Pse Vetëvendosja të shtyn të jesh neutral
Në përballjen VV vs. PDK qytetari i edukuar kosovar duhet të vazhdojë të qëndrojë neutral. Sepse nuk duhet të çmenden që të gjithë. Dikush racional i duhet hala këtij vendi. Apo besimi se ka për t’u bërë ky vend normal u shkon përshtat vetëm idealistëve të pandreqshëm…!? Që të shmanget cikli i dhunës ose përmbysja. Bindjen për neutralitet qytetar në këtë tregim ta forcojnë vetë disa nga liderët politikë të lëvizjes “Vetëvendosje”, të cilët ende nuk e kanë prekur as nervin reagues të shoqërisë dhe as palcën kurrizore të pushtetit aktual. Sepse shpesh motivet e VV-së janë konfuze, të paqarta, madje edhe tingëllojnë ndonjëherë si thirrje për luftë civile, pra mësymje antishtet.
Në këso rastesh i kap për fjalë Qeveria, duke i vënë në pozicione të njëjta me kundërshtarët e pavarësisë së Kosovës, për ta ushqyer elektoratin e tyre me përralla me mbretër, se një armik (një bajloz i zi ka dalë prej deti!) dhe e mësyn shtetin për t’ua vjedhë lirinë qytetarëve. Me ta shitur parullën se “Hashimi po e mbron shtetin –Albini po e shkatërron”, brenda e jashtë, kjo Qeveri jo që nuk tronditet, por po fuqizohet, duke marrë njëfarë legjitimiteti së pari nga opozita tjetër parlamentare, e pastaj edhe nga BE-ja dhe ShBA-ja.
Kjo ka për t’u vërtetuar shumë shpejt, kur Sekretarja amerikane e Shtetit, Clinton, së bashku me damën e parë europiane, Baroneshën Ashton, do të vijnë në Prishtinë për t’ia rrahur supet kryeministrit për “punën e shkëlqyer”!?
Po përse VV nuk po mund të shesë në tregun politik qoftë edhe ndonjë ide brilante, të drejtë moralisht e politikisht pragmatike? Sepse nuk i ka dhënë mbështetje politike asnjë procesi politik e të domosdoshëm, që nga Pakoja e Ahtisaarit e tutje. E tash po kapet për një Rezolutë të Kuvendit, për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, që është agjendë kryekreje e BE-së në Ballkan. Dhe natyrisht që ka edhe bekimin e ShBA-së. Kosova, institucionet e saj po mësohen për menaxhimin e krizave por ajo nuk po e mëson dot menaxhimin e lirisë, sepse po abuzohet me të në secilin hap dhe pothuajse nga të gjithë.
Lëvizja VV vazhdimisht ka kërkuar që Kuvendi në mënyrë autonome dhe demokratike të debatojë për çështjet shtetërore dhe ta thotë fjalën e vet, dhe kur Kuvendi miratoi një rezolutë paksa më të qëndrueshme, duke kërkuar edhe ratifikimin në Kuvend të secilës marrëveshje me ndonjë shtet tjetër, sipas Kushtetutës (neni 18.1), sipas logjikës kundërthënëse të VV-së, as kështu nuk bëka!? E po thonë, Serbia zyrtare nuk ka lypur të falur nga shqiptarët për krimet!
Pa u kujtuar se shqiptarët, i madh e i vogël e për shumë breza, nuk i lypën të falur Serbisë për kryengritje civile dhe ushtarake; nuk i lypën të falur që ia thyen sovranitetin juridik dhe e shporren tej, si shtet hajdut, të mundur në luftë!
Fundja, fituese e luftës është Kosova dhe një qytetari pak i hyn në punë një kërkimfalje e Nikoliçit apo Daçiçit!?
Prandaj si fituese e luftës, Kosova duhet të negociojë pa asnjë hezitim dhe pa asnjë kompleks me Serbinë.
Tërë historia e shtetit/shteteve është një negociatë e përditshme (politika si art i së mundshmes) me shtetasit brenda dhe me shtetet veç e veç, jashtë si dhe me grupe shtetesh e organizata ndërkombëtare, me aleanca shtetesh dhe me koncernet shumëkombëshe.
E të mos flasim për fqinjët. A nuk është vetë BE-ja në negociata të vazhdueshme me Rusinë në një anë dhe me ShBA-në, Azinë dhe Afrikën? A nuk po negocion bota demokratike edhe me “shtetet bandite” si Irani, Koreja e Veriut?
A nuk po negocion BE-ja me të gjitha shtetet anëtare, por edhe me Anglinë. E natyrisht edhe me shtetet ballkanike rreth zgjerimit të saj e për ta zvogëluar dhunën? Po Greqia? Edhe atje po protestohet, madje me viktima e zjarrvënie, por shtetit po i duhet të flasë me të gjithë evropianët e tjerë, edhe me Angela Merkel, të urryerën e grekëve, për ta gjetur ilaçin e daljes së shtetit helen nga kriza financiare?
Ndonjëherë duke përdorur madje edhe shantazhin politik, për kinse daljen nga eurozona. E për çka mund të vetëvendosë Kosova, në epokën e doktrinës së sovranitetit të kufizuar dhe kur vetëvendosja jashtë kontekstit kolonial (një vetëvendosje zhdëmtuese) është konsumuar tashmë më 2008? Por Kosova zyrtare nuk ka kohë për të ndërtuar strategji për negocim as me shtetasit e saj e lëre më me Serbinë, me BE-në e ShBA-në, NATO-n, OKB-në, sepse ajo nuk ka ndërtuar konsensus shoqëror dhe qytetar për çështjet vitale të shtetit dhe kombit, sepse gjatë i ka trajtuar shtetasit si të sunduar e kundërshtarët politikë si armiq të mundur forcërisht. Njeriu trishtohet kur e sheh dhe e dëgjon një ministër të Brendshëm naks, e militant të verbët partiak, i cili kërcënon shoqërinë me njësite speciale policore, në emër të shtetit, pa e pasur as vetë të qartë idenë e shtetit. E ai është aty për ta menaxhuar forcën, për ta zvogëluar e jo rritur dhunën, pra si kontrollues civil – demokratik i aparatit të dhunës, por jo kurrë, për të urdhëruar rrahjen e deputetëve dhe qytetarëve, qofshin ata edhe me thasët plot domate!
Indinjohuni me të. Kaq! Kurse bashkëpartiaku i tij, kryeministri i vendit, nuk ka shpjegim tjetër për përdorimin e policisë së shtetit kundër shtetasve, pos epshit mujshor që ndien ai ndaj atyre që i konsideron si të nënshtruar, ose armiq. Ai vazhdon të flasë për një kundërshtar politik “rrugaç” pa e respektuar atë si opozitë në Kuvend, si pjesë e sovranitetit të popullit që, sipas tij, pasi e ka humbur luftën në Kuvend po e bart atë në rrugë.
E në anën tjetër lëvizja “Vetëvendosje”, me të drejtë e pa të, në luftën për pushtet nuk po i përdor fare frerët për vetëpërmbajtje nga dhuna, por e ka lëshuar “në ler”, duke qenë kundër secilit dhe çdo gjëje dhe duke qenë se me alternativat e veta politike nuk ka arritur ta bindë opozitën tjetër brenda Kuvendit që t’i bashkohet për ta rrëzuar Qeverinë, në vazhdimësi po e keqpërdor thirrjen në popull.
Këtë “të drejtë” – thirrjen në popullin – e ka keqpërdorur gjatë Qeveria, por tashti edhe lëvizja “Vetëvendosje”.
Njeriu mbetet pa fjalë kur në mbrëmjen e protestës së 22 tetorit, që u bë e dhunshme, njëri nga liderët e VV, i huazuar nga demokracia shqiptare, në TV përgojonte qytetarët e Prishtinës që kishin dalë të pinin kafe në sheshin “Nënë Terezë”!?
Me ç‘të drejtë? Masa kritike kundër keqqeverisjes tashmë është krijuar në Kosovë. Por kjo masë nuk do të thotë detyrimisht t’i bashkohet lëvizjes VV dhe të grushtohet me policinë, që i bie, me njerëzit e shtëpisë… Sidoqoftë, kjo masë nuk e ka zëdhënësin e vet – i cili di të artikulojë kërkesat e saj, të flasë e të protestojë qoftë edhe për një centë të arkës së shtetit të abuzuar nga pushteti, por edhe që di të ndërtojë vizion të qartë për të sotmen dhe të nesërmen e shtetit, përmes debatit demokratik, me partitë dhe nismat qytetare, por edhe me pushtetin, kur janë në pyetje interesat madhore kombëtare.
Lëvizja VV s’ka të ndalë në luftën e saj të drejtë kundër korrupsionit, krimit të organizuar, vjedhjes së votës së lirë, e me këtë po i shërben shoqërisë kosovare, por në këtë luftë kjo Lëvizje shpesh në vend se të mbushë njerëzit me shpresë e besim po i shastis dhe zmbraps me retorika të forta, që shpesh marrin karakteristika të diktatit ideologjik (ideologjive të mëdha), të shekullit 20. Fundja, asnjë parti politike e as pushteti nuk shpërndajnë gjithaq lumturi, por asnjë pushtet nuk e ka të drejtën t’ua marrë qytetarëve të drejtën për ta kërkuar lumturinë!?
Kosova e mbytur në dhunë politike po e vuan sindromën shqiptare të vitit 1997, kur vendi rrëshqiti në luftë qytetare, ndërkohë që elitat politike dhe kulturore, duke qenë konformiste dhe të përshtatura në një sistem kleptokracie, nuk arriti të edukonte qytetarinë, që rotacioni i pushtetit në demokraci bëhet vetëm dhe ekskluzivisht përmes zgjedhjeve të lira. Kur më 2010 PDK-ja i fitoi zgjedhjet përmes fabrikimit industrial të votës së lirë, ashiqare shihej se ky pushtet nuk do të kishte legjitimitetin e duhur dhe se dikush do të ngrejë zërin kundër asaj kapërdisjeje kundër shtetit e në emër të tij, përmes fuqisë politike të marrë me zor!?
Tashti, në fund të vitit 2012, po ashtu është e qartë se ky pushtet i dhunshëm e ka ndërmend t’i mbrojë privilegjet (pasuritë e arritura në bashkëpunim me krimin e organizuar) e veta dhe pushtetin personal me të gjitha mjetet, duke e instrumentalizuar policinë e shtetit për motive politike, për arsye të egocentrizmit të tyre të pangopshëm dhe mujshisë së pafrenueshme, madje edhe duke i dhënë emrit të shtetit të ri një mbiemër të frikshëm: shtet policor!
Kur deputetët e zgjedhur tërhiqen zvarrë nga policia si të ishin kriminelë me damkë, rrugëve e shesheve të kryeqytetit, në sy të mediave, vëzhguesve ndërkombëtarë dhe qytetarëve, atëherë çka mund të presë një qytetar i humbur, i humbur në interpretime, se cila palë ka të drejtë?
Natyrisht se po përplasen dy të drejta, e drejta e protestës publike dhe e drejta e shtetit për rendin publik.
Por që të dyja këto të drejta përkufizohen nga ligjet në fuqi dhe që janë shkelur nga të përfshirët në përplasje, edhe nga “shteti i Bajram Rexhepit” edhe nga Lëvizja VV.
Rexhepi s’ka mundur të urdhëronte policinë për t’i sulmuar deputetët brenda kompetencave të tyre dhe në ambientet institucionale, në asnjë rrethanë, këtë mund ta bëjë vetëm kryetari i Kuvendit, kurse përjashta urdhra të tilla operacionale mund të japë vetëm drejtori i Policisë. Rexhepi madje është ideal si tip që prodhon dhunë mendore, me fjalitë e tij të egra dhe me sjelljen e tij prej një diktatori të vockël provincial dhe ballkanik! Lëvizja VV së këndejmi po e shkel në vazhdimësi Ligjin për protestat publike, duke e shpërfillur shtetin, e duke mos i paralajmëruar protestat dhe duke mos e shpallur botërisht qëllimin e fundmë të mësymjes. Por ky është gjynah, megjithatë minor, në krahasim me instrumentalizimin e Policisë dhe agresionin gjuhësor të Qeverisë, për të mbrojtur ide ose koncepte parapolitike, shpesh jokushtetuese dhe joetike. Domatet dhe bojërat nuk janë mjete dhune, por rekuizita të protestës qytetare.
Prandaj përdorimi i policisë për zmbrapsjen e kundërshtarit politik dëshmon se pushteti i Hashim Thaçit është paranoid.
Me kundërdhunë legjitimohet dhuna dhe ky cikël s’ka të ndalur. Prandaj nëse VV është një forcë atdhetare, ajo duhet të ulet në debat politik me Qeverinë dhe tërë spektrin politik kosovar, për të dalë nga spiralja e dhunës. Mirëpo, Kosova ka mbetur pa një zë moderator, që i thonë zot shtëpie, sepse kryetaren jolegjitime të shtetit s’e ban kush hesap, kurse kryeministri me pushtetin e tij degjenerik është zënë duke e vjedhur shtëpinë e vet. Zor të negociohet me ta, sepse thjesht s’marrin vesh. Atyre nuk iu beson kush më, pos “juntës” së tyre në tentativë!? Qeveria kosovare po i tregon dhëmbët – por i ka të prishur! Tash e tutje më shumë do të shkaktojë të qeshura sesa frikë!
*Koha Ditore
Add new comment