Transporti publik mes interesit publik e atij privat

Postuar në 04 Shtator, 2012 03:58

Shpeshherë kur flitet e shkruhet publikisht për të përbashkëtën, pra për publiken, bëhet në terma aq të përgjithshëm, sa receptori (që është publiku) ndoshta hutohet, ndoshta trembet, ndoshta s’kupton ose ndoshta krijon reaksion, meqenëse në masë është i gdhendur me ideologjinë (neo)liberale, e cila ekzalton individualizmin, privatësinë dhe konkurrencën, këtë përplasje të fortë interesash mes individësh privatë. Por, në u shkëputshim për një çast prej debateve të furnizuara nga utopia ekonomike neoliberale, e në i kthefshim sytë nga e përditshmja, ndoshta frika prej së përbashkëtës zvogëlohet e zbutet karshi nevojës gjithnjë e më të madhe që kemi për të.

Le të marrim një shembull, infrastrukturën e transportit. Sipas doracakëve të fundamentalistëve të tregut, po edhe sipas “pulitikave” të bëra nga pushteti qendror e lokal në Shqipëri, prej 2000 e këtej, në një sistem të tillë (market stalinism po e quajnë së fundi në Perëndim, ndërsa te ne demokraci), mjafton që shteti të krijojë rrjetin, se këtë rrjet e mbush me limfë vitale privati, i pandalshëm në zgjerimin e tij sasior e cilësor. Po a është kështu?

Pa u shkëputur hiç nga shembulli, të gjithë mund të përjetojnë përditë, pa pasur nevojë për research (s’di pse të gjithë e thonë anglisht këtë fjalë) atë që ndodh me transportin tokësor në Shqipëri. Më nj’anë transporti publik, e m’anë tjetër, ai privat. Transporti publik, gjithnjë e më shumë menaxhohet nga privatë përmes licencave. Në nivelin urban, transporti publik përbëhet nga taksitë (private) e nga autobusët (gjithnjë e më shumë kompani private). Të parat s’kanë as standard cilësie, as çmimi. Taksimetrat nuk përdoren kund, ndërkohë që taksitë private punojnë nën syrin vigjilent të shtetit, se shoferë janë vetë policët (ç’faj kanë të zinjtë që u duhet dypunësimi, si gjithkujt… – kanë faj që ç’ke me të, thotë ai që ëndërron një drejtësi mesatarisht normale, si në vende të tjera). Taksitë, në vend që të stacionohen diku jashtë qyteteve e të funksionojnë vetëm përmes centralit telefonik, zënë vende parkimi e shpesh trotuare në një trafik tashmë të mbingarkuar. Çmimi arbitrar i tyre është krejt i paleverdishëm, përveç në të zëntë halli. Pastaj janë autobusët, shpesh të vjetër, po edhe kur janë të rinj si kallëp, janë të tejmbushur, jokorrektë me oraret, të ngadaltë, të papastër, me shërbim të paedukuar. A nuk ishin këto problemet që do të duhet të zgjidhte privatizimi i linjave urbane dhe konkurrenca mes tyre apo dëshira për zgjerim të tregut? Asgjë s’paska zgjidhur, meqenëse autobusët funksionojnë njësoj si para dhjetë vjetësh, si një zgjedhje fatkeqe për kë s’ka para, makinë personale apo fuqi të ecë në këmbë. Mungojnë agjencitë e informacionit apo të ankesave, mungojnë agjencitë që mund të shesin bileta ditore, mujore etj. Mungojnë biletat (si dhe vendet e rezervuara) për grupe të caktuara shoqërore (sepse në logjikën e privatit – nuk ka grupe të caktuara shoqërore). Ama nuk mungojnë reklamat, që kompani të ndryshme i vendosin mbi zhguallin e këtyre autobusëve primitivë, që rrinë më keq se emri i Mirelës së dikurshme në urbanin e unazës. Ky është përparimi i vetëm që pruri tregu, reklama brenda e jashtë autobusit, si dhe një rritje e pajustifikuar ende e çmimit të biletës (që thuhet se do të vijojë). Transporti i sotëm mban të shkarravitur mbi shpinë emrin e ideologjisë në pushtet dhe atë të interesit qeverisës. Mirela e sotme është Kryeministri e ish-kryeministri dhe kryetarët e bashkive e ish-kryetarët e bashkive.

Në paç punë me transportin publik ndërurban, gjendja është dhe më pisk. Këtu kemi të bëjmë me të njëjtat taksi, që ia këpusin çmimit “me marrëveshje” apo me autobusët që operojnë të ashtuquajturat “linja”, dhe me atë rudiment hekurudhor që i ka shpëtuar pasionit skrapshitës të qeverisësve të fundit. Taksitë ndërurbane vetëkuptohet, nuk përdoren veçse në raste urgjence apo në rastet kur ndonjë pasanik s’ka kohë të merret vetë me dashnoren, kështu që shumica e atyre që nuk përdorin makinë personale, u drejtohen linjave të autobusëve e të furgonëve, tashmë të gjitha të privatizuara. Kurrkund, në asnjë qytet të Shqipërisë, nuk e kanë një stacion të organizuar këto linja, që ndalin ku u do qejfi, po ashtu si pasagjerët, të cilët autobusin e presin gjithnjë t’u kalojë pranë shtëpisë, pa pasur nevojë të lodhen e të shkojnë në ndonjë stacion. Asnjë informacion për oraret, për vendndalimet, për çmimet, asnjë vend ku të mund të rezervosh ndenjësen. Vetëm nëse ke numrin e celularit të shoferit. Të shkretët turistë ekskursionistë, që eksplorojnë Shqipërinë. Do t’u duhen dy ditë të gjejnë si shkohet, fjala vjen, nga Lushnja në Përmet. A thua bjeshkë… Mungesa e stacioneve dhe qendrave koordinuese-informuese është vetëm aperitivi. Autobusët dhe mikrobusët (furgonët) garojnë njëri-tjetrin se cili është në gjendje më të keqe, se cili është më karakatinë. Ndenjëset, ndriçimi, xhamat, ajrimi, të gjitha përcjellin një atmosferë të sëmurë, pa minimumin e higjienës. Shoferët ndalen të marrin pasagjerët rastësorë në çdo 2 km e jo rrallë përfundon që autobusi të ketë në këmbë po aq pasagjerë sa ulur, sidomos në linjat e shkurtra, apo në ato që udhëtojnë natën. Edukata e ofruesve të shërbimit është zero, ashtu siç është katandisur kjo punë. Ankime s’ke ku bën, dhe pse sheh para syve ligje që të thyhen si të ishin shkopinj fillikatë në dorë të Skënderbeut. Mbizotëron konfuzioni, abuzimi dhe arbitrariteti, edhe në çmime e orare – që kurrë s’parashikohen dot. Eppur privato… As konkurrenca e lirë, as shteti arbitër, që do të përkujdesej vetëm për standardet, nuk e ka rregulluar tregun e transportit ndërurban, që s’është aspak treg i vogël e jointeresant, përkundrazi.

Sa për trenat, më mirë të mos flas hiç. Hekurudhat s’kanë parë investim me sy që prej tri dekadash, të shpallura si monument i së keqes. Edhe pse ato hekurudha janë ndërtuar prej popullit, e jo prej “së keqes”.

Pra dhe te ndërurbani, lëngata e transportit publik të pronësuar nga privati e të shkatërruar nga shteti neoliberal, e detyron njeriun të bëjë si të bëjë e të blejë makinë personale.

Zgjidhja më e mirë do të qe standardizimi i shërbimit publik urban e ndërurban, kontrolli i vazhdueshëm për respektimin e këtyre standardeve, dhe heqja e licencave për ata që dështojnë. Sektori duhet formalizuar, e duhet vënë në korniza të rendit. Po ashtu, do të qe me vend operacionalizimi i një kompanie publike që menaxhon stacionet e autobusëve dhe taksive ndërurbane dhe koordinon udhëtarët. Gjithashtu biletat duhet të blihen jashtë autobusëve, të jenë të regjistruara në sistemin fiskal. Në linja ku privati nuk operon kënaqshëm, duhet të ketë operatorë publikë, që konkurrojnë privatin me synim rritjen e cilësisë dhe uljen e çmimit. Taksitë duhet të monitorohen për taksimetër e për cilësi shërbimi, piratët duhet të konfiskohen etj. Trenat duhet të rikthehen funksionalë, e me ndihmën e partnerëve të huaj, të “europianizohen”, ndërkohë që hekurudha duhet, në afatmesëm, të lidhet me linjën Selanik – Shkup – Prishtinë e përmes saj, me Europën. E kështu me radhë, ka disa gjëra që nuk janë aspak të pamundura, që do të vinin në binarë të duhur së paku këtë sektor që nuk figuron si prioritar as në programin e opozitës, as në atë të qeverisë – edhe pse interesi i elektoratit do të qe masiv.

Efekti i mentalitetit ekstrem “privatizim-privatizim-privatizim” është shfaqur gjithandej në sektorët e transportit, si p.sh. tek Aeroporti i Rinasit, që pasi mori dhe të drejtën për monopol ka vënë bllok mbi aeroportin e ri të Kukësit, pra bllok mbi konkurrencën, që do të mund të sillte uljen e çmimeve. E në fakt të udhëtosh me aeroplan prej Shqipërisë është sipërmarrje më e shtrenjtë se gjetiu në Europë. Ky efekt shpejt do të shtrihet edhe te Rruga e Kombit, e cila do të kërkojë pagesë prej atyre që kalojnë përmbi. Kombi kërkon haraç prej bijve të vet, po jo si kolektiv në këtë rast. Si një firmë private që do të marrë përsipër mirëmbajtjen, se shteti nuk e bëka dot. Dalka e fitim privati, po jo shteti. Ej prit! – do thonë liberalët – se shteti ka burokraci, korrupsion, ineficencë. Por shembujt e mësipërm, pas njëzet vjet transporti publik të privatizuar, nuk më lënë t’i konsideroj argumentet e liberalëve, e këtyre njerëzve të mirë që kanë prodhuar një sistem funksional vetëm në letër (empirik), po që kanë dështuar rëndë në terren, e jo vetëm në Shqipëri.

Mirëpo argumentet e tyre konsiderohen si të rëndësishëm nga establishmenti qeverisës, nga ai shkollor (që prodhon miniqeverisës, të gatshëm për të riprodhuar aktualen), apo nga ai mediatik (media, të mos harrojmë, është një tjetër transport publik i menaxhuar nga privatë). Si PD-ja, si PS-ja, si mikropartitë e vjetra e të reja, janë gati të bëjnë akrobaci spektakolare, me kusht që të mos flasin kurrë për të përbashkëtën. Për publiken, e cila vetëm në rastin ekstrem, do të thotë mbytje e individuales. Për publiken, e cila, sot është tërësisht e mbytur nga privatja (ekstremi tjetër). Për publiken e cila duhet të mëkëmbet, që të balancojë privaten e që të marrë prioritet ndaj saj, pasi, që të mos e harrojmë, njeriu është i tillë vetëm në shumës, shoqëria (jo xhungla) është momenti kur u mbrujt njeriu – e në fakt dhe vetë konceptimi i tij si individ është ushtrim goxha i vështirë abstragimi spekulativ.

Shqip

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.