Sikur Rama të ishte një taksixhi i maskuar

Postuar në 28 Tetor, 2013 03:48
Koloreto Cukali

E vërteta e breshkës dhe e lepurit

Malli më i shtrenjtë në botë, në kohën e teknologjisë digjitale është e vërteta. Një onc të vërtete shpesh paguhet me jetë. Nganjëherë, paguan dhe një komb i tërë. Ka një perceptim, që Rama do të hedhë themelet e shtetit. Nisemi nga një premisë e gënjeshtërt, ajo që na mësojnë që të vegjël si vlerë të madhe, sesi breshka ia futi me zgjuarsi lepurit. Në një garë shpejtësie, lepuri ia futi gjumit i sigurt në fitore, breshka ia kaloi dhe arriti e para. Ka dhe një version tjetër, që breshka vuri të motrën binjake në finish dhe lepuri kur shkoi e gjeti atje. Në xhiron e kthimit, gjeti breshkën e parë te nisja, e kështu në çdo xhiro, ai gjente breshkën që kish “mbërritur” para tij. Kjo përrallë është krejtësisht e gënjeshtërt, pavarësisht moralit të shëndoshë që përcjell. Nuk dua të merrem shumë me përrallën, sesa me marrëdhënien me të vërtetën.

Po ç'hyn Rama këtu? Rilindja në  vetvete ka shumë poezi, shtet-ndërtimi ka një marrëdhënie të drejtpërdrejtë me të vërtetën.

Kush ia komplikon të vërtetën Ramës

E vërteta mbërrin te një lider përmes mediave, përmes njerëzve të besuar dhe përmes sondazhit personal në terren. Ky i fundit duket i pamundur, sepse edhe sikur ta kishte ndër mend, do më dukej e vështirë që Rama të bënte si kryeministrat nordikë, të maskohej si taksixhi për të marrë vesh se çfarë duan njerëzit. Njerëzit e besuar, kushdo qofshin, kanë tendencën të filtrojnë informacionin me filtrat e tyre. Edhe berberi i besuar. E vërteta e një berberi çfarëdo ndryshon nga ajo e berberit të Kryeministrit. Vetë liderët, i fusin një filtër personal çdo këshilltari. Këshilltarët vetë janë të kufizuar në përthithjen e informacionit mbi të vërtetën. Ata mund të qarkullonin si taksixhinj të maskuar, por as duan e as ia kanë ngenë. Ata mjaftohen me atë që u thonë njerëzit që janë në kontakt, ose mediat. Njerëzit në kontakt, kryesisht janë ata që kanë të vërtetat e tyre. Për shembull, një këshilltar mund të marrë informacion nga biznesmeni, nga regjisori i oborrit, nga njerëz që kanë akses dhe ky akses vetiu kufizon informacionin që sjellin. I vetmi burim që ngelet është media.

Çfarë i thonë mediat Ramës

Janë thënë e stërthënë, por ka gjëra që duhen përsëritur vazhdimisht, për t'i rezistuar tru-shpëlarjes. Media, është armiku më i madh i shoqërisë shqiptare. Shteti vetë është makinë shtypëse, por, njeriu e di që e ka shtetin përballë. Media, është e presupozuar të jetë aleati i publikut, në të  vërtetë është aleati i pushtetit, për të shtypur publikun. Për të vazhduar me metaforat me kafshë, media është gjarpri në gji. Unë dyshoj që Kryeministri aktual të ndjekë mediat. Dhe mirë e bën. Por, kam frikë se janë mediat që e ndjekin atë. Ai mund të mos e dijë se cila gazetë është më e shitura në treg, por, dikush ia pëshpërit këtë informacion nga pas në vesh, dhe kurrë s'do dimë se si ia përcjell. Ai mund të mos e dijë se çfarë tha filani në intervistë, por, dikush do i bëjë përmbledhje me sms, dhe kurrë nuk do ta dimë se çfarë mbeti pa u shkruar në atë synopsis me 160 karaktere.

Kur them që media i shkon nga pas Ramës, nuk nënkuptoj një edicion lajmesh, një kryeredaktor apo një lajm specifik që ndjek nga pas Kryeministrin për t'i diktuar një prioritet informacioni. Media, është një tren i tërë ku udhëtojnë interesa të forta biznesi, interesa personale, fshehje të vërtetash, deformim realiteti, i cili synon të jetë mjeti i vetëm informativ me të cilin udhëton Kryeministri. Në atë tren mund të takosh shumë njerëz, që nga kaligulat e deri te damirfazlliçët e rinj. Kryeministri, duket si i detyruar t'i hipë atij treni.

Treni mediatik për në polin e veriut

Kryeministri, dhe këtu nuk e kam fjalën thjesht për këtë kryeministër, është i detyruar të hipë në atë tren, sepse trenisti, njëkohësisht dhe pronar, biznesmen, politikan, njeri me lidhje, me lobingje, me interesa të tjera veç medias, dikton (ose besohet se dikton) të vërtetën e vet te zgjedhësit. Unë vetë e shoh me dyshim këtë maksimë, sepse, pavarësisht mbështetjes së mediave më të mëdha në vend, z.Rama arriti të zgjidhet Kryeminsitër, kur publiku vendosi jo të mbështesë imazhin e tij për shtetin e pushtetin, por të godasë imazhin e z.Berisha për shtetin e pushtetin. Unë ndjej që mosbesimi ndaj mediave është i madh, sepse, ndryshe nga ç'mund të besohet, ky popull nuk është idiot e nuk tërhiqet dot (i tëri) prej hunde. Megjithatë, media bën sikur e ka zënë këtë popull prej hunde, sepse, ka arritur ta mbjellë këtë perceptim te politikanët.

Ai tren mund të çojë drejt ëndrrës ekonomike apo të pushtetit disa njerëz, por në të vërtetë çon për një Aushvic të vërtetën e shoqërisë. Ka një mënyrë që Rama të mos hipë në atë tren.

Shpëtimi i drurëve duke “prerë” mediat

Mediat mbahen në këmbë falë financimeve, shpesh okulte që marrin nga privatët dhe nga shteti. Kemi pasur mundësinë të ndjekim në të shkuarën e afërt denoncimin e mediave të persekutuara për fondet shtetërore që merrnin mediat e privilegjuara. Kemi dëgjuar sesi pronarë të këtyre të fundit po tentojnë të kalojnë matanë, kur përmbyset pushteti. Mediat dikur të persekutuara, tani po e kthejnë klepsidrën përmbys. Por, klepsidra funksionon vetëm duke e përmbysur vazhdimisht. Pra, pushteti tjetër që do vijë, do e përmbysë përsëri dhe pushtetin mediatik dhe të ardhmen e tyre financiare. Klepsidra, në fund të fundit është thjesht “dava rëre”. Media është shndërruar në “dava rëre”. Ato konsumojnë drurë duke harxhuar letra me gënjeshtra, ato krijojnë kancer në tru duke mbushur ajrin me valë të dëmshme, ato shkatërrojnë të vërtetën me edicionet mashtruese. Z.Rama mund ta ndryshojë këtë. Ai, mund të mos hipë në atë tren kompromentues e korruptues njëkohësisht, duke ndryshuar raportin e vet dhe të shtetit me të vërtetën.

Mëngjeset me gazetarë, jo me gazeta

Gjëja e parë që mund të bëjë kryeministri nuk është të nisë të lexojë gazetat. Ai nuk ka pse të lexojë shkrime që duan të çojnë “ujë” në një mulli të caktuar. Por z.Rama mund të nisë të hajë një mëngjes në javë me gazetarë apo eksponentë sa më të pavarur. Mund të ftojë dhe Kadarenë, dhe Visar Zhitin. Gjëja e dytë është të nisë një investigim politik të vërtetë, për të parë lidhjet e politikës me mediat. Sa konflikte reale interesi ka aty. Këto lidhje mund të këputen shumë kollaj. Kushdo i di këto lidhje, përveç shtetit shqiptar.

Kryeministri duhet të iniciojë hetimin e burimeve informale të financimit, kostot e fshehura, punën në të zezë, lidhjet okulte financiare. Kryeministri duhet urgjentisht të transformojë mënyrat e financimit mediatik. Transparencë totale mbi shikueshmërinë dhe lexueshmërinë. Gazetat që shtypin 5 mijë kopje dhe shesin 300, nuk mund të pretendojnë se kanë tirazh 5000 kopjesh. Televizionet duhet të maten me auditel, dhe shpërndarja e parave të privatit e të shtetit duhet bërë në bazë të shikueshmërisë, dhe jo në bazë të njohjeve personale të gazetarëve me biznesmenët.

Tirazhet, shitjet, audienca duhet të matet në mënyrë të përjavshme dhe transparente për këdo. Për shtetin, për agjensitë e reklamave, për z.Rama.

Nëse Kryeministri ka guximin ta bëjë këtë do shpëtojë jo vetëm shtetin, por edhe veten.

Ai mund t'i heqë vetes mbështetjen okulte të grupeve mediatike, por, njëkohësisht, do ndihmojë që presioni i mafias ekonomike ndaj politikës dhe publikut të ulet shumë. A nuk është kjo që ai do? Nëse e vërteta perceptohet jo si ajo që pronari do t'u shesë shikuesve e lexuesve, jo si heshtja që pasanikët e kompanitë blejnë nga media, ai ka ndihmuar publikun të çlirojë mendjen. Një publik pozitivisht perceptiv, mund t'i bëjë punë atij më shumë sesa një publik me shami në sy që duan ta heqin prej hunde.

Pasi ta ketë bërë këtë, ai mund të nisë të lexojë gazeta.

E çfarë është e vërteta?

Shumica e manipulatorëve mediatikë, kanë arritur të besojnë edhe vetë ato që fabrikojnë. Madje, nuk janë as thjesht gjysmë-të vërteta.E vërteta e tyre e deformuar, akoma mban emrin “e vërtetë”.

Është e vështirë ta shpjegosh se çfarë të vërtete pres unë nga mediat, kryeministri, apo mafia.

Duke prerë lidhjet financiare që diktojnë atë çfarë gazetarët shkruajnë apo thonë, përmes transparencës së shifrave e audiencës, është njësoj si të ngasësh një taksi duke dëgjuar të gjitha palët, pa diskriminim. Dhe ku, kostoja e taksisë është e njëjtë për të gjithë.

Revista Klan nr.841

Comments

Submitted by Daj Ceni (not verified) on

Koloreto, une shpresoj qe te pakten ti ta kuptosh kete qe ke shkruar, sepse qe kur nis, e fillon me nje premise "idioteske"......perralla e breshkes me lepurin nuk eshte e vertete. Ne rregull, neqoftese e ke fjalen qe nuk eshte e vertete, sepse kurre ndonje here nuk ka pasur gare vrapimi midis breshkes dhe lepurit, sigurisht ke te drejte, por ne kete kuptim te gjitha perrallat jane te rreme, si ato me qeros, ashtu edhe ato me kacrrimicrin.......Perrallat, ose edhe fabulat (ato me kafshe) jane metafora, jane alegorira dhe ne pergjithesi bartin nje mesazh, qe mund te jete i drejte, apo i gabuar (right-wrong), por jo i vertete ose i rreme (true-false).

Se dyti, me tutje eshte nje lemsh nga i cili nuk kuptohet qarte se cfare kerkon ti egzaktesisht. Kryeministri te mos lexoje gazetat, sepse ato edhe pse mund te mos genjejne (apo genjejne), sidoqofte japin nje te vertete te deformuar qe po te adoptohet nga kryeministri do te shkoje ne favor te pales qe zoteron ate gazete. Kryeministri, te mos degjoje keshilltaret e tij, sepse edhe ata ne mos lexofshin gazetat, prape se prape kane miqte e tyre qe mund t'u servirin nje realitet te deformuar sipas interesave te tyre. Kryeministri ne dilemen e madhe te vishet si taksixhi, apo te mos vishet si taksixhi, gjithsesi te marri nje vendim rreth kesaj ceshtje, etj. etj.

Problemi eshte shume me i thjeshte vetem se kerkon kurajo, vendosmeri dhe largpamesi te thuhet, KRYEMINISTRI le t'i qendroje besnik programit qe shpalli gjate fushates elektorale dhe te perpiqet me cdo kusht ta zbatoje ate, dhe kjo jo sepse programi i tij ishte me i miri i mundshem, me i verteti etj. etj. por ne rradhe te pare per te treguar se ai program nuk ishte shakaja e rradhes per te ardhur ne pushtet. Kjo pjese kesaj rradhe ishte e kollajshme, perballe Saliut & Co.

Tani kreeministri te na tregoje sa seriozisht e kishte ate program dhe po deshi t'i lexoje gazetat, le t'i lexoje, po nuk deshi t'i lexoje as mos t'i bleje fare. Sa per Ismailin, apo Visarin, po deshi le t'i ftoje per ndonje mengjez pune, po ata si njeri ashtu dhe tjetri, mund t'i tregojne ndonje fabul kryeministrit me breshka dhe lepuj, por nuk kane per ta ndihmuar per ta bere mjeksine falas, per te hapur 300,000 vende pune e te tjera nga keto qe kryeministri iu eshte zotuar shqiptareve.

Submitted by katarakti (not verified) on

Pse taksixhi dhe jo taksist?! Themi tankist apo tankixhi?! Apo eshte pasoje e "vellazerimit" me turqit?!

Submitted by Anonim dejan mati (not verified) on

Koloreto eshte djale i ditur,shkruan mjaft bukur e nuk te lodh me marrina.Sugjerimi i tij per Ramen eshte me vend.Thone se dikur mbreti Zog kishte bere zakon te mbante ne nje ore te mbasdites takim me njerez te zgjuar e te drejtperdrejte te asaj kohe me te cilet konsumonte kafen e cigaret e mbasdites,e njeheresh tentonte te kuptonte perceptimin e popullit per te.Nje dite tema e bisedes ishte bulevardi i gjere i Tiranes,qe po ndertohej aso kohe.Te pranishmit nuk kuptonin pse duhej kaq e gjere rruga kur tek mbreti shkonin me pajtona.Zogu ju thote se mbas nje qind vitesh deshironte qe njerezit ta falenderonin e jo ta shanin nese do te behej rruga e ngushte.

Submitted by RP (not verified) on

une te lexoj me deshire Koloreto,por ajo qe ti di presupozoj qe eshte me pak se ajo qe di Rama mbi anarkine e mediave.Eshte tip qe e kuron mire imazhin dhe e di kur i prish e kur i ndreq pune media.Ok,gabimi yt nuk qendron sipas meje tek keshilla qe i jep Rames,qe te beje transparence me bilancin e shtypit,ate mund ta kerkoje.Kurse ne te tjerat je gabim.Rama nuk mund te mbylle nje media me humbje,ate e ben tregu,ose dhe tregu s'e ben dot gjithmone.Psh,une jam miliarder,me do qejfi te mbaj gazete.Le te dal me humbje,une i mbuloj humbjet me parate qe me avancojne ne shitjen e tullave,çimentos,pallateve,etj.Ti s'me detyron dot mua te mos e bej kete,siç nuk me detyron te mbaj 10 apartamente per qejfin tim,ne keto kushtet e kapitalizmit.Nuk di a me kupton,pune per mua qe shes 200 gazeta dhe shtyp 5000.Nese jam i lire te spekuloj me tregtine,te ble çokollata me 50 leke dhe ti shes me shumice me 100,atehere edhe me gazetat(qe ne vetvete jane karte e stampuar me germa)une bej nje spekullim invers(siç ke dhene shembullin e klesidres).Nese Rama do nderhynte te rregullonte tregun e medias atehere kam pershtypjen se do hasnim ne nje problem thelbesor te demokracise,qe eshte liria e te shprehurit.Pastaj,une nuk e di,por kam pershtypjen se gazeta nuk duhet te shpife,ndersa thote apo jo te verteten,pasqyron apo jo realitetin eshte nje çeshtje subjektive,nuk eshte dhe aq e rendesishme.Kete e zgjidh tregu,e vendos bleresi.

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.