Kur qytetarët nuk janë më “të parët”
Një shtet nuk e përbëjnë vetëm kushtetuta, ligjet e shkruara, ndërtesat publike, policia apo burgjet. Këto i ka çdo shtet, edhe ai më demokratik, edhe ai më diktatorial, edhe më I pasuri, edhe më I varfëri. Diferenca midis shteteve është thellësisht diferencë në standardet e sjelljes ndaj qytetarëve, ndaj lirive civile dhe përgjegjësive publike. Shqipëria hyn në ato modele ku hendeku midis pushtetit dhe qytetarit mbetet i madh, aq sa edhe hendeku midis modelit tonë demokratik dhe atij perëndimor. Në komunizëm diktatura fliste dhe sundonte në emër të qytetarëve, por në jetën reale qytetarët jetonin nën një regjim frike, përndjekjeje, dhune, denigrimi dhe izolimi. Në demokraci pushtetet kërkojnë vota duke premtuar se “qytetari është i pari”, por në pushtet sillen si sundimtarë, arrogantë e fyes për qytetarin dhe problemet e tij. Mjafton të shohim ngjarjet e javëve të fundit për të gjetur elementë të dukshëm të shkeljes së të drejtave qytetare, të shkeljes së normave kushtetuese dhe të krijimit të psikozës së frikës që vjen prej atij që ka pushtetin. Shembulli i parë lidhet me pensionistët. Në asnjë vend demokratik nuk mund të ndodhë që shteti, të detyrojë rreth gjysmë milion.....pensionistë të kenë vetëm një datë në muaj dhe të zënë radhën në diell për të marrë pensionin e tyre. Në çdo vend demokratik pensionisti nderohet për kontributet jetësore, shteti merr përsipër përkujdesje të veçantë ndaj tij, pensionet rriten gradualisht dhe secili prej tyre i tërheq ato përmes numrave të llogarisë bankare. Ndaj në Gjermani, Francë apo Britani dalja në pension nuk është ditë zie, por kënaqësie dhe hyrje në një jetë të re plot udhëtime e pushime. Në Shqipëri dalja në pension është një dënim social, dëbim nga komuniteti e jeta publike, nisja e një kalvari denigrues në nevojat jetësore për para, kujdes shëndetësor e udhëtim. Institucionet qendrore shtetërore harxhojnë miliona lekë për reklama televizive, qeveria flet terë ditën për Shqipërinë digjitale, por pensionistët ende trajtohen si në botën e tretë, një shtresë e bezdisshme që duhet të falënderoj qeverinë se u jep një pension gati simbolik në hierarkinë e pagesave shtetërore. Ne i themi pensionistit: kudo që të jesh, në banesë apo jashtë vendit, në udhëtim apo në spital, keni vetëm një datë, një shans në muaj për të zënë radhën në kioskat e rrugicave të Tiranës për të marrë atë që kushtetuta e ligji ia jep, pensionin financiar. Kur pyet në institucionet përgjegjëse ka dy përgjigje: një zyrtare që thotë se kjo ndodh për shkak të pamundësisë në infrastrukturë dhe një jozyrtare, që thotë se kjo ndodh sepse shteti nuk ka para për tu dhënë të gjithë pensionistëve në një ditë përmes numrave bankarë dhe se duan të nxisin pensionistët të paguajnë në postë një pagesë ekstra për tua sjellë pensionet në adresat e tyre! Në dy rastet e përgjigjes, konkluzioni është I njëjtë: mosmirënjohje, mungesë respekti, abuzim i pastër me ligjin, fyerje dhe cenim i lirive dhe dinjitetit të individëve, të cilët kanë punuar për këtë vend për rreth pesë-gjashtë dekada.
Shembulli tjetër është procedura standarde e lajmërimeve përmes medias për emrat e legalizimeve, maturën shtetërore, dhe shërbime të tjera thellësisht individuale. Shteti e di dhe e pranon faktin se media e shkruar arrin të shkojë vetëm në qytetet kryesore, pra se ajo nuk shkon në asnjë komunë, fshat apo zonë periferike, ku zyrtarisht jetojnë 50% e shqiptarëve. Pavarësisht nga kjo institucionet zyrtare vijojnë të botojnë lista në media dhe të lëshojnë ultimatume se ky është lajmërimi i fundit! Kështu bën agjencia e legalizimit, kështu bën ministria e arsimit, kështu bën ministria e transportit me listën kompensuese, deri edhe ndonjë ambasadë e huaj me lista studimi. Në një vend serioz sjellja shtetërore do të duhej të ishte ndryshe: çdo qytet do të informohej me një letër zyrtare, në adresën e tij zyrtare dhe kështu, do të krijohej një marrëdhënie besimi e përgjegjësie direkte midis shtetit e qytetarëve. Loja me listat në media janë abuzuese, denigruese, cenuese për liritë qytetare, dhe në asnjë rast nuk përbëjnë një akt administrativ me vlerë për shqyrtim gjyqësor.
Shembulli i tretë lidhet me shërbimet publike themelore, siç janë uji dhe energjia elektrike. Vetëm këtë muaj pati të paktën pesë raste të bujshme kur CEZ ndërpreu energjinë elektrike si dënim kolektiv për komunitete qytetare me nivele të ulta të pagesës së faturave. Kjo ndodhi, pavarësisht se disa, gjysma apo një pakicë e tyre ishin pagues të rregullt. E njëjta gjë ndodh edhe me ujësjellësin dhe dëbimet kolektive me ndërprerje furnizimi për komunitete e ente publike. Në dy rastet kemi dënime kolektive, - një shkelje flagrante e kushtetutës, - pamundësi e qytetarëve për të fituar të drejtën e tyre, pamundësi e shtetit për të mbrojtur qytetarët dhe kështu, shndërrimin në lajm rutinë e të gjithëpranuar të dëbimeve kolektive, një tipar dallues për shoqëri jodemokratike.
Shembulli i katërt lidhet me raportet midis organeve të rendit dhe qytetarëve. Patëm një rast kriminal grabitjeje të dhunshme në Tiranë. Në raste të tilla policia ka detyrimin të veprojë dhe zbulojë autorët; ajo ka strukturat e vetë, ka pajisje, bashkëpunëtorë, një numër të madh agjentësh në terren etj, por gjithnjë ajo ka detyrimin të veprojë në respekt me ligji. Çuditërisht policia lajmëroi se ka ndaluar rreth 200 të rinj, pra anëtarë të 200 familjeve në një qytet të vetëm, të gjithë të dyshuar për krimin e vetëm njërit prej tyre. Në një rast tjetër u lajmërua ndalimi i 130 personave, duke treguar se kjo është praktikë pune e policisë. Në fakt, ndalime të tilla masive janë tipike për ndonjë vend arab apo në shoqëritë komuniste, por kurrsesi në një vend demokratik. Për më tepër, dhënia e pamjeve filmike të ndalimeve, dhënia e emrave në media, etj, përbëjnë shkelje të dukshme të kushtetutës, ligjit dhe normave të një vendi demokratik.
Shembulli i pestë lidhet me politikat urbane, projektet e mëdha të infrastrukturës dhe investime me sfond personal të miratuara nga qeveria apo pushteti vendor. Në çdo rast ato prekin hapësira publike, cenojnë pronë private, kanë ndikim direkt në jetën e komunitetit rreth tyre dhe siç dihet, në asnjë rast as entet qendrore dhe as ato lokale nuk pyesin, nuk konsultohen dhe nuk marrin parasysh këto elementë të garantuar në kushtetutë për qytetarët. Modeli i imponimit nga lart “për interesa shtetërore”, i sekuestrimit apo prishjeve të banesave për qëllime të tilla publike pa bërë kompensim financiar sipas ligjit, përbën akt antiligjor, denigrues dhe fyes për qytetarët, grabitje e dhunshme të pronës dhe cenim të lirive civile të tyre.
Raste të tilla mund të vijojnë edhe më tej me kufizimet masive të shërbimit minimal shëndetësor për shkaqe administrative, me abuzimet e përvitshme zyrtare me konkurset e dyshimta universitare e të punësimit, me pamundësinë qytetare për ankimim ndaj faturave të kripura të shërbimeve publike, me etiketimin apriori të çdo të vrari si kontingjent krimi apo gjakmarrjeje, etj.
Shpesh politika keqkuptohet si dicka e pakapshme, me fuqi gati hyjnore, por në fakt politika nuk është asgjë më shumë se marrëdhënie direkte, e prekshme dhe e dallueshme midis qytetarëve dhe atyre që duan ti përfaqësojnë interesat e tyre. Qytetarët janë individë, ata votojnë dhe delegojnë pushtetin tek disa individë të zgjedhur që duhet të mendojnë për t’i trajtuar e zgjidhur problemet qytetarë. Jo për të bërë të kundërtën, jo për t’i rritur ato, për të krijuar probleme të tjera dhe kështu, për ta mbajtur sa më larg qytetarin nga shteti, besimi tek institucionet dhe të drejtat kushtetuese të tyre. Një demokraci ka vlerë kur vjen nga qytetarët, për qytetarët dhe bëhet me qytetarët. Nëse ajo vjen nga qytetarët, por bëhet për pushtetarët dhe i trajton si bezdi e kontingjent turme qytetarët, siç edhe po ndodh në Shqipëri, atëherë ajo ka humbur bazat morale, vlerat humane dhe kështu, kërcënon themelet për një të ardhme të merituar evropiane.
Kalimi nga “të parët qytetarët” tek “të fundit qytetarët” përbën një tjetërsim të plotë të konceptit demokratik në Shqipëri. Ky tjetërsim dhe koncept mesjetar për qytetarët është një sëmundje e madhe e sistemit tonë politik e qeverisës, një e keqe për të cilën heshtin me konsensus partitë, parlamenti, qeveria, grupet civile dhe institucionet e caktuara nga kushtetuta, një praktikë ndëshkuese për vlerat e shoqërisë që po kultivojmë dhe një model sjelljeje që vjen si shtojcë e sistemit totalitar të 20 viteve më parë. Zgjidhja efektive dhe afatgjatë e këtij problemi meriton të përbëjë temën kryesore të politikës dhe jetës publike, të aktivitetit parlamentar dhe atij institucional, të agjendës ekzekutive dhe sidomos të agjendës elektorale të çdo partie qytetare më 2013.
Shkrimi u botua sot ne gazeten Shqiptarja.com
(sg/shqiptarja.com)
Comments
Në asnjë vend demokratik nuk

Në asnjë vend demokratik nuk mund të ndodhë që shteti, të detyrojë rreth gjysmë milion.....pensionistë të kenë vetëm një datë në muaj dhe të zënë radhën në diell për të marrë pensionin e tyre

O Afrim.po do te qeshin pensionistet me ty sepse je shume i pa informuar.

e para : nuk ka vetem nje date per marrjen e pensionit

e dyta : kush desheron pensioni i vjen ne shtepi.

por keshtu eshte kur rri pas ish presidentit dhe nuk e di fare se cbehet,mjafton te nxish gjithcka.

nga njera ane mbushni xhepat ne ato ojf qe keni krijuar dhe nga ana tjeter beni sikur i qani hallin pensionisteve.

se harrova.

ku e ke emrin ne listen e topit per deputete.

Add new comment