Lufta e ftohtë e mass-medias
Një luftë informacioni ka shpërthyer në gjithë botën. Fushëbetejat janë vizatuar ndërmjet atyre qeverive që e shohin rrjedhjen e lirë të informacionit dhe aftësinë për të pasur qasje në të, si një çështje të të drejtave fondamentale njerëzore dhe atyre që e shohin kontrollin zyrtar mbi informatën si një prerogativë thelbësore sovrane. Lufta po zhvillohet në mënyrë institucionale në organizatat si Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit (ITU) dhe në mënyrë të përditshme në shtetet si Siria.
Sociologu Philip N. Howard së fundmi e përdori termin “luftë e re e ftohtë” për të përshkruar “betejat ndërmjet transmetuesve mediatik dhe shfaqjes së medieve sociale, të cilat kanë afrime tejet të ndryshme ndaj prodhimit të lajmit, pronësisë dhe censurës”. Për shkak se transmetimi kërkon fonde të konsiderueshme, ai është më i centralizuar – andaj edhe më i prekshëm nga kontrolli shtetëror. Media sociale, për dallim, e transformon çdokënd me një telefon celular në dorë në një monitor potencial lëvizës të veprave të mira dhe të këqija të qeverisë dhe është vështirë të shuhet pa e shuar të tërë Internetin.
Duke i vëzhguar luftërat ndërmjet transmetuesve dhe medieve sociale në Rusi, Siri dhe në Arabinë Saudite, Howard konstaton se, pavarësisht kulturave të tyre të ndryshme mediale, që të tri qeveritë mbështesin fuqimisht transmetimin e kontrolluar nga shteti.
Këto beteja ndërmediale janë interesante dhe të rëndësishme. Mënyra në të cilën informata rrjedhë po që e reflekton, siç thotë Howard, një koncept të asaj se si një shoqëripolitikë do të duhej të organizohej.
Mirëpo, një dallim edhe më të thellë e paraqet çështja fondamentale se kush, në radhë të parë, e posedon informatën. Në janar të vitit 2010, sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, proklamoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës “mbështesin një Internet të vetëm, ku të gjithë njerëzit kanë qasje të barabartë në informatë dhe ide”. Ajo e lidhi qëndrimin jo vetëm në amendamentin e parë të Kushtetutës së SHBA-së, i cili mbron lirinë e shprehjes dhe lirinë e shtypit, por edhe me Deklaratën Universale të të Drejtave Njerëzore, e cila thotë se të gjithë njerëzit kanë të drejtë “të kërkojnë, të marrin dhe të ndajnë informata dhe ide nëpërmjet cilësdo medie dhe pa marrë parasysh kufijtë”. Përkushtimi i shumë qeverive për “të ngritur kufij elektronikë” me qëllim të bllokimit të përpjekjeve të qytetarëve të tyre të kenë qasje në burimet e plota të Internetit, thotë ajo, nënkupton se “një perde e re informimi po zbret në botën tonë”.
Kjo luftë e madhe po luhet në shumë vende, përfshirë ITU-në, e cila do të mbledhë 190 shtete në Dubai gjatë muajit dhjetor për ta freskuar Marrëveshjen ndërkombëtare të telekomunikacionit, të adoptuar për të parën herë në vitin 1988. Edhe pse hollësitë e marrëveshjes janë kryesisht teknike, përfshirë telekomunikimet rutinë, qeveri të ndryshme kanë paraqitur propozime për ta ndryshuar marrëveshjen, e cila përfshin dispozita që kanë për qëllim lehtësimin e censurës qeveritare mbi internetin.
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka qenë i hapur rreth dëshirës së tij për të përdorur ITU-në “për të krijuar një kontroll ndërkombëtar” mbi internetin, duke i zëvendësuar në këtë mënyrë marrëveshjet aktuale, të cilat e lënë qeverisjen e internetit në duart e grupeve private, si Korporata e Emrave dhe e Numrave të Internetit dhe Task Forca e Inxhinierisë së Internetit. SHBA-ja kurrë nuk do ta nënshkruajë një marrëveshje që i ndryshon rrënjësisht aranzhimet e qeverisjes së internetit, mirëpo caku këtu është se shumë qeveri do të tentojnë ta përdorin procesin e marrëveshjes për të rritur aftësinë e tyre për kontrollimin e informatave që qytetarët e tyre mund ta marrin.
Në terren, qeveritë shpesh përqendrohen pikërisht në bllokimin e informatës që flet për atë që ata bëjnë. Një prej veprimeve të para të Qeverisë siriane, menjëherë pas nisjes së të shtënave ndaj protestuesve, për shembull, ishte që të dëbonte të gjithë gazetarët e huaj. Disa javë më parë, Qeveria e Taxhikistanit bllokoi ”YouTuben” dhe mbylli rrjetet e komunikimit në një rajon të largët, ku forcat qeveritare po përlesheshin me një grup opozitar. Qeveria kineze i ndaloi të gjithë gazetarët e huaj të hynin në Tibet, kur u përgjigj me dhunë ndaj protestuesve para Lojërave Olimpike të vitit 2008.
Këto taktika më tradicionale tani mund të plotësohen me mjete të reja të keqinformimit.
Për ata që e ndjekin nga afër konfliktin sirian, ndjekja e gazetarëve kryesorë dhe e përfaqësuesve opozitarë në “Twitter” mund të jetë një përvojë surreale.
Dy javë më parë, Ausama Monajed, një këshilltar sirian i komunikimeve strategjike, i cili publikon një valë të informatave dhe lidhjeve për aktivitetet opozitare në Siri, papritmas nisi të dërgonte propagandë pro-qeverisë. Kanali satelitor saudit i lajmeve “Al Arabiya” ka raportuar po ashtu për sulm hakerësh në llogarinë e saj në “Twitter” nga ana e “Ushtrisë Elektronike Siriane”, një grup ky në hije të operuesve të lirë që kanë mbështetje direkte apo indirekte nga qeveria siriane. Është një gjë të lexosh për aftësitë e sofistikuara të luftës kibernetike, por një gjë krejtësisht ndryshe të shohësh identitete online të personave familjarë apo të ueb faqeve që papritmas sulmohen nga hakerët.
Në shumë manifestime të luftës së vazhdueshme dhe në rritje të informatave, forcat pro lirisë së informatës kanë nevojë për një armë të re. Ndalesa nga ana e qeverisë e gazetarëve apo bllokimi i lajmeve dhe ueb faqeve të medieve sociale që më parë ishin të lejueshme mund të shihen lehtësisht si shenjë e hershme paralajmërimi për një krizë që meriton vëmendje ndërkombëtare. Supozimi duhet të jetë ai se qeveritë që nuk kanë asgjë për të fshehur nuk kanë asgjë për të humbur nëse qytetarëve të tyre dhe medieve ndërkombëtarisht të pranuara u lejojnë raportimin për veprimet e tyre.
Që një supozim i tillë të marrë dhenë, duhet të përfshihet në marrëveshjet tregtare ndërkombëtare dhe në investime. Merreni me mend, nëse Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore dhe bankat e zhvillimit rajonal suspendojnë financimet menjëherë pasi një qeveri e tërheq perden e informimit. Supozoni se investuesit e huaj nënshkruajnë kontrata me kusht që dëbimi dhe ndalimi i gazetarëve të huaj apo bllokimi i përgjithshëm i qasjes në burimet ndërkombëtare të lajmeve dhe në medie sociale përbën një shenjë të rrezikut të mjaftueshëm politik për të suspenduar obligimet e investuesve nën kontratë.
Amerikanët thonë se rrezet e diellit janë dezinfektuesi më i mirë. Qasja e qytetarëve në informatë është një mjet thelbësor për ti mbajtur qeveritë përgjegjëse. Përpjekjet e qeverisë për të manipuluar apo për të bllokuar informatën duhen supozuar si abuzim i pushtetit – një abuzim ky që ka për qëllim maskimin e shumë abuzimeve të tjera.
(Anne-Marie Slaughter, ish-drejtoreshë e planifikimit të politikave në Departamentin amerikan të Shtetit (2009-2011) dhe ish-dekane e shkollës së marrëdhënieve publike dhe ndërkombëtare “Woodrow Wilson”, është profesoreshë e shkencave politike dhe ndërkombëtare në Universitetin e Princetonit. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë hulumtuese “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).
Add new comment