Draft-rezoluta e KiE: Përmirësoni kodin elektoral brenda 2013
Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës do të debatojë dhe votojë sot një draft rezolutë mbi situatën politike në Ballkan, e hartuar nga raportuesi i komisionit për cështjet politike, suedezi Björn von Sydoë.
Në draft thuhet se pavarësisht një vlerësimi të përgjithshëm pozitiv të situatës në Ballkan, rritja e fundit e tensioneve dhe ngërci politik në disa pjesë të rajonit japin arsye për shqetësim. Sa i përket situatës në Shqipëri, në draftrezolutë mirpritet përfundimi zyrtarisht i zgjedhjeve lokale 2011, ndërsa vihet në dukje angazhimi i liderit të Partisë Socialiste për ti dhënë fund bojkotit në parlament.
Po kështu inkurajohen të gjitha partitë që të forcojnë pa vonesë, funksionimin e tyre të brendshëm, të punojnë drejt normalizimit të situatës politike dhe të nisin dialogun politik brenda parlamentit mbi reformat kyce dhe të domosdoshme që duhen ndërmarrë, me një vëmendje të vecantë ndaj bisedimeve për anëtarësim në BE. Në draft thuhet gjithashtu se mirëpritet marrëveshja e arritur mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste për të vazhduar punën me reformën elektorale dhe i bën thirrje atyre të sigurojnë që reforma të ketë parasysh problemet dhe të metat që u hasën si në zgjedhjet parlamentare edhe në ato lokale dhe të rrisë mundësitë për partitë e vogla që të hyjnë në parlament. Kjo gjë do ti jepte fund bipolarizimit që ka shënjuar politikën shqiptare dhe ka frustruar shumë popullin shqiptar në dekadat e kaluara. Lidhur me procesin e reformës elektorale, në draftrezolutë thuhet se duhet të merret parasysh këshilla e Komisionit të Venecias. Lidhur me këtë, raportuesi Björn von Sydoë kujton gjithashtu se Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Europës i ka shkruar autoriteteve shqiptare duke i informuar për qëllimin e tij për t’i kërkuar Komisionit të Venecias një opinionin se si mund të evitohen problemet e vëna re gjatë zgjedhjeve lokale të 8 majit. Ndaj ai i bën thirrje Asamblesë të mbështesë propozimin e Jagland për të përmirësuar dhe qartësuar kodin elektoral për zgjedhjet e ardhshme. Gjithashtu në të thuhet se anëtarët e komisionit të monitorimit kanë ndërmend të rikthehen në Shqipëri në tremujorin e tretë të këtij viti për të vlerësuar progresin e bërë sa i përket zbatimit të obligimeve dhe angazhimeve të Shqipërisë ndaj Këshillit të Europës.
“Është shumë e rëndësishme që ngerci politik të mos vazhdojë të paralizoje procesin legjislativ dhe miratimin e reformave të nevojshme për vendin, përfshirë këtu fillimin e negociatave për anëtarësim në BE”-vazhdon drafti. Ky i fundit bën thirrje për vazhdimin e monitorimit nga afër të situatës në Shqipëri dhe Bosnje Hercegovinë, duke thënë se njeë gjë e tillë është nën procedurat monitoruese të Asamblesë dhe për rrjedhojë situata do të vazhdojë të ndiqet me kujdes nga Komisioni i Monitorimit.
Add new comment