Skandal: Basha i jep titullin Qytetar Nderi edhe Emirit të Katarit
Nuk ka të ndalur skandali i kryetarit të Bashkisë, Lulzim Basha. Ndërsa dje doli në konferencë për shtyp dhe shpalli se do i jepte titullin Qytetar Nderi dy personave, kryeministrit të Kuvajtit dhe aktores Eliza Dushku, sot ka deklaruar se do marrin titull nderi tre persona, kryeministri i Kuvajtit, Emiri i Katarit dhe Eliza Dushku.
Kjo është deklarata e djeshme e Bashës. “Dua të informoj qytetarët e Tiranës se nesër në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, do të paraqes për miratim 5 vendime. 2 prej këtyre vendimeve kanë të bëjnë me marrjen e titullit “Qytetar Nderi i Tiranës”, për 2 miq të qytetit, të cilët kanë ndihmuar dhe vazhdojnë të ndihmojnë, në mënyra e forma të ndryshme nga njëri-tjetri. Bëhet fjalë për Lartësinë e tij, Kryeministrin e Kuvajtit, dhe për aktoren e mirënjohur shqiptaro-amerikane, Eliza Dushku.”
Ndërsa ky është njoftimi i sotëm i bashkisë. “Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi sot me 29 vota pro, 5 propozime të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, që kanë të bëjnë me heqjen dhe uljen e 60 taksave dhe tarifave vendore, ndryshimin e strukturës organike së Bashkisë, hapjen e tenderit për projektin teknik për segmentin e Unazës së Madhe nga Shkolla Teknologjike tek Qendra Kristal dhe kalimin në dy nivele të rrethrrotullimit të Doganës së Tiranës, dhënien e titullit Qytetar Nderi, për Kryeministrin e Kuvajtit, Emirin e Katarit, dhe për aktoren shqiptaro-amerikane, Eliza Dushku. Gjithashtu, Këshilli Bashkiak miratoi vendimin për kalimin e Futboll Klub “Tirana”, në shoqëri aksionere.”
Por ku qëndron problemi. Fakti është se një titull Qytetar Nderi është dhënë në vitin 2008 dhe ai ka shkuar për Emirin e Kuvajtit. Ndërkohë, Basha i ka akorduar titullin të njëjtit person, vetëm se e shpall si kryeministër të Kuvajtit. Në asnjë njoftim të Bashkisë nuk shqiptohet emri i tij, për të shmangur skandalin. Kurse vetë Basha e ka thënë emrin e tij sot dhe ai është ai i Emirit dhe jo i kryeministrit të Kuvajtit. Për të krijuar një kakofoni, ai sot ka përzier edhe emrin e Emirit të Katarit, që nuk ishte askund në listë dje.
Marrë nga Tema
Add new comment