Thyerja e rrethit vicioz

Ndonjë vit para çdo palë zgjedhjesh parlamentare në Shqipëri, hidhet për diskutim çështja e “polit të tretë”; ndryshe, një grupim politik alternativ ndaj dy kampeve kryesore, socialistëve dhe demokratëve. Thellë-thellë, kur rihapet kjo dosje, fshihet shpresa që ky pol imagjinar t’ua ngrijë buzëqeshjen dy partive të mëdha, pra të marrë votat e nevojshme për të qeverisur, duke e shkundur kësisoj bipolaritetin PS-PD dhe alternimin e tyre në pushtet. Deri më tani, pjesërisht këtë format e ka realizuar Lëvizja Socialiste për Integrim, por pa dalë asnjëherë jashtë ekuacionit të pjesëmarrjes në pushtet me njërën e tjetrën palë.
Nga ana tjetër, përvijimi i një “poli të tretë” ideal, në mendjet e ndjekësve aktivë të politikës dhe të interesuarve për mbarëvajtjen e demokracisë në këtë vend, është përgjithësisht një forcë e re politike, me njerëz të rinj dhe e “papërlyer” me partitë e mëdha, me “këta të vjetrit”. Por në mungesë të ideales, edhe forca të drejtuara nga politikanë me karrierë, që kanë gëzuar respekt në opinion, janë pritur me shpresë e ngazëllim nga segmente të ndryshme të popullsisë. Ishte e tillë LZHK-ja e Dashamir Shehit, u prit si e tillë vitin e kaluar edhe FRD-ja. Kornizën më afër optimumit të këyre pritshmërive, u duk se e kishte për ca muaj Aleanca Kuqezi e Kreshnik Spahiut, por kjo kornizë mbeti bosh dhe nuk u mbush ndonjëherë me brumë idesh e programi.
Ngacmimin për këtë temë polesh të treta, në dukje në një kohë të papërshtatshme dhe jashtë aktualiteti, ta jep në fakt procesi zgjedhor brenda PD-së, ku drejtuesi i ri shihet dhe komentohet gjerësisht si një zgjatim rinor i kryetarit historik. Është ky emërim i Bashës me dëshirën e Berishës, çka për Fatos Lubonjën “legjitimon teatrin ku vetëm ndërrohen rolet një herë në tetë apo dymbëdhjetë vjet, pa ndryshuar asgjë në jetën e shqiptarëve”. Ndaj, sipas publicistit të njohur, “dikush, qoftë brenda këtyre partive, qoftë jashtë, duhet të guxojë ta thyejë këtë rreth vicioz”. Rimarrja e këtij shqetësimi, edhe pse mund të ngjajë kondrapedal nga ana kalendarike, në fakt kryhet në kohën e duhur nga ana e Lubonjës. Qoftë edhe për shkak të sistemit zgjedhor apo për hir të rënies së gurëve të politikës në vendin e tyre, skena politike shqiptare duket e stërmbushur, por ka boshllëqe serioze. Mbase me thyerje të rrethit vicioz, Lubonja ka parasysh energji të reja politike si lëvizja e Grillos në Itali, apo zhvendosjet tektonike që pësoi skena politike greke. Një gjë e ngjashme nuk ka ndodhur këto 23 vjet tek ne. Çdo tentativë ka qenë ose iluzore, ose e kompromentuar që në origjinë.
Kështu, duke lënë mënjanë përplasjen frontale bipolare të shtatë viteve të para pluraliste, partia e Genc Pollos (PDR) në vitin 1999 u duk fillimisht si alternativë e besueshme ndaj PD-së së Berishës, edhe pse një krijesë e stimuluar nga Fatos Nano. Ishin bashkë me të Shehi, Xhaferri, Ndoka etj, por secili u largua ose drejt një partie të re, ose drejt PD-së. Teksa pak vite më vonë, LSI-ja po ngrinte strukturat e saj të reja, një erë e freskët fryu në skenën publike shqiptare; këtë rradhë nga një organizatë rinore si Mjaft, që po denonconte shpërdorimet, gafat dhe gabimet e qeverisë Nano, duke ngjallur simpati në popull. Por nuk do të kalonte shumë dhe kjo lëvizje do të “zbulohej” si një ndihmëse e një tjetër guri të rëndësishëm në skakierën tonë politike; kryebashkiakut të Tiranës, Edi Rama. Dhe vijmë tek AK-ja e Spahiut, asokohe nënkryetar i KLD-së, që duhet thënë se i zuri pak pa mendje aktorët e tjerë: Kjo, sepse i ra një muzike të re në diskursin politik, patriotizmit, kombëtarizmit dhe interesave kombëtare përkundrejt një klase politike të zhytur në “pragmatizëm”, apo thënë ndryshe në afera dhe korrupsion. Por AK u ra aq fort dhe aq stonueshëm këtyre veglave, saqë arriti të prodhojë efektin e kundërt. Ky fast food populist u konsumua deri në fund, me negociatat e dështuara për aleancë me PS-në; gjatë të cilave, siç denoncoi volitshëm Rama, Spahiu paskësh kërkuar si kandidate në listat e PS-së, shoqet e biznesmenëve që kishin financuar AK-në. Sa për FRD-në e Bamir Topit, në këto kushte paszgjedhore, duket se ambicia e saj më e madhe është të shndërrohet në njëfarë LSI-je për PD-në.
Atëherë si mund të thyhet ky “rreth vicioz” dykampesh, që thith në vorbullën e vet çdo syth të ri politik? Kushti i parë është që forca e re hipotetike, të përbëhet nga njerëz tërësisht të papërlyer dhe pa të shkuar kompromentuese partiake apo institucionale. Pa ish presidentë që flasin me heshtje, apo ish krerë drejtësie që pak para se të lenë postin, denoncojnë drejtësinë. Nga individë me integritet dhe me intelekt, që dinë të bashkëpunojnë, si me njëri-tjetrin për një alternativë të qartë politike, ashtu dhe me elektoratin e gjerë. E nëse Lubonja pret që dikush ta thyejë rrethin vicioz, do ishte e udhës të jepte edhe ndihmesën e vet konkrete. Kush mendon se është herët, gabohet. Është vonë.
nga Revista Klan
Add new comment