Demokracia e oligarkisë

Postuar në 04 Gusht, 2012 05:30

Në fillim të 1997 një politikan i djathtë përgatitej për një takim diplomatik dhe problemi kryesor i tij ishte se i mungonte një kostum serioz ceremonial. Dikush doli vullnetar dhe ia dha për 24 orë. Sot ai është një nga 20 politikanët më të pasur, sipas deklaratave në ILDKP. Po atë vit dy politikanë të majtë erdhën në qeveri dhe u ndeshën me të njëjtin preokupim: nuk kishin kostume serioze siç përcaktohet në protokollin yrtar të pritjes. Edhe për ata menduan kolegët, ndonjë bodigard apo biznesmen pranë politikës. Edhe ata janë në grupin e sotëm të 20 më të pasurve. Më 2005 një tjetër politikan e mori detyrën në ceremonial zyrtar me një kostum bezhë e këmishë me vija. Sot ai është ndër milionerët e rinj dhe kostumi i tij ditor kushton dyfishi i rrogës së Presidentit. Referuar Bankës Botërore më 1991 në Tiranë numëroheshin vetëm 34 persona milionerë, sot 45 milionerë ndodhën në parlament dhe qeveri. Janë detaje të shumta me një simbolikë të veçantë: Shqipëria ka krijuar një strukturë sociale informale, me hendek të madh midis shumicës qytetare dhe pakicës së pasur, dhe me hendek akoma më të madh midis pasurisë që vjen nga biznesi konkurrues dhe asaj që vjen pa konkurrim e biznes, pra si produkt i postit, pushtetit, lidhjeve dhe vendimmarrjeve politike.
Shqipëria, si çdo vend tjetër, ka biznesmenët e saj. Një pjesë e fituan paranë përmes mundimesh të mëdha, sakrificash të panumërta të mbijetesës ekonomike nga Sofia, Ankaraja e deri në Pekin. Disa prej tyre vunë në punë dhe shërbim publik njësi prodhimi të braktisura, krijuan ekonomi konkurruese dhe ishin e mbetën kontribuues me rëndësi në politikat sociale të shtetit. Të kësaj kategorie janë një pakicë ish pronarësh që përfituan nga rivlerësimi i pronës, ata që guxuan të parët të rrezikonin me privatizimet lokale, ata që arritën të shndërrohen në filiale të kompanive të njohura perëndimore ose ata që i mbetën besnikë origjinës dhe objektit të biznesit të profilizuar fillestar. 
Një pjesë tjetër biznesmenësh, e përbërë kryesisht nga efektiva të policisë sekrete, ushtarake, njësive speciale, doganierë, gjykatës, punonjës të policisë financiare/tatimore, drejtues kooperativash, ndërmarrjes bujqësore apo enteve publike të prodhimit, zyrtarë përgjegjës për librat, ilaçet, karburantet, energjinë, etj, - e nisën angazhimin zyrtar me kostume të marra borxh dhe sot, vijojnë të imponohen si shtresa elitare e biznesit, me rol me rëndësi në fushata elektorale, vendimmarrjet politike, ngjarjet politike, si dhe me lidhje të forta e publike me politikën e majtë dhe të djathtë. Ata nuk janë hetuar kurrë mbi burimet e biznesit, (edhe kur ka ndodhur hetimi, dosjet janë mbyllur në gjykata), dhe siç thoshte Soros, pranojnë të tregojnë gjithçka lidhur me pasurinë e tyre me përjashtim të faktit se sesi fituan milionat e para. Ka një kategori të tretë biznesi, që mbijeton përmes lidhjeve të duhura administrative dhe politike, me pamundësi (pagesa të shumta informale) të bëhet më e pasur, por e destinuar të mbetet mjaftueshmërisht e pasur. 
Fenomene dhe kategorizime të tilla biznesi janë të njohura në vende të tjera ish komuniste, si në Rusi, Bullgari, Rumani, Serbi, Kroaci, Malin e Zi, Maqedoni etj. I njohur mbetet edhe fakti se nga të gjitha këto kategori, kategoria e dytë, e biznesit me lidhje politike, mori vëmendjen kryesore në tranzicion, kryesisht për shkak të aftësisë së tyre për të imponuar rregulla të reja biznesi dhe të vendimmarrjes politike. Në disa prej këtyre vendeve demokracia shpesh mori formën e oligarkisë, ku një grup individësh, me lidhje politike e biznesi, mori kontrollin e pasurive publike, medias, institucioneve dhe vendimmarrjes ligjore. E tillë mund të konsiderohet edhe modeli politik shqiptar dhe ky kriter përbën gur themelin dallues midis demokracisë së vlerave dhe asaj të oligarkisë. 
P.sh, në Lituani parlamenti shkarkoi Presidentin sepse ai u pa në shoqëri me një shtetas rus të akuzuar për trafik armësh e kontrabandë. Në Shqipëri ndodh e kundërta: shteti vihet në dispozicion të një shtetasi të huaj të akuzuar për të njëjtën vepër penale, madje të gjitha institucionet e sigurisë kombëtare urdhërohen publikisht të japin sqarime përpara tij. Në Gjermani bashkëshorti i kancelares Merkel udhëton me biletë avioni ekonomike për të arritur në vendpushimin e kancelares, e cila gëzon të drejtën e avionit qeveritar. Në Shqipëri të gjitha pronat dhe mjetet e shtetit, përfshirë vila pushimi, helikopterë, motoskafë policorë, anije lundrimi ushtarake, vihen falas në dispozicion të shefit politik të radhës, familjes së tij, nipave e mbesave, të afërmve dhe miqve përfshirë edhe kandidatëve për dhëndurë. 
Në Francë organet hetimore bastisin zyrat e partisë në pushtet dhe presidentit si pjesë hetimi e akuzave për evazion fiskal, kurse në Shqipëri konsiderohet i pafajshëm ministri i regjistruar duke numëruara shuma të mëdha valute në zyrë, zëvendësi i tij që sjell e merr çantën me para, shefi i tij që urdhëron fituesit e tenderave dhe përcakton marshin e fitimit, kolegu i tij që shpall fitues të çdo tenderi baxhanakun e tij; ata që bëjnë biznes të pistë me pronat ushtarake dhe fëmijët në Gërdec dhe ata që me akte zyrtare selektive bëjnë pronar të pasurive publike sponsorë personalë, bashkëshortë jozyrtarë, financues elektoralë, kunetër apo mbesa në moshë minore. Në Francë një ministër dhe më Gjermani një President dhanë dorëheqje sepse shkuan për pushime falas tek miqtë e tyre apo përfituan kredi të ultë për banesë private, kurse tek ne, rrallë gjen politikan që paguan për pushimet, dhe thuajse të gjithë janë përfitues i kredive, dhe masave lehtësuese financiare. Në Britani 112 deputetë lanë mandatin kur u zbulua se kanë fituar dieta udhëtimi të dyshimta, kurse tek ne, çdo deputet, përfshirë drejtuesit parlamentar me dy-tre banesa në Tiranë vijojnë të paguhen me dieta shërbimi sikur jetojnë në qytete të periferisë.
Shembujt janë të shumtë sa hendeku i madh midis modelit të demokracisë shqiptare dhe asaj franceze, gjermane, britanike, etj. Kjo nuk është gjë e re. Dihet, njihet, është fenomen tranzicioni, dhe thuhet në çdo raport ndërkombëtar mbi Shqipërinë. Kjo përbën një shqetësim të madh, por më i madh duket dëmi që ata i sjellin demokracisë, vlerave, parimeve, institucioneve dhe të ardhmes së saj. Të katapultuar me emërim në politikë ose të pranishëm në rrethet familjare e vendimmarrëse politike, majtas e djathtas, ata kanë ndikim politik shumë më të madh sesa institucionet, qytetarë dhe sovraniteti popullor. Të prirur për ruajtjen e statusquo-s kjo pakicë e pavotuar nga qytetarët janë e mbeten financuesit kryesore të moçalit politik, vjedhjes së votës dhe pasurisë publike, denigrimit të çdo politikani të ndershëm e jashtë klaneve, mbytjen e zërit të shoqërisë civile, inkriminimin e politikës, medias dhe debatit publik, braktisjes së aspiratave demokratike, gjobëvënien mbi investitorët e huaj, delegimin e besnikëve të tyre në poste kushtetuese e zyrtare, si edhe ruajtjen periodike të konsensusit mazhorancë-opozitë në çështje që lidhen me interesat e oligarkisë. Ata nuk kanë parime politike, nuk ushqejnë vlera morale, nuk pranojnë debate kritike, shantazhojnë e kërcënojnë në mediat e tyre e në rrugë, refuzojnë ndryshimin dhe rotacionin e ideve, dhe janë kështu, as më shumë e as më pak, financuesit e avokatët kryesore në pengmarrjen e sistemit demokratik. Për ata qytetarët janë turmë dhe turma ushqehet me përçarje, skenarë frike dhe propagandë, duke mos u lejuar të mendojë, veprojë, reagojë apo votojë e lirë dhe e pavarur.
Cila është e ardhmja e oligarkisë shqiptare? Le të shohim sytë në Poloni, Kroaci, Slloveni e vende të tjera demokratike dhe e kemi një përgjigje. Vendosja e shtetit ligjor dhe demokracisë funksionale përbën fillimin e fundit të tyre dhe njëherësh fillimin e ngritjes morale e institucionale të shumicës qytetare. Problemi është se me cilën kosto në kohë, energji dhe çmim do të duhet të vijë ky ndryshim: kalimi nga demokracia e oligarkisë në demokraci funksionale qytetare. Nisma për demokraci direkte, zgjerimi i medias së pavarur e kritike, forcimi i komponentit civil, protesta ndaj çdo abuzimi dhe vota politike e 2013 mund të mos jenë zgjidhja finale, por mund të jenë një hap pozitiv, një sinjal drejt zgjidhjes. Jo si mesazh e votë pro e kundër një sigle partiake apo një lideri, një koalicioni apo një grupi oligarkik, por si një mesazh i qartë rezistence, reagimi dhe refuzimi ndaj këtij modeli negativ dhe konsensual tranzicioni, si një revoltë ndaj të keqes që fshihet pas ngjyrave blu, rozë, të kuqe apo jeshilë, ashtu edhe si një kusht i panegociueshëm se ata që duan të fitojnë mandatin qytetar, të vjetër e të rinj, të dëshmojnë fillimisht se jashtë fjalëve mbeten besnikë të disa parimeve, aspiratave dhe vlerave që shqiptarët ushqyen në vitet 1991-1992 dhe që sot, janë pasuria më e burgosur, grabitur e keqpërdorur në këtë vend. 

Shkrimi u botua ne Shqiptarja.com
 

Comments

Submitted by altin goxhaj (not verified) on

<p>Afrim ke te drejte, por meqe po perdor kete kendveshtrim, na jep info si me afert qe je, ku i gjeti Topi leket me bo jete kaq luksoze? Ka ndikuar ndonje cik fakti i pushtetit? Si e kategorizon ti kete rast? Po ish deputetet dhe &quot;aktivistet&quot; e pasur te FRD, si dhe ata te PS ku i gjeten leket??? Po ti cfare kontributi ke ne kete demokraci oligarkike? Ke ndonje lidhje me oligarket e Soros, psh Remziun;-)</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.