Veriu drejt administrimit ndërkombëtar

Postuar në 20 Shtator, 2011 07:49

Para nisjes së negociatave për statusin e Kosovës, Grupi i Kontaktit kishte përcaktuar parimet, në bazë të të cilave do të zgjidhej ky status. Një nga parimet ishte mosndarja e Kosovës apo mosndryshimi i kufijve të saj.

Aksioni i 16 shtatorit në pikat doganore 1 dhe 31 në kufirin verior me Serbinë, sikur i dha një mesazh të qartë Serbisë se nuk ka ndarje të kësaj pjese. Por, njëherësh pranimi i gjendjes faktike në terren me bllokada e barrikada e deri tek dorëzimi i gjendjes në terren tek strukturat e pushtetit paralel i ka dhënë mesazhe mbase edhe Prishtinës zyrtare se mosndryshimi i kufijve nuk do të thotë se nuk ka hapësirë për aranzhime të reja për veriun.

Burime ndërkombëtare në Prishtinë thonë se për rrethanat aktuale gati se është e pamundur të flitet për një zgjidhje të shpejtë. Andaj, për të shmangur dhunën, tensionet dhe eskalimin në konflikte, sipas tyre, në qarqe ndërkombëtare tashmë shtrohet me seriozitet çështja e vendosjes së veriut nën administrim të përkohshëm – kalimtar ndërkombëtar.

Disponimi i politikës perëndimore thuhet të jetë që kjo administratë e përkohshme të drejtohet nga BE-ja, përderisa zyrtarë serbë, thuhet të favorizojnë që aty të ketë një rol edhe KS i OKB-së.

***

Një pozicion i tillë serb nga këto burime interpretohet si përpjekje për t’i siguruar Rusisë një rol dhe ndikim në këtë proces eventual.

Një administratë e përkohshme ndërkombëtare për veriun, sipas këtyre burimeve, do të përgatiste procesin e parë zgjedhor në këtë pjesë, në mënyrë që pushteti komunal të kalojë gradualisht te liderët e zgjedhur politikë. Ndërsa si opsione përmenden zgjidhje që nga Plani i Ahtisarit e deri te Plani 6-pikësh i Ban Ki Munit. I pari ishte refuzuar nga serbët, kurse i dyti nga institucionet e Kosovës.

Andaj, zgjidhjet thuhet se do të kërkoheshin diku mes këtyre dy opsioneve. Vetë procesi negociator Kosovë – Serbi deri tash ka prodhuar marrëveshje që më shumë janë në harmoni me Planin 6-pikësh, kështu që bazat e një zgjidhjeje të tillë për veriun sikur kanë filluar të vendosen me këtë proces.

Pas 16 shtatorit, kur NATO dhe BE-ja me praninë e tyre në kufi i treguan qartë Serbisë se nuk ka më ndryshim kufijsh, tani qeveritarë serbë thuhet se kanë rënë në “hall”me strukturat paralele, të cilat i kanë ngritur vetë në Kosovë, sidomos në pjesën veriore. Ata po mundohen t’ua shpjegojnë serbëve lokalë se ndërkombëtarët nuk po lejojnë ndarjen e veriut dhe kjo thuhet t’i ketë revoltuar tej mase këto struktura.

Kurse plotësisht jo bindëse ndaj kërkesave më të reja të Beogradit, sipas këtyre burimeve, tashmë janë disa formacione ilegale në veri, të cilat këto ditë u paraqitën edhe me uniforma, çka deri më tash ishte rreptësisht e ndaluar, ngase komanda e NATO-s qysh para 10 vjetësh ia kishte bërë me dije Beogradit, se nuk do të tolerohen uniforma në asnjë pjesë të Kosovës.

Se çështjet në veri po ecin kah debatet për aranzhime të reja për këtë pjesë flet tërthorazi edhe një deklaratë për medie e presidentes Atifete Jahjaga, e cila nga Nju-Jorku dha një porosi se statusi special për veriun do të çonte drejt ndarjes. Pavarësisht pozicionit që mbajnë presidentja apo kryeministri i vendit, vetë përmendja e statusit special në deklarimet e tyre publike nënkupton në vete një proces para të cilit ndodhen institucionet dhe lidershipi i vendit.

Nga ana tjetër, për disa nga liderët e institucioneve vendosja e normalitetit në veri të Kosovës, konsiderohet si prioritet krahasuar me çfarëdo lloj procesi tjetër diskutimi për veriun.

Ashtu si qëndrojnë sot punët në terren, gjendja faktike atje do t’i garantonte Kosovës ndoshta ruajtjen e kufijve për shkak të insistimeve dhe interesave ndërkombëtare, por njëherësh qeveria qendrore dhe institucionet e Prishtinës do të humbnin ndikimin në atë pjesë me çfarëdo aranzhimi të ri politik e territorial për veriun.

Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi thotë se vendosja e normalitetit në veri kërkon kohë, marrë parasysh strukturimin e gjatë të pushteteve paralele në këtë pjesë të Kosovës.

”Qytetarët dhe ne duhet ta dimë se për 10-12 vjet në atë pjesë të Kosovës janë toleruar strukturat e pushtetit serb dhe janë toleruar strukturat kriminale që e kanë vendosur një pushtet dhe për t’i eliminuar apo shpërbërë ato struktura kriminale duhet një kohë, sepse ata njerëz që e kanë pasur atë pushtet nuk e kanë lehtë ta humbin”, thotë Krasniqi.

Përderisa në media të ndryshme dhe opinion flitet për mundësitë e gjetjes së zgjidhjeve politike për veriun, Krasniqi thotë se qeveria dhe faktori ndërkombëtar kanë një plan të përbashkët për doganat dhe pret që njësoj të veprojnë për ndryshimin e gjendjes në terren.

“Ne kemi një plan operacional të qeverisë dhe më vjen mirë që ky plan është i harmonizuar edhe me faktorin ndërkombëtar. Presim që ditët e ardhshme këto veprime do të vazhdojnë të jenë të koordinuara dhe në shërbim të vendosjes së rendit dhe ligjit në atë pjesë të Kosovës”, thekson Krasniqi.

Sidoqoftë, që nga veprimet e para të qeverisë më 25 korrik dhe sidomos pas zbatimit të planit të përbashkët me ndërkombëtarët më 16 shtator për pikat doganore në veri, shumë analistë e vlerësuan këtë si një vendosmëri të faktorit ndërkombëtar për mos ndryshimin e kufijve të Kosovës. Por, gjendja faktike në terren megjithatë kishte hapur në vazhdimësi dyshimet e dilemat nëse veriu do të trajtohej apo jo në të ardhmen si një çështje e veçantë në aspektet e rregullimit të brendshëm territorial e autonom.

Nga Zijadin Gashi, Zëri

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.