Taksirat Taksash

Postuar në 20 Shkurt, 2013 04:27

Diskutimi nëse një vend duhet të zbatojë një system taksash të sheshtë (me përqindje fikse mbi të ardhurat) apo të shkallëzuar (përqindje që rritet me rritjen e të ardhurave) është mbyllur prej kohësh në vendet e zhvilluara. Vendet e zhvilluara, pa as edhe një një përjashtim, edhe kur drejtohen nga qeveritë e djathta kanë përshtatur prej kohësh taksën e shkallëzuar. Vendet në zhvillim herë pas here bien nën mashtrimin e ndonjë politikani që promovon taksën e sheshtë.

Taksa e sheshtë dhe taksa e shkallëzuar kanë të dyja avantazhet dhe dizavantazhet e tyre në teori. Taksa e sheshtë është shpesh e lidhur me partitë e djathta duke qënë se ajo favorizon shtresat e sipërme të shoqërisë. Ideja e saj është që të gjithë njerëzit janë të barabartë para ligjit dhe ndaj të gjithë duhet të paguajnë të njëjtin nivel takes, p.sh 10% të të ardhurave. Taksat e shkallëzuara nga ana tjetër favorizojnë shtresat e ulëta të shoqërisë prandaj ato përqafohen përgjithësisht nga partitë e majta. Në themel të kësaj politike është fakti që shoqëria duhet të jetë e drejtë dhe ata që kanë më shumë duhet të kontribuojnë më tepër për të mirat komunitare dhe shtresat e vobekta. Ata kanë përfituar duke shfrytëzuar sistemin ndaj po ky system duhet t’ua marrë ato mbrapsht. Argumenti pro taksës së sheshtë sugjeron që nuk ka pse të penalizohen bizneset e suksesshme apo njerëzit e talentuar. Ato do kontribuojnë gjithsesi në shoqëri duke bërë investime dhe duke krijuar vende pune. Ndërkohë argumenti i taksës së shkallëzuar mbështetet në faktin se jo të gjithë vënë pasuri në sajë të punës dhe talentit por shpesh ajo vihet me padrejtësi si pasojë e korrupsionit, abuzimit me pushtetin, përfitimit nga informacionet e fshehta apo nga hapësirat ligjore, tregjet monopole etj. Pyetja është: “cilin model duhet të përshtasë Shqipëria”?

Në praktikë, Evropa është e ndarë në dysh si me thikë kur vjen puna te sistemi i taksave. Evropa perëndimore zbaton taksën e shkallëzuar ndërsa ajo lindore taksën e sheshtë me shpresën se kështu do tërheqë investime të huaja. Shqipëria me normën e saj të sheshtë vetëm 10% është renditur ndër vendet me taksën më të ulët por paradoksalisht është vendi me defiçitin buxhetor përpjesshmërisht më të lartë. Ndërkohë që qeveria trumpeton se prej 2007-ës, pra para se kjo taksë të hynte në fuqi, investimet e huaja janë rritur me 67%, askush nuk përmend që para taksës nga 2003-shi deri në 2007-ën norma e rritjes ishte 94% (të dhënat nga Banka Botërore) pra taksa e ulët s’e ka ndihmuar aspak rritjen, përkundrazi, e ka ngadalësuar së tepërmi.

Një numër studimesh (p.sh. Morisset dhe Prinia 2000) vërejnë që në praktikë norma e taksës merret parasysh nga investitorët vetëm kur treguesit e tjerë ekonomikë dhe politikë janë të ngjashëm. Shqipëria ndërkohë është e renditur shumë më ulët se fqinjët në indeksin e stabilitetit politik të “Wordwide Governance Indicators” duke u vlerësuar me 38.7 pikë nga 55.3 që është mesatarja e rajonit. E njëjta situatë paraqitet me indeksin e lirisë ekonomike të Wall Street Journal ku e drejta e pronës dhe liria nga korrupsioni janë në nivele minimale duke lënë pas vetëm Bosnje dhe Hercegovinën.

Pra taksa jonë e sheshtë vetëm dëmton buxhetin dhe ndihmon të pasurit pa sjellë në këmbim investime të huaja. Asnjë sipërmarrës serioz nuk do zgjidhte Shqipërinë për të investuar në Ballkan. Një investitor do hynte në Shqipëri vetëm sepse ka lidhje politike, për të shfrytëzuar pasuritë tona natyrore apo për të përfituar nga parregullsitë e tregut. Norma jonë e taksës nuk është ndër këto arsye ndaj nuk ka kuptim që këto biznese të kontribuojnë po aq sa tezgat te tregu çam në buxhetin e shtetit. E njëjta gjë vlen dhe për individët. Nuk mund të taksojmë njësoj fituesit e tenderave publikë me punonjësit e mirëmbajtjes në bashki apo ata që marrin asistencë invaliditeti. Argumenti do ishte mbase më i vështirë të argumentohej në një vend ku konkurrenca është e ndershme si p.sh. në Francë, ku njerëzit e talentuar ankohen se kjo taksë ndëshkon ata që punojnë shumë dhe janë të zotë. Në Shqipëri ama, njerëzit që kanë sukses, rrallëherë e kanë arritur atë prej ndonjë talenti apo shpikjeje. Ata janë shpesh të lidhur me shtetin apo krimin (apo të dyja) dhe duke qënë se përfitojnë prej ne të gjithëve pa të drejtë, edhe duhet të paguajnë më shumë se të tjerët.

Pavarësisht nëse një qeveri është e djathtë apo e majtë, çdo vendim duhet marrë në kontekst me situatën e vendit. Britania e Madhe p.sh. vazhdon ta mbajë në fuqi taksën e shkallëzuar megjithëse drejtohet nga partia e djathtë konservatore për shkak të situatës ende delikate ekonomike në vend. Një politikan i përgjegjshëm duhet të dalë mbi përkatësitë partiake dhe t’i marrë vendimet gjithmonë në të mirë të Atdheut edhe kur këto bien ndesh me kahun politik ku ai ndodhet. Regani s’do e kishte pranuar kurrë këtë taksë nëse Amerika e viteve 80’ do kishte patur problemet që ka Shqipëria sot. Ata që besojnë të kundërtën e kanë njohur atë vetëm si aktor, kurrsesi jo si president.

DITA

Comments

Submitted by ILIRET (not verified) on

<p>Shuma energji te harxhuara per te spjeguar taksen e sheshte apo progresive. Ne nje vend qe njerezit nuk kane pune, nuk paguajne taksa, nuk duan t&#39;ja dine dhe as duan te degjojne per taksat mbi te ardhurat. 1 500 000 fshatare, nuk jua ndien fare. Mbi nje milion te papune te qytetit, cfare takse paguajne. Flet per 95 mije buxhetore? Apo 450 mije punonjes te bizneseve private?</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.