A na mjafton Dielli?
I ftuar në një nga të shumtat emisione politike televizive një nga figurat më domethënëse të socialistëve u bëri thirrje njerëzve që të mos merren kaq shumë me politikë, por të shijojnë jetën aq sa kanë mundësi. Ai madje citoi edhe dy ngjarje shumë të rëndësishme të Tiranës apolitike: vënien në skenë të një drame dhe derbin e famshëm Tirana-Partizani. Sigurisht që bëhej fjalë për çështjen “Doshi”. Deputeti me këtë rast donte të na thoshte që të merremi me gjëra të tjera me të cilat është e mbushur dhe e stërmbushur plot jeta dhe të mos futeshim në vorbullën e pafund që ka hapur kjo çështje.
Nëse, me këtë që tha, nuk ka pasur ndërmend që të minimizojë rëndësinë e kësaj afere erëkeqe bash e në kreun e kupolës së shtetit, apo nëse me këtë që tha ka pasur parasysh të thotë që na lini rehat të zgjidhim vetë këtë ferrë që po na rrotullohet ndër këmbë, nuk e ka edhe fort mirë. Sepse një çështje e përmasave të tilla nuk është më vetëm çështje e drejtësisë, apo vetëm e socialistëve, e aq më shumë vetëm e politikës. Kjo punë është e të gjithëve, sepse kjo rrumpallë, ku të gjithë shajnë të gjithë, ka të bëjë me të ardhmen tonë dhe të fëmijëve tanë. Direkt, pa asnjë diskutim, pa asnjë mëdyshje, deri në palcë ajo prek, ose duhet të prekë secilin individ në Shqipëri.
Nëse me atë dëshirën në formë shfryrjeje deputeti ka dashur të thotë se ne merremi ca si shumë me politikë, atëherë ka pasur plotësisht të drejtë, megjithëse edhe ai vetë, duke qenë me një goxha eksperiencë në politikë, është bashkëthemelues, së bashku me kolegët e krahut tjetër politik, i një sistemi të jetuari ku lidhja me politikën, dhe pra edhe tifozllëku për të, është ende faktor bazë i ekzistencës së shumë individëve. Nëse kemi parasysh antimitingun “spontan” të së enjtes në portat e LSI-së do të kujtohemi për plot e plot gjëra që ende i marrim si krejt normale. Sido që të jetë puna, duket se me vetëdije apo pa dashur ia kemi bërë qejfin deputetit në fjalë. Derbi Tirana-Partizani u ndoq nga mijëra vetë dhe dje Dita e Verës dukej sikur nuk donte t’ia dinte fare për politikën.
Nuk ishte se si të ndodhte ndryshe. Dielli, Toka, Hëna as që vranë mendjen se çfarë ndodhte në ballafaqimin Doshi-Bami dhe as në deklaratat e palëve të interesuara.
Dita e Verës, festa e ringjalljes së natyrës, me një traditë mijëravjeçare, jetë e mot e festuar kryesisht në Elbasan, por më parë edhe në krahina të tjera të vendit, është gëzimi i njeriut për daljen nga errësira në dritë, nga hija në diell, nga acari në gjallëri, nga gjumi i gjatë në shpresë dhe në gëzimin për të jetuar. Është një festë që festohet në mënyra dhe data të ndryshme anekënd vendit. Ndonjë qytet madje, si për të dashur të dallohet prej të tjerëve feston Natën e Verës. Është një shenjë që paraardhësit tanë na kanë lënë që në kohët kur viti ndahej thjesht në dy stinë, në verë dhe dimër dhe në dy nënndarje që ishin gjysmëvera dhe gjysmëdimri. Ishin kohët kur të parët tanë orientoheshin nga solsticet dhe ekuinokset. Thua dhe atëherë të kenë qenë kaq shumë të dhënë pas politikës? Pyetje e vështirë! Më mirë të vazhdojmë më tej…
Meqë ra fjala te lidhja mes politikës dhe festave. Edhe dje, me gjithë elegancën e përmbajtur të liderëve të të dy krahëve, Elbasani i pati ata sërish mes vetes. Bëmë, ç’bëmë, u hoqëm sikur se kemi mendjen te politika, apo te tifozllëku e ndoqëm edhe ndonjë lajm që vjen nga ajo “fushë e minuar”. Tekefundit mbase nuk ka rrugë tjetër. Një ndër paraardhësit, më jetëgjati i politikanëve të sotëm, Enver Hoxha, pat mbajtur një fjalim më vete pikërisht mbi rëndësinë e festave në “mobilizimin e masave punonjëse”. Tani e kemi fort të qartë se çfarë kuptonte ai me këtë “mobilizim”, por më e rëndësishmja është se ky fjalim, i cili u jepej si leksion deri nga fundi i viteve ’80 studentëve të Historisë dhe të Etnografisë, kritikonte të gjithë ata aparatçikë të cilët festat e dënuara si Pashkët, Krishtlindjet, Bajramin, ditët e shenjtorëve nuk i kishin zëvendësuar me festa të tjera si themelime brigadash, ditëlindje udhëheqësish, përvjetorë çlirimesh, përkujtime themelesh e gjëra të ngjashme. Me një fjalë ai e kishte kuptuar se njerëzia feston pa urdhër, madje edhe pa pasur kalendarë. Njerëzia feston si në luftë ashtu edhe në paqe, si në skamje ashtu edhe në pasuri, si në shi edhe në diell. Është gjeni, gjaku, kushtrimi i të parëve, ngulitjet e thella në subkoshiencë ato që na bëjnë që hera-herës të mblidhemi bashkë. Se sa na vjen për të festuar dhe se çfarë kemi për të festuar kjo është krejt një tjetër punë.
Në këtë kuptim, askush nuk e vinte në dyshim se Festa e Verës do të ishte edhe sivjet një hare e madhe, një dëfrim i madh, një kënaqësi e madhe, por në Elbasan që sot me siguri do të pyesin: “I hangëm ne ballakumet. Po nime?” (I hëngrëm dhe ballakumet. Po tani?).
Festat janë të bukura pikërisht se vazhdojnë pak, përndryshe do të ktheheshin në të kundërtën e tyre. Mbase jo që sot, por të hënën do të rinisë ritmi i përditshëm i shqiptarëve në betejën e vjetër për jetën. Politika do të nisë tërsëllimën e saj të vjetër me sharje dhe kundërsharje, burime nga Prokuroria do të vazhdojnë të rrjedhin duke thënë se dëshmitarët kundërshtojnë njëri-tjetrin, afera do të diskutohet edhe për do kohë derisa njerëzit të mërziten me të, sikurse u mërzitën me Gërdecin apo me 21 janarin, çdo gjë do të kthehet sërish si më parë duke pritur një aferë të re. Ndërkohë, në intervalet mes dy aferave ne do vazhdojmë pa dyshim të festojmë festat që na dalin para. Absolutisht të gjitha festat, jemi apo nuk jemi popull i hareshëm apolitik? Toka do vazhdojë të rrotullohet rreth Diellit me të njëjtin ritëm dhe ne do gëzojmë sa herë që dimri ia lë vendin pranverës. Mirëpo, pyetja e përvitshme është: A na mjafton vetëm afrimi i diellit që të jemi të kënaqur?
"Shqip"
Add new comment