ngrihen, edhe kur vëzhguesit e tutorët ndërkombëtarë duken më në fund më të qetë, tëçliruar, të qeshur e të kënaqur, pikëpyetjet megjithatë ngrenë krye dhe shpojnë mëndjen si grepa që lypin kryengulthi çaste përsiatjeje e ftillimi. Njëra më ngacmon veçanërisht: Si e shohim veten duke u parë sy më sy me procesin dhepërfundimet e zgjedhjeve parlamentare të 2013-ës?

Në pikënisje do vënë në dukje se populli shqiptar iu qas kutive të votimit duke e patur mjaftueshmërisht të qartë – dy dekada që prej rënies së sistemit socialist i kanë dhënë tashmë prova të bollshme e me tepri - se klasës politike që ka patur e ka mbi krye zor t’i ketë mbetur grimë besueshmërie. Ajo klasë dalë dje prej rrënojës dhe hirit të pushtetit totalitar e  që atbotë përbetohej përdëllyeshëm, si të qe princi shpëtimtar në përrallën që nis me: “na ish njëherë një vashë e mjerë dhe jetime me krye në hi, dikur e bukur dhe krenare qëe thërrisnin Shqipëri…”,se do t’i dilte zot ri-formatimit e përshëndoshjes së Shqipërisë zhelane, vetmitare e anoreksike duke e vendosur mbi shinat e lirisë, futur në autostradat e përparimit evropian, e mirë-orientuar shtigjeve të demokracisë, sot gati njëçerek shekulli më vonë sa s’po pëlcet së mbllaçituri kapital, duke e shndërruar vashën e përrallës në robinë e pronë, duke përvetësuar e keqpërdorur çka i qe mirëbesuar të mbante në kujdestari, duke keqinformuar e duke përmjerrë mbi zotime.

 

Prandaj është e kuptueshme që votuesit -- përtej të rënëve kokë e këmbë në rrjeta militantizmi, përveç kujt propagandën partiake e gëlltit si racion steroidi ditor, pa llogaritur mercenarët e formacioneve e transheve partiake -- të ishin përgjithësisht mosbesues, të konfuzuar dhe të zhgënjyer. Megjithatë, 23 qershori tregoi se shqiptarët u ngritën mbi nivelin e apatisë dhe ndërdyshjes depresive për të kumtuar qartë çka kishin në mendje, çka kuptonin e çka dëshironin. I thanë zemërplasur, prerë e shkoqur: “Mjaft më!” qeverisjes së keqe. Kjo ishte nga njera anë përgjigjja e dëshpërimit: “S’durojmë dot më! S’mund të gëlltisim tragjedinë e Gërdecit, as të falim vrasjet e 21 janarit! Jemi të braktisur, të papunë e të varfër por përkarshi shohim ekspozim kamjeje e luksi bajraktarësh; jemi të sëmurë por pa shërbim shëndetësor e ndihmë për të moshuarit e të pamundurit; jemi me gjykata e polici por pa drejtësi; jemi pëllëmbë e universitete private por pa shkolla ku të mësojmë!”. Nga ana tjetër ishte përgjigjja e optimizmit tragjik: “Le të hedhim zarin e të provojmë fatin me çka na mbetet për të zgjedhur – socialistët!”  Me fjalë të tjera, votuesit nuk panë të kishin më shumë se dy mundësi zgjedhjeje, ravijëzuar thelbësisht në formën e dy profileve – të dy autoritariane: Berisha konservator andej e Rama liberal këtej.

 

Në rrethana të tilla vështirë të thuhet se shqiptarët votuan duke vendosur në peshoret vlerësuese e lentet e veta perceptuese programet politike; as se i themeluan kriteret e parapëlqimeve të tyre mbi ndryshimet që qëmtuan e pikasën midis programeve duke ushtruar gjykim racional,ndonëse është e vërtetë se votimet këtë herë treguan urtësi e pjesëmarrje më të madhe popullore. Gjithaq, vështirë që ato të merren si shenjë pjekurie e mençurie doemos për t’u admiruar e festuar. Shqiptarët votuan nën ndikimin e impulsit të fortë për t’i dhënë fund monotonisë e për të ndryshuar me çdo kusht rutinën – rutinën që ua solli shpirtin në majë të hundës duke ua thelluar vobektësinë të varfërve dhe duke ia fryrë kamjen të pasurve. Si të ishte gjellë që u ish neveritur, votuesit vendosmërisht e refuzuan partinë në pushtet nëpërmjet diferencës befasuese e të konsiderueshme të numrit të votave (a kujton kush se ç’parashikuan poll-et, që i paçim?!) me të cilat i thanë bindshëm PO-në e madhe socialistëve dhe JO-në e madhe demokratëve.

 

Më një anë tjetër – edhe kjo është anë mbi anët - kthesa spektakulare 180 gradë e LSI-së prej së djathtës në të majtën bash në prag zgjedhjesh, ishte manovra decisive që rishkroi hartën e lojës, ndryshoi pozicionimin e lojtarëve, shkurajoi të djathtën e ri-përvijoi fatin e lojës. Ishte po ashtu psikologjikisht edhe incentiva më efikase që tëhuajti edhe më votuesin prej të djathtës së Berishës dhe e orientoi, ose më mirë e rreshtoi përfundimisht për nga pala që mendja nisi sakaq ta perceptonte si fitimtare, pra nga çifti PS - LSI, duke lënë kështu pak, madje aspak, vend për qasje morale në një mjedis pothuaj të zbrazur morali. E nëse kish mbetur grimë morali diku, dikur a te dikush, ky ishte edhe një çast e një rast për të testuar propozimin e “votës si një kryq i madh mohues i gjithë klasës politike”. Shqiptarët as që e gjetën veten te ky propozim, që mëtonte të sugjeronte idenë e lavazhit e çtoksifikimit prej pisllëkut moral. S’mund ta gjenin! Tek e fundit, në të majtë a në të djathtë, cili eksponent partiak ka mbetur pa u akuzuar ose së paku pa u përfolur për korruptim, mashtrim, shkelje të ligjeve e gjithfarëlloj përfitimesh vetiake duke shfrytëzuar poste shtetërore e partiake? E për më tepër cili vallë prej të akuzuarve a të përfolurve është përballur me drejtësinë duke mbajtur përgjegjësi e dhënë llogarinë që i takon? Natyrisht, askush! E nëse gjithkush dyshohet a akuzohet për korrupsion, ndërsa fajet stivosur palë-palë mbeten megjithatë pa fajtorë, kjo është njëlloj si të pranosh se s’ka korrupsion, ose ta shpërnjohësh krejt si realitet… e të kryesh kështu zgjedhje parlamentare me aritmetikë çarshie e sekserësh, ose me pragmatizmin krahasues “e keqja e madhe” vs “e keqja e vogël”, ose me metodën e gjetjes së “deles së zezë”.

 

Pa e gjetur veten te këndvështrimi sa revolucionar, kompromis-refuzues e kurajo-testues, aq edhe sfidues, botë-përmbysës, e depresionues i protestës ekstreme në formën e refuzimit të krejt klasës politike, votuesit u prirën drejt një fokusi më të ngushtë, të thjeshtuar, të prekshëm e konkret: refuzimin e qeverisë nën etiketën e madhe Berisha, si kryepërgjegjës fajesh e gabimesh. Unë besoj se shqiptarët --edhepse jo aq syleshë sa të mos e kuptojnë se të gjitha palët në cirkun politik mbajnë mbi vete njolla e vula të pa-pastrueshme përfitimi të pandershëm, përvetësimi, nepotizmi, e lerosjeje etike, të cilat sa kohë mbeten të pa ndëshkuara pashmangshëm parathonë e riprodhojnë korrupsion --nuk mund të ishin mendërisht dhe praktikisht aq të gatshëm e sfidues sa për të marrë në sy alternativën e “kryqit tëmadh mohues”. Nuk ishin as moralisht as kulturorisht të prirur ndaj një mendësie të tillë – pra, për të nisur një histori të re, fill e nga e para, mbi një fije letre të bardhë e të pastër. Në fund të fundit, një popull sado i pakënaqur të jetë me elitat e veta, si mëkues the promovues i atyre elitave nuk mund t’i tejkalojë transhendencialisht duke demonstruar moral dhe etikë superiore – përndryshe po të ishte kjo e mundur, në krye të herës as që do të kishte lindur, selitur e zgjedhur ato elita që ka!

 

Dhe ironikisht, pjesë e këtyre elitave, madje sot pjesa me fuqinë më të madhe negociuese (bargaining power), është elita e farkëtuar në kallëpin e LSI-së dhe liderit, Ilir Meta. Është në fakt ky krijuesi, orkestruesi, dirigjenti dhe pronari i vërtetë i votimeve të 23 qershorit. Është LSI-ja dhe Usta Meta -mjeshtër i Ujdisë Faustiane dhe fituesi ulterior.Thashë më sipër se votuesit i dhanë PO-në e madhe socialistëve dhe JO-në e madhe demokratëve. Duke u menduar sërish, dua ta korrigjoj atë pohim: në analizë të fundit PO-në votuesit ia dhanë LSI-së më shumë sesa socialistëve.

 

Lidhja PS-LSI, edhepse e marketuar si pakt shpëtimtar, madje sidomos si model i frymës së bashkëpunimit, i shtrirjes së dorës dhe bashkimit të urave për të mirën e madhe të Shqipërisë – që përndryshe do përshëndetur përnjimend duke qenë se Shqipëria historikisht ka vuajtuar bash prej përçarjeve, qëndrimeve përjashtuese e fraktare dhe pa-aftësisë së pa shembullt për të ndërtuar dialog, bashkëpunim e gjithpërfshirje - s’ishte veç akt i dëshpëruar, ose një“martesë konvenience",ose tramtë tregtarësh detergjentësh për të shtënë në dorë me çdo kusht fitoren (ose fitimin).

Votat treguan se kjo krushqi e çiftit të elitave lart (lidhur pa dashuri, e ujdisur për interes) duket se gjeti mirëkuptim nga votuesit poshtë. Aritmetika e elitave partiake gjeti kështu shembëlltyrë binjake tek zgjedhësit, të cilët nuk e patën aspak problem t’ia jepnin LSI-sëvotat, madje edhe më shumë se në të kaluarën, pikërisht LSI-së së daj Metës babaxhan, i cili jo shumë kohë më pare neveriti shqiptarët cipëhollë me incizime pazaresh të përgjuara, të denja për skenarë alla “The Sopranos”! Vallë ta ketë kontaminuar korrupsioni aq fort shoqërinë, sa t’ia fshijë kujtesën e thajë ndjeshmërinë publike krejt? Te Saliu vetëm filloka e mbaroka e keqja për Shqipërinë?

S’mund të jem në një mendje me ata qëmendojnë se këtu s’hyn morali, se politika është politikë, aftësi për të lidhur aleanca, art i kombinimit të interesave për të arritur objektiva e kështu me radhë. Dakord! Por,politika është e njerëzve, dhe njeriu në thelb është duel midis së mirës dhe së keqes, është bashkësi vendimesh mbi baza morali. Edhe me përkufizim politika sendërtohet dhe mëton të përshfaqet si bashkësi vlerash morale! Themelohet mbi moral e s’mund të gjallojë pa të, përveçse e deformuar. E kësisoj, largimi i Berishës edhe pse i nevojshëm (madje i kryer me vonesë), qe megjithatë e sidomos një arritje e garantuar dhe fortifikuar me anë të blerjes së “Siguracionit Usta Meta”, sesa rezultat i kulluar i një strategjie që lartohet mbi shtylla të drejta parimesh pa nevojë të patericave e artificave.

Së fundmi,askush nuk mund të arratiset prej moralit, as në rang individual, as në rang kolektiv. Në të vërtetë, përtej përgjegjësive e zgjedhjeve personale të ndërmarra me vullnet vetiak (të varur e të pavarur), ne jemi produkte konsekuencash morali të prindërve tanë, po e po, por edhe të brezave para-ardhës, ashtu sikurse edhe gjeneratat e reja nuk mund t’i shpëtojnë zgjedhjeve të mira e të këqija morale që kemi bërë e bëjmë ne sot. Shqiptarët e rinj sot, ose elitat e së nesërmes, aq sa mund të ndriçohen prej shembujve të etikës së lartë, po aq e në mos më shumë do t’i vuajnë shembujt e moralit të ulët të prindërve të tyre. A thua se prej paktit LSI-PS të rinjtë e sotëm do të mësojnë thjesht e vetëm se është e rëndësishme të bashkëpunosh, të marrësh e të japësh me lojtarët, të negociosh mjeshtërisht për të fituar lojën… e të tjera si këto? A mos do të mësojnë po aq në mos mëshumë edhe për falsitetin e kujt përbetohet në emër të parimeve, tëShqipërisë, të Rilindjes? Apo do të mësojnë më së pari mjeshtërinë dhe akrobacinë e lidhjes dhe zgjidhjes së aleancave sipas oreksit dhe stomakut për pushtet? Vallë a nuk do të mësojnë–më të vajtueshmin e gjithë mësimeve – se është e mundur që të jesh edhe i krimbur moralisht, edhe tëfitosh gara elektorale e marrësh miratimin për të udhëhequr një popull, një vend? Kyështë një mësim që edhe po të funksionojë sot, herët a vonë do të kthehet në pësim.

Është shkruar shumë për dilema të tilla, për mbylljen e njërit apo të dy syve në emër të kompromisit qëllim-mirë, ose “të tolerimit të së keqes së vogël për të shmangur të keqen e madhe”. Por dua të sjell në vemendje këtu çka Erich Neumann (psikolog Jungian dhe shkrimtar) shkruan në librin e tij “Psikologjia e Thellësisë dhe Një Etikë e Re”: “Ata që shikuan dhe nuk vepruan, ata që vështruan tutje sepse nuk deshën të shihnin, ata që s’panë edhe pse mund të kishin parë, madje edhe ata sytë e të cilëve s’mundeshin dot – cilido prej tyre është aktualisht në aleancë me të keqen.” (f. 26, botimi Shambhala, 1990) Indiferenca dhe zgjedhja për të bërë një sy qorr e një vesh shurdh, për të mos ndalur, shqyrtuar e rregulluar çka bëjmë keq e nuk shkon, na ka karakterizuar e vijon të na karakterizojë si popull.

Me qeverinë e re që nis punë në shtator, Shqipëria ka ndoshta një shans për t’u mëkëmbur e mbrothësuar. I priftë e mbara! Megjithatë, poshtë në themele ka gurë të vendosur keq e mëkate që duhen parë në sy, të cilat përndryshe nuk ka dëshira të mira, entuziazëm, zotësi teknike, fjalime të bukura, madje as edhesuper-këshilltarë të kallëpit Tony Blair (konsulenti i shumë-kërkuar anekënd globit, mbi të cilin rëndon shkatërrimi i Irakut e që bashkë me Bushin Jr. e kompani nuk ndien pike sëmbimi ndërgjegjeje e nevojë për të pranuar gafat e kërkuar falje, e për të cilin dëgjoj tani se jo orën, pominutën e ligjërimit ia paguajnë me mijëra dollarë) që t’i çbëjë, fshijë a shelbojë!

Toronto, 11 korrik 2013

Comments

Submitted by Anonim (not verified) on

<p>dito!&nbsp;</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.