Enciklopedia (e lajthitjeve identitare) maqedonase
LAJTHITJA E PARË: Maqedonasit vrapojnë në Bullgari për t’u pajisur me pasaporta bullgare dhe kjo nuk i pengon ata të vazhdojnë ta quajnë veten patriot. Kështu parapëlqen të vetëtrajtohet edhe ish-kryeministri Georgivski, i cili qysh para disa viteve me dokumente ishte bërë bullgar. Sipas raporteve të mediave, vetëm në Qystendil jetojnë mbi pesë mijë maqedonas, të cilët morën pasaporta bullgare me procedurë speciale. Askush nuk e di saktësisht se cili është kushti për t’iu nënshtruar këtyre procedurave, por ajo që dihet e nuk do shumë shpjegim është lehtësia marramendëse e maqedonasve për të hequr dorë nga identiteti i tyre. Fundja, ky është një trend që ka kapur disa vende dhe popuj, mirëpo në rastin e maqedonasve situata paraqitet pak më specifike, sepse pikërisht ata vuajnë më së tepërmi pasojat e mohimit të identitetit të tyre. Politikanët aktual maqedonas nuk po lënë gurë e dru pa rrotulluar vetëm e vetëm për të dëshmuar rrënjët identitare të popullit maqedonas.
Në këtë linjë logjike shkojnë edhe disa eurodeputetë në Strasburg, të cilët gjatë prezantimit të raportit për Maqedoninë, jo rrallë zëvendësojnë “gjuhën maqedonase” me termin “zyrtare”. Në arsyetimin para mediave ata shprehen se kjo është një çështje për të cilën është vështirë të jepet përgjigje.
Por ata që vendosin të marrin shtetësinë bullgare, nuk mendojnë edhe si politikanët. Në kërkim të një perspektive më të mirë ekonomike, bullgarët e ardhshëm, që deri dje ishin maqedonas, nesër do ta kenë shumë vështirë të kuptojnë gjuhën konfliktuoze të politikanëve. Megjithatë, politikës maqedonase i ngelet që të definojë se në cilën rrugë do të ecë formimi etnokulturor i maqedonasve, duke i ikur ekzibicioneve historiko-mitologjike. Kontestet gjuhësore, fetare e identitare me fqinjët nuk kanë shans të zgjidhen duke bërë shartime antike e sllave në trungun etno-kulturor e gjuhësor të një populli. Maqedonia nuk i ka kapacitetet e një superfuqie për t’ia lejuar vetes luksin e bredhjes nëpër histori për të bërë xhiron e radhës në kërkim të brendit që i shkon më së miri origjinës së saj.
Pikërisht, ky eklektizëm maqedonas mund t’u ketë shërbyer edhe eurodeputetëve si adut për ta zëvendësuar gjuhën maqedonase me formulimin “gjuhë zyrtare”, ndërkohë që bartësit e pasaportave të reja bullgare nuk do ta kenë problem që ta këmbejnë krenarinë e tyre kombëtare me një identitet të shpifur, i cili mund t’u sigurojë atyre një lëvizje më të lirë brenda shteteve të BE-së.
LAJTHITJA E DYTË: Kur një lajthitje përfshin shtresa të painformuara njerëzish, kjo mund të konsiderohet si peng i paditurisë, por kur lajthitja kaplon alamet koka akademikësh, atëherë kjo s’ka si të quhet ndryshe, pos vetëmashtrim për qëllime aspak shkencore. Debati për identitetin maqedonas po shkon në dy linja: njëra që udhëhiqet nga mendimtarët e afërt me pushtetin dhe tjetra – mendimtarët e afërt me opozitën. Nuk duhesh të jesh shumë i përgatitur shkencërisht për të hetuar absurditetin e këtij debati. Por, nuk duhesh të jesh edhe aq naiv për të mos kuptuar se debatet e tilla zakonisht zhvillohen në shoqëri, ku një e vërtetë lakuriqe kamuflohet me një realitet fiktiv, i përdorshëm në laboratorët e politikës së ditës.
Është thënë shpesh se një politikë agresive dhe joparimore nuk mundet të qëndrojë në këmbë nëse asaj nuk i shkon në ndihmë “çeta” e akademikëve, mendimtarëve, publicistëve, të cilët krejt diskursin e tyre e mbështesin mbi premisa të një projeksioni imagjinar dhe jashtë logjikës së zakonshme shkencore.
Njëri prej tyre ishte mysafir në një emision televiziv. Akademiku i plakur, tetëdhjetë vitet e tija të moshës së shtyrë nuk ngurronte t’i fuste në një “bast” të palavdishëm tek këmbëngulte në do teza aspak të qëndrueshme për identitetin maqedonas.
“Ne jemi ata që jemi, pra jemi maqedonas, sepse ky vend quhet Maqedoni, por jemi edhe sllavë, madje gjuha e kultura sllave burimin e ka prej këtu. Mirëpo kemi rrënjë mijëvjeçare. Pra, ne jemi edhe antikë, pse jo edhe pasardhës të Lekës së Madh”.
Kështu fliste akademiku kokëthinjur dhe aspak nuk e luante qerpikun për të pavërtetat lapidare që i këputte në atë emision. Kishim dëgjuar se një popull mund t’i ketë 2 e më shumë identitete fetare, por që mund të ketë një e më shumë identitete etnike, këtë e mësuam nga akademiku i dijeve të përgjysmuara enciklopedike. Sipas tij, maqedonasit e sotëm janë edhe sllavë, edhe maqedonas antikë, edhe kanë ardhur në shekullin shtatë, por edhe kanë qenë autoktonë. Një rebus fantastiko-shkencor i denjë për të habitur të gjithë ata turistë të huaj që duan ta vizitojnë Maqedoninë, sepse ata me siguri nuk do t’i kenë marrë me vete hartat imagjinare antropologjiko-historike të akademikut të thinjur.
Ku shpie kjo tendencë e sforcuar e gërmimit të historisë në periudha të mjegullta? Tendenca europiane e Maqedonisë së shek. 21 asgjë s’ka të përbashkët me këto mjegulla që i prodhon politika e dijeve të përgjysmuara historike. Inati me Greqinë nuk mund të amplifikohet me gabime të njëpasnjëshme në hedhjen e hapave, duke ngritur një Olimp të ri në ultësirën e Vardarit. Për aq sa Vardari e ka këtë rrjedhë, për aq edhe Olimpi nuk mund të zhvendoset sipas dëshirave dhe tekeve të politikës.
Maqedonia ka nevojë për një Olimp të vetin, që do të ngrihej mbi realitetin historik dhe tendencën europiane të integrimeve dhe bashkëpunimeve. Çfarëdo aventure tjetër që do t’i zhvendoste këto parametra, do ta bënte të vështirë komunikimin Shkup-Athinë dhe gjetjen e kompromisit për tejkalimin e kontestit për emrin.
LAJTHITJA E TRETË: Konkurrimi i mitit banal me historinë reale, ka krijuar te shtresat e paarsimuara të popullit ndjenjën e vetëmjaftueshmërisë.
Fiksimi pas figurave mitike që dita-ditës po derdhen në bronz, në sheshet dhe rrugët e Maqedonisë, sipas teoricienëve të ndryshëm, do të duhej të trajtohej si epokë postrevolucionare. Nuk e dimë, nëse këtu ka ndodhur tash frik ndonjë revolucion.
Nëse miti shndërrohet në përjetësi dhe ka shoqëruar gjenerata të shumta, atëherë nuk e kemi të qartë se cila gjeneratë në Maqedoni u rrit me mitin për Aleksandrin e Madh, shtatorja e të cilit po ua zë hijen ndërtesave shumëkatëshe në sheshin e Shkupit. Banaliteti i ngritjes në mit të figurave që nuk kanë qenë pjesë e mbamendjes së gjeneratave të mëhershme i prish të gjitha skemat normale të komunikimit me kohën dhe hapësirën ku ato pretendojnë të rikomponohen.
Leka i Madh erdhi në Shkup bashkë me simbolikën që bart në vete një montim kaq skrupuloz i historisë në arealin politik. Ushtari në kalë, tash e tutje do të kalërojë nëpër një fushë të minuar të marrëdhënieve maqedono-greke dhe strategjia e dikurshme e tij ushtarake do të tregohet pa kurrfarë sensi në tejkalimin e dallimeve ndërmjet dy vendeve. Në vend se figura e tij të bashkojë popujt dhe hapësirat tona, ai po e bën të kundërtën dhe pahetueshëm po futet nën kapotën e grisur të ambicieve iracionale të politikanëve jopragmatikë. Nga fushëbeteja e fitoreve, Leka i Madh tash e tutje do të zhytet në paqartësitë e moçalishtes ballkanike. Ai asnjëherë nuk do të arrijë në cakun e fitores, sepse misioni i tij i ri është resemantizimi i lavdisë historike në përmasat e një arene gladiatorësh, pa flamurin e triumfit, por me shumë pasoja dhe acarime reciproke.
Duke mos u mjaftuar sllavizmi, këta që po ngrenë shtatore mitike, kanë rrezik të shkaktojnë konfliktin më të madh brenda popullit të tyre. Montimi i figurës së stërmadhe të Lekës së Madh në sheshin e Shkupit, kodifikon më së miri porosinë e politikës zyrtare të Shkupit për të gjithë ata që presin tejkalimin e kontestit me Greqinë. Një vepër kaq monumentale, nuk po e mbyll vetëm një pjesë të qiellit mbi sheshin qendror të Shkupit, por po i mbyll edhe ato pak shtigje që kishin qenë gjysmë të hapura me Greqinë. Politika që favorizon këtë ekskursion kaq të kushtueshëm në historinë e largët, mund ta dijë ndoshta itinerarin e nisjes, por jo edhe të kthimit. Prandaj, shumë lehtë mund të bëhemi pre e lakmive iracionale për udhëtime njëkahshe.
Po udhëtimi drejt Brukselit? Vërtet ka politikanë në Shkup që prioritetin për t’u integruar në BE po e këmbejnë me hobin e marrjes me histori të gabuar? Maqedonia është në Europë dhe nuk ia vlen që kjo e fundit të zëvendësohet me një stallë të madhe, ku do të gjenin strehë kuajt e hazdisur të historisë. Ata që kanë vendosur të bluajnë proceset e çmueshme të historisë për të bërë prej tyre tagji për kalin e uritur të Lekës së Madh, si duket nuk e dinë që po ua përgatisin gjeneratave pasuese kurthin më të madh dhe më të paqartë.
Nuk do të donim ta quanin Lekën e Madh kalorës të apokalipsës, sepse ai është vlerë e përbashkët e jona. Mirëpo, përdorja e tij për të shmangur pyetjen se kah duhet të ecë identiteti maqedonas në të ardhmen, mbase mund të jetë qasja më apokaliptike e atyre që politikës i kanë hy me instrumente “të pasterilizuara” të historisë.
*Pedagog në Universitetin e Europës Juglindore (UEJL) në Tetovë. (MAPO)
Add new comment