Gjakmarrja si tragjikomedi
Kanuni i Lek Dukagjinit është ndër ato vepra që pati një shpërthim të furishëm në tregun e librit fi ll pas përmbysjes së diktaturës. Në mos gabohem, pati disa edicione. Ishte një kuriozitet si ndaj gjithë veprave të penguara të kohës së shkuar, apo shkonte përtej saj? A mund të kishte primitive, që duke e menduar demokracinë një të drejtë pa kufi, të besonin se kishte ardhur koha e kthimit në “traditë”, në administrimin me ligje tribale? Nuk dua ta besoj, por me ç’po dëgjojmë në këto vite tranzicioni dhe me ç’po ndodh, asgjë nuk mund të përjashtohet. Nuk dua të besoj gjithashtu që ky ishte një subversion, po gjithsesi jam i bindur që botimi erdhi në një kohë të papërshtatshme, kjo për arsyen e një koincidence fatkeqe, sepse përkon me një boshllëk në legjislacionin shqiptar. Kjo ka të bëjë me heqjen nga puna e gjykatave të kodit penal të periudhës së diktaturës. Ky vakum legjislacioni që nuk e imagjinoj dot si mund të jetë përballuar, vonoi dy-tre vjet për t’u mbyllur, derisa doli kodi i ri penal. Jam i bindur se Gjeçovi i madh asnjëherë nuk do ta ketë menduar se mund të zinte vend në legjislacionin shqiptar qoftë edhe një paragraf i vetëm i Kanunit të tij. Ai e mblodhi dhe e interpretoi atë si një monument historik, shpirtëror dhe folklorik të popullit, duke qenë tepër i kthjellët si për vlerat, si për negativitetin e tij. Gjithë e keqja e “ringjalljes” së Kanunit qëndron në faktin se nuk u respektua raporti i mësipërm dhe Kanuni u servir vetëm si vlerë.
“Kanuni” i Lek Dukagjinit mbështetet në disa kolona, ku patjetër, një ndër kryesoret është gjakmarrja. Është kapitulli që do të tërheqë vëmendjen më të madhe dhe do të eklipsojë edhe ato paragrafë, që flasin për një fisnikëri dhe humanizëm të madh të popullit shqiptar, kur thuhet se nuk mund të qëllohet në prezencë të gruas shtatzëne. Mendimi që gruaja shtatzënë është si maza e tamblit, që mund të çahet nga një krisëm arme, është një madhështi biblike, por kjo dhe plot madhështi të tjera si kjo nuk kanë asnjë vlerë për ata që e panë dhe e shohin Kanunin si revansh. Atyre u intereson vetëm paragrafi më i egër i tij: GJAKU LAHET ME GJAK!
Për gjakmarrjen kanë shkruar shumë studiues të huaj dhe vendas. Më ka tërhequr vëmendjen njëri, eseisti i madh, Kerlezha. Ai jetoi në një cep te Ballkanit, në Kroaci, por i njihte mirë problemet e gadishullit dhe në një mënyrë të veçantë, problemet shqiptare. Kerlezha thotë që gjakmarrja në Shqipëri e ka burimin nga pakësimi i tokës. Ndaheshin familjet e mëdha patriarkale, ndahej edhe toka, por ndërsa popullsia shtohej, toka mbetej po ajo. Historiani i shquar kosovar, i ndjeri Zekiria Cana, fliste për një ballafaqim me një historian serb për çështjen e gjakmarrjes. Sipas historianit serb gjakmarrja shqiptare ishte gjenetike dhe ajo nuk mund të ndalej. Në radhë të parë ky historian nuk di të diferencojë gjakmarrjen nga hakmarrja. Vetëm hakmarrja mund të jetë gjenetike, po për ato ekuilibra që vendos natyra dhe që njeriu i ka kopjuar prej saj. Gjakmarrja nuk mund të jetë gjenetike, sepse gjenetikisht një popull ndryshon nga një tjetër vetëm 01%, pra ne shqiptaret jemi të ndryshëm nga suedezët, norvegjezët dhe finlandezët vetëm 01%. Kjo është diçka krejt e papërfillshme. Po të mos ishte kështu, sipas lajthitjes së historianit serb, gjakmarrja do të bënte kërdinë edhe te nordikët. Në debatin me kolegun serb (që pretendonte se mundohej ta shihte problemin mbi një platformë shkencore dhe jo nacionaliste), Zekiria Cana thoshte se ka pasur një moment historik në Kosovë që është arritur ndalimi i gjakmarrjes dhe këtë e ka bërë prefekti i Prishtinës Riza Drini, duke shfrytëzuar institucionin e besës. (Shpresoj se lexuesi do të më kuptojë, pasi nuk kisha sesi të mos e përmendja këtë fakt të ideuar e realizuar në Kosovë nga im atë). Gjakmarrja, që në vetvete ishte një paradoks mbi kurrizin njerëzor, kthehej në një paradoks të dyfishtë në Kosovën e pushtuar nga serbët. Cili ishte armiku i vërtetë i shqiptareve të Kosovës, shqiptari me të cilin kishte nisur një gjak të vjetër për një gardh a një vije uji, apo serbi që i kishte vënë çizmen në fyt? Ishte një kohë kur djemtë më të shquar të Kosovës i rrallonte pushka e gjakmarrjes dhe serbët fërkonin duart, ishte një kohë që nuk na nderon fort, sepse, ndërsa vrisnim njeri-tjetrin, mezi dëgjohej një pushkë njëherë në dhjetë vjet kundër serbit zullumqar...Këto argumente të prefektit të Prishtinës dhe të tjera si këto, do të përdorte dekada më vonë për të penguar rrjedhjen e gjakut mes shqiptareve, humanisti i madh i Kosovës, Anton Çeta.
Historikisht gjakmarrja në Shqipëri dhe në Kosovë përkundet në një djep emfaze historiko-folklorike të tipit Gjergj Elez Alia. Nëse Gjergj Elezin mund ta justifikosh, nuk mund të justifikosh kurrsesi kopjuesit e këqij të tij. Atë e rrethon një atmosferë kalorësiake, por kjo atmosferë baltoset kur gjakësi vret në pritë i fshehur pas një ferre. Gjakmarrjen e rrethon në përgjithësi një egërsi ekzotike dhe me tone të çuditshme ekzaltimi, që kanë shërbyer për keq, në shtimin e radhëve të atyre që nderin kanunor e kanë vendosur përpara jetës. Këtij ekzaltimi nuk i kanë shpëtuar as pena të njohura botërore, si Merimeja me Kolombon në Korsikë. Nuk besoj që kjo linjë na bën të ngjashëm me korsikanët, siç është folur shpesh, nuk besoj, se ua kemi kaluar atyre. Besoj se nuk duhet të ketë gjakmarrje sot në Korsikë...
Shpesh kam menduar, por edhe mund të gabohem, që qeveri të ndryshme deri në 44-ën zonat malore ku ishte e përhapur gjakmarrja i kanë konsideruar si rezervate. Ndërmerrej ndonjë aksion në të rrallë kundër ndonjë vrasësi, por ishin krejtësisht të kënaqur nëse gjakmarrja mbetej atje lart në malësi dhe nuk zbriste poshtë. Mbi “rezervatet” shteti kishte një ndikim të dobët dhe realisht ata ishin nën administrimin e bajraktarëve dhe të pareve të fshatrave, të cilët jo gjithnjë ishin në lartësinë e rolit të tyre. Me ardhjen e regjimit komunist, pati një përmbysje drastike të kësaj gjendjeje dhe gjakmarrja pushoi. Arsyet mund të gjenden tek dënimi kapital pa asnjë përjashtim, te grumbullimi absolut i armeve (një armë pa leje mund të të çonte para një toge pushkatimi), tek jeta kolektive ku ishte më e lehtë të kontrollohej gjithçka. Të ashtuquajturat fushata të herëpashershme kundër “patriarkalizmit dhe zakoneve prapanike”, që ngërthenin në vetvete faktorë represivë dhe që vendosnin kontrollin e plot mbi zonat rurale, mund të kenë ndikuar indirekt për ndalimin e gjakmarrjes. Për ta thënë shkurt, gjakmarrjen e ndaloi absolutizmi i shtetit, element i papërdorshëm në demokraci. Është me interes të përmend këtu perifrazimin që i bëri një njohës i këtyre problemeve alarmimit tim. “Gjakmarrja po rikuperon në mënyrë të vrullshme kohën e humbur në diktaturë” - tha ai. Më tej shtoi se “nëse gjatë kësaj periudhe do të ishin përdorur metoda më të buta dhe më humane, sot punët mund të ishin më ndryshe”. Ndaj të njëjtin mendim me të. Diktatura nuk bëri tjetër veçse e mbajti “të ngrirë” problemin.
Ndryshimi i sistemit përkon me ndryshime të mëdha demografike. Gjaku zbret poshtë së bashku me ata që do të braktisin zonat rurale. Është interesant se në shumicën e rasteve kjo braktisje është pothuaj në bllok, si fshat, si lagje, si fis. Ndërtojnë vila për t’ua pasur zili, sepse janë punëtorë të mëdhenj, por brenda tyre nuk ndryshon as mentaliteti, as psikologjia, as mënyra e të jetuarit në mal. Pothuaj të gjithë zënë vend në zona periferike, ku kanë mundësi të vendosin një demarkacion evident me autoktonët e qytetit. Duke qenë kështu, janë zona ku takohen rrallë polici, përmbaruesi i faturave elektrike dhe taksambledhësi i bashkisë. Banorët e këtyre zonave kanë një “gen” energjik përpara të cilit ndikimi qytetar nuk luan ndonjë rol të rëndësishëm. Fjalës magjike integrim nuk po i mjaftojnë dy dekada për t’u mbarështuar. Nisin ngujimet e para. Komuniteti e kalon këtë me ca mornica nëpër trup dhe asgjë më shumë. Madje, është disi humoristik me atë idenë për të ndihmuar fëmijët e ngujuar përmes mësuesve shëtitës. Një ide e dështuar pa filluar, sepse komuniteti dhe vetë shteti duhet të mendonte për t’i shkulur nga ngujimi dhe jo për t’i konservuar aty brenda.
A janë një shpresë komisionet e pajtimit të gjaqeve që mbijnë si kërpudhat? Janë iniciativa humane apo biznes? Është normale që ato procedojnë paralel me legjislacionin shqiptar, duke përdorur një “legjislacion” të vetin! Mjaft nga këto komisione, sa janë tragjike në “misionin” e tyre, aq janë edhe komike. Anëtarët e tyre janë përgjithësisht në një moshë të thyer, me një arsimim të papërfillshëm dhe me profesione të rëndomta në të kaluarën. Janë të shkathët, e njohin mirë psikologjinë e malit dhe mentalitetin e tij. Përdornin gjuhen e dy shekujve përpara dhe argumentet e po kësaj kohe, sepse, sipas tyre, vetëm gjuha e “ngrire” e gjakmarrjes, mund ta “shkrije” gjakun. E gjithë kjo pastaj është një ritual më vete, që mund të arrijë deri në kohërat pagane. Në Kanun ka një paragraf ku thuhet se dera e Kapedanit është derë gjyqi, dhe se për një gjykim duhet paguar me 500 grosh, ose me një pendë qé. Këtë paragraf është në gjendje ta riprodhojë besnikërisht edhe anëtari më i rëndomtë i këtyre komisioneve, lere pastaj që ideja për të qenë “një derë gjyqi” u ka dhënë shumë shpresa këto dy dekada këtyre komisioneve, përderisa shoqëria civile ka qenë e fjetur. Ka pasur shume iniciativa nga shoqëria civile, që janë shuar pa filluar mire, sepse e kanë konceptuar luftën kundër gjakmarrjes me postera, me kumtesa dhe simpoziume shkencore. Kujt i shërbejnë? Ata që vrasin nuk duan t’i lexojnë dhe as që mund t’i lexojnë, se janë kthyer në analfabetë këto dy dekada. Brenda kësaj kohe, në trevat e Veriut, është vërtitur një kaçurel humoristik prej 50-60 deputetesh dhe ndofta më shumë. Qofsha i gabuar, por nuk di që ndonjëri prej tyre të ketë ngritur në Parlament me forcë problemin e gjakmarrjes, nuk di që ndonjëri prej tyre të ketë trokitur në një derë të ngujuar, apo derë gjakësi.
Çfarë nuk shohim në ekranet e televizionit publik dhe ato private, po nuk pame kurrë aty një mendje të zgjuar nga burrat e vjetër të maleve të dalë dhe të anatemojë gjakmarrjen. Mund të nxjerrësh dhjetë filozofë aty, por pa asnjë dobi, sepse pretendenti për të derdhur gjak mund të dëgjojë vetëm të parin. Kjo sepse vetëm ai mund ta “çlirojë” nga barra patriarkale e gjakut, sepse është nga i njëjti “lloj”. Është pothuaj identik me atë që rrëfehet te një klerik. Kjo mund të duket primitive, por nuk i duket kështu atij që nuk e di pse shërben një librari. Televizioni publik i ka mundësitë që të ketë një emision permanent për gjakmarrjen. Është e drejte që ai kërkon njerëzit e humbur nëpër botë, por do të ishte edhe më e drejtë të pengonte njerëzit që po na humbasin përditë. Të jetë një emision që të godasë si martel i rëndë.
Njerëzit e krimit mendojnë se e kanë të drejtën e dhunës. Fatkeqësisht ata kanë një mbështetje “teorike” në interpretimin personal që i bëjnë Kanunit të Lek Dukagjinit. Filozofi gjerman Dieter Senghaas mendon ndryshe rreth kalimit të shoqërisë primitive në shoqëri të civilizuar. Në teorinë e tij, që e ka quajtur “Hegzagon i civilizimit”, ai mendon që është shteti ai që duhet të ketë monopolin e dhunës. Vetëm një “çarmatosje e popullsisë”, shpronësimi i saj nga dhuna, bën të mundur që dinjiteti i njeriut dhe konfliktet e interesit të mbrohen dhe zgjidhen pa dhune. Ndryshe do të kemi të bëjmë me një diktaturë të re, puro sundim të të fortit. Është e tepërt të thuhet këtu që Sanghaas, monopolin e shtetit mbi dhunën, e sheh brenda kornizave të demokracisë.
Kanuni i Lek Dukagjinit ka vlerat e veta social-historike dhe shpirtërore, por jo të përkëdhelet deri aty si “guri themelor në konstituimin e kombit”, siç dëgjohet andej-këndej. Është një kohë teprimesh dhe në këtë kohë teprimesh nuk është për t’u çuditur nëse del dikush dhe thotë qe gjakmarrja nuk duhet penguar se hyn në të drejtat e njeriut.
GSH
Add new comment