Protesta e heshtur që ushton përherë e më fort

Postuar në 11 Tetor, 2012 16:09

Greva e urisë e një grupi të përndjekurish politikë, të cilët kërkojnë nga qeveria të drejtat që u takojnë me ligj, është një dhimbje e madhe për çdo njeri që ka zemër. Është e pakuptueshme madje kriminale, që qeveria, në përbërjen e së cilës ka tre doktorë, dy ministra dhe njëri kryeministër, qëndron kaq indiferente ndaj shëndetit të këtyre të moshuarve të sëmurë, që po sakrifikojnë jetën për të fituar të drejtat e tyre. A mund të jenë doktorë këta që urrejnë pa kufi të sëmurët e moshuar? Si është e mundur që politika të ndikojë kaq fort, sa këta doktorë të harrojnë principet e larta të profesionit? Gjergj Ndreca, njëri nga grevistët e urisë, që i vuri flakën vetes. Pse ky vetë flijim? Sepse qeveria nuk i jep atë që i takon, bukën e gojës dhe bukën e fëmijëve. Ndreca vetëflijohet që të sensibilizojë opinionin, sepse opinioni dhe qeveria, janë inertë ndaj vuajtjes së tyre. Një njeri nuk e vret vetëm me pistoletë, me thikë, me helm, por edhe me vrasjen morale. Dhe ..sido që ta vrasësh, është e njëjta gjë, por vrasja morale është më e egra. Ndreca, zgjodhi të vetëdigjet, sepse vdekja morale është më e tmerrshmja. Kjo ndodh, sepse tek ne populli rron i ndarë nga shteti. Në jetën e qytetarëve të thjeshtë nuk ka ditë të mira. Njerëzit e thjeshtë, gjithmonë, janë përpjekur për mbijetesë. Po pushteti? Ai, nuk ka ditur dhe nuk di çfarë bën. Është kjo arsyeja, që ne si një ballon vërtitemi nga na merr era. Në këtë hallakatjen tonë, njëzet e dy vjet më parë ne vendosëm: “Duam të jemi një shoqëri post-industriale. Hajt për të mirë na daltë! “Por, pushtetarët e paditur të tranzicionit, nuk e dinin se për këtë kalim duhet një revolucion i vërtetë. Një revolucion i përmasave të mëdha, që po të donim ta krahasonim, duhej të ishte i përmasave të Luftës Nacional Çlirimtare, ose me reformat e çuditshme që ndërmori pushteti popullor, siç ishin reforma agrare, kolektivizimi, kampet e përqendrimit e shumë të tjera, por, padyshim, në drejtim të kundërt. Për shembull, ashtu siç socializmi, menjëherë shpronësoi pronarët, ashtu menjëherë duhej t’u kthehej atyre prona. Por ka njëzet e dy vjet, që kjo nuk bëhet. Ndaj ka pronarë e të përndjekur të pakënaqur. Ata që drejtuan kalimin tonë në shoqërinë post-industriale, bënë çfarë nuk duhet të bënin dhe nuk bënë çfarë duhet të bënin. Na verbuan duke na treguar çekun e bardhë, të cilin nuk e pamë kurrë, sepse nuk kishte kush të na i jepte. Na thanë do ta fillojmë nga zero. Ngritën piramidat financiare që vodhën gjithë kursimet e njerëzve dhe u bënë shkak të vriten mijëra të rinj. Pse ndodhi gjithë kjo mbrapshti? Sepse ata që drejtuan, të majtë e të djathtë, u turrën të vjedhin e të përvetësojnë gjithçka, që duhej të ishte e të gjithëve. Ata që morën përsipër të bënin këtë kalim të shoqërisë, ishin njerëz të paditur. Dhe ne njerëzit e thjeshtë nuk e kuptojmë dot, se për çfarë arsye ata vendosën të zgjedhin trampolinën që na kërceu në një shoqëri të egër individualiste, post socialiste. Dhe ne, siç ishim, plot iluzione, ramë krejt të papërgatitur në lëndinat e Silikonit. Dhe tani, nuk na shpëtojnë as 10, as 15 e as 20 vjet të tjera, edhe pse, siç na thonë, vendi ku ne jetojmë është e “bukura e dheut në kohën e Internetit”. Unë e pranoj varfërinë kur ajo është e pastër dhe është për të gjithë!. Sikur të gjithë të mihnim në kopshtin tonë, pa shqetësuar komshiun, ne të gjithë do të ishim të qetë. Por, shoqëria jonë është e frustruar, e tensionuar, nga që një pakicë, agresivisht rrëmben llokma që nuk i takojnë. Iniciatorët dhe veprimtarët e këtij kalimi, kanë njëzet e dy vjet që në mënyrë cinike mendojnë : “Në qoftë se nuk i qepemi, tani, kësaj varke të prishur, do të mbetemi jashtë për gjithmonë!”. Ndërsa, populli i thjeshtë thotë: “Kjo varkë e vjetër plot me kusarë, nuk do të shpëtojë dot!!” Nga viti në vit rritet tensioni social në vend. Këtë e ndjejmë të gjithë. Shikoni krimin si rritet. Varfëria është shtruar këmbëkryq. Shkollat në qiell të hapur. Populli i varfër, thuajse, ulërin. Por ulërima e tij nuk dëgjohet, është memece. Nuk dëgjohet as vuajtja e të përndjekurve politikë në grevë dhe që i venë flakën vetes. Por edhe në këtë heshtje, njerëzit, transmetojnë mendimet e tyre. Kjo protestë e heshtur, bëhet gjithnjë e më e fortë, por akoma, jo aq e fortë për veshët e mbretërve. Të gjitha ndryshimet, reformat, lufta me korrupsionin, janë kthyer në lodra në rërë. Kemi njëzet e dy vjet që jetojmë në një mënyrë të re. Kemi njëzet e dy vjet që nuk po kuptojmë se ku po shkojmë. Mungesa e modelit të së ardhmes, bën që të na mungojë ajo që do ta quanim atdhe. Ne sot, pas 100 vjet pavarësi, nuk kemi atdhe. Ne kemi një vend ku jetojmë, madje, ku jetojmë prej kohësh. Ne nuk kemi atdhe, por hapësirë gjeografike, që e falim kur të duam dhe kujt të duam. Ashtu si dhe më parë, ne vazhdojmë t’i quajmë njerëzit që jeton në këto troje “popull”. Ne thuajse, nuk kemi shoqëri njerëzore me qëllime, me ideale dhe me bindje të përbashkëta. Ja pse atyre pak minoriteteve të vogla në Shqipëri, sot u pëlqen të quhen vllehë, maqedonë, malazezë, romë, egjiptianë, por, jo shqiptarë. Po ashtu, disa shqiptarë që jetojnë të shpërndarë nëpër botë, nuk duan të identifikohen si të tillë. Këtë bëri kjo demokracia jonë e çrregullt, ku gjithkush mendon vetëm për vete.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.