Kë trazoi Muç Nano

Postuar në 30 Tetor, 2013 06:55
Alqi Koçiko

Ndryshe nga sa premtonte titulli dhe, më shumë se ai, polemika rreth librit “Unë jam Gegë” të Mustafa Nanos, kjo ese analitike mbi nocionet historike Gegëri-Toskëri dhe banorët përkatës gegë-toskë nuk më la shijen që të premtojnë frazat zulmëmëdha si “thyerja e një tabuje”, “prekja aty ku s’duhet”, “ngacmimi aty ku s’mban” etj.etj paralajmërime me ngjyrime blasfemike. Ndoshta kjo, sepse para se të gjeja kohë për të lexuar librin, më dolën përpara debatet, replikat e komentet e gjithandejshme për këtë guxim të Muçit për të ecur në kësi terreni të minuar. M’u kujtua sërish pohimi i një të ftuari televiziv para nja dy vitesh, në një emision me temë libri, mbase për librin e fundit të Blushit: “Tani, unë librin nuk e kam lexuar dot, por do t’i them nja dy mendime!”

Nëse ky imi mund të quhet zhgënjim, ishte i tillë për mirë dhe po e shpjegoj pse. Sigurisht që për një autor që dëshiron të provokojë, tema të tilla janë ushqim perëndie. Muç Nano afërmendsh nuk kishte këtë paramendim dhe këto ditë debatesh, autori me të drejtë kaloi gati në lutje drejtuar audiencës, “amani bre, lexoni njëherë librin e pastaj flisni si t’u vijë për mbarë”. Por pas leximit, unë shoh se provokimi për hir të provokimit, ka qenë gjëja e fundit që Nano do të synonte me këtë sprovë. Le të jemi të sinqertë deri në fund: Diferencat dialektore, krahinore e kulturore janë të pranishme sot e gjithë ditën në hapësirën shqiptare. Debatojmë, fjalosim, herë shajmë e shumë më tepër herë bëjmë shaka vazhdimisht me këto elemente në jetën tonë të përditshme; sigurisht, jo aq tashmë nën prizmin e ndarjes së madhe të dikurshme, sesa në atë të qyteteve, zonave e krahinave më të vogla e specifike. Padyshim, edhe në aspektin e ri të nivelit më makro, atë “shqiptar-kosovar”. Fakti që Mustafa Nano vendosi të ndalet dhe të kthejë vështrimin nga thellësia e historisë e deri në ditët tona, duke u vendosur në rolin e narratorit që shoqëron vëzhgimin dhe me ndonjë analizë të vetëm, jo thjesht e zhvleftëson “thyerjen e tabusë”,  por besoj se e heq dhe vetë nocionin e tabusë. Dhe pikërisht kjo është merita e librit: Ofrimi i një pasqyre (konkluzion i Gilman Bakallit, që e bashkëndaj), përmes perceptimit afërmendsh personal të një autori që nuk i mungon, sa eleganca e të shprehurit, aq edhe ndershmëria e integriteti intelektual, të këtij diversiteti brenda kombit. Një diversitet që nuk duhet trajtuar si difekt e as si plagë që s’duhet gërvishtur, por si vlerë e meritë që duhet theksuar.

Nëse tema dhe punime si ky i Muçit duhet të na ngacmojnë, ngacmimi nuk duhet të na vijë nga revokimi i koncepteve “ndarëse” gegë-toskë në shekuj, por nga përthyerja e kësaj teme në dasitë e reja që kërcënon të shkaktojë realiteti i sotëm. Pikërisht këto ditë, vizita e kryeministrit të Turqisë në Kosovë, në praninë e “vëllezërve” Rama e Thaçi, u parapri dhe u pasua nga një debat publik mbi të ashtuquajturën axhendë islamike të Ankarasë përkundrejt faktorit shqiptar në rajon. Përballë kësaj çështjeje, vjen dhe reagimi i elementëve politikë demokristianë në Tiranë, që ftojnë për rikthim në “axhendën oksidentale” të vendit dhe paralajmërojnë për zhvendosje nga vlerat integruese të socialdemokracisë europiane. Qershia mbi tortë, debati shtesë pas vizitës së ministrit të Jashtëm grek Venizelos, deklaratave dypalëshe dhe takimit përmbyllës të tij me kreun ortodoks autoqefal, Janullatos. Këto që përmenda më sipër janë temat vërtet të nxehta e delikate, të cilat kombinuar me vështirësitë ekonomike (një mishelë e provuar historikisht si e rrezikshme) mund të rezultojnë vërtet shqetësuese. Kur Muç Nano shkruan një libër që në analizë të fundit, konkludon se ç’rrugë ka përshkruar dhe si është tejkaluar suksesshëm distanca toskë-gegë drejt shtetformimit dhe shtetndërtimit shqiptar (përtej dosjes së rihapur të standardit të shqipes), unë besoj se mesazhi i vërtetë i tij është të marrim shembull për të tashmen, sesi janë kapërcyer këto dallime në të shkuarën. Nga ana tjetër, meraku i beftë për përmendjen e gegë-toskëve, është pesë me hiç përballë hazmave të thella mes të pasurve e të varfërve, të privilegjuarve dhe jo të tillëve, grabitësve dhe të grabiturve. Këtë është mirë ta kuptojnë mirë si shkodranët e mundshëm namuzllinj, ashtu dhe skraparllinjtë potencialisht të “tradhëtuar” e kushdo tjetër.   

 

Nga revista KLAN

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.