Të gjithë në Gjirin Persik, asnjë në SHBA?
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/31/5727_sheik.jpg?itok=feG5SV-o)
Politika e jashtme e Shqipërisë i ka përcaktuar prioritetet e saj: integrimi evropian, marrëdhënie strategjike me SHBA e BE, politika e stabilitetit në rajon, si dhe platforma për zgjerim të bashkëpunimit ekonomik. Mazhoranca aktuale ka konfirmuar të njëjtat prioritete, me ndonjë përjashtim ose shtesë, kryesisht në përpjekjet për të gjetur burime ekonomike mbështetëse në Turqi apo disa zona aziatike e të Gjirit Persik. E gjendur në vështirësi ekonomike Tirana zyrtare ka kryer ritin e shtetit në nevojë: vizita dhe lobing pafund në shtete që mendohet që kanë potenciale ekonomike dhe interes afatshkurtër për prezencë më të madhe në tregun shqiptar. Kjo tezë shpjegon disa vizita rallazi në Turqi e Itali, vizitat blic në Azerbajxhan, Kazakistan apo Kuvajt.
Në zhvillimet tregtare globale shpesh interesat ekonomike bashkojnë rreth vetes interesat politike të shteteve dhe bëhen prioritare për qeveritë, sidomos në periudhe krize ose pragkrize ekonomike. Shqipëria nuk bën përjashtim. Disa shtete afër nesh, sidomos Kroacia, Serbia, Maqedonia, Bullgaria, etj, u dyndën në disa vizita dhe shkembime politike me vendet veriore të Afrikës apo Lindjes së Mesme, madje një pjesë e këtyre vendeve hapën portat për investimet e Libisë kur Gadafi ishte ende në pushtet dhe perëndimi ishte kritik ndaj regjimit të tij. Komponenti i diplomacisë ekonomike u bë dominues mbi komponentët lokalë të diplomacisë, sidomos kur partnerët e rinj përputheshin jo vetëm në projekte ekonomike, por edhe në axhendat politike.
Nëse Shqipëria nuk bën dallim në përpjekjet e saj për partnerë aktivë ekonomikë dhe investime të huaja, ajo bën dallim në mënyrën sesi i trajton këto marrëdhënie dhe në raportet institucionale me to. Le të marrim një shembull: gjatë katër muajve të fundit Presidenti, Kryeministri, Kryetari i Parlamentit, Ministri i Jashtëm, Ministri i Ekonomisë, Ministri i Turizmit, disa zyrtarë të tjerë të lartë shtetërorë, etj, kryen vizita zyrtare në Katar, një shtet të vogël por shumë të pasur të Gjirit Persik. Të paktën dy ministra të tjerë kanë njoftuar median se u kanë kërkuar miqve të Katarit ftesa për vizita zyrtare “për të shkëmbyer përvojë” dhe disa kryetarw bashkie kanw reklamuar projekte zhvillimi “qw pritet tw bisedohen mw tej” me kwto vende.
A përbën ky bilanc pranveror një problem? Janë të paktën dy raste që përbëjnë dukshëm problem protokollar, diplomatik dhe institucional. Për shembull, kur Ministri i Jashtëm bën dy vizita në Katar brenda 90 ditëve, njëherë i vetëm dhe njëherë si shoqërues i shefit të qeverisë. Kjo nuk është një praktikë e zakonshme diplomatike. Më tej, kur brenda dy ditësh ndodhen në Katar në vizita paralele Presidenti i Republikës dhe Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë. Një “rastësi” pa sens politik, diplomatik dhe as institucional.
Nuk ka dyshim se Katari është një shtet dashamirës me Shqipërinë, ka projekte investimi, ka ndihmuar në ditë të vështira madje ka qenë vendi me kontributin kryesor financiar psh, në përballimin e pasojave të tragjedisë së Gërdecit. Nuk ka dilemë se edhe shtete si Kuvajti kanë qenë po aq aktivë, me projekte publike, deri edhe projekti me të cilin një palë hapi kantierin e madh në qendër të Tiranës dhe pala tjetër e mbylli atë! Ky aspekt domëthënes në marrëdhëniet dypalëshe nuk ka të njëjtën domethënie në vrapin e të gjithë udhëheqësve politikë të Tiranës për të qenë vizitor në Katar apo Kuvajt. Për më tepër, kur pala mbështetëse kërkon projekte konkrete dhe Tirana zyrtare prej vitesh vijon të kërkojë mbështetje financiare pa pasur ende projekte konkrete. Edhe dy marrëveshjet “historike”, ajo për punësim sezional të shqiptarëve në Katar e Kuvajt, apo ajo në fushën e shëndetësisë janë pozitive, por jo thelbësore për të shprehur nivelin formal të marrëdhëniev dypalëshe.
Një politikë e jashtme funksionale dhe aktive kërkon akte të tjera plotësuese dhe institucionale që e bëjnë atë praktike dhe të respektuar. Le të marrim një shembull: përgjatë një viti kalendarik nuk kemi pasur asnjë vizitë të rëndësishme politike të Tiranës zyrtare në kryeqëndrën botërore të politikës, në SHBA. Ftesat për Mengjesin e Lutjeve apo ndonjë vizitë në kuadër projektesh lokale të ndonjë ministri apo grup deputetësh nuk mund të zëvendësojnë në asnjë rast nevojën e madhe që partneriteti aktiv me aleatin tonë strategjik të shoqërohet me tërë elementët e marrëdhënieve prioritare dhe strategjike, - gjë që ende nuk ka ndodhur. I njëjti bilanc vlen edhe për vende të tjera me rëndësi në politikën tonë të jashtme, në vendimmarrjet që lidhen me Shqipërinë ose në qarqe ku shqiptarët kanë nevojë të jenë më prezent.
Vizitat zyrtare në Berlin e Paris janë pozitive, janë lajm me rëndësi, por janë e mbeten produkte të gjeopolitikës dhe ftesës së palës pritëse, ndërkohë që nismat zyrtare të Tiranës për vizita, lobing e strategji zgjerimi në projekte e interesa – ose kanë munguar tërësisht, ose janë formale, ose nuk kanë produkte konkrete. Fjala vjen, sa vizita me rëndësi janë zhvilluar në vendet e BE-së që ende nuk kanë njohur Kosovën? Sa nisma janë marrë nga Tirana zyrtare për të propozuar ide e projekte bashkëpunimi ndërshtetëror rajonal? Sa prezente është politika jonë zyrtare në problematikat shqiptare në rajon, si dhe në projektet rajonale të zhvillimit? A ka politika shqiptare një dokument referimi, mbi të cilin të ndërtohet i gjithë aksioni politik dhe diplomatik?
Shqipëria ka shfaqur shpesh probleme në krijimin e një sjellje institucionale në politikën e jashtme, të sigurisë, të bashkëpunimit dhe të partneritetit strategjik dhe aktiv me vendet e tjera. Dokumenti zyrtar orientues u hartua më 2004 dhe skadoi tri vjet më vonë, më 2007. Prej atëherë nuk ka më as një dokument strategjik. Ndaj cdo qeveri ka zgjedhur të sillet sipas nevojave të ditës apo vullneteve personale të titullarëve, duke dëshmuar probleme në kulturën institucionale, si dhe duke identifikuar preferencat personale me sjelljen shtetërore.
Cila është zgjidhja? Nuk ka ekuacione dhe të fshehta, ka vetëm një praktikë zgjidhjeje – atë që praktikon cdo shtet serioz dhe politikë institucionale: sjellje me standard të lartë diplomatik, politik, shtetëror e protokollar. Duke filluar nga nevoja për hartimin sa më të shpejtë të dokumentit të SSK, duke vijuar me konsultime permanente midis Presidentit, Kryeministrit, Kryetarit të Parlamentit, Ministrisë së Jashtme dhe madje edhe opozitës institucionale, për qëndrime unike në cështjet me interes kombëtar, si dhe për vazhdimësi në përcaktimin e prioriteteve dhe projekteve të bashkëpunimit shtetëror.
Në këtë proces nuk do të ishte e tepërt nevoja për më shumë kompetenca MPJ në përcaktimin e axhendës diplomatike të ministrive të tjera, për dosje të përbashkët bisedimesh dhe referimesh, për një axhendë më aktive drejt interesave madhore afatgjata dhe partnerëve strategjikë, si dhe për evitimin e shkeljeve të ligjit ose skandaleve politike, sic ishin vizitat njëherësh të krerëve të shtetit jashtë vendit, njëherësh në një vend të huaj dhe shpesh edhe me axhenda të ndryshme në të njëjtin vend partner, strategjik apo aleat.
shqiptarja.com
Comments
Nje vemendje e mbeshtetur ne

Nje vemendje e mbeshtetur ne njohje, vezhgim dhe analize

nje zhveshje prej interesave politike te dites,

por edhe nje zemer qe konsultohet me mendjen,

do duhet mirepritur si keshilltare prej kujtdo...

Mos humb NORDIN, eshte keshille e sprovuar per shqiptaret.

Add new comment