Fundi i partive historike?

Në gjuhën politike “parti historike” quhen partitë e trashëguara nga periudha e Luftës së Dytë Botërore. Të tilla ka pasur në çdo vend ish komunist, kryesisht për shkak të përplasjeve të mëdha midis forcave komuniste dhe nacionaliste. Të parat morën pushtetin dhe drejtuan me dorë të hekurt, të dytat u ndaluan, u dënuan ose u detyruan të veprojnë në emigracion. Të njëjtën praktikë ndoqën edhe partitë historike shqiptare. Partia Komuniste qëndroi në pushtet 46 vjet, ndryshoi programin, emrin dhe strukturën vetëm më 1991. Më 1992 parlamenti i dominuar nga demokratët bëri ndryshime kushtetuese duke nxjerrë jashtë ligji çdo parti komuniste. Ky veprim në dukje i justifikuar për retorikën dhe frymën antikomuniste të kohës, dha efekt negativ për demokratët. Rreth 160 mijë anëtarët e PPSH kaluan në shumicë në PS, PSD, PAA dhe partitë e tjera politike legjitime, përfshirë edhe PD, duke hequr mundësinë që pjesa fanatike të qëndrojë si fraksion komunist.
Më 1992 për herë të parë nisën organizimin edhe partitë historike të djathta, sidomos grupet e ndryshme të dala nga Balli Kombëtar apo ato me orientim drejt monarkisë së Zog. Gjatë mesit të viteve 90 pati 12 parti të tilla, shumica fiktive dhe që nuk mbijetuan në politikë. Forcat më serioze politike ishin Lëvizja e Legalitetit dhe Balli Kombëtar, të dyja të ndara e rindara disa herë në fraksione më të vogla. Suksesi i tyre i vetëm ishte referendumi për monarkinë më 1997, si dhe grupimi “E djathta e Bashkuar” që mori një kryetar bashkie në Shkodër (1996) dhe dy deputetë më 1997 (Shkodër e Kavajë).
Ndryshe nga komunistët, të cilët edhe pas anulimit të nenit ndalues më 1998 dhe kushtetutës së re lejuese, nisën aktivitetin me pretendime e organizim modest, arkaik dhe pa gjurmë në jetën politike, grupet nacionaliste patën shanse më të mëdha përfaqësimi. Rasti më ideal ishte parlamenti i vitit 2001, kur demokratët dhuruan nga katër mandate parlamentare për PLL-në PBK-në, një rekord historik përfaqësimi parlamentar. Dy partitë patën probleme cilësie dhe përfaqësimi, ndaj në fund të legjislaturës faktikisht i humbën gjysmën e deputetëve. Gjithsesi, ato patën rritje votash dhe nivele përfaqësimi sidomos në qeverisjen vendore.
Pas 2005 grupet historike patën një rënie të ndjeshme, edhe për shkak të ndryshimit të diskursit politik të ditës. Krijimi i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar nën emrin e trashëgimtarit të Fronit nuk dha sukses, ndërkohë që temë kryesore politike nuk ishin më kujtimet mbi Zogun apo Frashërin, por anti-korrupsioni, shteti ligjor dhe integrimi. Më 2009 komunistët dhe nacionalistët morën rezultate të njëjta në zgjedhje, rreth 5 mijë vota secili grupim. Më 2011 kandidati i Partisë Komuniste në Tiranë i sponsorizuar nga LSI bëri diferencën dhe luajti rol përcaktues në humbjen e Ramës dhe fitoren e Bashës në Bashki. Më 2013 situata e dy palëve shfaqet më dramatike: PD dhuroi disa mandate parlamentare, por jo për partitë historike. Vetëm kreu i PLL ishte në listë, në një vend me shanse minimale fitoreje. Si rezultat, tri partitë komuniste fituan së bashku vetëm 2500 vota, Lëvizja e Legalitetit fitoi 5870 vota, kurse dy partitë fraksione të Ballit Kombëtar fituan përkatësisht 4820 dhe 2249 vota. Në total kemi vetëm rreth 15-16 mijë vota për partitë historike, diçka rreth 1.2 deputetë në parlament në rast të përkthimit të votave proporcionale kombëtare në mandate.
Panoramës së dështimit të partive historike iu shtua edhe LZHK me vetëm 5.4 mijë vota, aq sa kryetari i kësaj partie pati marrë i vetëm në Tiranë në zgjedhjet e vitit 2000. Gjithsesi LZHK përfitoi nga dhurata e PD-së në përdorimin e saj kundër FRD, dhe siguroi tashmë një mandat parlamentar, edhe pse ajo nuk e konsideron më veten parti historike të orientuar nga familja mbretërore.
Përse kjo rënie historike? Ka humbur tematika, aktualiteti? Nuk frymëzojnë, nuk ofrojnë alternativa? Janë pjesë e relikës historike që nuk përshtaten me ritmet e zhvillimit dhe nevojat e elektoratit? Kanë humbur identitet dhe bashkë me të edhe frymëzimin e emrit të mirë që trashëgojnë nga periudha e krijimit të tyre të hershëm? Të gjitha këto vlejnë. Mjafton ti shikojmë si parti, si programe, si modele lidershipi, si sjellje elektorale dhe si zëra politikë. PLL, PBK, PBKD, LZHK, etj ishin pjesë e qeverisë në katër vitet e fundit. Berisha investoi shumë në rehabilitimet historike në përpjekje për të fituar votat e djathta nacionaliste, por rezultati tregoi se i humbi jo vetëm ai, por edhe vetë partitë historike.
Një argument është se këto parti veprojnë sipas modelit të vjetër, oratoria e tyre është demode për kohën, mbahet më shumë me kujtime sesa me aksion politik dhe se nevoja për pushtet personal i ka bërë ato të braktisin çdo parim e identitet politik. P.sh, në katër vite në qeveri shumica e tyre u keqpërdorën kundër kritikëve të Berishës tek e djathta (siç ishte Topi e FRD, Spahiu dhe AKZ) por nuk thanë asnjë fjalë kritike për nderimet komuniste të LSI, për aleancën elektorale me komunistët më 2011 apo për keqpërdorimin ekstrem politik të figurave historike nacionaliste nga PD. Ato nuk u ndjenë për çështjet e kufirit, për politikat nacionaliste, për korrupsionin e lartë, për problemet e integrimit, dhe kurdoherë gabimisht e panë dështimin e qeverisë si përgjegjësi historike të opozitës! Ata folën papushim kundër spiunëve, komunistëve dhe diktaturës, por në pushtet zgjodhën të bashkëqeverisin me të njëjtat kategori, të cilat vetëm sa kishin ndryshuar teserë dhe oborr partiak. Në përpjekje për të bërë lajm ato ranë viktimë e medias, siç ishte rasti i debatit mbi grupet LTGB. E njëjta analizë vlen edhe për komunistët, të cilët bënë lajm në media me premtime për legalizim droge apo kërkesa për buste diktatori, por nuk folën asnjë ditë për politika sociale dhe premtime tipike të së majtës ekstreme.
Duket se kapitulli i tyre po shkon drejt mbylljes së plotë. Ato kanë zyra, kanë kryetarë, kanë stafe, por nuk kanë më vota dhe as mbështetje publike. Modeli i tyre politik mbetet i njëjtë me modelet që kritikojnë: të njëjtit lider, pa zgjedhje të rregullta, familjarizim të pushtetit (një kryetar vendosi veten të parë dhe vëllanë e tij të dytë në një qark), afrim vetëm të disa figurave të djegura më parë tek partitë e mëdha, shkëmbimin e heshtjes së tyre me marrjen e ndonjë posti administrativ dhe sjellje donkishoteske me reklamat pafund për kryetarin e partisë. Dështimi politik, organizativ, programor dhe elektoral kompletojnë krizën e partive historike dhe fundin e njëjtë në të gjitha vendet ish komuniste. Në rastin tonë, dështimi i tyre më i madh është se ato humbën lidhjen me brezin e ri, nuk u reformuan, mbetën arkaike dhe u imponuan në publik si organizata leva të dy partive të mëdha, pa identitet dhe prestigj të pavarur publik. Ndaj ato patën vlerë aq sa iu dha vlerë prej dy partive të mëdha. Shumë fjalë, shumë zhurmë, shumë tone të ngritura, por asnjë akt politik serioz, asnjë frymëzuese dhe inspiruese.
Nëse komunistët nuk kishin ndonjë investim pozitiv historik, nacionalistët e humbën investimin e madh historik. Asnjë lider aktual nuk i përafrohet kulturës politike të M.Frashërit, aftësisë politike të A.Zogut, kurajës së A.Ermenjit, dhe dhjetëra figurave të tjera historike të këtyre partive. Gabimisht, këtë bilanc historik pozitiv e barazuar me një përkthim simbolik në vota, të njëjtë me një partizë të re lokale, pra numrin e votave të shokëve, fisit e miqve, - gjë që nuk ka lidhje me politikën dhe nuk mjafton në asnjë rrethanë të konsiderohet edhe me tej parti konkurruese kombëtare. Në këto rrethana mund të ketë shumë akte, por ai më dinjitozi dhe i pashmangshmi mbetet dhënia fund e gjendjes në koma, mbyllja formale e një kapitulli që tashmë shoqëria e ka mbyllur prej kohesh, dhe nëse duan të mbijetojnë në politikë, gjetja e një teme të re, një alternative konkrete aktuale dhe moderne, përmes të cilës të shpresojnë të mbijetojnë me dinjitet, të marrin një numër shumë më të madh votash.
Comments
Mopo leri partite historike
<p>Mopo leri partite historike qe po shuhen, po shikoni numrin e anetaresise se PD, qe sipas njoftimeve te sotme te shtypit, perbehej nga nje numer teper i vogel anetaresh ne disa rrethe te vendit. Pra pretendohet qe parti me 50 mije anetare te drejtojne e komandojne zhvillimet e vendit! Ky eshte edhe fundi i partive te medha. Po me pas c'do behet?!</p>
Add new comment