Statusi në BE, PD-PS akuza të ndërsjellta për përgjegjësitë
Kur kanë mbetur edhe vetëm 22 ditë nga dalja e progres raportit për statusin e vendit kandidat ligjvënësit socialistë por edhe ata demokratë pranojnë dështimin e këtij procesi, duke vënë gishtin e akuzës në drejtim të njëri-tjetrit. Deputeti socialist Ditmir Bushati thotë se, nëse nuk fillon menjëherë puna për përmbushjen e 12 rekomandimeve të BE, statusi rrezikohet edhe vitin tjetër dhe për këtë, përgjegjësia sipas tij është e qeverisë.
“Nuk pres surpriza, pres një fotografim të realitetit shqiptar ashtu sic është, një diagnostikim të realitetit shqiptar shumë të kthjellët sic e bën gjithmonë KE dhe pres gjithashtu përcaktimin e një udhërrëfysi të qartë se ku duhet të ecë politika shqiptare. Shqipëria ka humbur shumë, them se jemi vonë edhe për vitin tjetër. Nuk e pengon opozita qeverinë për të luftuar korrupsionin, nuk e pengon edhe për të pasur një plan të qartë se kur do të përfundojë saga e kthimit dhe kompensimit të pronave, pasi edhe këto ditë po shohim vrasje mafioze që kanë në gjenezë të tyre pronën”, tha deputeti Bushati.
Por nga ana tjetër demokrati Fatos Beja e cilëson të qëllimshëm qëndrimin politik të opozitës, që refuzon të miratojë në këtë periudhë të shkurtër dhe vendimtare për marrjen e statusit të vendit kandidat, ligjet që kërkojnë 3/5. Por kjo manovër bojkotuese e opozitës, thotë Beja do të marrë ndëshkimin me votë të qytetarëve në zgjedhjet e 2013-tës.
“Përsëri jemi në situatën e bllokimit me dashje, me dëshirë të procesit normal të Parlamentit, që do të thotë se ju keni të drejtë që keni dyshime për kohën e ngelur në të cilën pritet arritja e rezultateve pozitive. Gjithsesi teknikisht është mundësia që ketë javë që të votojmë ato ligje që ndihmojnë integrimin. Opozita nuk dëshiron, ka dëshirë të pengojë qeverinë. Shqiptarët e kanë të qartë se një gjë të tillë nuk mund t’ia kërkojnë mazhorancës, por opozitës dhe kërkesa e tyre do duket në votë, sic u duk në zgjedhjet e kaluara”, tha Fatos Beja.
Në 12 tetor Bashkimi Europian pritet të publikojë raportin për statusin e vendit kandidat duke u mbështetur në realizimin e 12 rekomandimeve që i janë adresuar Shqipërisë.
Marrë nga balkanweb.com
Add new comment