Ambasada dhe Gjuhë të Huaja
As “Natën e Ambasadave” s’kisha menduar për ikjen. Për ikjen time.
Ndodhur “dezhurn” pranë Bllokut, më ish e mundur të lexoja axhanset, që më parë shërbeheshin vetëm për shefat e “Rini e Përjetshme”. Zargoni “dezhurn” kish mbetur nga rusët, “axhans” vinte prej përtejdetit.
Në trojet dhe kujtesën e popujve të vegjël gjenden gjithnjë gjurmët e shteteve të mëdhenj. Dikur, harrohen shumë gjëra, gjer dhe shkaqet e luftrave e pushtimeve, viktimat, heronjtë, aleancat ndryshojnë edhe ato, pa e përfillur kujtesën; të huajt iknin një ditë, sado të vonohet ajo ditë, por, në trojet dikur pushtuar, regëtijnë thuajse patretshmërisht gjurmë të tyre. Pashmangshëm në gjuhët e popujve të vegjël. Se, edhe gjuhët, formë trojesh janë. Të vëmendshëm ndaj të mbeturave të gjuhëve të huaja, bëhemi më të vërtetë në leximin e historisë, por edhe në ç’përgatitet të ndodhë...
"E keni vënë re? Kur duam të bëhemi sa më të kuptueshëm e sa më të qartë me njerëzit tanë, instinktivisht zgjedhim e përdorim fjalë e shprehje të turqishtes?!", kishte thënë njëherë Klit. "Kjo ndodh edhe me shkrimtarët, madje edhe me shkrimtarët elitë, kur duan të bëhen sa më të lexueshëm nga masa e gjerë..."
Eh, nuk është e lehtë tu ikësh pushtimeve, t’i ikësh sundimit në emër të popullit dhe uljekokës ndaj tij, hijes së rëndë të opinioneve dhe justifikimit të pranimit apriori të kurthit të padukshëm të turmave, joshjes pa ndjenjë të si-dashurive, dukjes nudo të modave, mirëqënies materiale pa shpirt, mërgimeve pa shkak të vërtetë...
Nga kohët e gjimnazit më shfaqet edhe sot imazhi i një moshatari, djalë shefi i komunistëve lokalë. Në ditët e zborit (mbetur prej rusishtes ky term, që nuk u zëvendësua kurrë, as kur dolëm prej Traktatit të Varshavës), hiqej mënjanë dhe studionte anglisht. A thua e dinte se do t’i hynte në punë, edhe kjo gjuhë “e huaj”, “e armiqve perëndimorë”, edhe pse pushteti i babait të tij vetëm perëndimin nuk e sillte ndërmend si të ardhme. Më vonë, në vitet ’70, anglishten e lejuan si gjuhë të dytë edhe në gjimnazet e provincës.
U regjistrova edhe unë, më tregoi një shoku im, teksa vështronim për nga ai që lexonte anglisht. Ai e ka syrin të hapur, nga babai, por mua më thirrën në drejtori. E di veten ti? E ke pyetur ndonjë herë babanë? Nëse keni harruar ju, nuk harrojmë ne...Ç’u duhet anglishtja juve?
Perëndimi kurrë nuk e ka njohur Lindjen. Edhe këtë herë, në fund të viteve ’80, si në vitet ’40, po mjaftohej me ndarjen e kurorës së fituesit. Në fund të Luftës së Dytë, me musteqen ndau botën, teksa tani me njeriun me blanë po ndante demokracinë. Viktimat janë të njëjtit: ata që e njihnin dhe s’e deshën komunizmin më parë se të mbinte në këto troje...
Gorbi s’po e ndryshon Lindjen, korbi po e shpëton të zezën duke ndërruar rroben e tij. S’kuptoj pse brohoret Perëndimi...
Kështu më tha atë pasdite vonë Shpëtim B.
E pashë në sy. Vite më parë, nisur të kalonte kufirin, kish përfunduar në burg.
Mbase, mbase ashtu është..., i thashë.
S’do doja t’i jepja të drejtë deri në fund. Mbase ngaqë edhe ateistët e kuq, që mezi po mbaheshin në karriken e pushtetit, shndërruar në rrotë djalli, dukeshin skeptikë ndaj “njeriut me blanë”. “Ne s’jemi as Lindje, as Perëndim”. Frikë për fund të njëjtë me Çausheskun, apo orvajtje për tu ngrirë në buzë shpresën atyre që ngryseshin e gdhiheshin me fytyrë nga Perëndimi? Imazhi i funeralit të plakës Nurihan të klasave të përmbysura, që s’e pa dot ikjen e ambasadës ruse, s’më shqitej nga kujtesa. Ne prishemi me rusët për hesapin tonë, jo tuajin...
Aq larg prej atdheut, po besoja gjithnje e me shume se më parë duhej të shkatërronim kujtesën, pastaj të shpëtonim prej asaj që kishte ndodhur...Koha ikur prej andej fluturonte, por vazhdoja të kujtoja, më shumë akoma, për dreq!
Nga vetja nuk iket
Në listën që shefi i gazetës “Rini e Përjetshme” sugjeroi për të intervistuar, më ranë në sy emra të njohur. Njëzetë a tridhjetë vite më parë, qenë ndëshkuar për nostalgji ndaj rusëve. Kalbur burgjeve, dekada të tëra, rropatur bashkë me familjet e fëmijët e ish-klasave që bashkë me ndëshkuesit kishin përmbysur, tashmë po u ofrohej e drejta për të folur. Për thellimin e demokracisë, thuhej. Ish shokë ideali, sado qejfmbetur, s’do ta mohonin kurrë demokracinë popullore.
Mora vet përsipër ta intervistoja unë njerën prej zonjave të listës. Kisha dëgjuar për të. Im-gjysh, nga nëna, njihte familjen e saj. Kanë qenë të fisëm, thoshte ai, por kësaj i mori Perëndia mendjen, mori malet. I doli nami si e mençur, e gojës. Ishte edhe e bukur, laneti! Ndër më të bukurat e Kampit të Lindjes, do shkruante dikush. S’ish entuziaste për dragojtë e Lindjes së Largët, preferoi ariun rus, por bëri kujdes të mbetej nul në qëndrimet zyrtare.
Ndalesa e shkurtër në aeroportin e Moskës, në kthim, ishte mjaft si fitil për dinamitin që do ta shkatërronte karierën e saj. Teksa zbriti nga avioni në Tiranë, s’e priti kurrkush...Kot të shpjegohej. Edhe vetë s’kishte pasur ngè t’i dëgjonte të ndëshkuarit më parë. Madje, kish qenë më e ashpër se e bukur...
Për intervistën më priti në një shtëpi që s’ishte e saj.
Të burgosurit e Lindjes, zakonisht mbeteshin edhe pa shtëpi. Siç pa familje, pa miq, pa libra, pa fotografi, pa histori, pa të ardhme...
Edhe bukuria i qè tretur burgjeve, por nxitoi të më tregonte se kishte ruajtur ca fotografi të kohës dikur. Nxitoi, si pa u kujtuar se në to ishte me ata, shokët e idealit, jo me ata të burgjeve. Ideali po bëhet gati ta dorëzoj pushtetin, i thashë duke imituar të folurën e timgjyshi. Ndaj dhe kërkohet mendimi i të pavarurve...ç’mund të shpëtohet. Ajo ngulmoi të më tregonte edhe një tjetër fotografi me vete të bukur, pa dyshuar se pas vështrimit të fotografive ajo dukej edhe më e plakur. Po ta shihje, teksa ecte rrugëve të kryeqytetit, kurrizi i saj t'a roberonte veshtrimin.
“Edhe unë dua të të pyes ty...kam parë ca shkrime të çuditshme...barazojnë komunizmin me nazizmin...kjo më trishton...Nuk di si mendon ti...?!”
S’kisha si të mos e kqyrja me keqardhje. Sapo m’i kish treguar fotografitë. Miku më i hershëm kish humbur në pusitë e luftës, tjetrin ia eleminuan në vitet e para, dikë ia ofruan si burrë dhe ia burgosën njëherësh me rënien e saj, vëllezërit iu kalbën burgjeve dhe...vajzën, ah, vajzën, e shoqëroi e vetme për në varreza...Të gjitha në lirinë e komunizmit të saj...
“S’di çfarë mund të të bënte më zi nazizmi, seç të bëri komunizmi ty, zonja liri...”
S’di pse e thirra me këtë emër. Sigurisht quhej ndryshe, por nuk reagoi. Në intervistën që dha, siç pritej, tha atë që ata të gjithë kishin qejf ta thoshin: të gjithë bashkëfajtorë dhe bashkëvuajtës...
“Së paku të na kishin lidhur me Francën e rinisë së tij...”, do t’i thosha vite më vonë Klitit, nostalgjikut interesant mes emigrantëve.
Mbase thjesht për kokëmëvehte, ky lloj robi vazhdonte ta quante mençuri lidhjen e Enver Hoxhës me Kinën e Largme, edhe pse nuk shpjegonte dot pse askush, as edhe një njeri i vetëm, nuk shkoi ndërmend të hynte në ambasadën kineze kur erdhi koha e “rënies së lindjes”.
Rrugës për “Qyteti Studenti” qëndrova një hop përballë ambasadës italiane. Vazhdonte të mbetej e rrethuar me gardh të lartë shufrash hekuri, prej kur aty kërkoi strehim politik një familje e tërë të interrnuarish. Nëse atëkohë masat ekstreme izoluese e kishin një farë shpjegimi, tashmë ky rrethim dukej absurd, qoftye edhe vetëm prej faktit që porta kryesore ishte lënë hapur.
“E lejuan ikjen...Mbeti vendi në duart e tyre, përfundimisht”, do më thoshte të nesërmen Shpëtimi.
“Është për të vënë duart në kokë...Ambasadat bënë atë që u duhej më shumë se kurrë kuqove...hapën dyert...liruan valvolat e presionit. Njerëzit që ëndërruan Perëndimin po ikin...”
Edhe të nesërmen ambasadat mbetën hapur. Po iknin, por njerëzit brenda tyre dukeshin të qeshur, teksa jashtë, përqark, në rrugë, kudo, dukej se kishin mbetur të pavendosurit, ata që e kishin humbur guximin për shkak të izolimit të gjatë dhe privimeve të pafundme. Edhe këto ditë mëdyshës, të menduar... Dhe askush nuk shkonte ndërmend të pyeste ç’bëhej me ata që e kishin mbajtur mbyllur këtë vend. Ku ndodheshin këto ditë, këto orë, ku...
E lashë kryeqytetin si zakonisht. I kaloja fundjavët larg kryeqytetit. Mezi prita të arrija në apartamentin e vogël përdhes, me lagështirë, në një qytet të vogël të këtij vendi të vogëluar papushim, mpakur e harruar, në mes të dhèut. Më jehonte brohorima “E duam atdheun si Europa”. Njerëzit e lodhur nuk prisnin dot të ndodhte bërja Europë aty ku ishin: u nisën për atje. Europa?! Eh, ajo! Nëse dikur do gjente ngè, nëse do binte ndërmend, do mbërrinte këndej pari shumë vonë, kur rrallëkush do kish mbetur...
Mos thuaj s’të shkoi ndërmend të ikje, më tha gruaja.
Po..., por nuk provova mëdyshje.
Thjesht je i pavendosur! Po të isha me fëmijët atje, do të ishim mes të ikurve!
Mbase, thashë, pa shkak të kundërshtoja, duke kujtuar se autobuzi me të cilin kisha lënë kryeqytetin qe thuajse bosh. Në kahjen e kundërt nxitonin makina, zetorë, xhipsa, karroca e qerre, njerëz që udhëtonin në këmbë drejtë kryeqytetit. I gëzoheshin shansit për të dalë, andej matanë. Shkuarja në Europë nëpërmjet ambasadave ishte rruga më e shpejtë...
PS:
Eshte fragment i shkeputur nga romani esse "Atdhe Tjeter", botuar nga Shtepia Botuese "MILOSAO".
Comments
roman apo reportazh eshte ky
<p>roman apo reportazh eshte ky ?</p>
Romani-esse “Atdhe Tjetër” i
<p>Romani-esse “Atdhe Tjetër” i Faruk Myrtaj për mua është një nga arritjet letrare më të shquara që në kushte normale, sikur letërsia të gjente hapësirën e saj të vemendjes, do të ishte një ngjarje për t’u përshëndetur. Në fakt e përshëndesim ne të rretheve letrare larg atdheut, me pa mundësinë që t’ia imponojmë opinionit publik syhapjen mbi një shkrimtar mjaft prodhimtar, të prozës së shkurtër dhe të gjatë, me pamundësinë që t’i gjejmë e ofrojmë këtij shkrimtari të talentuar, një Pallat Brigadash dhe një prani flakëruese politikanësh që për ngjarje letrare mblidhen më shumë për t’i shërbyer botës së shëmtuar të politikës, se sa botës së librave. Megjithë shkrimet tona recensionale nuk arrijmë dot të zgjojmë mekanizmat e natyrshëm administrativë dhe përzgjedhës që ka çdo vend normal për të vlerësuar angazhimin e këtij shkrimtari në temat e rëndësishme të kohës, ku tema e përjetshme e arratisjes mbetet ende nga më prekëset</p><p> Është një temë fort e preferuar e shkrimtarit Faruk Myrtaj ku sidomos në romanin e tij të bukur, “Atdhe Tjetër” nga i cili Respublica i ka bërë vend kësaj copëze, me ndjeshmëri të lartë autori shfaq dhimbjen për eksodin masiv të shqiptarëve, të cilët të gënjyer,dhe përjetësisht të zhgënjyer, nisen drejt të panjohurës që është edhe joshëse edhe e pasigurtë, por gjithnjë më e mirë se në atdheun e parë, aty ku njerëzit prisnin shumë. “Turmat e emigrantëve të sotëm lëviznin në kahje të kundërt me ushtritë pushtuese dikur” e përkufizon Faruk Myrtaj në një figurë paralele në lëvizje dhe në një denatyrim të shqiptarëve (“Atdhe Tjetër”, fq. 65). Është një libër që figurativisht sfidon historinë e letërsisë duke sjellë figurën e Antipushtimit. Askush më mirë se ky autor nuk ka mundur deri tani të na sjellë një sprovë psikoanalitike të përshtatjes së bimës së shkulur që hyn në një dhè të ri.</p><p>E rekomandoj nxehtësisht romanin e këtij prozatori, nga autorët më të mirë që ka sjellë letërsia shqipe në këto dy-tre dhjetëvjeçarët e fundit. Do të ishte vlerë e jashtzakonshme prania në antologjitë letrare dhe librat e këndimit të disa tregimeve të shkurtër, perla letrare që do të qendronin ballëlart në tregun ndërkombëtar bashkëkohor. Është e trishtueshme tek sheh klentelizmin e këtyre kohëve që synon edhe meidanin tonë të vlerave letrare. Lamtumirë konkurse me regjistrime pjesëmarrsish, lamtumirë qendra të organizuara dhe të përgjegjshme të kritikës letrare! Tani botimet janë bërë det dhe përzgjedhja e veprave për të konkuruar bëhet subjektivisht me stilin peshkues. Ministria përkatëse i gëzon krijuesit dhe lexuesit me shpalljen e papritur të ca fituesve duke nxjerrë në plan të parë mosbesimin dhe duke u bërë dëm edhe vetë fituesve. Kërkoj ndjesë nëse gabohem në këtë vërejtje, pasi edhe unë në detin e botimeve, me të njëjtin stil, nuk arrij dot të ze çka më të bukur në treg. Mediat nuk më ndihmojnë, largësia, sigurisht, jo e jo, dhe unë sinqerisht do të gëzohesha nwse do tw gjeja arritje më të vlerta se këto të shkrimtarit Myrtaj. Dhe do të gëzohesha sidomos po të ishte e tillë ajo e Pallatit historik të Brigadave!</p>
Add new comment