Vijat në hartën e shkretëtirës

Postuar në 07 Korrik, 2014 07:01
Alqi Koçiko

Vijat e hequra në hartë nga dy diplomatë, njëri francez e tjetri britanik, këtu e një shekull më parë, janë me pak ndryshime Lindja e Mesme e ditëve tona. Marrëveshja Sajks-Piko e 9 majit 1916, që synonte ruajtjen e ndikimit franko-anglez në rajon pas vakumit që po linte shkërrmoqja e perandorisë osmane, solli në jetë Irakun, Jordaninë, Sirinë, Libanin, Palestinën etj. Ndryshime rregjimesh, grushte shteti, përmbysje të dhunshme ndoqën njëra-tjetrën në çdonjërin nga këto shtete që nga ajo kohë, por me përjashtim të krijimit të shtetit të Izraelit, gjithçka mbeti sipas vizave në shkretëtirë të dy aristokratëve europianë, që duhet thënë se ishin njohës të mirë të Orientit.

Sot duket se kjo “lojë shtetesh” po i afrohet fundit. Shteti Islamik i Irakut dhe Shamit, ISIS, nuk është më një dëshirë radikalësh të fantaksur. Doli se organizata që nuk ka shumë nevojë për prezantim pas ngjarjeve të fundit, nuk kishte dhe aq qëllim në vetvete rrëzimin e Bashar al Asadit në Siri, sesa zënien e një hapësire gjeografike sa më të madhe, kudo që të mundej, për të themeluar shtetin e vet. Dhe goma e ngjarjeve dramatike po fshin me shpejtësi vijat e Sajksit dhe Pikosë: ISIS ka mbërthyer përgjakshëm sipërfaqe të mëdha siriane dhe irakiane, ka shtënë në dorë pikën strategjike të Mosulit dhe fushat naftëmbajtëse të tij, po kërcënon drejtpërdrejt Bagdadin. Nga ana tjetër, shteti i ri i Kurdistanit po shfaqet në horizont si konkretizim vetëqeverisës i rajonit më të qëndrueshëm e të lulëzuar ekonomikisht të Irakut të sotëm, përfshirë dhe zona turke e siriane; vetë kryeministri Erdogan po reagon zhndërvjellët përballë realitetit të pamohueshëm, duke u afruar e paqëtuar me kurdët. Ndërsa Iraku po tretet.

Pas këtyre rreshtave, dikush mund të pyesë: Mirë, e shuajtëm kuriozitetin, por ç’na hyn në pjesë kjo histori sado dramatike? Fakti është që nuk jemi edhe aq larg këtyre ngjarjeve sa mund të duket. Dhe kjo, jo për faktin se ISIS shpalli “kalifatin” dhe liderin e vet Abu Bakr al Bagdadi e quajti “Kalif” duke ftuar të gjithë myslimanët e vërtetë (nënkuptohen sunitët) të kontribuojnë për shtetin e ri; as për një hartë fantastike në trajtën dëshirore, sipas të cilës toka myslimane që ëndërron kalifi zë edhe Spanjën e Portugalinë e sotme, dhe krejt Ballkanin. Shqiptarët “i përfshin” prishja e kufijve shekullorë të Lindjes së Mesme pikërisht për faktin se shumë prej tyre tashmë luftojnë në rradhët e ISIS-it, dhe dita-ditës dalin emra të vrarësh në luftime, që kanë shkuar atje nga troje shqiptare. Është shtruar prej kohësh problemi i ndikimit dhe veprimtarisë që mund të zhvillojnë kur të kthehen në atdhe, ata që shpëtojnë gjallë nga ajo luftë; janë marrë edhe disa masa të ashpra penale për individët e identifikuar si mercenarë. Por me mahisjen e zhvillimeve që duket se zënë kulme të reja çdo ditë që kalon, nuk janë të pabesueshme gjasat që e ardhmja e afërt të na rezervojë surpriza, në qoftë se nuk tregohet kujdes.

Po, duhet treguar shumë kujdes dhe syçeltësi, nëse termin “alarm” do ta quanim të ekzagjeruar. Përdhosja dhe ofendimet demonstrative të bustit të Gjergj Kastriot Skënderbeut në një gjimnaz të Kaçanikut në Kosovë, e filmuar dhe hedhur në youtube nga autorët mund të etiketohet si rast i veçuar, por akuzat ndaj heroit kombëtar si “agjent i perëndimorëve” dhe tradhëtar i myslimanëve, nuk janë të tanishme, as të rralla. Ashtu siç nuk është sekret rreziku që paraqesin për vendin dhe kombin tonë, xhihadistët e globalizuar shqiptarë. Bota duket se i është rikthyer një lufte fetare në epokën e teknologjisë së lartë, ku teknologjia shërben vetëm si mjet komunikimi, ndërsa duart e kokët priten si në mesjetë.    

Për t’u rikthyer tek vijat që të mëdhenjtë heqin në hartë, në rehatinë e zyrave të tyre, dhe tek kusuret që pastaj bien në kurriz të të vegjëlve, sot shumë analistë perëndimorë pranojnë se ishte nxitim dhe gabim sulmi amerikan ndaj Irakut, që bashkë me Sadamin hoqi edhe kapakun e një tenxhereje me presion. Tani presidenti Obama vuan gabimet e paraardhësit, të cilin ngurron ta imitojë (dhe të godasë drejtpërdrejt xhihadistët) paçka se në kushte të reja dhe në rrethana emergjente. Por ashtu siç ne nuk e bëjmë dot politikën e fuqive të mëdha, ashtu dhe nuk mund të biem rehat se jemi nën ombrellën e sigurisë amerikane dhe europiane.

 

revista Klan nr.877

Comments

Submitted by a.b's (not verified) on

<p>Ore ti Z. Alqi, si e kupton ti ate qe shkruan???</p><p>Si e kuptoj une ate qe shkruan ti eshte qe per shkak te atyre vijave ne harten e shkretetires (sigurisht qe ne ate &#39;shkretetire&#39; banoni njerez, apo jo?) &nbsp;<em>&quot;...&nbsp;Ndryshime rregjimesh, grushte shteti, përmbysje të dhunshme ndoqën njëra-tjetrën në çdonjërin nga këto shtete që nga ajo kohë...&quot;</em>. E kuptove tani ku eshte problemi i atyre qe ndodhin sot? Eshte ne perendim, atje ku kane nisur gjithmone problemet. Fitili ndizet ne perendim dhe prite kur te shpertheje diku gjetke (ka shperthyer edhe ketu tek ne nese keni mend per te menduar e sy per te pare).</p><p>Citoj: <em>&quot;...shumë analistë perëndimorë pranojnë se ishte nxitim dhe gabim sulmi amerikan ndaj Irakut...</em>&quot;. Ja cilet jane kriminelet e vertet dhe jo ato fakiret qe shikoni neper BBC apo Al Xhazira me kallash ne dore (per 200-300 usd ne muaj). Ja cilet jane ata qe kane vrare miliona dhe vazhdojne te vrasin.</p>

Submitted by un po d'indeccenza (not verified) on

<p>pupuja ky alqi kociko me keto shkrimet... si s&#39;beri nje shkrim te hajrit, mer jahu... pupupu, ku ka ra ky fare muhabeti...&nbsp;</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.