FBI kthen serverin e Kryeministrisë: Filmimet në 21 janar, të zhdukura!

Postuar në 07 Dhjetor, 2011 03:44

 

Zyrtarët e kryeministrisë kanë fshirë filmimet e kamerave ditën e protestës së opozitës më 21 janar dhe për këtë arsye janë marrë nën hetim nga prokuroria. Ata akuzohen për fshehje dhe fshirje të pamjeve filmike të regjistruara nga serveri qendror i kamerave të sigurisë. Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare të organit qendror të akuzës, sipas të cilëve, njësia e përbashkët hetimore ka regjistruar procedimin penal pa autor, por për dyshimin e kryerjes së dy veprave penale atë të “shpërdorimit të detyrës” dhe “Veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës” në bashkëpunim.

Sipas këtyre të dhënave mësohet se hetimi ka nisur pas konstatimit të kryer nga ekspertët e Byrosë Federale të Hetimit (FBI-së) se në serverin qendror të kamerave të sigurisë ka pas ndërhyrje më datën 21 janar. Kjo ndërhyrje, sipas tyre, konsiston në faktin se janë kopjuar materialet e filmuar ditën e demonstratës dhe më pas janë fshirë nga memoria e këtij serveri të gjitha filmimet. Prokuroria dyshon se në këto pamje tregohen efektivët e Gardës së Republikës duke qëlluar me armë në drejtim të turmës së demonstruesve. Sipas prokurorisë, dyshohet se me fshirjen e këtyre pamjeve hetuesit e çështjes, nuk mund të identifikojnë me pamje filmike personat që qëllonin me armë luftarake në drejtim të demonstruesve të opozitës të mbledhur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” para ndërtesës së Këshillit të Ministrave.

“Vetëm pak kohë më parë, pranë Prokurorisë së Tiranës ka ardhur serveri fizik i dërguar nga organi i akuzës pranë zyrave të FBI-së, ndërsa raporti i akt-ekspertimit të tij ende nuk ka mbërritur. Në këtë raport, pritet që ekspertët të FBI-së t’i janë përgjigjur pyetjeve të prokurorisë, nëse ky server është funksional, sa është koha e memories së filmimeve, a ndodhen brenda tij filmimet e ngjarjes së 21 Janarit dhe ekzistojnë gjurmë se është ndërhyrë në këtë server, duke fshirë dhe riformatuar më pas këtë kompjuter. Për të gjitha këto e të tjera pyetje, pritet që ekspertët të jenë përgjigjur në raportin që së shpejti do t’i dorëzohet hetuesve të çështjes”,- thuhet nga prokuroria.

Por, ajo që sipas hetuesve tashmë është konfirmuar, është fakti se në atë server kanë qenë pamjet filmike të regjistruara të demonstratës së 21 Janarit, por, ata janë kopjuar dhe më pas fshirë nga memoria (hard-disku). “Shekulli” në prill të 2011 publikoi lajmin e fshehjes së provave nga zyrtar të kryeministrisë, pas dorëzimit dhe sekuestrimit të këtij serveri në atë kohë me ndërhyrjen e prokurorit amerikanë, i cili i ishte bashkangjitur hetuesve për zbulimin e autorëve të vrasjeve në demonstratën e 21 Janarit. Sipas të dhënave të prokurorisë, mësohet se serveri qendror i kamerave të sigurisë që ndodhej në ndërtesën e kryeministrisë, kishte të programuar kapacitetin e ruajtjes së pamjeve filmike vetëm brenda 48 orëve, më pas ata fshihen automatikisht por që ruheshin në memorien qendrore.

 

Fshehja e provave, merret në pyetje Gjergj Lezhja

TIRANË- Kopjimi dhe fshirja e pamjeve filmike nga serveri qendror i kamerave të sigurisë, ka shtyrë prokurorët që të marrin në pyetje Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, z.Gjergj Lezhja, punonjës të tjerë të këtij institucioni dhe të Gardës. Thirrja dhe marrja e tyre në pyetje është bërë me cilësinë e personave që kanë dijeni për çështjen. “Për llogari të procedimit penal të regjistruar nga Task-Forca, për dyshimin e kryerjes së veprave penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës” në bashkëpunim nga zyrtar të Këshillit të Ministrave, të cilët dyshohet se kanë kopjuar dhe më pas fshirë pamje filmike të regjistruara nga kamerat e sigurisë ditën e demonstratës së 21 Janarit, hetuesit kanë marr në pyetje pesë persona.

I pari që është pyetur për këtë fakt ka qenë Gjergj Lezhja me detyrë Sekretar i Përgjithshëm i kryeministrisë, tre punonjës të Gardës së Republikës që ditën e demonstratës ishin të vendosur me detyrë pranë zyrës së vrojtimit ku ndodhej serveri qendror i kamerave të sigurisë dhe dy inxhinierët e IT-së, njëri punonjës i kryeministrisë dhe tjetri i Gardës së Republikës. Të gjithë këta janë marrë në pyetje me cilësinë e personave që kanë dijeni për çështjen”-thanë zyrtarët e prokurorisë. Këta të fundit, nuk përjashtuan faktin se në përfundim të hetimeve, për ndonjërin nga këto persona që janë marrë në pyetje do të ngrihet akuzë konkrete, pasi janë të vetmit persona që kishin akses në zyrën e vrojtimit të kamerave të sigurisë ditën e demonstratës së 21 Janarit 2011.

Sipas këtyre burimeve, asnjëri nga të pyeturit nuk ka pranuar faktin se ka ndërhyrë në kopjimin apo fshirjen e pamjeve filmike të regjistruara nga kamerat e sigurisë. “Nuk kam dhënë urdhër për kopjim apo fshirje të pamjeve filmike të kamerave të sigurisë ditën e demonstratës së 21 janarit. Serveri nuk punonte prej kohësh”,- mësohet se ka thënë ndër të tjera Lezhja. Ndërkaq, edhe të pyeturit e tjerë, nuk kanë pranuar se kanë ndërhyrë apo fshirë pamjet filmike në server, duke shprehur edhe mos dijeninë e tyre për një veprim të tillë nga ndonjë punonjës i kryeministrisë.

Flamur Vezaj

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.