Teshtimë prej kokëpalari
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/default_images/no-photo_0.jpg?itok=QGFmpan5)
Ftohma njeriun e kap me kollë e me teshtima, e këto janë të bezdisshme, të zhurmshme, mund t’ia ngjisin virusin të tjerëve, ndaj kërkush s’ka qejf të rrijë gjatë me kë teshtin a kollitet. I sëmuri, fillimisht synon ta zgjidhë problemin me vetveten. Për të mos vënë në siklet të tjerët, ja rri në shtëpi e izolohet, ja përpiqet ta zbusë kollën me ndonjë shurup a çaj të nxehtë, ndërsa teshtimat i mbyt duke zhytur hundët në shami e duke bërë lloj-lloj marifetesh (duke mbajtur frymën, duke pickuar majën e hundës e të tjera gjëra qesharake, si këto).
Mirëpo historia (magistra vitae) rrëfen faktin imponues, që teshtimat e kollitjet kanë vazhduar, pavarësisht marifeteve e shurupeve. Afërmendsh, nuk mjaftojnë hiletë për ta ndaluar përgjigjen reflektive të organizmit ndaj shqetësimeve të brendshme, në këtë rast viruseve që shkaktojnë të flamosurën ftohmë. Duhet tjetër zgjidhje.
Një zgjidhje qesharake do të qe receta e tiranit, një dikush arrogant që synon të shmangë menjëherë bezdinë. E tillë zgjidhje do të qe psh. lëshimi i një urdhri për të ndaluar me dhunë kollën e teshtimat, apo për t’i kërcënuar, rrahur e përzënë autorët e këtyre gjesteve bezdisëse. Po sot zor se gjen njerëz kaq të trashë e të pasjellshëm (apo ndoshta gjen?) sa të lëshojnë të tillë urdhra, e sërish kjo nuk e ndalon as kollën e as teshtimën.
Ngjashëm me trupin, që reagon përdhunshëm ndaj sëmundjes, me teshtima, kollë a lemza ndaj shqetësimeve të brendshme, shfaqet dhuna. Ajo mund të shfaqet në rrugë, në zënka e sherre, mund të shfaqet në zyrë, në situata sikletesh e abuzimesh të natyrave të ndryshme, mund të shfaqet në familje, në rrahje e imponime, mund të shfaqet edhe në mënyrë të përbrendshme, vetëshkatërruese, duke nisur prej frustrimeve e komplekseve, te sjelljet abuzive me alkoolin, bixhozin e substancat, e deri te laku i litarit që spërdridhet tek thyen arrzin e qafës të atyre që vetëvaren.
Në të shumtën e rasteve dhuna s’është gjë tjetër veçse një reagim i pandërgjegjshëm i qenies ndaj shqetësimit social. Sa më i thellë shqetësimi, sa më i fshehtë e i rëndë, aq më i paparashikueshëm momenti, vendi ku ndodh, apo forca me të cilën shfaqet reagimi, teshtima sociale, rasti i dhunës.
Në mënyrën e vet më të pështirë dhuna shfaqet në formën reaksionare (si dhunim i atij që guxon të teshtijë). Ky është terrori, e këtu po i rrimë kuptimit primar të terrorit, aktit që synon të imponojë qëndrim duke ngjallur frikë. Terrori është momenti kur askush nuk shqetësohet për burimin e dhunës, askush nuk shqetësohet për plagën a sëmundjen, por jepet zgjidhja brutale, ndalohet dhunshëm “teshtima”, ndalohet dhunshëm shfaqja e dhunës që burimin e ka tjetërkund. Ky është terrori, ashtu siç shfaqet jo-rrallëherë, i ushtruar nga autoritetet për të imponuar ndalimin “e teshtimës”. Ky është terrori i Berishës në 21 janar, terrori që ushtroi për vjet me radhë Pinocheti, Franco, Ben Aliu, Mubaraku, Gaddafi, e që vijon ta ushtrojë Assadi. Por jo vetëm këta.
Çprej dy shekujsh tashmë, një nga fjalët më në modë kur vjen puna për sallone të politikës, është fjala “demokraci”. Në fakt sot, me përjashtim të Vatikanit, Arabisë Saudite, Sulltanatit të Bruneit dhe Birmanisë (Mjanmarit), çdo regjim i botës vetëquhet “demokratik”. Aq shumë i shkon për shtat pushtetit kjo fjalë, sa e përdorte edhe Kim Jong Ili i Republikës Demokratike Popullore të Koresë (ajo e tmerrshmja, veriorja), po edhe Obama, e përdori Gaddafi, ashtu si dhe Blairi, e përdori Mubaraku, si dhe Berlusconi, Sarkozyja, Bushi e të tjerë liderë botërorë, së bashku me një tufë politologësh, gazetarësh, e opinionistësh. Së fundi, e përdorin gjerësisht edhe popujt, që nuk e dinë mirë se ç’nënkupton kjo fjalë, po u pëlqen, ndoshta pse ka një tingull të bukur e ëndërrimtar, deri diku frymëzues. Sigurisht që ne, shqiptarët, nuk mund të bënim përjashtim kur vjen puna te moda. Thaçi e Mustafa kryesojnë në Kosovë dy parti të mbiquajtura “demokratike”, ndoshta pikërisht për të treguar se s’janë veçse opozitë false e njëra-tjetrës, dy anë të së njëjtës medalje, dy struktura keqpërdoruese të fjalës, e më pas të pushtetit. Në Shqipëri, “demokracia” është keqpërdorur nga të gjitha palët që kanë mbajtur pushtetin, qoftë ky qendror, qoftë lokal. Asnjë prej liderëve të PS-së, që nga Nano, e deri te Rama, nuk ka pushuar së mbllaçituri “demokraci” gjithë ditën e ditës përballë mikrofonave, e natyrisht, as babai suprem i gjithë demokratëve tanë, Berisha, nuk flet për gjë tjetër. S’kish si të bënte ndryshe ky i fundit, meqenëse “demokracinë” na i ka bërë peshqesh me duart e veta (sic).
Imagjinojeni një 25 vjeçar në demokracinë tonë. Ai nuk ka kurrfarë kujtimi prej regjimit të shkuar, se ka njohur vetëm regjimin e sotëm. Shpresat e makthet i vijnë prej këtij. Si të mbarojë shkollën e lartë (se kjo nuk vihet në diskutim që mbarohet prej të tërëve), 25 vjeçari flaket në treg. E gjen veten me një diplomë që shpeshherë e ka paguar shtrenjtë, po për të cilën do të marrë një shpërblim fare të vogël. Rrogat mesatare në Shqipëri janë midis 250 dhe 300 eurove në muaj, ndërsa diploma në një fakultet privat (apo ryshfeti në një fakultet publik) kushton sa 30-fishi. Pra 30 muaj do të duhen për të larë diplomën. Ndërkohë 25 vjeçari supozohet të jetë dinamik. Nëpër reklama shfaqet vetëm fytyra e tij, nëpër sportele shohim vetëm atë, ideologjia e do që shpresa gjendet tek ai, apo tek të tillët, tek klasa e “profesionistëve të rinj”. Po kjo është vetëm cipë, realitet iluziv që i përket një grupi tejet të vogël njerëzish. Masivisht 25 vjeçarët janë të papunë, ose të keqpaguar. Profesionistët e rinj janë vazhdimisht të abuzuar në vendet e punës, punojnë pa kontrata, në të zezë. Që të blejnë një shtëpi, profesionistët e rinj do të duhet të bëhen dy, të martohen, të marrin një fajde nëpër bankat private (që do ta paguajnë dyfish), e zor se do të dalin ndonjëherë prej borxheve. Fajdenë kuptohet, nuk e marrin dot të gjithë, po edhe ata pak që e marrin, jo gjithnjë ia dalin të strehohen. Vetëm në janar bankat konfiskuan diku te 130 shtëpi prej atyre që nuk e paguanin dot kredinë. Një marangoz i ri paguhet 250 euro, po aq një avokat i ri, një gazetar i ri, një ekonomist i ri apo një murator i ri. Dhe me fat është ai që e gjen punën (në Tiranë, se jashtë saj shpresa e profesionistëve të rinj merr ngjyra edhe më të murrme). Aq skizofrenike është situata e profesionistëve të rinj, me imazhin promocional televiziv e vitrinës plot shpresë të montuar me photoshop përkundër realitetit kaq zymtak, saqë personalisht mezi pres të bëhem mesoburrë, ndoshta shpëtoj prej mallkimit të të qenit “i ri” në këtë vend.
Rioshët janë pjesa më e madhe e shoqërisë sonë, përderisa mosha mesatare në Shqipëri e Kosovë është diku te 28 vjeç. Ata gjithashtu janë dhe më vitalët. E në rast se perspektiva ekonomike u paraqitet e tillë, e pashpresë, mbytëse, natyrisht që mbi ta është duke u ushtruar dhunë. Ata që morën përsipër të ndërtonin një ambient të përshtatshëm për të rritur shpresa e që sot kanë ndërtuar atmosferën më mbytëse për çdo lloj aveniri, ata janë ushtruesit e dhunës. E kur ca nga të rinjtë “kolliten”, kur marrin rrugët për emigrim ilegal, kur zënë zanatet “e papërshtatshme” të kurvës, hajdutit apo edhe vrasësit, kur nisin të alkoolizohen a të drogohen, me një fjalë kur reagojnë dhunshëm ndaj kësaj shoqërie hostile, shoqëria habitet. A kanë të drejtë të “teshtijnë” fort këta të rinj?
Po s’ka vetëm të rinj ky vend. Këtu ka mijëra që në 20 vjet puna i ka shpënë para arbitrave të ndryshëm, para gjyqtarësh e administratorësh, e që s’kanë parë shumë drejtësi. Rasti më tipik është i atyre familjarëve të viktimave të shpërthimit në Gërdec. Lexoja para disa javësh një intervistë të Uran Deliut, një fatziu që në shpërthim kish humbur pesë familjarë të afërt, ndër ta dhe gruan shtatzanë. Jo vetëm që s’ka asnjë fajtor deri më tash për çështjen e Gërdecit, po Urani i shkretë kish mbetur dhe i pastrehë e i papunë, i detyruar të kthehet në Krastë të Martaneshit (prej nga kish ikur dikur për të gjetur Tiranën e shpresave). Atje gërmonte krom në minierat e paligjshme, si shumë bashkëfshatarë të tij. Imagjinojeni dhunën që i është ushtruar atij njeriu, traumën që ka pësuar, e shtrëngimin me të cilin përballet, ndërkohë që në televizion shfaqen video me ministra të cilëve firma u vlen miliona euro. Sa fort ka të drejtë të “teshtijë” Deliu?
Gërdeci është vula e vdekjes së drejtësisë aktuale shqiptare, ashtu siç është mjerimi masiv vula e vdekjes të prirjes ekonomike që kanë zgjedhur partitë tona gjer më tash. Një shoqëri që nuk ka mundur të japë drejtësi në dhjetëra e dhjetëra raste flagrante, një shoqëri që nuk ka mundur të mbrojë me dhjetëra të vdekur e të vrarë në vendet e punës, në miniera, në ndërtime e në vende të tjera, një shoqëri që nuk ka mundur të dënojë korrupsionin prepotent e që në 20 vjet nuk ka dënuar kurrë asnjë të pushtetshëm ndërsa ka flakur në fatkeqësi mijëra kokëpalarë, një shoqëri që ka krijuar veç shpresa iluzive e që i mbyll të rinjtë nëpër ato kotece që i quan “universitete” vetëm e vetëm që ta vonojë daljen e tyre rrugëve si të papunë, është një shoqëri e sëmurë. E në të tilla sëmundje, “teshtima” është një sindromë jo vetëm e pashmangshme, por edhe e shëndetshme.
Politika rëndom e gabimisht paraqitet si “arti i zgjidhjes”, apo si “arti i së mundshmes”, apo si “arti i kompromisit”, nëpër tekste që fatkeqësisht sot ua kalojnë ndër duar studentëve. Dhe zgjidhja që ofron politika për këto probleme është reaksionare, e shfaqur si kompromis për të shkuar në zgjedhje, e shfaqur si zgjatje e detyrueshme e lëngimit.
Së fundmi, zgjatjen e lëngimit (dhe gëlltitjen e teshtimës) po e imponojnë dhe ca ambasadorë që zënë e na tregojnë se si Berisha na paska një votë, njësoj si Rama, apo si unë e si ti. Dakord, or zoti Arvizu, vota kemi nga një, po plumbat kush i ka, e kujt po ia jep ato? Sa vota do të hedhin në kuti Ziver Veizi, Hekuran Doda, Aleks Deda apo Faik Myrtaj?
Ndërkohë ambasadori tjetër shkëmbente mesazhe me “president Kremlinin”, (Pacollin) ku ia garantonte zgjedhjen e tij në krye të popullit të Kosovës (edhe pse ky i dha vetëm 4% të votave në zgjedhjet që u mbajtën asokohe), e që më pas akuzonte gazetarët pse po i “ndërhynin në jetën private” ndërkohë që futi dhe nxori nga zarfi Jahjagën. Po pra, zoti Dell, posti publik i kryetarit të shtetit për ty ishte “jetë private”.
Nga ana tjetër, flitet për demokraci. Epo demokraci pa drejtësi funksionale dhe pa perspektivë të zhvillimit ekonomik nuk ka. Mungesa e këtyre të dyjave e legjitimon reagimin e popullit në çfarëdo forme. Dhuna, në formën e teshtimës tashmë ka nisur të shfaqet nëpër rrugë e nëpër lagje, e po ashtu ka filluar të ngjallet dhuna që ndalon teshtimën, ajo në formën e terrorit (që ka lënë katër viktima, po ka ndërmend të mos ndalet me kaq).
Unë nuk jam apriori pro dhunës. Por nuk ka asnjë mënyrë për ta shmangur dhunën, përpos diagnostikimit të saj dhe dhënies së kurës së duhur. Diagnostikimi, në këtë rast nënkupton një akt tejet të rëndësishëm politik. Nënkupton faktin se gishti duhet vënë në plagë, duhet thënë e vërteta, duhet treguar me gisht mashtruesi e mashtrimi, korruptuesi dhe korrupsioni, duhen nxjerrë në shesh fajtorët. Nuk ka faj pa zot, e nuk ka drejtësi që nuk ndan dot të zezën prej ngjyrave të tjera.
E vetmja mënyrë që dhuna të shmanget është që politikës t’i kthehet sensi. Politika nuk është “art i zgjidhjes”, po art i shtrimit të problemit. Politikani i vërtetë nuk është ai që mban kolltukun dhe spërdridhet rrotull argumentave të parëndësishëm, por ai qytetar që di ta shqiptojë qartë problemin e vet. Politika nuk është “art i kompromisit”, por art i konfliktit. Nuk ka kompromis të së vërtetës me mashtrimin, të ndershmërisë me vjedhjen, të dlirësisë me njollosjen. Këto duhen shtyrë tej. E së fundmi, politika nuk është “art i së mundshmes”, po art i së pamundshmes. Politikan është ai që është në gjendje të shohë një të ardhme të mirë, edhe pse kjo i paraqitet si e pamundur për t’u shtënë ndër mend. Ai që refuzon termat e “tregut”, “korrektesës”, “modës”, “integrimit”, e të tjera budallallëqe pa sens si këto. Ai qytetar që realitetin nuk heziton ta shohë të sëmurë, ashtu siç është, ai që nuk e mbyt “teshtimën” e tij. E mbi të gjitha, ai që e kupton se armiqtë e fortë nuk mposhten dot vetëm, ai që tejkalon barrierat e vetvetes dhe shkon e kërkon zgjidhjen tek burimi i problemit, pra tek shoqëria. Ai që ka guxim të vërë në diskutim atë që “shkolla” ia jep si të mirëqenë, ai që vë pikëpyetje mbi sistemin ekonomik “privatizim, privatizim, privatizim”, ai që nuk i beson ata që flasin për “pushtete të pavarura” e për “barazi para ligjit”, ai që, në bashkëpunim me të tjerë, del prej falsitetit të zgjedhjes mes opsioneve të lëngatës, e shqipton zëlartë alternativën e re, atë të shërimit (tani, e jo kur të vijnë zgjedhjet).
Add new comment