Mazhoranca kundër Sali Shehut

Postuar në 28 Tetor, 2011 07:47

Të enjten në Top Story, mazhoranca dha shkëndijen e parë të kundërshtimit të emrit të propozuar nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi për kryetar të Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Presidenti ka propozuar për këtë post ish-deputetin e PD-së, zotin Sali Shehu.
Kandidatura e zotit Shehu u kritikua nga deputeti i mazhorancës Enkelejd Alibeaj. Sipas Alibeajt, Shehu është në vorbullën e atyre personave që bëjnë emërime korruptive në gjyqësor, që sipas tij, janë zbardhur edhe në raportin e Këshillit të Europës.
“Kandidatura; nga një klientelist ta cojmë në institucionin më të lartë që do të kontrollojë se ku shkojnë paret e shqiptarëve”, tha ndër të tjera Alibeaj.
Ndërkohë, deputeti i PS-së, Fatmir Toçi u shpreh më i rezervuar duke thënë se propozimi i Presidentit të Republikës do të kalojë nëpër komisionet dhe sitën parlamentare për të vendosur nëse është e duhura apo jo. Toçi nënvizoi se Sali Shehu është një kandidaturë e djathtë.
“Është një kandidaturë që vjen nga e djathta, e bërë me të drejtat kushtetuese të presidentit Topi. Do ndjekim të gjitha rrugët institucionale për të vendosur për këtë kandidaturë”, deklaroi deputeti Toçi.
Analisti i ftuar në studio, Lutfi Dervishi, vlerësoi se propozimi i presidentit është një test për situatën politike në vend, pas përplasjeve të presidentit Topi me mazhorancën. Dervishi nënvizoi se mazhoranca me shumë gjasa do ta rrëzojë kandidaturën.
Ndërsa kreu i PDS-së, Paskal Milo tha se nevojitet një kandidaturë konsensuale. Ai theksoi se nëse votimi në parlament për kandidaturën e zotit Shehu do të behëj i fshehtë, ai do të merrte votat e nevojshme për t’u bërë kryetar i KLSH-së, por me votim të hapur, kjo kandidaturë, sipas zotit Milo do të rrëzohet për shkak të qendrimit politik.
Zotit Shehu për t'u konfirmuar do t'i duhen 71 vota. Sali Shehu ka qenë deputet i Partisë Demokratike në legjislaturën e kaluar. Ndaj votimi i tij në parlament pritet me interes.
Kontrolli i Lartë i Shtetit konsiderohet një institucion mjaft i rëndësishëm, sepse sipas ligjit eshte institucioni me i larte i kontrollit ekonomik dhe financiar. KLSH i nenshtrohet vetem Kushtetutës dhe ligjeve. Nëse zgjidhet kryetar i KLSH, Sali Shehu do të qëndrojë në detyrë per 7 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje. 

Top-channel

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.