Kuvendi shtyn votimin e pr/ligjeve që kërkojnë 3/5

Postuar në 22 Shtator, 2011 10:13

Kuvendi shtyu votimin e pr/ligjeve të cilat duhen miratuar me 84 vota, ose me tre të pestat e votave te deputeteve. Pr/ligjet përfshinin Kodin Penal, Kodin Civil dhe Kode te tjera, por ato nuk mund te miratohen pa votat e opozites. Sot pasdite replika mes krerëve të 2 grupeve parlamentare. Reagon dhe Topalli: Mos bllokoni Shqipërine.  Do mbani pergjegjesi.

BREGU: OPOZITA PROJEKT ANTIKOMBËTAR
Ora 16:32- Ministrja e Integrimit Majlindja Bregu mosvotimin e ligjeve nga deputetët e opozitës e quajti një shans të humbur për integrimin dhe njëkohësisht një projekt antikombëtar.

"Më është dashur të shpjegooj apsurdin tuaj të pa shpjegueshëm në Bruksel, por ju kujtoj se 12 rekomandimet ishin detyrë për cdo deputet të Kuvendit. Asnjëherë në dy vjet nuk kam menduar që ju do bllokonit ligjet. Ne nuk habitemi që ju nuk votuat. Shqipëria po humbet për herë të dytë shansin për të marrë statusin e integrimit, ju sot keni votuar tërësisht kundër fatit të shqiptarëve, projekti juaj është antikombëtar”, tha Bregu.

TOPALLI: MOS BLLOKONI SHQIPËRINË, DO MBANI PËRGJEGJËSI
Ora 16:20- Kur na ndajnë pak ditë nga publikimi i progres raportit të KE-së për Shqipërinë, Kuvendio kërkon miratimin e ligjeve që kërkojnë edhe votën e opozitës. Kryeparlamentarja Topalli kërkoi sërish sot votën e opozitës për integrimin, duke ftuar deputetët e majtë të votojnë sot.
“Që Shqipëria të ecë drejt integrimit statusi varet nga opozita. Pa votën tuaj kolegë të opozitës Shqipërisë mund ti pengohet integrimi. Unë kam respekt për burrat, ata e mbajën fjalën nuk gënjejnë. Javë më parë Rama tha se do votojmë, ndërsa 3 ditë më parë tha se nuk do votojmë”, tha Topalli.

Sipas kryeparlamentares Kuvendi do shqyrtojë cdo kërkesë të opozitës, por fillimisht nuk duhet bllokuar integrimi.
“Ne jemi të hapur për t’ju dëgjur, do shqyrtojmë edhe kërkesën për rregulloren e Kuvendit. Por integrimi nuk pranon kushte, ne nuk pranojmë kushte për integrimin. Ne nuk vendosim kushte për Shqipërinë. Mazhoranca ka bërë oferta. Si politikane ju ftoj me sinqeritet, votoni ligjet që keni para. Sytë e shqiptarëve janë drejtuar nga kjo sallë. Sot mbajmë përgjegjësi për statusin, të punojmë bashkë, të votojmë bashkë, sot vota juaj do ketë një ndikim. Ti miratojmë këto ligje zotërinj deputetë që të mos themni nesër që pse jemi të fundit. Mos bllokoni Shqipërinë, votoni tani, mos na thoni në 13 tetor pse jemi të fundit, do mbani përgjegjësi”, deklaroi kryetarja e Kuvendit.

PATOZI: PO PERDORNI POLITIKEN BLLOKUESE
Ora 16: 20 Kryetari i grupit parlamentar Astrit Patozi deklaroi se vendimi i opozitës për të mos votuar ligjet është i kryetarit socialist pasi ““Edi Rama urren parlamentin, ai ëndërrron një parlament që i jep atij shumicën, një gjë që nuk do të ndodhë kurrë mesa duket. Nëse do kishte kurs të ri, ajo pritej të ndodhte në këtë sallë.”- tha Patozi duke shtuar se qëndrimi në kuvend u mësua nga editorialet e Ramës në gazeta dhe "kjo është fyese”
Patozi tha se u refuzua propozimi i PD-së për të thirrur asistencën e OSBE/ODIHR për reformën zgjedhore.

RUCI: GATI TE NISIN REFORMAT DUKE U ULUR NE TRYEZE,JO RIPARIMEVE
Ora 16:00 Kryetari i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruci, bëri thirrje maxhorancës për të ulur në tavolinë për të nisur reformat dhe kthimin e ligjeve nëpër komisione. Ruci ftoi maxhorance të ulen në tryezë duke filluar nga zgjidhja e krizës politike, kthimi në normalitet i punës së kuvendit deri te reformimi në themel i organeve të drejtësisë, mbrotja e lirisë së medias.

“Të ulemi të bëjmë një paketë për të luftuar kriminalitetin dhe kjo nis nga reforma në administratë e organeve që luftojnë krimin, të cilin e keni emurëruar ju dhe është përgjejgjëesi e juaja. Kapja e institucioneve...Nuk duam emër të përveçëm për Avokatin e Popullit. Kur kemi qenë në pushtet
kemi pasur dhe shumicën për të zgjedhur Presidetin dhe megjithatë jemi ulur në tryezë për të zgjidhur presidentin konsensual. Jemi gati të ulemi të diskutojmë për të gjitha institucionet e pavarura .”- deklaroi Ruci. Me tej ai nënvizoi se "Jemi këtu për të plotësuar dhe zgjidhur, të negociojmë, të punojmë e të veprojmë. Nuk jemi këtu të riparojmë se kush do të jetë hajduti i radhës në koncensuion .. ne duam që koncensionet të mos ketë korrupsion, Korrupsionin nuk e zgjidh heqja e njeriut.”

OPOZITA SHQETËSIM PËR LIGJIN PËR MBETJET
Ora 12:00- Opozita kundërshtoi miratimin e ligjit për lejimin e importit të mbetjeve të riciklueshme për industrinë vendase, pasi siç u shprehën deputetët e opozitës, miratimi i këtij ligji do t'i hapë rrugë futjes në vend të lëndëve të rrezikshme.
"Mungesa e kontrolleve si dhe korrupsioni do të sjellin futjen e mbetjeve të pariciklueshme dhe të dëmshme në vend", deklaroi deputeti i PS-së, Marko Bello. Ministri i Punëve Publike dhe Transportit, Sokol Olldashi, siguroi sot se ligji për importin e mbetjeve të riciklueshme nuk lejon importin e mbetjeve të rrezikshme në vend.

Duke iu përgjigjur shqetësimit të deputetëve të opozitës në seancën plenare të së enjtes, Olldashi tha se "duhet të heqim çdo mëdyshje të këtij ligji. Në bazë të tij, lejohet importi i mbetjeve të riciklueshme, për të cilat industria vendase ka nevojë".
Olldashi u shpreh se është ky ligj që rregullon importin e mbetjeve të riciklueshme dhe janë një kategori e mirëpërcaktuar që do të thotë që jo çdo mbetje është e riciklueshme .

Duke patur parasysh përgjegjshmërinë shumë të lartë që duhet të ketë vendimi për të lejuar importin e mbetjeve të riciklueshme, vijoi Olldashi, vendimi është çuar për miratim në Këshillin e Ministrave.

NIS SEANCA,  MIRATOHET KALENDARI 3- JAVOR I PUNIMEVE
Ora 11:00- Nis seanca plenare ku u votua kalendari 3-javor. Parlamenti miraton dhe fut ne kalendar ligjin per gjykatat adminsitrative dhe ne rend dite, 6 kodet qe kerkojne 84 vota. Në fillim të punimeve të sotme parlamentare parashikohet diskutimi i tre p/ligjeve: "Për transmetimet me zë dhe/ose me zë e figurë në Republikën e Shqipërisë"; p/ligjit "Për menaxhimin e integruar të mbetjeve" dhe p/ligjit "Për shërbimin veterinar në Republikën e Shqipërisë".
Më pas në rendin e ditës janë përfshirë ndryshimet në gjashtë kode: në Kodin Penal, Kodin Detar, Kodin Rrugor, Kodin Ajror, Kodin Hekurudhor dhe Kodin Civil, të cilat kërkojnë një shumicë të cilësuar votash (85).
Gjithashtu, në rendin e ditës së seancës së sotme janë parashikuar dhe dy interpelanca: me ministrin e Shëndetësisë Petrit Vasili dhe ministrin e Inovacionit dhe Teknologjisë së Informacionit, Genc Pollo.

PS: NUK VOTOJMË LIGJET ME 3/5
Ora 10:30- Pak para nisjes së seancës parlamentare është mbajtur Konferenca e Kryetarëve të grupeve parlamentare ku Partia Socialiste ka deklaruar se nuk do të votojë ligjet me 3/5 nëse nuk nis reformimi që nga ndryshimet në rregulloren e Kuvendit. Partia Socialiste kërkoi heqjen nga rendi i ditës i punimeve të sotme të Kuvendit të disa projektligjeve që lidhen me ndryshimet në disa kode dhe që kërkojnë 84 vota.
Ndërsa pritet të nisë seanca plenare e radhës, më herët u mblodh konferenca e kryetarëve e grupeve parlamentare ku përfaqësuesit e opozitës refuzuan votimin sot në Kuvend të projektligjeve që kërkojnë 3/5 e votave, duke kërkuar më parë që të merret parasysh propozimi i tyre për reformën parlamentare dhe më pas të diskutohet për projektligjet e mësipërme.

KUVEND, SOT 6 KODE DUAN 84 VOTA
Ora 07:00- Parlamenti shqiptar pritet të shqyrtojë sot 6 Kode, për miratimin e të cilëve nevojiten 84 vota, ose siç njihet 3/5 e votave të deputetëve. Rendi i ditës në seancën e paradites përmban disa shtesa dhe ndryshime nenesh në Kodin Civil të vitit 1994, në Kodin Penal të vitit 1995, në Kodin Rrugor të vitit 1998, në Kodin Detar të vitit 2004, në Kodin Hekurudhor po të vitit 2004 dhe në Kodin Ajror të vitit 2008 në Republikën e Shqipërisë. Ndryshimet nuk mund të miratohen pa bashkimin e votave të opozitës me shumicën parlamentare.

Për amendametet në Kodin Penal janë ndërmarrë 4 nisma legjislative, për Kodin Detar janë ndërmarrë 2 nisma legjislative, për Kodin Rrugor 3 nisma, ndërsa për Kodin Civil, Hekurudhor dhe Ajror janë propozuar shtesa dhe ndryshime për aktualizimin e tyre me kërkesat ndërkombëtare të kohës. Në seancën e sotme pritet të raportojnë pothuaj të gjithë komisionet parlamentare që shqyrtuan projekt-ligjet; komisioni i ligjeve dhe të drejtave njerëzore, komisioni për sigurinë kombëtare, komisioni për integrimin europian, si edhe komisioni për tregtinë dhe mjedisin.
Në rendin e ditës janë edhe disa ligje po aq të rëndësishme mbi transmetimet radio-televizive, për menaxhimin e mbetjeve urbane, dhe për prodhimet bujqësore, si edhe në fund dy interpelanca me ministrat e shëndetësisë dhe teknologjisë. Por prova e vërtetë e parlamentit janë miratimi ose jo i 6 Kodeve që kanë nevojë për 84 vota.
Seanca e sotme plenare shihet nga analistët vendas edhe si një provë për opozitën socialiste, e cila deklaroi se do të kthehej në parlament në shtator dhe do të bashkëpunonte për reformat e kërkuara nga Bashkimi Europian. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaroi në fillim të kësaj jave para grupit parlamentar se opozita nuk do ta ngrejë kartonin jeshil formalisht, vetëm që maxhoranca të kryejë disa arnime të ligjeve të mëparshme. Partia Socialiste hodhi idenë që projekt-ligjet e vonuara nëpër komisione për shumë muaj të kthehen prapa dhe të ripunohen nga e para.
Por, shumica e djathtë e ka hedhur poshtë këtë propozim, duke theksuar se projekt-ligjet dhe amendamentet janë shumë profesionale, të konsultuar nga profesionistë të SHBA dhe BE-së dhe se ato janë vonuar vetëm për shkak të bojkotit dyvjeçar të socialistëve në parlament. Partia Demokratike deklaroi se ideja e Partisë Socialiste është e papranueshme; pra që të hidhet poshtë puna e deritanishme vetëm se opozita mungoi në parlament muaj e vite të tëra. Demokratët pohuan, që nëse socialistët nuk votojnë ligjet me 3 të pestat e votave, ky do të jetë një bojkot i ri i parlamentit prej tyre dhe tërheqje pas e premtimeve të tyre për bashkëpunim parlament në dobi të integrimit europian.

Marrë nga balkanweb.com

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.