Shqipëria 2022
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/default_images/no-photo_0.jpg?itok=QGFmpan5)
Në një shkrim të para dokohshëm, Ermal Hasimja i bënte një analizë gjendjes politike të Shqipërisë, duke u munduar të parashikojë zhvillimet që do të sjellë dhjetëvjeçari i ardhshëm. Në thelb, argumenti i z. Hasimja është ky: 1) trashëgimia politike e tranzicionit krijon një inerci të pandryshueshmërisë së sistemit politik; 2) politika aktuale përfaqëson denjësisht popullin shqip-tar, sepse populli ka nivel të ulët; 3) konsolidimi institucional dhe ndikimi i ndërkombëtarëve nuk mund të devijojnë qëllimin e parisë politike për të mbledhur pushtet dhe pasuri për vete dhe për ndjekësit e tyre. Si rrjedhojë, sipas autorit, do të ishte naivitet të prisnim një ndryshim rrënjësor në skenën politike shqiptare gjatë dhjetë vjetëve të ardhshëm. Sikurse, z. Hasimja i mëshon proverbit ”Çdo popull meriton qeverinë që zgjedh”, duke nënkuptuar që fajin e ka masa e popullit. Këto argumente të “paevitueshmërisë së sistemit”, “rezinjatës kolektive” dhe “fajin e ka gjindja”, po shfaqen shpesh e më shpesh këto kohë në shtyp dhe mediat elektronike.
Mirëpo, argumenti i z. Hasimja është i paplotë dhe del në përfundim të gabuar sepse merr si të mirëqena të gjitha supozimet që përdor paria politike për të kontrolluar lojën politike. Në gjykimin tim ekzistojnë të gjitha mundësitë teorike dhe reale që forca të reja e me energji si Aleanca Kuqezi apo ndonjë tjetër e pashpallur deri më sot të ndryshojnë panoramën e politikës. Ky ndryshim do të bëhet real, i prekshëm dhe i realizueshëm kur qytetarët të vendosin se ka ardhur dita për të krijuar një shoqëri me vlera dhe të lirë, një sistem demokratik funksionues dhe një klasë politike në shërbim të qytetarit, e jo në sundim të tij.
Së pari, argumenti i z. Hasimja bazohet te supozimi që sistemi politik siç është i konfiguruar sot, është e vetmja alternativë e mundshme. Mirëpo sistemi plutokratik në Shqipëri nuk është rrjedhojë e paevitueshmërisë historike, por zgjedhje e menduar mirë nga paria politike. Politikës aktuale i nevojitet një sistem jo ideologjik, i pambështetur në vlera të qëndrueshme morale dhe thellësisht pragmatik si ky i sotmi, sepse aty është çelësi i pushtetit të saj. Vetëm me anë të këtij sistemi klasa aktuale politike ka arritur të krijojë legjitimitetin që i duhet për të pasuruar veten me anë të pushtetit. Por kjo nuk sjell domosdoshmërisht në përfundimin se qytetarit shqiptar i mungon aftësia gjykuese kritike apo sensi moral. Përndryshe nuk do të mund të shpjegohej pakënaqësia masive me politikën, e cila del nga të gjitha sondazhet. Thjesht këto janë zgjedhjet që i jepen qytetarit dhe në mungesë të alternativave pranimi i status quo-së nëpërmjet heshtjes mbetet mjeti më i volitshëm. Kur politika kontrollon ekonominë (bukën e gojës) me anë të pushtetit, qytetari zgjedh të keqen më të vogël, stabilitetin e mbijetesës për vete dhe familjen. Ndaj besoj se në këtë pikë, z. Hasimja ngatërron injorancën dhe mangësitë kulturore me urtësinë dhe maturinë e shqiptarëve.
Kjo nuk do të thotë që popullit i është shuar vetëdija e së mirës, e lirisë dhe e qytetarisë. Sidomos në vitet e fundit Shqipëria ka krijuar një brez të rinjsh të përgatitur brenda dhe jashtë kufijve, të cilët kërkojnë të krijojnë një mjedis politik të ndershëm, demokratik e me rregulla të qarta. Ngjizjes së një alternative të tillë – paçka se deri më tash një hipotezë vetëm teorike – i tremben më së shumti prijatarët aktualë, të cilët ndryshe nga militantët që u shkojnë pas, e kuptojnë më së miri brishtësinë e fortesës që kanë ndërtuar. Ata përdorin kooptimin, bashkëpërlyerjen, por edhe argumentin se “kaq kemi se kaq meritojmë” si teknika për t’u ruajtur nga ky rrezik i përhershëm.
Kjo më sjell te supozimi i tretë i gabuar i z. Hasimja. Megjithëse sistemi plutokratik u ka mbijetuar trysnive të mëdha, arsyeja për këtë është vullneti total i politikës për të ruajtur sistemin. Përplasjet e egra vijnë për të siguruar llokmën më të madhe të privilegjeve që vijnë prej tij. Ruajtja e sistemit bëhet me anë aleancash fluide, me marrëveshje para e pas kulisave, por, mbi të gjitha, me mirëkuptimin se sistemi duhet ruajtur me çdo kusht. Prishja e “marrëveshjes” nuk i shërben asnjërës palë. Mirëpo, në kushtet e sotme askush nuk mundet të garantojë se sa mund të zgjasë ky lloj “mirëkuptimi” politik, madje as vetë krijuesit e tij. Realitetet politike janë fluide, rrethanat ekonomike ndryshojnë, por nganjëherë ndikon edhe procesi psikologjik i “mbushjes së kupës”. Kjo ndodh edhe sepse me krizën ekonomike aftësia e politikës për të blerë mbështetje me anë të të mirave publike zvogëlohet, ndërkohë që qytetarit të thjeshtë i ngushtohet laku i mbijetesës. Siç pranon edhe Hasimja, rotacionet politike midis palëve nuk kanë ndonjë ndikim në jetën reale të qytetarit. E nëse status quo-ja nuk ia garanton më “mbijetesën”, nuk ka më asnjë arsye për qytetarin të mbështesë në heshtje një sistem që nuk i siguron kushtet minimale.
Pra, duke marrë parasysh krizën ekonomike, politike dhe morale të shoqërisë, ka premisa për ndryshime thelbësore sistemike. Ato mbeten në varësi të disa faktorëve si gatishmëria e elitave potenciale për t’u angazhuar në një betejë të vështirë me sistemin në shërbim të publikut, lidhja pas një ideologjie të qartë e koherente dhe vendosja e interesave publike mbi ambiciet e natyrshme individuale. Sigurisht që kjo nuk mund të bëhet nga shkarravina të ricikluara të sistemit dhe kërkon ideologji të qartë e angazhim nga shumë shtresa të shoqërisë. Por, në asnjë rast nuk ka vend për konstatimin se asgjë nuk mund të ndryshojë. Për të cituar Heraklitin: “Kurrë nuk i lagim dot këmbët dy herë në të njëjtin lumë”.
Për ta përmbledhur, argumenti i z. Hasimja nuk përkon me realitetin dhe është i mangët. Ai ka nevojë të përplotësohet dhe të zhvishet nga supozime të pasakta, të cilat të çojnë në përfundimin e gabuar se asnjë ndryshim nuk është i mundshëm në dhjetë vjetët e ardhshëm. Në fakt, faktorët ekonomikë, politikë dhe shoqërorë të evidentuar këtu demonstrojnë të kundërtën.
Panorama
Add new comment