Pakistan: Zhvillohet ceremonia e varrimit për ushtarët e vrarë nga sulmi i Natos
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/29/4462_foto_1_3.jpg?itok=BBR_YlmW)
Pakistani zhvilloi sot ceremoninë mortore për 24 ushtarët e vrarë dje në një sulm ajror ndërkufitar të Natos në rajonin veripërëndimor të vendit. Sekretari i Përgjithshëm i Natos Anders Fogh Rasmussen tha sot se i kishte shprehur ngushëllime kryeministrit Yusuf Raza Gilani për siç u shpreh ai “vdekjet tragjike dhe të pa qëllimshme”.
Ministrja e jashtme e Pakistanit i tha homologes së saj amerikane se sulmi ajror ndërkufitar ndaj pikave ushtarake në veriperëndim të Pakistanit është i papranueshëm.
Hina Rabbani Khar foli sot në mëngjes me Sekretaren Amerikane të Shtetit Hillari Klinton, duke i thënë se sulmi i djeshëm ku u vranë të paktën 24 ushtarë pakistanezë dhe u plagosën 14 të tjerë tregon një mospërfillje të plotë për jetën e njerëzve. Ministrja Khar tha se sulmi ka shkaktuar zemërim të madh në Pakistan.
Sot u zhvilluan funeralet për ushtarët e vrarë. Komisioneri i Lartë i Pakistanit në Britani, Wajid Shamsul Hasan, shprehu zemërimin e tij rreth sulmit ajror.
“Është me të vërtetë tronditëse për popullin tonë, për vendin, për udhëheqjen tonë. Të gjithë janë të befasuar për atë që po ndodh në Pakistan”.
Pakistan iu kundërpërgjigj sulmit ajror me mbylljen e të gjitha linjave të furnizimit të NATO-s të cilat kalojnë përmes territorit të vendit për të shkuar në Afganistan dhe i ka kërkuar Shteteve të Bashkuara të largohen nga një bazë ajrore në provincën jugperëndimore Baluchistan brenda 15 ditëve.
Kryeministri i Pakistanit Yousuf Raza Gilani, ushtarakë të lartë dhe udhëheqësit e qeverisë thanë dje se qeveria pakistaneze “do të rishikojë të gjitha programet, aktivitetet dhe aranzhimet bashkëpunuese me Shtetet e Bashkuara, NATO-n dhe ISAF-in”. Ata bënë thirrje për “veprim të fuqishme dhe urgjente” kundër atyre që janë përgjegjës për incidentin vdekjeprurës.
Zëdhënësi i ISAF-it, gjenerali Carsten Jacobsen, tha se udhëheqësit ushtarakë janë duke hetuar incidentin.
“Komandanti i Forcës Ndërkombëtare të Sigurinë ka deklaruar se ai personalisht është duke i kushtuar vëmendje të lartë kësaj çështje dhe është i angazhuar për një hetim të hollësishëm për të gjetur faktet”.
Shtetet e Bashkuara thonë se ky rajon i Pakistanit është një vendstrehim për forcat e talebanëve, të cilët kanë luftuar për 10 vjet kundër trupave amerikane në Afganistan.
Zëri i Amerikës
Add new comment